nga Alisa VELAJ
(shtegtim nëpër liritë e Fatos Arapit)
Më dhimbset
gaforrja që shkon praptas…
Mahnitur qëndroj mbi gjurmën e saj
dhe kërkoj shtegun të gjej njeriun.
Pa zë ju thërras:
Surgite mortui!
Mbi poetikën e Fatos Arapit
Në parafjalën e shkurtër që shoqëron botimin e veprës së tij të zgjedhur poetike, në një kolanë prej katër vëllimesh,[1] poeti Fatos Arapi shkruan: “Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë”.[2] Më shumë se një pohim, kjo fjali i përngjan vargut të një poezie, në thelb të së cilës vendosen koordinatat fiktive të një abstragimi sa real aq dhe akohor. Të shkosh pandërprerë drejt diçkaje të paarrritshme është një udhëtim i pambarimtë, si është e pambarimtë udha drejt përsosjes shpirtërore dhe për këtë duhet të jesh i vetëlindur me aspiratën më të lartë; nostalgjinë për absoluten[3]. Poezia e F.Arapit, për plot gjashtë dekada shfaqet si një shtegtim i përhershëm drejt Njeriut. Sipas Harold Bloom-it, një nga funksionet e leximit është që të përgatitemi për ndryshim dhe ndryshimi përfundimtar është mjerisht universal.[4] Kjo poetikë përgatit pikërsht këtë lloj ndryshimi për lexuesin e poezisë.
Universalizmi është një dukuri që është prekur herë pas here nga studiues të ndryshëm të veprës së Arapit, por përcaktimin më shterrues të saj do ta jepte si askush tjetër para dhe pas tij, studiuesi dhe poeti i shquar Gane Todorovski në mbrëmjet e poezisë strugane më 2008, kur poeti shqiptar do të nderohej nga juria e festivalit me medaljen e artë; Golden Wreath Medal. Ja si shprehet Todorovskit për poetin tonë në këtë ceremoni: “Puna e Arapit natyrisht lartësohet mbi kohërat dhe mjedisin ku ai vendoset dhe të cilit i drejtohet. Fatos Arapi është ekzemplari i një poeti, një autori krijues, autonomia autoriale e të cilit, e shprehur në nivelin dhe statusin e pozicionit më natyror, i ka mundësuar atij poezi dhe mendime të pambaruara nga çdo lidhje me konvencionet estetike dhe veprimet e stilit.”[5]
Zbërthimi i këtij përcaktimi mund të na çojë drejt përfundimesh të llojllojshme, pasi njësoj si poezia e Arapit ngërthen thelbe sa të prekshme, aq edhe të pambarimta. Todorovski nënvizon prej fillimit dukurinë e universalitetit, kur shprehet se puna e Arapit lartësohet mbi kohërat dhe mjedisin ku ai vendoset dhe të cilit i drejtohet, duke shpallur se poeti shqiptar i tejkalon kufijtë realë të gjuhës në të cilën shkruan, përderisa poezia e tij për nga dimensioni i saj universal mund të lexohet, ndjehet dhe perceptohet në çdo vend (nënkupto gjuhë) dhe në çdo kohë. Anatomia autoriale ka të bëjë padyshim me origjinalitetin e poezisë së tij dhe me faktin e pakundërshtueshëm se kjo poezi qëndron ballëhapur ndaj trysnisë së përkthimit nga gjuha mëmë drejt gjuhëve të tjera. Poetë që shkruajnë mirë ka jo pak, por rrallë ndonjë prej tyre arrin të ngadhënjejë mbi këtë lloj trysnie. Pa dashur të përmendim emra, pjesa dërrmuese e poetëve të gjuhës shqipe vijnë si dishepuj të shkollave të themeluara nga mjeshtër të poezisë botërore. Kjo nuk i bën më pak poetë, pasi brenda këtij ndikimi, ata lënë vulën e tyre të origjinalitetit, por gjatë kalimit në një gjuhë tjetër (ku poezia përherë humb), recepienti i një tjetër areali gjuhësor do të shfaqte më tepër interes për atë lloj poezie që vjen përherë e më pak e ndikuar prej stilit të një tjetër poeti të madh. Këtu nuk bëhet fjalë për atë lloj ndikimi që çdo krijues ka patur, ka dhe do të ketë prej poezisë më të mirë botërore, por për atë lloj ndikimi konkret që do ta bënte lexuesin e gjuhës tjetër të mendonte se po lexon një tjetër Esenin, një tjetër Majakovski, një tjeter Vasko Popa, apo një tjetër Eminesku në gjuhët përkatëse. Sado i realizuar të mund të jetë poetikisht dhe estetikisht ky Majakovski i dytë, ky Popa i dytë, ky Eminesku i dytë, apo ky Esenin i dytë!
Mendimet e pambaruara (duke vazhduar të shtjellojmë Todorovskin) nuk mund të ngjizen brenda poezive të një poeti të shquar, përveçse në rastet kur vargjet janë thellësisht ambigue[6] Ky ambiguitet në poezinë e Fatos Arapit arrihet përmes dy topikësh: së pari të qenit poezi përherë e më tepër intelektive (intelektuale)[7] prej një vëllimi në tjetrin dhe së dyti, përmes përdorimit të ironisë. Ironisë postmoderne në nivel të fjalëve dhe ndërtimit sintaksor dhe ironinë sokratike tek poezia si tërësi kuptimore. Ironia postmoderne zakonisht kuptohet si pranim i humbjes së kuptimit të qëndrueshëm apo të përbashkët.[8] Në poezitë e Arapit është një dukuri mjaft e dendur kur fjala apo koncepti i shtrirë në nivel fjale, sintagme, apo një fjalie të tërë kundërshton vetveten, apo thënë ndryshe prej një koncepti të qëndrueshëm krijohet një tjetër koncept i ri, më një konotacion katërcipërisht të ndryshëm nga i pari. Mjafton të citojmë disa vargje prej poezisë “Mirë shpresën e fala” për të ilustruar këtë operacion tekstual aspak të zakontë në tërë historinë e poezinë shqipe.
“E frikshme kjo natë shqiptare mbi mua,
ku shpresa në mesin e udhës, –
hap krahët e saj të pashpresë.
………………………..
Trishtimin e merr malli për trishtimin,
për dore e merr dhimbja dhimbjen;
kërcen akrepi i orës drejt tjetrit, –
të takohen në orën zero.
E uritur liria për liri,
E uritur drejtësia për drejtësi.
Mirë, shpresën e fala,-
por ç’të bëj me tradhëtinë e saj?”
Ironia sokratike na çon përmes pyetjeve të njëpasnjëshme drejt thellimit të njohurive dhe sa më shumë që zbulohen dhe deshifrohen këto të fundit, aq më shumë arrijmë t’i eksplorojmë thellësitë e shpirtit/shpirtërores.[9]. Poezia intelektive e Arapit na e servir të gatshme këtë lloj ironie, që e çon lexuesin drejt zbulimit të përshkallëzuar të kuptimeve në lirikat e tij, ku përdoren shprehje si xixë ironie, sy ironikë, buzëqeshja jote e mënçme ironike apo deri tek lutja për t’i falur poetit një copëz ironie, me anë të së cilës ai do të mund të kuptonte realitetin absurd shqiptar të post diktaturës.
“Më jepni ju një copëz ironie,
se nuk e gjej dot në veten time, –
një copëz ironie
sa gjysmëz e krahut të zogut, –
të mbrohem nga shirat e verdhë
të predikimeve të apostujve të lajthitur.”
Në një tjetër kontekst, jo pak nga krijimet e Arapit janë të destinuara për t’u kuptuar vetëm nga një lexues shumë i sprovuar i poezisë. Kjo për arsyen e thjeshtë, se gjendet përherë në thelbin e tyre një kuptim i fshehur me aq mjeshtëri, një alegori aq e thellë, sa një lexues që nuk ka një përvojë të gjatë leximesh në fushat e letërsisë, filozofisë e historisë, si edhe një mprehtësi të natyrshme të mendjes për të kuptuar e filtruar disa nga dukuritë më komplekse të realitetit shqiptar, me siguri që ka për të ngelur shtang përpara tyre. Ka përherë diçka si Sokrat në krijimet e tij. Në poezinë me të njëjtin titull (“Diçka si Sokrat”), duket se shpjegohet më së miri kjo lloj shtangieje që vjen nga moskuptimi i një lexuesi “aspak model”.
“- Kush do ta mbushë këtë gotë?-
pyeta unë.
– Kush do ta pijë? –
pyeti errësira pas meje.”
Për t’i shpërndarë në njëfarë mënyre, grimcat e asaj errësire që pyet se kush do ta pijë “këtë gotë poezie” dhe të zërit të panjohur që në të kundërt është i interesuar se kush do ta mbushë, do të sjellim këtu një lexim të poezisë “Gloria Victis” (Lavdi Humbësve), përfshirë në vëllimin me të njëjtin titull dhe “do të hetojmë” se si vargjet bashkëveprojnë me njëri-tjetrin për të krijuar tërësinë ironike. Humbja e ironisë është vdekja e të lexuarit dhe asaj që ka përmirësuar natyrën tonë,[10] prandaj në këtë lexim, ne do të përpiqemi të ringjallim shkaqet e braktisjes së shpirtit dhe qenies humane, si edhe paaftësinë e kësaj të fundit për të dalluar lirinë nga joliria.
“Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim
Zaret e bardhë të fateve tona
Ne i hedhim para – dhe vazhdojmë
T’i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush.
Të tjerët vetëm fitojnë,
Ndërsa ne jemi populli humbës
I humbjeve të mëdha. Zemra jonë
Eshtë një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës,
Dhe gabojmë, nuk e njohim
Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
Eshtë prej lënde të brymtë trishtimi,
Të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,
Ata s’humbasin kurrë, sepse
Kurrë nuk gabojnë.
Ndërsa ne gabojmë – ashtu siç dimë vetëm ne!
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit
Të humbjeve të mëdha. Sepse ne
– po vetëm ne!-
Jemi të vërtetë.
26.1.’97
Tiranë-Vlorë”
Në shkrepëtitjen e parë fare të fjalëve para syve tanë, kur thjesht lexojme, por ende nuk kuptojmë aq thellë, shohim se poeti u thur himn humbësve, gjë që e servir vetë titulli. Meritokan vallë humbësit t’u thurësh himne njësoj si fituesve, për më tepër kur fjala lavdi lidhet në të ndërgjegjshmen dhe të pandërgjegjshmen tonë vetëm me këta të fundit?! Fjala e Arapit shfaq natyrën e saj ambigue që në nisje. Vargjeve të poezisë, vëmendja dhe vramendja ndalet në sintagma të tilla si: humbësit e mëdhenj, artin e shkëlqyer të humbjes, zaret e bardhë të fateve, popull humbës, pushtetin e errët të smirës, lakminë akrep të pushtetit, shpirti -prej lënde të brymtë trishtimi, fitonjës të përjetshëm, lavdi e popullit, lavdinë fitonjëse, humbje të mëdha dhe jemi të vërtetë. Ndërkohë emri “humbje”, së bashku me foljen që përftohet prej tij (humbasim/humbasin) dhe epitetin (humbës) i shohim të përsëritura në tekstin poetik, herë direkt dhe herë duke u nënkuptuar. Himni i humbjes na paraqet dy lloje qeniesh; humbësit e mëdhenj, të cilët janë të tillë pasi vetëm gabojnë dhe fitonjësit e lavdishëm. Të parët kanë një shpirt prej lënde të brymtë trishtimi që mund ta vrasë gjithkush dhe zemra e tyre është një mollë e artë dhimbje.
Për çudi këta lloj humbësish nuk i njihkan as pushtetin e errët te smirës, as lavdinë akrep të pushtetit. Atëherë pse qenkan humbës të mëdhenj dhe për më tepër jo humbës si individë por humbës si popull?!Paskemi të bëjmë jo vetëm me fajin individual të një heroi humbës, por me fajin kolektiv të një populli humbës! Po pse qenka faj të jesh humbës, ndërkohë që duke mos e njohur pushtetin e errët të errësirës i bie të jesh në një zonë plot dritë? Quhesh kështu një hero tragjik i humbjes, jo një humbës i madh dhe shpirti yt është prej lënde të paepur heroizmi, jo prej lënde të brymtë trishtimi. Arapi iu mvesh këtyre lloj humbësve tërë cilësitë e triumfatorëve. Themi “art i shkëlqyer i fitores” apo “fituesit e mëdhenj”, ndërsa këtu këto cilësi subjekti lirik ua dëshmon ca humbësve që qenkan të tillë, pasi vetëm ata dikan të gabokan! Antipod i tyre janë fitonjësit e përjetshëm që nuk humbasin kurrë, pasi kurrë nuk gabojnë. Lind pyetja: po këta të fundit e njohin pushtetin e errët të smirës? Gjërat fillojnë e ngatërrohen për një lexues empirik dhe i lënë shtegut lexuesit model, i cili natyrshëm shtron dy pyetje? Cilët ndodhen në zonën e territ dhe zonën e dritës, humbësit e mëdhenj apo fitonjësit e lavdishëm? Teksti përmend konceptin e gabimit. Humbësit që dinë të gabojnë sepse i kanë kthyer krahët lavdisë fitonjëse dhe fitonjësit e përjetshëm që kurrë nuk gabojnë. Të parët hedhin përpara zaret e bardha dhe e vazhdojnë udhëtimin edhe pasi të kenë kaluar Rubikonin.
Zëri poetik fillon ta shpërndajë tanimë mjegullën e moskuptimit. Ky hymn nuk është aspak hymn, por një elegji ku mbytet zëri i dëshpëruar i një poeti-profet, që shpall se humbja ka si shkak kthimin e krahëve ndaj lavdisë fitonjëse, ndërsa veprimi që ka shpënë drejt kësaj tragjedia kolektive është se një popull i tërë (dhe jo thjesht një individ) ka hedhur përpara zaret e bardhë. Lexuesi model mbërrin vetiu drejt sintezës se kjo është një poezi alegorizuese, pasi përmban një lëndë poetikë, e cila përmbush një nga funksionet primare të alegorisë, kur diçka lexohet “si alegori” e diçkaje tjetër.[11] Për ta zbërthyer sa më shkoqur këtë alegori duhet të ndalemi tek ngjyra e zareve të fatit që është ngjyra e bardhë dhe tek shpjegimi historik se çfarë përfaqëson “Rubikoni” në histori dhe në kulturën shpirtërore të njerëzimit.
Së pari, ngjyra e bardhë (si çdo ngjyrê tjetër) ka një semantikë të dyfishtë. Kuptimet pozitive të së bardhës janë; plotnia, thjeshtësia, papërlyerja etj. Kuptimet negative kanë të bëjnë me boshin,izolimiin ,mërzitjen etj[12]. Në një tjetër lloj interpretimi, e bardha dhe e zeza si antonim (konotativ) i saj shprehin në thelb se në çfarë ngjyre është në të vërtetë perceptimi ynë i dritës (i bardhë) ose mungesa e dritës (e zezë).[13] Ndërkohë, në disa kozmologji, ngjyrat shfaqin një simbolikë kozmike dhe na evokojnë një përmasë të hyjnores.[14] Emri “Rubikon” vjen në ditët tona prej Jul Çezarit dhe ka të bëjë me historinë e kryqëzimit të ushtrisë së tij në lumin Rubikon. Kjo betejë u zhvillua në Romën e lashtë në vitin 49 para Krishtit. I famshëm si një simbol që filloi luftën civile romake, “kalimi i Rubikonit”, përdoret në kulturën popullore si një idiomë, e cila do të thotë “të kalosh përmes një pike pa kthim”.[15]
Ironia e “zareve të bardhë të fatit” është natyrisht në funksion të alegorizimit të tekstit poetik dhe kuptimësia e kësaj sintagme është tepër ambigue gjithashtu. Autori shkruan se “artin e shkëlqyer të humbjes” ne e kemi kthyer në fat, çka na shtyn të gjykojmë, se kjo ngjyrë e bardhë e zareve nuk mund të ketë lidhje me pafajësinë, dritën apo shpirtëroren, për sa kohë fajësojmë të tjerët për fajin tonë. Pra është një e bardhë që nuk është e bardhë, duke bërë që fjala të kundërshtojë vetveten (ironia postmoderne), ose një e bardhë që shfaq anën e saj negative; boshin, errësirën dhe jo shpirtëroren. Tragjikja, apo ajo që Arapi e pagëzon si vet’harrimi ynë tragjik[16] qëndron në faktin se ky veprim i hedhjes së zareve ndodh në mënyrë të përsëritur dhe këto zare nuk hidhen pas, por para, duke projektuar kështu një fat tragjik edhe në udhët e ardhmërisë. Veprimi i zareve të hedhura, edhe pasi ta kemi kaluar Rubikonin, nënkupton se kthimi ynë drejt lavdisë fitonjëse do të jetë një proces tepër i vështirë, duke prekur gati gati kufijtë e së pamundurës.
Krahas sintagmës “popull humbës” që na ngarkon ne shqiptarëve me faj kolektiv, Fatos Arapi e përdor fjalën “popull” edhe brenda një frazeologjie tjetër tejet domethënëse, kur shkruan “ne njohim vetëm lavdinë e popullit”. Ky lloj diskursi i përket shqipes totalitare, në të cilën koncepti “popull” ishte shkaku dhe pasoja e gjithçkaje që ndodhte. Shpikësit e ideologjisë komuniste lanë slogane të tilla si: ç’thotë populli bën partia dhe ç’thotë partia bën populli, në emër të popullit je i arrestuar etj etj. Shkurt dhe qartë, çdo veprim prej tirani gjente justifikimin para individit të thjeshtë, se bëhej në emër të popullit. Duke qenë se individi i përkiste popullit, atëherë veprimi i tiranit ish përherë në të mirë të tij. Tragjikja qëndron në faktin se ne e kemi pranuar këtë lloj mendësie, duke e bërë natyrën tonë të dytë. Fajin nuk e konsiderojmë më individual, por ia kalojmë përherë të tjerëve. Secili mendon se është zëri i popullit. Për pasojë egoja e madhe lind tiraninë brenda nesh, duke i ndotur fatet tona me frymë tiranësh. Ngatërrojmë shkëlqimin e lavdisë me tiraninë dhe nuk e kuptojmë verbërinë tonë. Secili prej nesh është vet atdheu, e prandaj nuk lindim dot heronj dritë që të na udhëheqin, pasi njohim jo lavdinë e heroit, por lavdinë e popullit. “Jemi aty ku ishim, pa bërë asnjë hap para. Jemi gaforre në odisenë tonë drejt lirisë së vërtetë. Surgite mortui!”, klith i tmerruar poeti.
Poezia mban si datë krijimi “26.1.’97, Tiranë-Vlorë” dhe ky referent kohor, apo ky paratekst është çelësi që zbërthen tërë tekstin poetik në kontekstin social dhe historik. Një poet është produkti i kombinuar i fuqive të tilla të brendshme që modifikojnë natyrën e të tjerëve, dhe të ndikimeve të tilla të jashtme që eksitojnë dhe mbështesin këto fuqi; ai nuk është njëri, por i përmban të dy.[17] Kështu Arapi poet është sintezë e talentit të tij gjenial, ndërthurur me ndikimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë, që lanë në vetëdijen dhe pavetëdijen e tij krijuese, ngjarjet dramatike të epokave në të cilat ai jetoi. Viti i mbrapshtë 1997 mbetet një kujtesë mjerane e tranzicionit të gjatë shqiptar dhe veçanërisht e qytetit të Vlorës, vendlindjes së poetit. Referenti kohor e nxit lexuesin natyrshëm të mendojë se kjo poezi është një elegji me përmasa rrokaqiejsh e autorit për vendlindjen dhe nje anatomi e shkëlqyer e Shqipërisë në atë periudhë historike. Për më tepër shënimi “Tiranë-Vlorë” na shpaloset si një formë udhëtimi kohor (apo mental) i unit lirik, prej zemrës së atdheut drejt arealit në të cilin po mbruhet tragjedia, ose e vetë Fatosit drejt vendlindjes së tij. Aty ku hedhin vallen e vdekjes alabakët shtriganë në apokalips. Atë lloj valleje ku projektojnë kryekohërat të mohojnë veten.[18]
Liria jo e lirë dhe joliria e lirë
Ky artikull do të rreket t’i paraqesë lexuesit trajektoren nëpër të cilën është ngjizur koncepti i lirisë në krijimtarinë e Arapit, prej fillimeve poetike të autorit, deri në poezitë e fundit që ai shkroi. Duke qenë se shumica e asaj që ne e quajmë poezi -të paktën prej iluminizmit është një lloj kërshërie për të njohur zjarrin[19], apo ndriçuar mendjen, themi se kjo poezi rreket të na përndritë ne lexuesve, përmes guximit të dritës që regëtin në të. Studiuesi Todorovski duket se ka parasysh këtë lloj ndriçimi të qenies (mendje-shpirt) ndërsa shprehet: “… Sepse është ky shkëlqim, në mes të atij shkëlqimi që mrekullitë e një fjale të bukur përmbajnë në ditët e sotme. Fatos Arapi është këtu për të ndriçuar plotësisht hapësirat tona të ndriçuara dhe për të zbukuruar këtë zonë të këndshme ”.[20] Poeti që ka si ideal kërkimin e shtegut për të gjetur njeriun, padyshim se në vargjet e tij do të mbetet një dishepull i shpirtit të ndriçuar plotësisht, madje edhe në skutat më të errëta. Përndryshe si mundet njeriu ta kërkojë udhën drejt lirisë?
Liria jo e lirë (po a është e lirë liria?) dhe joliria e lirë janë dy brigjet mes të cilave rrjedh lumi i shqetësuar i mendimit filozofik të Arapit. Po si përvijohet koncepti i lirisë për lexuesin e poezisë? Duke qenë se poeti i përket gjeneratës së krijuesve shqiptarë që e lëvroi krijimtarinë e tij mes dy epokave, diktaturës komuniste dhe post diktaturës, edhe poezia e tij do të paguante haraçin e saj. Ja se çfarë shkruan vetë Fatosi, tek përshkruan autoportretin dhe mea culpa-n e vet në librin “Kujtohem që jam”: “Personalisht, duke parë nga jeta ime 65 vjeçare sot, jetën e krijimin tim, unë pranoj ndershmërisht se në krijimtari i kam paguar haraç, dhe ndonjëherë jo të vogël, diktaturës së egër shqiptare, – por më është dashur të mbijetoja, unë nuk luftoja me pushkë, me pushkë luftoi Vllasi, unë më trim se ai nuk kisha për të qenë kurrë, e Vllasi mbeti baltrave e prrenjve të Kavajës, dhe unë s’po ia gjej dot eshtrat as sot. Unë luftoja me penë, isha vetëm një poet fillikat, dhe më shumë nuk mund të bëja. Kam bërë aq dhe atë që kam mundur. As babain e as vëllain tim nuk e kam turpëruar.”[21]
Po ta ndajmë krijimtarinë e Arapit në dy periudha, vitet 1962-1989 dhe vitet 1990-2010, vëmë re se në periudhën e parë kemi një numër të madh poezish antologjike, si në lirikën erotike, ashtu edhe në poezitë, ku liria si koncept vihet në raport me pafundësinë, detin, liqenin, qiejt mbi Akrokeraune etj etj. Fjala vjen e thellë, mrekullisht e bukur, poezia me një vibrim e pathos meditativ, ndërsa në lëmin e konceptit të lirisë në raport me jolirinë, kjo lloj poetike ka një rrudhje të madhe. I këndohet vetëm lirisë së atdheut, apo lirisë si koncept filozofik, kur shprehet se gjeneratat e reja të parën barrikadë lirie duhet ta hapin nëpër veten e vet. Pas viteve ’90 raporti i lirisë me jolirinë shfaqet me një frymëmarrje të thellë në një numër të madh poezish, gati në çdo vëllim të ri të autorit. Po të tregojmë edhe më tepër kujdes me datat e vendosura nga Arapi poshtë poezive që kanë në themel konceptin e lirisë, apo raportin e saj me jolirinë, shohim se shumë nga poezitë e përfshira në vëllimet e botuara pas diktaturës, mbajnë si datë krijimi kohën e diktaturës. Ja disa prej shembujve të poezive më përfaqësuese të autorit.Vëllimi me poezi “Ne, pikëllimi i dritave” (1993) ku përfshihen poezitë; Dorë për dore me tragjedinë (1980), Ne, nekropolet e rinj (1980), Të paktën (1980), Mos u gëzoni, Zeusë! (1980), Tempull i braktisur (1990) dhe Të ardhmes (1980). Vëllimi me poezi “Më vjen keq për Jagon” (1994), ku përfshihen poezitë; I ndershëm si vdekja (1981), Edhe pa Fatosin (1980), Vargje spitali (1970), Nuk e di ç’kohë qe (1980), Në fund të fundit Troja kishte rënë (1972), Më vjen për të qeshur me tragjeditë (1972, Ti mos më lër vetëm (1980), Papagajt (1976), Më vjen keq për Jagon (1976), Me arkivolin tim mbi kurriz eci (1980), Oh, që paskemi të gjithë…(1969) dhe Ah, liri (1980). Vëllimi me poezi “Gloria Victis” (1997), ku përfshihen poezitë; E kemi ngulur dhëmbin në ajër (1980), Asgjë, e dashura ime, asgjë (1967), Kaq herë vdekja (1980) dhe Perëndia e shqiptarëve (1967). Shohim se shumë nga krijimet që binin ndesh me vijën e realizmit socialist, ose më saktë i bënin autopsinë në mënyrën më të pamëshirshme asaj kohe, poeti nuk ka mundur t’i botojë dot në atë kohë. Arsyeja kuptohet fare qartë në mea culpa-n e lartpërmendur! Arapi flet aty me një ndershmëri të pashoqe dhe me zemër në dorë, gjë që e kanë bërë fare pak krijues shqiptarë.
Nisur nga koha kur poezitë janë shkruar dhe botuar, krijimtaria e poetit mund të klasifikohet në tri lloje; së pari, poezi të shkruara dhe të botuara në diktaturë, së dyti, poezi të shkruara në diktaturë dhe të botuara në demokraci dhe së treti, poezi të shkruara dhe të botuara në demokraci. Grupi i parë i tyre fillon dhe e ngjiz lirinë si aspiratën më të lartë. Në vitin 1962 në vëllimin zanafillor “Shtigje poetike” poeti i drejtohet lirisë si qenie, dialog që do të ishte i tillë gjatë tërë krijimtarisë në vijim. Në poezinë “Lirisë” ai shkruan se ne ty të krijonim në çdo pikë gjaku e zemër njerëzore. Ai e shpall që në fillimet e kredos së tij poetike se qenia është liri dhe liria është qenie. Poema më e realizuar e Arapit në këtë periudhë është “U dola përpara agimeve”. Kjo poemë shfaq vlera të vërteta estetike dhe letrare edhe për lexuesin bashkëkohor dhe krijon për të parën herë situatat ambigue, apo gjendjet ambigue. Është kjo karakteristikë, apo veçanësi që do ta bënte Arapin, krahas Migjenit përpara tij, një nga dy mjeshtrat më të pakrahasueshëm me askënd tjetër në poezinë shqipe.
“Dhe inkuizitorët modernë të lirive të reja
marshonin – ordi nën helmeta”.
“Dhe me turmat, që vërshonin si lumi,
rreth prushit të marrëzisë njerëzore
vajta dhe unë ngrohnja duart.
Dhe më mori gjumi.”
Raporti liri-joliri apo liri-marrëzi nis pikërisht tek kjo poemë. Madje subjekti lirik e bën veten pjesë aktive të marrëzisë. Të jetë kjo poemë një alegori e diktaturës komuniste? Padyshim që po. Mënyra alegorike e rrëfimit në prozë dhe alegorizimi në poezi do të shpëtonte jo vetëm Arapin në ato vite të egra, ku po t’i thoje gjërat hapur dënimi do të ishte kapital. Prozatori ynë i madh Ismail Kadare do ta lëvronte shpesh rrëfimin alegorik ne mjaft nga veprat e tij, ku mjafton të përmendim “Pallatin e ëndrrave” si shembullin më tipik. Ndërkohë në vëllimin e tretë me poezi “Ritme të hekurta”, botuar më 1968, lirisë i këndohej përmes vargjesh të tillë, ku themeli i saj më i fortë duhej të gjendej para së gjithash në thelb të njeriut. Arapi sjell konceptin e lirisë së qenies, si të vetmin kusht të qenies së lirë në horizontet e ardhmërisë.
“Unë të thoshja: lëri iluzionet! Jeta është jetë…
Ndofta, nesër, të parën barrikadë lirie
ata do ta hapin nëpër veten e vet.”
Në një tjetër kontekst, me poemën “U dola përpara agimeve” dhe me vëllimin Ritme të hekurta (1968) nis të ngjizet paradigma e poezisë filozofike në krijimtarinë e poetit. Si poet meditativ, me horizont të gjerë intelektual e kulturor, Fatos Arapi e fut natyrshëm në poezinë e tij të botës shqiptare përmasën ekzistenciale, universale e filozofike çka dikur iu quajt mendim i huaj e hermetizëm.[22] Nëpërmjet konceptit të statujave në poemën “Ku shkoni ju, statuja..” alegoria mëton të zbulojë duke fshehur shumë. Uni lirik bën autopsinë e plotë të shoqërisë shqiptare nën diktaturë, ku mohimi i lirisë dhe vënia në pranga e shpirtrave të lirë janë refrenet më të përsëritura të një kohe të pakohë. Gjithashtu për herë të parë Arapi merr rolin e poetit-profet po në këtë poemë kur shprehet me fjalët “tek unë tërë zërat”. Më pas këtë rol ai do ta marrë në formën më të mrekullueshme tek vëllimi me poezi In Tenebris. Poema mbart një retiçencë në titull, duke e lënë të hapur interpretimin. Përgjatë vargjeve poeti pyet, ndërsa në titull ai lë heshtjen e vet prej orakulli të flasë për lexuesin.
“Dhe ç’udhëtim i çuditshëm qenka ky i juaji?
Përse duhej të kalonit kështu nëpër mua,
kur unë vetë
mezi gjeta një udhëz, ku të eci
nëpër veten time. –
Një udhëz që të vij gjer tek ju? “
Më poshtë gjendet vargu çelës i krejt poemës.
“Ju i ngjani vetvetes
apo unë juve?”
Duke vijuar të perifrazojmë vetë poetin, shohim se ai u drejtohet statujave që të zgjohen, “pasi do të bisedojë me to si me njerëz”, ndërkohë që thekson se ky dialog i dëshiruar etshëm me to është një nevojë e brendshme, një thirrje shpirti, dhe jo sepse ai është një aktor tragjik. Zëri poetik deshifron nevojë urgjente jetike për dialog dhe jo aktrim. Apologjia e Arapit është e shkoqur: nuk jam një aktor tragjik dalë prej veprave të lashtësisë, por një human modern i shekullit XX-të që dialogu me ju (statujat) do të më mbajë në jetë. Dialogu me ju është për mua vetë ekzistenca ime! Është një funeral i përgjithshëm, ku statujat, me këmbë të thyera, duar të humbura, pa krye, pa trup marrin për dore poetin. Në ketë atmosferë ndihet një klithmë e kobshme skllaveje që shpon harrimin, ndihet dashuria e shek XX-të për bukuritë e gjymtuara.
Po pse e pushton poetin kjo dashuri? Përse jo dashuri për bukuri të plota, të shëndetshme, por nostalgji për qenie të ftohta, pa krye e trup? Mos vallë shpirti tërhiqet drejt të ngjashmes së vet? Asnjë plotni nuk ndjen mall për paplotninë, apo zbrazëtinë, kur vet është katërcipërisht i realizuar, i lirë, i shndritshëm e diellor. Ai ndjen rrugëtimin e beftë të zbrazëtisë nëpër veten e vet, kur është shndërruar në ngrehinë. Atëherë kur nuk gjen dot udhëzën për të ecur nëpër vete. Atëherë kur nuk është më liri, por një klithmë e kobshme skllaveje. Pra nuk është qenie, por është klithmë! Hej jam i vërtetë (nuk jam aktor tragjik)!, klith uni lirik.. Do të ishte idealja sikur këto qenie pa shpirt t’i ngjanin vetes, por tragjikisht tashmë u ngjan poeti atyre. Qenia nën diktaturë është joliri, njësoj si statujat me këmbë e duar të thyera, pa krye, pa trup. Poetit i duket se është më e lehtë është të rilindet një statujë, sesa të kthehet në liri, kjo tirani e shekullit ku jeton. Të ndiesh dashuri për statujat, të shpresosh në shpirtëzimin e tyre më shumë se sa tek dita-fëmijë e bashkëkohësisë që dridhet si pëllumb, do të thotë se jehona e klithmës ofshan shumë më thellë se ç’mund të përfytyrohet. Humanizmi ka dhënë shpirt, derisa klithma e mermerit (vdekjes) ronitet para jetës. Vargjet kanë një sinqeritet tragjik dhe sinqeriteti duhet të na shtyjë drejt një profecie të pamundur, i paracaktuar nga fati, me instinkt dhe kod të fshehtë.[23]
“Rënkimi juaj
ronitet prej meje
si kokrrizat e rërës prej shkëmbit të detit.”
Liria jo e lirë vazhdon të ngjizet në vëllimin Duke dalë prej ëndrrës, botuar në vitin 1989!!! Diktatura, kjo ëndërr e ligë po kalon nëpër fundin e kohës së vet. Shohim se poezia “Në Hortiadis” mban datën e krijimit “Selanik, 18 shtator 1979”, por vjen e servirur për lexuesin shumë vjet më vonë.
“Në një pikë gjaku, të paktën,
jemi të lirë, jemi njerëz.
Në një pikë gjaku, të paktën,
vetë vdekjes mund t’i thërrasim:-Nderoje
vdekjen!”
Në vitin 1994, në vëllimin antologjik dhe ontologjik In Tenebris, në baladën Nëna për herë të parë shfaqet portreti i birit të dritës, allias Vllas Arapit (vëllait të poetit), si heroi më i shndritshëm i lirisë në krejt poezinë shqipe.
“gjakun lirisë ia jepte
dhe bëhej liri si ajo.”
Poeti guxon për herë të parë zyrtarisht të shpalosë të vërteta të tmerrshme, si përmes alegorizimit, si në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në mea culpa-n e vet ai shprehet se s’mund të bënte më shumë, pasi ishte veç një poet fillikat. Duam apo nuk duam ta kuptojmë kjo është e vërteta. Në jetën reale Fatos Arapi rridhte nga një familje, ku i ati, Tol Stavre Arapi ishte një patriot i vërtetë që kish luftuar me pushkë në dorë për lirinë e atdheut, kurse i vëllai ishte zhdukur pa nam e nishan prej vrasësve të lirive, pak përpara se të na pllakoste errësira e diktaturës shqiptare.
Vëllimi Duke dalë prej ëndrrës përmban tri cikle: 1) Ishte koha kur statujat kishin frikë, 2) Pulëbardha e ngjeshi gjurmën dhe 3) Skënderbeu. Poezia përmbyllëse e këtij ciklit të parë mban po titullin Ishte koha kur statujat kishin frikë. Nuk ka asnjë datë krijimi nën të, por nga stili, frymimi dhe idetë duket hapur si një epilog i poemës “Ku shkoni ju, statuja…” e vitit 1972.
“Ishte koha kur statujat tmerroheshin.
Më mirë atje poshtë
në terrin e mijëvjeçarëve të ngrirë…”
I treti shenjues i statujave vjen në vitin 1990. Këtë vit Arapi boton vëllimin Ku shkoni ju statuja. Jemi në agun e demokracisë, apo më mirë në fillimin e një tjetër epoke. Vëllimi ndahet në dy cikle; 1) Vajet e Ballkanit dhe 2)Natyrisht që Çezarët vdesin. A do të jetojmë sërish në një epokë kur statujat do të kenë frikë? A do të dimë ta lindim lirinë e lirë? Poeti na ndërmend se duhet, përderisa dhe historia na ka dënuar me tirani.
“Zëri i parë vjen prej kohësh të moçme.
Zëri i dytë vjen prej kohësh bizantine.
Zëri i tretë ka qenë dhe është përherë
ngashërim i mbytur
i zemrës së njomë të Ballkanit.”
Arapin e shqetëson ky zë i tretë që do marrë jetë nga vetë ne, pasi vërtet çezarët vdesin dhe tok me ta dhe diktaturat, por këto diktatura ashtu siç ndodh të mos varen prej nesh, si në kohët e moçme apo kohët bizantine, ashtu ndodh edhe të themelohen nga vetë ne! A do të jetë i shenjtë ky zë i tretë, apo do të hedhim themelet e jolirisë? Në poezinë Vrasja e Pentisilesë dhemb deri në klithmë vargu: “Ah, që qenkemi Akilë! Oh, që qenkemi Akilë”. Ah është habi! Oh është dhimbje! A do të dimë ta gjejmë udhën tani që liria, të paktën në pamje të parë është e lirë? Përgjigjen e gjejmë në vitin 1993 në vëllimin Ne, pikëllimi i dritave, ku poeti do të shpërndajë shumë nga mjegullat e një realiteti të ri pas diktaturës gjysmëshekullore, ndërsa kthjelltësinë e plotë, deri në trandje tmerruese do ta japë vëllimi In Tenebris, ku cikli për Vllasin do të mbetet gur themeli në autopsinë që një poet shqiptar i ka bërë realitetit tonë në tri epoka, para diktaturës, gjatë diktaturës dhe pas diktaturës.
(vijon)
© 2020, Alisa Velaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
titulli origjinal: NOSTALGJIA PËR ABSOLUTEN NË AMBIGUITETIN E NJË POETIKE
[1] Bëhet fjalë për botimin e veprës poetike jetësore, të përzgjedhur nga vetë poeti dhe të botuar nga shtëpia botuese “Neraida” në vitin 2005. Vepra përbëhet nga katër vëllime; Më jepni një emër (1962-1989), Në kaq pak Tiranë (1990-1996), Urna e vogël (1997-2003) dhe Një buzëqeshje e pabesueshme (2005-2010). Ky artikull është mbështetur në këtë pjesë të krijimtarisë së poetit, duke vlerësuar faktin, se kur një krijues e ka përmbyllur ciklin e tij krijues, ajo çka mbetet për gjykim është pjesa antologjike e trashëgimisë poetike.
[2] Arapi, Fatos. (2005). Dy fjalë, Parathënie në Më jepni një emër. Tiranë: Neraida, fq.6.
(Në këtë artikull do të shkruhen me shkrim italic citimet nga vargjet e Arapit dhe mendimet e poetit mbi letërsinë.)
[3] Koncepti “nostalgjia për absoluten” është huazuar prej titullit të një vepre të George Steiner-it, Steiner, George. (1997). Nostalgia for the absolute. Canada: House of Anansi Press.
[4] Bloom, Harold. (2001). How to read and why. Nww York, London, Toronto, Sydney, Singapore: Simon & Schuster, fq.21.
[5] Fjalim i mbajtur nga akademiku Gane Todorovski, më 5 shtator 2008, me rastin e laurimit të Fatos Arapit me medaljen e artë të mbrëmjeve të poezisë strugane. Arapi mbetet deri më sot I vetmi poet shqiptar që e ka fituar këtë çmim prestigjoz ndërkombëtar. https://www.macedonianews.com/2008/09/struga-poetry-evenings-closes-fatos.html
[6] “Në kritikën letrare ambiguiteti përcaktohet kryesisht si disponueshmëri e njëkohshme e më shumë se e një kuptimi ose interpretimi.” Greene, Roland. Cushman, Stephen. Cavanagh, Clare. Ramazani, Jahan. Rouzer, Paul. Feinsod, Harris. Marno, David. Slessarev, Alexandra. (2012). The Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics. Princeton and Oxford: Princeton University Press, fq, 43.
[7] Përcaktimin “poezi intelektuale” e ka bërë më së pari studiuesi dhe përkthyesi Ilia Lëngu ndërsa shkruan: “Fatos Arapi është poet i lartësive intelektuale e njerëzore. Këtij poeti intelektual e elitar i shkon për shtat një lloj fisnikërie sui generis…” Lëngu, Ilia. (2007). Vështrimi i Orfeut. Tiranë: Argeta-LMG, fq, 166.
[8] Greene, Roland. Cushman, Stephen. Cavanagh, Clare. Ramazani, Jahan. Rouzer, Paul. Feinsod, Harris. Marno, David. Slessarev, Alexandra. (2012). The Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics. Princeton and Oxford: Princeton University Press, fq, 733.
[9] Velaj, Alisa. (2020). Existences and Irony in the poetry of Niels Hav. Mexico: The Ofi Press Magazine, Issue 65, fq, 36. “Ironia sokratike është trajtuar prej autores së këtij shkrimi edhe në një tjetër studim mbi poetikën e autorit danez Niels Hav. Përcaktimi i mësipërm, i cili i shkon mjaft për shtat poezisë së Arapit është një përfundim në të cilin artikullshkruesja ka arritur pasi ka analizuar më parë trajtimin që filozofi Sorren Kierkegaard i bën për herë të parë këtij koncepti. Sipas Kierkegaardit, sa më shumë Sokrati rrëmonte nëpër ekzistencë [ekzistenca], aq më thellë dhe në mënyrë të pashmnagshme çdo vërejtje e vetme duhej të përqendrohej drejt një tërësie ironike, një gjendje shpirtërore pafundësisht e paarritshme, e padukshme dhe e pandashme. (“The Concept of Irony, with Continual Reference to Socrates”).
[10] Steiner, George. (1997). Nostalgia for the absolute. Canada: House of Anansi Press, fq.25.
[11] Greene, Roland. Cushman, Stephen. Cavanagh, Clare. Ramazani, Jahan. Rouzer, Paul. Feinsod, Harris. Marno, David. Slessarev, Alexandra. (2012). The Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics. Princeton and Oxford: Princeton University Press, fq, 37.
[12] Cerrato, Herman. The meaning of colour. fq,14.
https://blocs.xtec.cat/gemmasalvia1617/files/2017/02/the-meaning-of-colors-book.pdf
[13] Hui-Chih Yu, (April 2014). A Cross-Cultural Analysis of Symbolic Meanings of Color, Chang Gung Journal of Humanities and Social Sciences 7:1 49-74. fq,55.
[14] Petru, Simona. (December 2006). Red, black or white, The dawn of colour symbolism. Article in Documenta Praehistorica.
[15] Montoya, Elizabeth. (May 20, 2019). The Story Behind Rubicon’s Logo in https://www.rubicon.com/blog/story-behind-rubicon-logo/pdf.
[16] Shprehja vet’harrim tragjik perifrazohet nga poezia “E kemi ngulur dhëmbin në ajër”.
[17] Bloom, Harold. (1997). The anxiety of influence, a theory of poetry. New York, Oxford: Oxford University Press, fq, 103-104.
[18] Perifrazohen vargje nga poezia “Tranzicion” e Arapit.
[19] Bloom, Harold. (1997). The anxiety of influence, a theory of poetry. New York, Oxford:Oxford University Press, fq, 79.
[20] Pjesë nga fjalimi i Gane Todorovskit në netët e poezisë strugane.
[21] Arapi, Fatos. (1997). Kujtohem që jam. Tiranë: Marin Barleti, fq, 98.
[22] Lëngu, Ilia. (2007). Vështrimi i Orfeut. Tiranë: Argeta-LMG, fq, 171.
[23] Arapi, Fatos. (15 Gusht 2020). Poezia ime është e ngjeshur në mendim dhe imazh plot ngjyra. Intervistë nga Xhevahir Lleshi në Exlibris. Tiranë: Onufri, fq, 2-4.
Vec t’i kujtojme dhe t’i nderojme na ka mbetur pas gjithe asaj dhimbje qe i dha kjo toke. Shkrim mjaft i mire per Fatos Arapin, poetin modern qe paqe s’njohu kurre. Figura e tij si nje burim uji kryenec s’me shqitet nga mendja.
Ne nder te tij po sjell poezine “Atdheu” qe me pelqente shume dhe tani me rrenqeth edhe mishin:
Atdheu
Atdheu eshte dhimbje , eshte dhimbje.
Nje prill i pikelluar ne shpirt.
Atdheu eshte kryqi , eshte kryqi
E mban – dhe te mban ty ne shpirt.
Atdheu eshte toka e premtuar.
Ti shkel si nje zot dhe se ka nden kembe.
Atdheu s’ka fjale , ka sy te trishtuar.
Vdes dashuria ne dashuri qe te cmend.
Atdheu eshte buka e uritur.
Te iken nga duart e dot nuk te ngop
Enderr dhe ankth dhe shprese e sfilitur
Me syte n’erresire vetveten kerkon.
Atdheu eshte varr i hapur, eshte varr.
Nje jete drejt tij shkon me bese qe lind.
Ne nje pike loti mbyt lotin fatvrare.
Ne nje pike loti lirine e lind.
Atdheu yt i vogli , i vogli
ai hyjnori i pavdekshmi si loti