nga Dorina Pllumbi
Më 19 qershor Bjarke Ingels iu përgjigj një artikulli të botuar më parë në Politiken në lidhje me prishjen e kohëve të fundit të ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Themeluesi dhe drejtuesi i BIG përpiqet të sqarojë pozicionin e tij në lidhje me ngjarjen për bashkëqytetarët e tij danezë. Duket qartë se Ingels, e vlerëson shumë reputacionin e tij në Danimarkë. Atij i duhet të mbrojë pastërtinë e një roli të propaganduar në mënyrë aktive, dhe mbase të pranuar gjerësisht, që i bashkëngjitet figurës së tij, si imazhi i arkitekturës bashkëkohore daneze. Sidomos në realitetet jo-perëndimore, sa herë që ndërhyn, ai nxjerr në pah origjinën e tij dhe e paraqet veten si misionar i ndryshimit, zhvillimit dhe përparimit perëndimor për vende që ai i konsideron të prapambetura ose para-moderne. Kur i drejtohet popullit të tij danez, ai duket se e paraqet veten si një lloj misionari që kontribuon në ideimin dhe formimin e një bote të re. Nga ana tjetër, ai kurrë nuk e merr mundimin t’i drejtohet popullit shqiptar, kur ndërtesa e Teatrit Kombëtar u rrënua në mënyrë të dhunshme për shkak të një projekti, në të cilin ai është përfshirë në mënyrë aktive. Nga reagimi i tij, duket i befasuar me aktin e prishjes, por nga ana tjetër konfirmon se synon ta çojë deri në fund projektin e tij. Megjithëse nuk e njoh marrëdhënien e tij me audiencën daneze, e ndjej veten të detyruar të ofroj një perspektivë shqiptare në lidhje me këtë temë, duke iu kundërpërgjigjur atij, për të sqaruar disa çështje që unë i konsideroj të rëndësishme për t’u marë në konsideratë. E bëj këtë edhe sepse Ingels nuk u është përgjigjur disa përpjekjeve të gazetarëve shqiptarë ose aktivistëve të shoqërisë civile, për të folur në lidhje me mënyrën e shkatërrimit të godinës së teatrit.
Ingels fillon artikullin e tij me: “Një dramë politike për prishjen e një ndërtese fashiste në kryeqytetin e Shqipërisë na bën të reflektojmë se çfarë roli mund dhe duhet të luajmë ne si arkitektë, në botën që duam të ndihmojmë të formësohet.”
Ajo që Ingels e quan një dramë politike, është çfarë shumë shqiptarë e përjetuan si fshirje të një pjese të historisë së tyre. Është e vërtetë që ndërtesa historike e rrënuar nuk i plotësonte standardet e një Teatri Kombëtar, por shumë prej nesh besojnë se nuk meritonte të vdiste. Kishte shumë histori të ngulitura në trupin e saj. Në artikullin e tij, Ingelsi përsërit me dembelizëm atë që i është thënë, se kjo ndërtesë ishte krijuar për argëtimin e ushtarëve fashistë. Arkivat historike tregojnë qartë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo që ai i quan kazerma ushtarësh ishte një qendër kulturore, e krijuar në vitin 1938 me iniciativën e qeverisë shqiptare, si Rrethi Kulturor Shqiptaro-Italian “Skënderbeg”, që pastaj t’i kushtohej tërësisht një Teatri Kulturor. Ai u krijua si një institucion « për të promovuar bashkëpunimin kulturor, artistik, shkencor midis dy vendeve ». Ndërtesa ishte një dëshmi e një procesi të modernizimit socio-kulturor të shoqërisë shqiptare, të ngjarjeve kryesore të historisë politike të shtetit shqiptar, të krijimit të Rrethit Shqiptar të Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe madje edhe të ngjizjes së Albanologjisë si një fushë kërkimore. U adoptua për Teatër Kombëtar nga arkitektë dhe inxhinierë të njohur shqiptarë dhe është përdorur për dekada si një vend që u bë skena teatrale e Shqipërisë. Publiku shqiptar kishte lidhje të veçantë me të. Ndërtesa kishte një arkiv të pasur të teatrit, veshjet, koleksionin e fotografive etj. Të gjithë u buldozuan në orën 4:30 të mëngjesit, në errësirë, në ditën e fundit të bllokimit të pandemisë. Kjo fshirje e dyfishtë e ndërtesës dhe arkivit të saj historik material, u përjetua si një veprim terrorist kundër kulturës. E pashë direkt si ndodhi, por shumë nga qytetarët e mi shqiptarë ishin duke fjetur. Ata e panë shembjen në mëngjes.
Unë e kuptoj nevojën që Ingels ka për të ruajtur reputacionin e tij në Kopenhagen, vendlindjen e tij ndërsa shprehet me simpati për të. Ai e justifikon veten për opinionin danez, që në zyrën e tij nuk ka ekspertë në atë që ai e quan vazhdimisht “arkitekturë fashiste”. Por që në fillim siguron lexuesin se BIG është një zyrë ndërkombëtare profesionale, që do të thotë se bashkëpunon në mënyrë të ndërsjellë me ekspertë të tjerë. A duhet të besojmë ne, se vërtet këta nuk gjejnë dot konsulentë të specializuar në ndërtesa historike? A ishte interesuar BIG për të mësuar nëse kjo ndërtesë kishte ndonjë vlerë? Në fakt, atyre nuk u duhej të punësonin dikë. Ka pasur disa historianë që theksojnë vlerën arkitektonike dhe kulturore të ndërtesës. Ka qenë EuropaNostra, një OJQ pan-Evropiane afër UNESCO-s, që e ka renditur atë si një nga 7 vendet e trashëgimisë më të rrezikuara të Evropës 2020. DoCoMoMo ka bërë thirrje për ruajtjen e ndërtesës. Edhe Komisionerja Evropiane për Kulturën Mariya Gabriel bëri thirrje për dialog për këtë çështje. Ingelsi, siç e shpjegon dhe vetë, mund të ketë qenë i izoluar nga bota për dy muajt e fundit, duke u rikthyer përsëri në Kopenhagë, por lëvizja për të shpëtuar ndërtesën zgjati 2 vjet e 3 muaj. Është pasqyruar në mediat lokale dhe ndërkombëtare. E pamundur që ai të mos ketë degjuar për të.
Ingles thotë në artikullin e tij se ai ka vizituar Shqipërinë, por duket se gjithçka që ka vizituar është flluska politike shqiptare, që njerëzit në pushtet fatkeqësisht kanë krijuar atje. Kryeministri tani dihet se ka një fuqi absolute. Një sistem gjyqësor i korruptuar është nën reformim. Ekzistojnë raste të hapura juridike për projektin e Teatrit të Ri Kombëtar dhe për ligjshmërinë e vendimit për prishjen e ndërtesës historike dhe, për shkak të kësaj reforme, nuk ka gjykatë funskionale që t’i shqyrtojë këto raste. Ingelsi nuk përmend asnjë prej këtyre fakteve. Ai përmend filmat TAKEN dhe Borat, për të skicuar shpejt profilin e vendit, duke forcuar stereotipe mbi popullin shqiptar. Duket se Ingels zgjodhi të krijojë idenë e tij për Shqipërinë vetëm përmes këtyre filmave dhe turneve që miqtë e tij politikanë i ofruan. Ai përmend se ka vizituar ndërtesën e teatrit të rrënuar. Ai nuk ngurron të japë argumente të cekëta dhe të rreme për ta zhvlerësuar atë, duke spekuluar me ato që i shpall si fakte që janë lehtësisht të verifikueshme si të pavërteta. Dimensionet e ndërtesës sipas tij janë 12 metra, kur në realitet ishte 22, siç tregohet nga vizatimet teknike arkivore dhe siç verifikohet nga studimi arkitektonik i kryer nga arkitektë vendas. Në mënyrë të ngjashme, Ingels shprehet se nuk kishte asnjë kullë teknike kushtuar skenës së teatrit, kur në realitet kjo kullë u ndërtua gjatë përshtatjes së ndërtesës në një Teatër Kombëtar. Për më tepër, ndërtesa u ngrit duke përdorur një teknikë të qëndrueshme të autarkisë italiane, një nga shumë pak shembuj të këtij lloji në Evropë, dhe i vetmi në Shqipëri. Ai duket se nuk e di, ose thjesht injoron faktin se materiali i përdorur ishte një material ekologjik i quajtur populit, të cilin ai propozon të zëvendësohet me beton.
Siç u theksua edhe nga aktivistët e arkitektëve vendas, asnjë fjalë e vetme nuk mund të gjendet në tekstin e Ingels për rezistencën për të shpëtuar ndërtesën. Përveç vlerave historike, ndërtesa dhe rrethinat e saj u bënë një vend i vetë-organizimit, tipar që shoqëria shqiptare po synon të rimarrë pas vitesh shtypje politike totalitare. Nëse ai, si arkitekt evropian, do të donte me të vërtetë të kontribuonte në një shoqëri që për vite me radhë lufton për të ndërtuar një demokraci të qëndrueshme, ai mund të kishte propozuar për një njohje të kësaj ekologjie të re spontane që mbiu në zemrën e Tiranës. Artistët, si përdoruesit kryesorë, filluan rezistencën kundër prishjes së ndërtesës. Atyre iu bashkuan aktivistë të shoqërisë civile, profesionistë të fushave të ndryshme, intelektualë, qytetarë të pavarur, pensionistë, studentë, gazetarë. Ky u bë shkaku që kauza fitoi popullaritet dhe solidaritet edhe në nivelin ndërkombëtar. Komuniteti i rezistencës i quajtur Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, i njohur shkurt si Aleanca, organizoi një seri ngjarjesh në oborrin e teatrit dhe më vonë brenda tij. Ata u kujdesën për ndërtesën, duke e mirëmbajtur dhe organizuar një Festival për Mbrojtjen e Teatrit. Ndërtesa u ruajt 24/7 prej tyre, madje edhe gjatë pandemisë. Për vite me radhë ndërtesa ishte lënë qëllimisht në kushte të dobëta dhe më 2018 u hoq nga qendra e mbrojtur historike e qytetit, për t’i hapur rrugë prishjes së saj. Pavarësisht të gjitha këtyre, në tekstin e tij Ingels përdor të njëjtën retorikë politike të bashkëpunëtorëve të tij politikanë, për të përgjithësuar rezistencën kundër projekteve të reja si të organizuara nga partitë opozitare në Shqipëri. Ai përmend protestat në sheshin qendror si shembull. Është mjaft interesante që ai kurrë nuk flet për rezistencën kundër projektit të tij. Kjo është një përpjekje për të mohuar dhe zhvlerësuar Aleancën, e cila përbëhet nga një mori njerëzish me formime të ndryshme. E hapur për të gjithë spektrin politik dhe më gjerë, kjo lëvizje nuk ishte një ekskluzivitet i partive opozitare, megjithëse ato e mbështetën atë. Aleanca u bë një institucion autonom, i vetorganizuar i kujdesit dhe ndihmës së ndërsjellë për ndërtesën, për qytetarët në nevojë dhe shoqërinë në tërësi. Ajo u bë një institucion joformal i demokracisë së drejtpërdrejtë, që kritikoi dhe sfidoi institucionet zyrtare. Pra, kjo ishte një gjë e madhe për shoqërinë shqiptare. Ingels e injoroi atë atëherë dhe vazhdon ta injorojë edhe tani, sikur të mos kish ekzistuar kurrë.
Ingels përmend të ketë përpunuar një skenar të ruajtjes së ndërtesës së rrënuar. Është hera e parë që e dëgjojmë këtë. Dhe përsëri, ai e përmend atë për danezët, jo për shqiptarët. Aleanca pat instaluar, që në fillimet e rezistencës, një mikrofon të hapur në oborrin e teatrit, duke i mirëpritur të gjithë. Ariktekti danez mund të kishte qenë mysafir special në këtë mikrofon. Ai kurrë nuk e konsideroi këtë mundësi, por zgjodhi të fliste vetëm me bashkëpunëtorët e tij, të cilët kishin ndarë mendjen që donin të vrisnin ndërtesën, dhe së bashku me të edhe këtë rezistencë emancipuese demokratike.
Ingels nuk përmend se propozimi i tij tkurr ndërtesën e re të teatrit në vetëm 1/3 e vendndodhjes origjinale, për të lënë vend për kullat luksoze që do të ndërtohen në tokën e mbetur publike, ku dikur qëndronte teatri. Ishin skicat dhe diagramet e tij që zbuluan këtë plan. Ishte dizajni i tij që veproi si mjet për të materializuar këtë ide. Si një mjeshtër i njohur i shigjetave, ai manipuloi vëllime duke përdorur teknikën e tij diagramatike, një karakteristikë e stilit të tij pragmatik arkitekturor, i aftë të akomodojë gjithçka që kërkohet nga klientët e tij. Përmes modelit të tij, ai mori pjesë në projektimin e kësaj grabitjeje të tokës publike. Ai përdori në mënyrë aktive autoritetin e tij si arkitekti kryesor danez, si markë, si BIG, për të mundësuar prishjen e Teatrit Kombëtar. Ai veproi si një garanci e miqve të tij në fuqi, kur pranoi të bëhej vegël para publikut shqiptar duke vepruar si dëshmitar ekspert për t’i bindur ata për vizionin e tij. Është mbresëlënëse se si ai përmend me krenari rezultatet e aftësive të tij bindëse kur numëron që “101/103 artistë interpretues miratuan një kërkesë për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar. Një skenë e re kombëtare po merr formë.” Por askush nuk dyshoi kurrë se Tirana ka nevojë për një teatër të ri. Ingels mund të kishte përdorur autoritetin e tij si BIG për të avokuar edhe për ruajtjen godinës ekzistuese si skena e vjetër teatrore historike, për të krijuar më pas skenën e re në një sit tjetër.
Protesta aktualisht ka fituar statusin e një institucioni aktiv në Tiranë. Ajo tregon një urgjencë për të mbrojtur historinë kulturore. Duket si e vetmja mënyrë për të parandaluar që personat e kallëpit të Ingelsit që t’i identifikojnë me lehtësi shqiptarët me personazhe të filmave me gangsterë, ndërsa injorojnë historinë tonë kulturore, dhe si pjesë të saj, historinë e teatrit shqiptar, për të cilin ai kontribuoi të asgjësohej. Mund të ishte modeste, por askush nuk kishte të drejtë ta hiqte nga kujtesa jonë, për hir ndërtesash të reja të imponuara nga sipër, edhe nëse ato janë të dizajnuara nga një zyrë korporate-arkitekturore të quajtur BIG. Presim që Ingels të distancohet nga akti i gjenocidit kulturor që ndodhi në vendin e Teatrit Kombëtar në Shqipëri. Në vend të kësaj, ai paraqitet këtu në Politiken duke thënë se zyra e tij është e bindur në vazhdimin e projektit të saj, duke riafirmuar lidhjet e tij. Kjo e bën projektin e tij një vegël të dhunshme të përdorur kundër ndërtesës historike dhe qendrës së qytetit të Tiranës. Kjo e bën atë një aleat të policisë, e cila dhunoi brutalisht protestuesit kundër prishjes së teatrit. Një aleancë që filloi me damkosjen e ndërtesës historike si “kazermë ushtarësh”. BIG mori pjesë në vrasjen e asaj që ishte një ndërtesë teatrore mikpritëse, e karakterizuar nga çiltërsia, butësia dhe përulësia. Një monument kulture i popullit, i mbrojtur nga njerëzit. Një monument që nuk deshi të mbizotërojë, megjithëse ai e quan vazhdimisht atë arkitekturë fashiste. Pyes veten, se cila arkitekturë po vepron si fashiste këtu, ajo që kishim apo ajo që po na imponohet?
© 2020, Dorina Pllumbi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Origjinali në politiken.dk. Anglisht në arkitekteza.com
Imazhi në kopertinë: Let’s make it a bit more realistic! Konceptuar nga Elvin Nuri dhe punuar grafikisht nga Merilin Tota.
Edhe sikur te prishej gjysma e Tiranes dhe ai te paguhej per projektimin e gjysmes se re, me siguri qe ai do mbronte prishjen e gjysmes se Tiranes dhe projektin e tij fitues. Sepse do merrte leket per kete pune dhe do merrte me shume emer, cka do te thote me shume mundesi per leke nje te neserme dhe me shume njerez qe do i krehin bishtin.
Pse duhet ta gjykojme ne nje profesionist, pse merr leke e ben emer me profesionin e tij, ne kurrizin tone. Ne s’ia dhame atij, ia dha Rama, punen e kemi me Rame gomarin, jo me samarin danez.
Meraku i tij eshte sa te marre leket ose te gjitha leket, nqs e ka marre nje pjese, keshtu qe i intereson te jete Rama ne pushtet dhe te mos i ngacmoje direkt taksapaguesit shqiptare, prej te cileve i del fitimi.
Ne s’kemi as pse i hakerrehemi, as pse ta veme ne seder dhe as na hyn ne xhep opinioni i tij per Shqiperine e shqiptaret, sepse eshte arkitekt qe ka ardhur te mbushe xhepat dhe jo politikan, prej te cilit varet vota daneze per integrimin e Shqiperise ne BE.
Ndertese “fashiste” thote. Dolen dhe ndertesat me njolle ne biografi. Po ne me ndertesa fashiste kemi te ndertuar gjithe Boulevardin e Deshmoreve Komuniste mer qyq! I vetmi jo komunist ne bulevard eshte Skenderbeu me kale
Po ashtu tha edhe Rama ketu. Pse ne Danimarke nuk ka budallenj me oke nga a majta politike, ku ben efekt koncepti i nderteses fashiste. Pastaj nje i majte i vertete nuk mund te pranoje monumentalizmin e racionalizmit italian/fashist, ndertesat duhet te jete me utilitare dhe me prerje proletare.
I ka rene lapsit ai cifuti qe ta mat koken me spango per cdo vize te projektit, se ku duhet ta rrahe hekurin. Po kjo eshte pune e tij me danezet, nuk eshte puna jone.
Keshilli bashkiak I perbere nga duly elected perfaqesues te qytetareve te Tiranes ,te cilet kane bere betimin dhe kane nje detyrim ligjor qe te veprojne in good faith duke patur vetem interesin me te mire te Tiranes ne mendje votuan qe Teatri te prishet.Pergjegjesia nese ka,duhet kerkuar tek ata qe ushtrojne sovranitetin e qytetareve te Tiranes mbi qytetin e tyre .
“T’i drejtohet popullit shqiptar”
Pse? Per cfare duhet ky “drejtim”. Qe ketu shkruesja e fut popullin e saj tek “zulute”. Populli shqiptar le te rregulloje punet e tij vet. E kush qenkerka ky arkitekt qe na u dashka te na drejtohet boterisht duke na zgjidhur problemet?!
Mendesi skllavi!!!
Uebsajti i Bjarkut flet vetë: big.dk
Komenti është ironik. Vë në dukje zgjedhjen dhe renditjen e gërmave tek adresa e kompanisë.
Artikulli i zj Pllumi eshte prove qe te te mban gjalle shpresen se qytetaria eshte ende gjallë ( ne Tiranë) . Zonja Pllumi nuk ve ne dyshim aftesine komerciale si arkitekt ( siç na rekomandon nje bibë më lart që të shohim website te Bjärke-s ??? ) Ajo me takt civil thotë që arkitektë të spikatur si Bjarke Danezi duhet te jenë aleatet tanë ( te publikut) ne qendrimin ndaj kultures , trashegimise, mjedisit, dhe ne vecanti ndaj qytetit dhe komponenteve qe identifikojne atë. Bjarke sigurisht nuk eshte nder ta. Ai eshte identifikimi I peshkaqeneve neoliberaliste qe kontrakton pa hezitim me diktatore, me administrate te korruptuar ( Kine, Brazil etj) dhe gjithefare morrash te kuq rilindare kokeboshe. Pavaresisht se Bjarke Danezi , me suportin e palimituar te qeverise daneze ka arritur me shume se cdo arkitekt tjeter nen 50 vjeç – ( vetem ish bossin e tij Koolhass nuk ka mundur ta rivalizoje ), ai tashme eshte nje ish star-arkitekt me reputacion ne dyshim. Une nuk paguaj taksa per honoraret e Bjarke Danezit I cili ne nje proces kriminal aspak transparent zgjidhet nga mbreti I Surelit si arkitekt jo I teatrit por kullave luksoze. Ne Danimarke sdo te mundte kurre te bente kete gje pa konkuruar. Nje gje duhet kuptuar ketu zbehet fjale qe ne trupin e drobitur nga sarkofaget e betonit te Tiranes te shtohet nje monument arkitektures bashkekohore. Aspak. Eshte vetem pasoje e lakmise dhe nepsit kriminal te pushtave politike per pasurim. Nese mbreti do arkitekt danez ( jo arkitektet qe e votojne dhe I japin rrogen) atehere edhe ne duam mbret danez se ky qe kemi eshte deshperimisht I paafte, i mete, rrotë, dhe hajvan. ( shihni websitin e tij)
Tirr e tirr e gjë s’thotë.
Atij arkitekti as i është kërkuar të vlerësojë në se duhej shembur apo jo teatri.
Kjo zonja, në se donte të thoshte diçka në drejtim të arkitektit danez, duhej të shprehej në lidhje me projektin e tij. Shembjen e teatrit apo mbrojtjen e tij, le ta kërkojë gjetkë.
“Atij arkitekti as i është kërkuar të vlerësojë në se duhej shembur apo jo teatri.”
Nuk i është kërkuar vërtet. Porse qysh në momentin që ka dhënë një opinion të pakërkuar, dhe është bërë palë nëpërmjet projektit, në mos në aktin e shëmbjes në aktin e zëvendësimit (replacement) të asaj ndërtese, shqyrtimi (kritika) e gjithë se çfarë thotë dhe çfarë bën ky arkitekt me atë godinë janë mëse të domosdoshme.