nga Agron Alibali
“Lidhja” e veçantë midis BKSH-së dhe GoogleBooks
Për hulumtuesit e shumë fushave, interneti dhe sidomos shërbimet GoogleBooks dhe HathiTrust kanë siguruar një mjet të papritur dhe të hatashëm në kërkimin shkencor.
I nisur pa shumë bujë në fillim të Mijëveçarit, projekti GoogleBooks kishte një synim të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë praktik: sjelljen në domenin publik të të gjithë librave të vlefshme, të cilave u kishte skaduar e drejta e autorit. Në varësi të jurisdiksionit përkatës, librat e botuar para një date kufi prej 75 vjetësh do të skanoheshin, dhe varianti i digjituar do të përcillej në platformën GoogleBooks.
Kurse HathiTrust filloi në 2008 si bashkëpunim midis universiteteve të Kalifornisë për ruajtjen dhe shfrytëzimin digjital nga tre platforma: Google, Internet Archives dhe Microsoft, dhe më vonë në të u përfshinë biblioteka dhe universitete nga e gjithë bota.[1]
Përfytyroni, pra, libra të rralla, të ruajtura në bibliotekat kryesore të botës. Tashmë ato do të ishin të përdorshme për këdo që kishte qasje në internet, kudo ku mund të ndodhej personi i interesuar. Vërejmë se në projektin GoogleBooks kanë marrë pjesë duke ofruar koleksionet e tyre bibliotekat më të njohura private në SHBA dhe Evropë, përfshirë ato të universiteteve të Harvardit, Oksfordit, Stamford, etj.
Një mesazh i papritur nga Atë Liolin
Para ca vitesh, një mëngjes më vjen një mesazh i veçantë nga Atë Artur Liolin. I dërguar një numri anëtarësh të Kishës së Fan Nolit si dhe të komunitetit, mesazhi përcillte këtë njoftim: Familja e të ndjerit Vasil [Bill] G. do të shiste shtëpinë. Prandaj ofronin orendi dhe objekte të tjera falas. Menjëherë komunikoj me trashëgimtarët duke bërë pyetjen e drejtpërdrejtë: ”A keni libra?” U ftova të shkoj të shtunën i pajisur me një numër kutish. Kërkesa e vetme që m’u bë ishte: “Duhet t’i tërheqësh të gjitha…!”.
E çfarë nuk kishte biblioteka e aktivistit të ndjerë me prejardhje nga Zagoria. Pa humbur kohë i hyra punës bashkë me një mbeskën time. M’u desh të bëja dy rrugë me makinë. Tek mbushja kutitë vëreja me shpejtësi edhe kategoritë e librave që do të kisha fatin t’i merrja në dorëzim. Shumica ishin në shqip dhe disa në gjuhë të huaja, me temë kryesisht për Shqipërinë. Kishte botime të rralla para Pavarësisë, të shtypura në Sofie, Bukuresht, Egjipt, dhe më vonë botime të Vatrës në Boston, përfshirë shqipërimet e famshme të Nolit, Kalendarin e Vatrës të Motit 1918, botime të shtëpive botuese Luarasi e Kotti në Korçë, etj. Kishte edhe mjaft numra të rrallë të Diellit, sidomos që lidheshin me vdekjen dhe varrimin e Konicës, si dhe nga gazeta Liria.
Ndër botimet e rralla ishte edhe Fjalori i Marko Boçarit, i përcjellë nga Lumo Skëndo, si dhe vëllimi simpatik “Albanians of America”, i autorit Nini Demo, me kopertinë të trashë e të gjelbër dhe me nënshkrimin “C. Demo”, dikur pronë e autorit. Ndërkohë kisha njohur në Tiranë edhe stërmbesën e tij, Ederina Demo, një ndër punonjëset kryesore të BKSH-së.
Shkurt, biblioteka e Vasil. G. ishte një pasuri e paçmuar bibliotekare.
Figurë e shquar e komunitetit dhe themelues i organizatës AANO, i ndjeri kishte ardhur shpesh në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. Për pasojë kishte edhe botime të asaj periudhe, që gradualisht kishin filluar të bëheshin të rralla.
Vasil G. kishte qëlluar edhe muzikant i talentuar. Një broshurë e rrallë, e botuar në Boston nga vetë komuniteti kishte një numër tekstesh të këngëve të njohura popullore, të cilat shqiptarët i këndonin edhe për të ruajtur traditën. Ndër vizitat e shumta në atdhe, i ndjeri kishte lidhur shoqëri me një grup artistësh e këngëtarësh të shquar. Me ndonjë prej tyre, si p.sh. me tenorin Gjoni Athanas, ai e kishte ruajtur miqësinë edhe më vonë, kur ishin ritakuar sëbashkë në Amerikë.
Dhe ja, ndër gjetjet e papritura ishte edhe një kasetë magnetofoni, ku Vasil G. kishte inçizuar këngë të kënduara në Tiranën e viteve 1970 në një darkë sëbashku me artistë të njohur si Avni Mula, Gaqo Çako, Gjoni Athanas, Ibrahim Tukiqi, etj. Mund të përfytyrohet lehtë emocionet e veçanta që pati tenori Gjoni Athanas kur ia dhurova regjistrimin e çmuar.
Kopertina e shqitur e Kalendarit të Vatrës
Në fjalën e tij të famshme me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë në Boston, Fan Noli porositi Qerim Panaritin që të shikohej mundësia e ribotimit të Kalendarit të Vatrës të Motit 1918.
Po ç’është ky botim? Ishte befasuese ta kisha atë në dorë, si pjesë e trashëgimisë së Vasil. G.. Tek ia ktheja faqet më dukej sikur po shkelja piketat kryesore të historisë së Shqipërisë qysh nga lindja e gazetës Dielli, themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, programi politik për autonominë e 4 provincave apo vilajeteve shqiptare të Perandorisë Osmane, më tej themelimi dhe zgjerimi i Vatrës, plasja e Luftrave Ballkanike, Shpallja e Pavarësisë, e deri tek Lufta e I Botërore, etj.
Mirëpo Kalendari ishte edhe enciklopedi e mbarë komunitetit shqiptar në SHBA. Me saktësi të rrallë aty jepeshin emrat e kontribuesve financiarë, si dhe foto me anëtarët e të gjitha degëve të Vatrës. Pa fjalë Kalendari ishte një tjetër kryevepër e dalë nga penda e Nolit – që ishte edhe “editori” i tij.
Kalendari i Vatrës ishte i një cilësie shumë të lartë botimi. Letra ishte e trashë, rezistente dhe me shkëlqim (çka ndihmonte në qartësinë e fotove). Mirëpo kopertina, një kompozim shumë domethënës dhe simpatik i Kolë Kuqalit, ishte shqitur dhe e ngrënë në pjesën e poshtme, me sa duket nga përdorimi i dendur.
Një kërkesë e pazakontë për Bibliotekën e Harvardit
Kjo kopertinë imperfekte u bë shkas për një kërkesë të pazakontë për Bibliotekën e Harvardit. Për arsye studimore kisha ndërtuar lidhje shumë të mira me dy biblioteka të famshme të Universitetit. E para ishte Harvard Law School Library, biblioteka më e madhe private juridike në botë.[2] Kurse tjetra, The Widener, ose Harvard College Library, kishte fond jashtëzakonisht të pasur në çdo fushë, përfshirë albanistikën.[3]
Ndaloja herë pas here tek punonjësit e sektorit të pasurimit që mbulonin Shqipërinë. Fillimisht aty ishte Charles F., që u bë mik i vyer dhe që, pasi doli në pension, më ndihmoi mjaft në kërkimet për gjurmimin e bibliotekës së humbur të Faik Konicës. Charlie u pasua nga Sebastian H. një gjerman inteligjent, i picigjatë dhe që, kur i vizitoja “qoshkun” e tij në një nga bodrumet e bibliotekës, më shfaqej gjithnjë i zhytur nëpër togje të larta me libra të pafund që prisnin me padurim përpunimin.
Gjithnjë e kam pasur shumë të dashur një dyqan të vogël libërlidhjeje tek Rruga e Dibrës në Tiranë, diku pranë ish “Broduejit”. Ata punonjës të rrallë, bartës të një zanati fisnik, kishin një veti krejt të pazakontë: t’i jepnin jetë librit që po jepte shpirt. Kushedi se sa libra më janë “rilindur” në atë punishte të çmuar, por tashmë të humbur të Tiranës.[4]
Me kujtimin e Broduejit tiranez në mëndje, një mëngjes të ftohtë shkurti të vitit 2002 marr Kalendarin e Vatrës me vete dhe shkoj drejt e tek Sebastiani.
“Këtë libër nuk e keni në koleksion”, i thashë. “A ju intereson ta përfshini?”. E pa, dhe pa e zgjatur ia bëri: “Na intereson shumë”. Syri i tij prej eksperti nuk mund të gabonte. “Shiko”, i them, “librin jeni mëse i mirëpritur ta riprodhoni. Unë vetëm dua që të ma ktheni me kopertinën të restauruar dhe të ngjitur”. “Falemnderit,” më tha. “Do të shikoj se ç’mund të bëj”. E lashë librin plot shpresë edhe i gëzuar se po rigjeja në Amerikë dyqanin restaurimit dhe libërlidhjes. Gjithshka u krye në marrëdhënie mirëbesimi, pa shkresa hyrjeje, daljeje, marrje në dorëzim e më the të thashë.[5]
Kaluan ditë, javë. Muaj. Nga Sebastiani asnjë llaf. U bëra merak, edhe pse kisha një ndjenjë sigurie se asgjë e papritur nuk mund të ndodhte. I bëj një vizitë të paparalajmëruar. E gjej, si përherë, të rrethuar e të mbytur nga pirgje librash. I kujtova me takt se kishte disa muaj që nuk kisha dëgjuar për Kalendarin.
Sebastiani u shqetësua. Por e gjitha ishte një përthyerje e përkohshme e korrektesës që ekziston si normë në mjedise të tilla. Brenda javës ma kthyen origjinalin e Kalendarit. Bashkë me mirënjohje e falenderime. Kishin bërë një kopje thuajse njëlloj si origjinali, me letër të qëndrueshme me kopertinën të riprodhuar e lidhur për bukuri. Kishin përdorur një kompani private të specializuar, të quajtur Acme Bookbinding në Charlestown, MA. Por….kopertina time kishte mbetur po atje ku e kisha lënë – si kokë e prerë, e shqitur, e ngrënë, e parestauruar…
Kuptohet që përpjekja ime për të vrarë dy zogj me një gur kishte dështuar… Megjithatë, isha i gëzuar se Kalendari ishte tashmë pjesë e koleksionit të Bibliotekës së Harvardit dhe mund të shfrytëzohej nga gjithkush[6]
GoogleBooks në veprim
Vitet kaluan pa u ndjerë. Herë pas here i kthehesha librit për Konicën, ku Kalendari i Vatrës më shërbente si burim parësor. Po ashtu, edhe numrat e posaçëm të Diellit, të viteve 1942-1943 që kisha përftuar nga biblioteka e Vasil G. Në atë kohë rashë edhe në gjurmë të arkivës diplomatike të Konicës dhe m’u desh të udhëtoja në Evropë. Kalendarin e Vatrës nuk mund ta merrja me vete, dhe dikur m’u desh ta konsultoja. Në pamundësi fizike për të referuar kopjen time, u hodha në GoogleBooks. Pas disa hapa kërkimesh, më në fund më doli përpara heroi ynë, i digjituar mirë e bukur. Befas njoha kopertinën e shqitur dhe të ngrënë. Vallë të ishte kopja e Harvardit? Për kuriozitet i hodha një sy faqes ku përmes vulës përcaktohet burimi prej nga e kishte marrë librin GoogleBooks.
Ç’të shikoj? Në rrjetin gjithëbotëror, Worldwide Web, ishte hedhur e digjituar, dhe pra, përjetësuar nga GoogleBooks, pikërisht kopja e riprodhuar me kujdes të veçantë nga Biblioteka e Harvardit.[7] Ishte emocionuese të mendoje se origjinali ishte në duar e mija. Kuptohet se vlera e tij bukinistike, muzeale por edhe shpirtërore ishte tashmë krejt e veçantë.
Nëntor 2016 – Kutia e 13
Në vitin 2016, pas përpjekjesh e kërkimesh të shumta në SHBA, dhe me mbështetjen e pazëvendësueshme të Drejtoreshës Persida Asllani në Tiranë, rashë më në fund në gjurmë të një pjese të konsiderueshme të bibliotekës së humbur të Faik Konicës. Librat gjendeshin në ruajtje nga njëri prej djemve të Andon Athanasit, shqiptarit të suksesshëm e patriotit të shquar nga Trebicka e Korçës. Bëhej fjalë përreth 280 blenj shumë të rrallë e të çmuar të cilët, të vendosur në 12 kuti të posaçme, prisnin t’i ktheheshin Bibliotekës Kombëtare në pajtim me amanetin e të zotit të tyre të shquar. Siç dihet, katër librat e parë të Konicës, tri të ruajtura nga Sarah Panariti, e shoqja e Qerimit, ishin kthyer në BKSH qysh me 13 janar 2016.[8] Dikur Sarah kishte pasur korrespondencë edhe me sekretaren e Fan Nolit, si dhe me Universitetin e Çikagos, ku kishte dërguar librat, ditarin dhe letrat e të shoqit.
Për këto ngjarje kam shkruar tjetërkund.[9] Por këtu dua të ritheksoj bashkëpunimin e shkëlqyer ndëriistitucional midis Ambasadës së Shqipërisë në Uashington, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Kulturës dhe, natyrisht edhe me drejtueset e BKSH-së në Tiranë, Prof. P. Asllanin dhe Dr. E. Domni. Në një shfaqje të mirëpritur të kujdesit dhe seriozitetit shtetëror, Tirana mbuloi shpenzimet e transportit.
Ndërkohë më në fund vjen momenti i postimit të bibliotekës së gjetur të Konicës. Jemi në mesin e nëntorit 2016. Librat e Konicës, sikurse përmenda, ishin në 12 kuti, gati për t’u nisur nga rezidenca time drejt e në Rinas. Mbas shumë përpjekjesh, telefonatash, imejllesh e traktativash, më në fund vjen kamioni. Sëbashku me një të njohur, Skënder K. që banonte afër dhe u ndodh tek unë në atë moment, siguruam kutitë dhe i bartëm në kamionin që priste përjashtë.
Në atë moment, aty për aty marr një vendim. Përpos 12 kutive vendosa të shtoj edhe dy të tjera: tek njëra, e katërmbëdhjeta, vendosa koleksionin e gazetës Liria, të mbledhur ndër vite nga Vasil G, që BKSH-ja nuk e kishte, dhe për çka kishte treguar interes.
Kurse tek tjetra, e trembëdhjeta, futa dosjen me dokumentet e fundit të Sarah Panaritit, përfshirë korrespondenca me Universitetin e Çikagos. Nuk përjashtohet që Sarah, bashkë me të të shoqit, të ketë dërguar edhe libra nga të Faikut, që në fakt do t’i takonin BKSH-së.
Pra, ideja ishte që, në një të ardhme të pacaktuar, BKSH-ja, tashmë edhe ajo depozitare apo ruajtëse e “papers” të Panaritëve sikurse Biblioteka e Universitetit të Chicagos, t’i drejtohej simotrës së vet në Amerikë për të verifikuar nëse, ndër ato 9 kutitë e Panaritit kishte pasur apo jo libra të Faikut.
Në kuti futa edhe numrat e rrallë të Diellit, që BKSH-ja nuk i kishte, etj. si dhe, në momentin e fundit vendosa të fus edhe Kalendarin e Vatrës të Motit 1918…
Përse?
Mund të duket e habitshme se si dhe pse e mora atë vendim. Kalendarin nuk e kisha hasur në skedarin e BKSH-së duke menduar gabimisht se nuk e kishin.[10]
Arsyeja e vërtetë ishte fare e thjeshtë: po ta mbaja vetë, mund të humbiste. Po ta kishte BKSH, atëhere do të ruhej përgjithmonë. Shembulli i dhimbshëm i librave të Vasil G., nuk më shqitej nga mendja!
Me të vërtetë, Kalendari i Vatrës ishte pjesë fare e vogël e një pasurie të rrallë e të çmuar kulturore, e lidhur ngushtësisht me Konicën e Vatrën, e cila ndodhej në duart dhe kujdesjen time. Mirëpo të gjithë jemi vdekatarë… Ç’do të bëhet me atë pasuri kur të largohemi? A ka garanci se do të mbetej në duar të kujdesshme? Apo mos do të ishte mirë që të shfrytëzohej momenti, vërtet historik, i dhëtimit të përbashkët të tyre me librat e Konicës?
Shkurt, kutia e famshme me numër trembëdhjetë mbërriti edhe ajo në BKSH me 16 nëntor 2016. Bashkë me të edhe Kalendari i Vatrës i Motit 1918. Pikërisht bleu i çmuar origjinal, burimi i kopjes së Harvardit, të digjituar nga GoogleBooks, sot ruhet përfundimisht dhe përjetësisht në koleksionin e Bibliotekës sonë Kombëtare në Tiranë.
Ja pra, lidhja e rrallë dhe e veçantë midis GoogleBooks dhe BKSH-së.
(c) 2020, Agron Alibali.
[Në vijim: Pjesa (iv): “raritete dhe ekskluzivitete” të BKSH-së; Pjesa e fundit: “Biblioteka e Edi Ramës dhe BKSH-ja”.]
[1] Për më shumë: https://www.hathitrust.org
[2] Aty do të kaloja netë të panumërta dimri duke lexuar e rrëmuar për të drejtën ndërkombëtare të detit.
[3] Si dëshmi e pandryshuar e kohës së fillimit të koleksionit të albanistikës, kjo fushë e dijes mbahej ende e indeksuar nën kategorinë Ott., shkurtesë për “ottoman”.
[4] Kam parasysh, për shembull, të famshmin Fjalor Osmanisht <> Frëngjisht të Diran Kelekian, që ishte bërë fije fije nga përdorimi i gati i përditshëm i tim gjyshi. Libërlidhësit duarartë të Rrugës së Dibrës i ridhanë jetën atij fjalori të paçmuar kundrejt një çmimi që nuk i kalonte 100 lekë (të vjetra) sipas kursit të kohës së fundit të vitit 1970.
[5] Rreth vitit 2009 Sebastianit i ofrova një tjetër kryevepër të Bibliotekës së V. Gunarit, e pikërisht Fjalorin e Marko Boçarit, të botuar nga Kristo Luarasi nën kujdesjen e Lumo Skëndos. Sot edhe ky fjalor i çmuar është bërë pjesë e Bibliotekës së Harvardit. Shih tek: http://id.lib.harvard.edu/alma/990121288890203941/catalog
[6] http://id.lib.harvard.edu/alma/990114249770203941/catalog Aty jepet edhe referenca se ku mund të aksesohet version i digjituar. Kurse HathiTrust e ka Kalendarin e Vatrës këtu.
[7] Sipas informacionit në fund të librit digjitimi nga GoogleBooks është bërë në vitin 2010.
[8] Për saktêsi, i pari ishte libri Popolo Lingua e Letteratura Albanese” 2a Tiratura con aggiunte e correzioni, [Populli, gjuha dhe letërsia shqipe, Botim i dytë me shtesa e korigjime], nga Prof. Papas Gaetano Petrotta, Doktor në Letërsi, Palermo 1932, i gjetur në Bibliotekën e Vatrës në Bronx , Nju Jork, me ndihmën e Kryetarit tê Vatrës, Ing. Agim Karagjozi, https://tinyurl.com/yylmtj4g
[9] Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati, Argeta Ltd, Tiranë, 2016, ff. 547-578.
[10] Në fakt, BKSH-ja ka 4 ekzpemplarë të Kalendarit të Vatrës, si dhe një në trajtë CD-je, të gjitha të gjetshme përmes skedarit fizit. Disa ditë më vonë në Tiranë pashë njërin prej tyre në ekspozitën që BKSH-ja organizoi për Diasporën Shqiptare. Katalogu online i BKSH-së ndër të tjera jep këtë informacion: “Materiali i fotokopjuar në vitin 2002, përbëhet nga 202 f….”. Përmë shumë tek: https://tinyurl.com/y628ntrh
Libri është i heshtur. Libri është i urtë. Libri është i qetë. Libri nuk gërthet. Libri nuk kapardiset. Libri na çon tek urtësia shekullore e njerëzimit. Libri është pasqyrë e botës para syve tanë. Libri nuk është pasqyrë ku shohim pasqyrimin e vetes, siç i ndodh autorit të kësaj auto-eulogjie të mësipërme. Makar të kish mësuar sadopak nga fisnikëria e Librit…
Falemnderit, z. Çunga, për komentin. Vlerësoj këndvështrimin kritik, edhe pse nuk e shoh të bazuar. “Eulogjia”, ose më mirë të themi, nderimi, ishte vetëm për Librin. Si dhe për Heronjtë e heshtur të bibliotekave, për të cilët të gjithë priremi të ankohemi pa fund, por pakkush flet. Sikurse e dini shumë mirë, libri, bashkë me dorëshkrimet dhe arkivat, nëse ruhen me kujdes, mbeten në jetë të jetëve. Kurse ne, të gjithë, jemi të përkohshëm. Ngjarja që tregohet këtu lidhur me Kalendarin e digjituar të Vatrës nuk është përmendur më parë askund, madje as në biseda private. Prejardhja dhe rrugëtimi i veçantë i ekzemplarit të rrallë mund edhe të kishte humbur si episod nëse nuk do të kishte dalë diku dikur. Mirëpres vërejtje të tjera privatisht nëse është e mundur.
Jane shkrime qe kane vendin e tyre, edhe pa ngritur ndonje problem: plotesojne nje boshllek ne kulturen e librit dhe te bibliofilise. Autori duket qe ka qene entuziast ne kerkimet qe ka bere. Aq me teper po te mendosh se nuk do te kete pasur mbeshtetje financiare nga askush – apo jo? Jemi shoqeri qe vleresojme me shume dosjet e pergjimeve sekrete se doreshkrimet dhe arkivat personale te intelektualeve.
Falemnderit për komentin. Nuk ka patur kurrfarë mbështetjeje financiare, përveç mbulimit nga shteti shqiptar të kostos së bartjes së Bibliotekës së Faik Konicës. Gjithsesi, kam bindjen se midis nesh ka me mijëra “dashurues të librit” [dhe të arkivave], për të huazuar një term të Nolit për Konicën. Çabej pat thënë diku se gjuha shqipe është e vetmja pasuri e mirëfilltë që kemi trashëguar ndër breza. E pra, kjo pasuri ruhet në trajtë të shkruar tek dy institucione thelbësore të kombit: BKSH dhe Arkiva e Shtetit [bashkë me simotrat e tyre në Kosovë]. Megjithë punën e jashtëzakonshme e vetmohuese të personelit të tyre, për mendimin tim ka munguar vëmendja dhe mbështja e duhur për to nga ana e dy shteteve.