Titulli: Nga veranda jote duket shtëpia ime
Autori: Elvis Malaj
Shqipëroi: Beti Njuma
Botime Pegi (2020)
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Adela Radovani
[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]
1.
Kisha një të dashur, një punë, një pagë neto prej një mijë e treqind eurosh në muaj, dhe me orët shtesë, që zakonisht i refuzoja, mund t’i arrija shumë lehtë një mijë e gjashtëqind euro. Kisha leje qëndrimi, kisha miq sa të doja, kisha një shtrat dopio. Kisha një abonim mujor në Digitalb prej rreth njëzet eurosh, ku mund të shihja pa hesap futboll dhe filmat e fundit, në gjuhën origjinale, me titra shqip. Kisha një apartament në qendër, pranë teatrit bashkiak, që e kisha marrë me qera me një mik. Kisha një Golf të zi të 2005-ës, që nuk harxhonte shumë. Isha anëtar i bibliotekës bashkiake dhe kisha një pirg me libra mbi komodinë, që duhet t’i ktheja prej muajsh, por ende s’i kisha përfunduar së lexuari, edhe ngaqë vetë kisha shkruar një libër.
2.
Sa për familjen, kisha mentalitet të vjetër. Në xhep, kurdoherë një kuti shkrepëseje. E kisha lënë duhanin. Kisha shumë të afërm shqiptarë që i shihja rrallë, e mendonin për mua se isha njeri i ftohtë dhe mendjemadh. Një herë, zura t’i numëroja: kisha njëzet e tetë kushurinj.
3.
Bëra një udhëtim në Shqipëri dhe më ngacmuan të dashurën. Bëra një udhëtim në Shqipëri dhe më plaçkitën. Kisha një mal me refuzime miqësore nga botuesit, të cilëve u pata dërguar dorëshkrimin. E nisa prapë duhanin – por kjo s’ka lidhje fare me librin – nuk pretendoja kushedi çfarë dhe, sidoqoftë, pija veç dy apo tri cigare në ditë. Kisha probleme me shkronjat dyshe të italishtes, me theksin dhe kundrinorët. Kisha surrat shqiptari, siç thoshin të gjithë, por unë s’e dija ç’surrat kishte shqiptari, fytyra ime më dukej normale dhe, për hir të së vërtetës, edhe e pashme.
4.
Tërë këtë fjalim – domethënien e të cilit s’e kapja dot, ndaj dhe po shqetësohesha disi – po ma mbante Andrea. Andrea ishte një nga ata që të lënë me gojë hapur, thoshte gjëra që në dukje mund të ngjanin pa lidhje, por po ta dëgjoje me vëmendje, kuptoje se nuk qenë dhe aq absurde. Të paktën me të nuk rrezikoje të dëgjoje dërdëllitjet e zakonshme. Teksa ndiqja me vëmendje fjalimin e tij, rrëkëlleja gotën.
– Do të doja të isha shqiptar, – tha në një fare pike.
Këtë s’ma kishin zënë veshët kurrë.
– Ça karin po thua?
– E po, sidoqoftë, do të emigroja në Itali, por s’do të qe keq sikur të isha shqiptar, – dhe filloi të më fliste për një botë hipotetike, ku ai ishte shqiptar. Kësaj here e humba fare fillin e bisedës. Po kthente gotën e tretë me xhin tonik, kështu që e mblodha veten.
5.
Shihja njerëzit që hynin e dilnin, ndërsa Andrea më shpjegonte se sa mirë ishte të kisha një vend tjetër ku të shkoje, kur Italia të vinte në majë të hundës, siç i kish ardhur atij atë kohë, fundja siç ndodhte gjithmonë. Isha gati ta pyesja se si i lindnin ato ide gjeniale, kur një nga djelmoshat i dha goditje me bërryl tavolinës duke na i hedhur gotat, teksa shkulej së qeshuri.
– O çerro, hiqi bërrylat nga tavolina jonë, – i tha Andrea.
– Mos më çaj trapin, – ia ktheu ai.
Andrea më vështroi si për të më thënë “hë fol, ça t’i bësh këtij tipit”. Mesa dukej, nuk qe dhe aq i dehur sa ç’mendoja, përndryshe, do qe ngritur për t’i mësuar atij djalit atë që prindërit matufë s’kishin qenë të zotë ta bënin.
– O çerro, – thashë unë dhe prita që të kthehej. – Hiqi brrylat prej tavolins tonë, n’mos daç me ti thye dhëmbët. – Djali më vështroi ndërdyshas dhe i hoqi bërrylat nga tryeza jonë. Ndonjëherë, shqipja është më e kuptueshme se italishtja.
6.
Kur Xhorxha na u bashkua, ishte bërë xhind: një shkërdhatë, duke përfituar nga rrëmuja, i kishte prekur bythën. E bezdiste fakti që s’e dinte kush kishte qenë e s’mund t’i përvishej. Është spektakël i vërtetë kur Xhorxha nevrikoset me ndonjë harbut. Kam qenë vetë i pranishëm kur e bëri shefin e vet spec nga sikleti mu para klientëve, i zbrazi ç’i nxinte goja dhe për pak desh e rrahu. Kur duhej të kërcënoja dikë, nuk thosha “do thërras kushurinjtë e mi shqiptarë”, por “do thërras të dashurën time italiane”.
7.
Kur po largoheshim, nga pas na erdhi një zë. Ishte djaloshi i mëparshëm. U kthyem. Ai dhe grupi i tij pushuan së foluri dhe po na shihnin. Kishte thënë “shqiptar muti!”. Xhorxha ia plasi gazit, dhe, të them të drejtën, qesha edhe unë.
S’mbahej mend sa kishin pa ma thënë. Ndoshta që para dhjetë vjetësh, kur shkoja akoma në shkollë dhe sapo kisha ardhur në Itali; kur isha ai i ndryshmi, ai hutaqi që nuk fliste mirë italisht dhe përdorte fjalën cazzo për të shprehur të gjitha gjendjet emocionale. Kur isha ai që përpiqej të përshtatej dhe të hiqej sikur kuptonte edhe kur s’kuptonte, dhe qeshte me batutat edhe kur s’kishte asgjë për të qeshur. Isha vërtet acarues.
8.
Racizmi nuk ekziston. Dhe meqënëse nuk besoj në të, s’kam pasur kurrë probleme me racizmin. Kushuriri im përkundrazi, që ishte i bindur se italianët janë racistë, gjithmonë kishte pasur probleme. Dhe atë çast, me ata djem gjimnazistë, s’bëhej fjalë për racizëm, por për një sfidë të cilën e nisa kur kërcënova atë çerrin në shqip. E bëra thjesht për lojë. Për mua, fakti i të qenit shqiptar nuk ka qenë kurrë faktor diskrimues, përkundrazi ishte ai detaj që më jepte një nuancë ekzotike dhe më bënte më tërheqës; jo për t’u mburrur, por në të vërtetë gjithmonë kam qenë donzhuan. Kur kushuriri im pranonte se ishte shqiptar, italianët shtrembëronin buzët dhe nuk ia hidhnin më qurrat; kur e pohoja unë, mbeteshin të befasuar këndshëm. Arrita të zija dashnore Xhorxhan vetëm sepse jam shqiptar. E njoha në festë dhe kisha gjithë mbrëmjen që përpiqesha të futesha në muhabet, por pa shumë rezultat. Kisha hequr dorë, kur Xhorxha m’u afrua – sapo kisha mbaruar një telefonatë – dhe më tha: “E çfarë gjuhe ishte kjo?”
9.
Teksa vrisja mendjen për të gjetur një zgjidhje, në kafene pllakosi heshtja dhe të gjithë sytë u ngulën tek unë: shqiptari i mutit, që po na bëhej dhe fodull. Vjen këtu dhe të japim punë, të japim shtëpi, të japim pidhin, të japim një jetë dinjitoze dhe ti, mosmirënjohës i ndyrë, pështyn aty ku ke ngrënë? Kjo është mënyra jote e falenderimit? Po të mos nxirrja sa më parë diçka nga goja, situata do të merrte për ters. Ai çerri, i ngrefosur ngaqë po më shihte në vështirësi, i pëshpëriti diçka shokut, dhe aty mendova se isha në telashe. Çerri, grupi i vet i shokëve dhe gjithë njerëzit e pranishëm në ato çaste qenë bërë njësh, e kishin humbur arsyen. Sa të niste i pari, të tjerët do t’i shkonin pas avazit me sharje dhe kore raciste. Kësisoj ndodhi gjatë pogromeve dhe në atë ashtuquajturën “Nata e Kristaleve”, u dogjën sinagoga dhe u vranë qindra hebrenj; po kështu në linçimin e Nju-Orlinsit, njëmbëdhjetë italianë u varën dhe u pushkatuan para mijëra personave të egërsuar; po kështu me varjet publike të afro-amerikanëve; po ashtu vrasja e Abba-s në Milano; po kështu masakra e armenëve, deliri i Ballkanit. Historia e djeshme dhe u sotme ishte shumë e pasur me kësi ngjarjesh për t’i përmendur të gjitha. Një grup njerëzish për së mbari mund të shndërrohej në një fundërrinë njerëzore, e aftë të bëjë gjithçka.
Çerri u ngrit në këmbë dhe kërkoi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve. “Çuna, çuna, dëgjoni!”, tha. Po ndodhte me të vërtetë. Dhe pikërisht mua. “A e dini ndryshimin mes një shqiptari dhe majmunit?”.
A e dini ndryshimin mes një shqiptari dhe majmunit? Një dorë pleshta. Si rrinë katër shqiptarë mbi një kuti këpucësh? Mjafton t’u thuash që lundron. Cila është akullorja e preferuar e shqiptarëve? E mbytur në kafe. Dikur, barsoletat për shqiptarët bënin namin. Si hyjnë dyqind shqiptarë në një Fiat 500? Hidh një copë bukë brenda dhe ke për ta parë. Si mund ta shpëtosh një shqiptar muti që po mbytet në liqen me një gur të lidhur pas qafe? Hë pra, si i bëhet? Nuk e di! S’ka problem. Çdo ditë dilte nga një e re. Kishte një sinkronizim të përkryer mes lajmeve të kronikës së zezë për shqiptarët dhe barsoletave. Nëse në mbrëmje, në TG5 fliste për shqiptarët që kishin vjedhur dhe përdhunuar një plakë, të nesërmen dëgjoje: Në makinë janë: një shqiptar, një rumun dhe një maroken. Kush po i jep makinës? Karabinierët. Sapo mediat e humbnin interesin për emergjencën e shqiptarëve, dilte emergjenca e zezakëve dhe shumë nga barsoletat tani tregoheshin në një version të ri, ku në vend të shqiptarit të mutit ishte zhapëziu i mutit.
Ua tregoja shpesh miqve të mi, isha ca si i fiksuar pas këtyre derisa Xhorxha më tha: “Hiq dorë, s’na bën për të qeshur!”. Dhe, ç’është e vërteta, kur i dëgjova nga goja e atij çerrit, s’më bënë për të qeshur.
10.
Racizmi është histori e shëmtuar. Këtë fjali të lexuar me mijëra herë në faqen e parë të librave. Feltrinelli s’e kisha kuptuar kurrë plotësisht, deri në atë çast. Teksa vështroja atë çerrin të niste shfaqjen e tij, brenda vetes kisha një ndjesi pafuqie para asaj që po ndodhte. Fytyrën, me gjasë, e kisha më të bardhë se Xhorxha. Kur u kthye për të më parë, duhet ta ketë vënë re. Ishte i vetmi njeri i shëndetshëm aty brenda. Ku mutin ishte Andrea, ai që donte të ishte shqiptar?
Ai çerri nuk arriti ta çonte deri në fund barsoletën. Xhorxha ia flakëriu një shpullë.
– Debil! – Djali tani kishte një pëllëmbë të kuqe në faqe dhe sytë e përlotur. – T’i menderosësh të tjerët, s’të bën ty një qenie më pak të menderosur, përkundrazi! – Xhorxhas i kishin hipur nervat keq, çfarë s’nxori nga goja.
Një vajzë e ngjyer si lolo po i mbante leksion mbi racizmin një kopeje adoleshentësh të dehur. Kur përfundoi, askush nuk pipëtiu. Xhorxha mu afrua dhe më puthi në faqe.
– Mos ua zgjat më, – tha. U kapardisa dhe i vështrova sikur po ndaja mendjen në t’i zija me shqelma bythëve apo ta lija me aq, por pastaj vendosa që s’ia vlente barra qiranë.
Ndërsa Xhorxha mori për nga dalja duke më tërhequr për dore, drejtova dy gishtërinj drejt syve të mi e mandej nga çerri i vogël dhe grupi i tij. Do t’ju ruaj, plehra! Veçanërisht ty! Pastaj u ktheva dhe ndoqa Xhorxhan jashtë kafenesë.
Italia qenka vend per se mbari me 1300$ be muaj te paguash qirane makinen etj .Ketej me aq nuk ushqen dot as maçen .
Nejse tregimi eshte I shkruar mire .Deri tani ne kemi qene viktima te racizmit e jo perpetrators sepse s’kemi patur ke te diskriminojme .Kam lexuar disa artikuj e komente ne internet ku emigrantet siriane ne Shqiperi portretizohen me te njejten gjuhe qe italianet e greket perdorin ndaj nesh.Vjedhjet e shtepive iu atribohen atyre a thua se populli I Shemo Hajdutit nuk dinte se c’ishte vjedhja perpara se te mberrinin sirianet ne Shqiperi .E kuptoj se racizmi me shoqeri eshte si fruthi per trupin e njeriut,nje semundje qe gjithe shoqerite heret a vone kane per ta kaluar por uroj qe te mos na zere .
E lexova me kenaqesi. Eshte letersi e mire. Ne web desha te di me shume dhe mesova se autori eshte propozuar per çminin Strega. Eshte e jashtezakoneshme t’i afrohesh atij çmimi te madh.
Verej keputje totale me letersine shqipe, por edhe me ate italiane. Mbase ne stil ka nje lloj ndikimi nga letersia amerikane e viteve ’30 Dashiel Hammett, John Fante etj., pur nuk ka asgje te keqe per moshen qe ka, perveçse mund te jete edhe nje pershtypje e imja.
Ka te ardhme te sigurte ne letersi. Megjithate pres qe ta lexoj te tere romanin. Ka mundesi te mos jete fjala me shume per nje balade galante kojshish, se sa per nje metafore per marrëdheniet mes dy vendeve, dy kulturave, dy menendesive…
Fragmentet qe jane sjelle, duken duken mjaft premtues.
Mënyrë e drejtpërdrejtë e të thënit diçka në prozë. Pa lajle, pa lulka. Stil që zhbiron gjēra jo tmerrësisht të thella, por drama sociale që individi modern, ai i adoptuar në një kulturë tjetër i ndjen përditë. Teodor Keko kur përshkruan psh figurën e Ana Milos e ka këtë lloj rrëfimi krejt të zhveshur nga ornamentet e fjalës dhe pa pikë teklifi për t’i thënë qartë, madje duke t’i përplasur direkt në fytyrë, anët më të errëta e groteske të realitetit shqiptar para viteve ‘90.
Uroj kjo notë gëzimi punk në stil të ndjehet njësoj edhe në italisht. Të jetë edhe e origjinalit, jo vetëm e përkthimit.