Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Libri Shqip / Totalitarizëm

DY ROMANE – NJË KËNETË…

Nga Visar Zhiti

Dëgjova rastësisht një intervistë, dhënë në një nga televizionet e Tiranës, të një studiuesi të njohur të letrave shqipe, që teksa fliste për vlerat e Realizmit Socialist shqiptar, sipas tij të qëndrueshme, sipas meje me vlera vetëm për historinë e letërsisë dhe jo për letërsinë, ndërkaq studiuesi në fjalë kujtoi romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës, që sipas tij ishte dhe realist, veçse i mungonte që në tharjen e asaj kënete kishin punuar dhe të burgosurit politikë, shtoi me një buzëqeshje hidhnake…

Si një ndërhyrje nga populli apo vazhdim i asaj bisede nga një dëshmitar për këtë çështje kruciale, sipas meje, po sjell një shkrim timin për “Kënetën” në letërsi, parë si metaforë, nxjerrë nga sprova ime “Kartelat e Realizmit të Dënuar dhe Panteoni i Nëndheshëm”, në proces (ri)botimi. 

BALLËPËRBALLË

Në letërsinë shqipe ka dy romane për një kënetë, njëri që po harrohet me të drejtë dhe tjetri që nuk kujtohet aq sa duhet me të pa drejtë.

Të dy romanet tregojnë punën për tharjen e asaj kënete, që s’është metaforike e as simbol i së keqes a i së mirës a i ndonjë obsesioni tjetër misterioz, por i një kënetë reale në jug-lindje të vendit, në Vloçisht.

Vështrimi kritik ndaj këtyre dy romaneve më ka tërhequr herët, prandaj dhe thashë diçka që nxiti vazhdimësi.

Sipas meje këto dy romane arrijnë të bëhen përvijues të dy brigjeve apo gjendjeve në letrat shqipe tani, të një realiteti kënetor, të tharë, ku, si të thuash në njërin breg ka mbetur si kujtim i turbullt pasqyrimi i asaj që s’ka qenë, për të mbuluar atë që ka qenë dhe në bregun tjetër janë gjurmët plot baltë dhe gjak të asaj që ka qenë e fshehur, për të zbuluar dhe atë që nuk lejohej të tregohej…

KËNETA E SOCREALIZMIT:

“Këneta” e Fatmir Gjatës (1922 – 1989) është roman i kësaj kënete, i shkruar sipas metodës së Realizmit Socialist, botuar në socializëm në vitin 1959 dhe i ribotuar çuditërisht nja 19 herë deri në vitet ’80, duke u futur në programet dhe të gjitha tekstet shkollore të letërsisë, madje edhe përkthyer me porosi të Partisë në 4 gjuhë të tjera, përkthime vendi sigurisht siç bëheshin atëherë dhe nga të burgosur politikë në gjuhët perëndimore, përkthimet e të cilëve dilnin pa emër, (ndërsa në gjuhët lindore kryheshin edhe nga ato gra që s’u kthyen në vendet e tyre, kur Shqipëria socialiste i prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe satelitët e tij, siç thuhej atëherë).

Në “Kënetën” e Fatmir Gjatës, ku mëtohet romani realist me partishmëri, narrativa është në përshtatje të plotë me politikën sunduese deri në propagandë, deri në mashtrim vrastar, pa guxuar t’i afrohet realitetit dhe të vërtetës.

Sipas këtij romani, këneta e Vloçishtit thahet nga puna vetëmohuese e klasës punëtore në aleancë me fshatarësinë punonjëse, plot entuziazëm dhe heroizma, udhëhequr nga Partia, e përfaqësuar nga komunisti Stavri Lara, personazhi kryesor i romanit, pozitiv kokë e këmbë sipas skemës zhdanoviste dhe ende më keq.

Kjo fitore, tharja pra, jo vetëm e kënetës, arrihet në luftën dhëmbë për dhëmbë me armikun e brendshëm, inxhinierët sabotatorë, intelektualë nga klasat e përmbysura, që kishin studiuar në Europë dhe që zbulohen falë vigjilencës revolucionare dhe ndëshkohen me urrejtje penale duke u dhënë dënime kapitale, pushkatime e varje, mes tyre dhe një grua.

Në fakt kështu dënohej edhe kultura europiane dhe universitetet Perëndimore.

Sigurisht që Ministria e Punëve të Brendshme dosjet e sajuara të armiqve të sajuar duhet t’ia ketë vënë në dispozicion, kur shkruante romanin, shkrimtarit të mirëbesuar, ndër më të njohurit e letërsisë së re shqipe ose letërsisë së Partisë…

Fatmir Gjata ka qenë dhe partizan bashkë me të atin dëshmor duke u bërë dhe autor këngësh partizane, ndërkaq kishte studiuar në liceun francez në vendlindje, në Korçë dhe do ta dërgonin të specializohej për letërsi në qendër, në Moskë, në Institutin “Gorki”. Boton tregimin e parë të letërsisë së re të pas Luftës së Dytë Botërore dhe romane në vijim…

E kisha parë në ngrehinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, kur ndodhte t’i afrohesha si student, kishim folur një herë bashkë, më ishte dukur i përzemërt, i hijshëm, njihte dhe tim atë, s’kishte baltë kënete ndër duar, madje dhe romani “Këneta” m’u duk si i huaj dhe për atë vetë.

Vdiq atë vit kur ra Muri i Berlinit, që më pas do të binte dhe perandoria komuniste.

“Këneta” është xhiruar dhe film nga Kinostudio “Shqipëria e re”, që me siguri bashkëvuajtësi im Ilir Malindi, nëse do të takonte ndonjërin nga aktorët e tij, do t’i thoshte zë-lart që pse nuk kërkoni falje ju? Rolet tuaja në teatër dhe kinematografi kanë bërë më dëm se ai i komisarit të burgut, keni helmuar me art një popull të gjithë!

KËNETA E VDEKJES

Romani tjetër, “Këneta e vdekjes” i shkrimtarit Makensen Bungo (1926 – 2018), është tmerrësisht tjetër gjë, i botuar gati 40 vjet më pas, në postdiktaturë, në vitin 1996 dhe deri në 2009 ka patur gjashtë botime dhe është përkthyer dhe në anglisht, pa mbështetjen e shtetit, por si arritje e autorit.

“Këneta” e dytë, që në fakt është e para, ia jep vërtetësia këtë vend, është dhe si një përmbysje e “Kënetës” së parë, që s’duhej të ishte fare, që mbetet një kënetë në letërsi edhe pse nuk është ky qëllimi i të shkruarit të “Kënetës” tjetër, asaj “të vdekjes”.

Narracion tjetër për të njëjtin realitet kënetor. Këtu janë të burgosurit politikë, me qindra e mijëra, që nën dhunë dhe nën egërsi të papërmbajtur patologjike të policëve dhe komandës, në dëshpërimin e skajshëm të tyre, punojnë më keq se skllevërit për tharjen e kënetës së Vloçishtit, për ta kthyer në tokë buke.

Shqipëria po hante bukë të dënuar.

Punohej përtej të besueshmes, nëpër kanale e baltën që të mbulonte, të zbathur dhe të zhveshur, mes urisë marramendëse, në të nxehtin e padurueshëm të verës dhe në të ftohtin ende më të padurueshëm të dimrit. Diktaturë.

Policët dhe gardianët sfiliteshin dhe ata si në çdo burg, jo vetëm duke ruajtur të burgosurit, as vetëm duke i fyer e poshtëruar, por dhe duke i munduar mizorisht, duke ushtruar tortura të papara, të përditshme, rrahje deri në vdekje, zvarritje dhe rroposje në llum, mbytje fizike…

Mes të burgosurve kishte intelektualë dhe shkrimtarë të shquar, poetë, klerikë, me së shumti katolikë, mjekë, gazetarë, mësues si dhe vetë autori i panjohur romanit, Makensen Bungo, ndërsa shkrimtari tjetër i njohur, Fatmir Gjata ishte përmatanë kënetës, si të thuash në shoqëri metaforike me komandën e burgut.

Shkrimtari Makensen Bungo, nga Elbasani, arrestohet në vitin 1948, teksa ishte student në Normalen e Elbasanit, ku do të kishte si mësues tragjedianin themeltar në letrat shqipe, Et’hem Haxhiademin, që iu bë më pas bashkëvuajtës burgu.

Ndërkaq kishte botuar poezi, artikuj të ndryshëm. E dënuan me akuzën si nacionalist, madje në gjyq u dëshmua se i pandehuri M. B. kishte thënë që, duke na marrë Kosovën, vendi mbetet me gjysmë mushkërie.

E dërgojnë në burg, në kënetën e ferrit, që do të bëhej romani i tij. E ç’nuk i panë sytë, tmerr dhe vdekje. Shkulje me darë marangozi të dhëmbëve të veshur me flori apo shkulje me gjithë krahë të palltove të reja të të dënuarve, priftin ortodoks me mjekër edhe në burg, që e groposin të gjallë, rënia me lopatë kokës Mitrush Kutelit pse ishte shkrimtar, se, sipas policit të burgut, libra bën vetëm Lenini, etj, etj.

Ujërat e turbullta të kënetës së ferrit ikën, të shtyrë dhe nga ujërat e djersës së njerëzve të burgosur.

Këneta u tha. Dhe jo vetëm ajo.

Autori, edhe pse komunizmi ra, s’kish si të mos ikte sa më parë në SHBA. Nga buza e tharë e kënetës së vdekjes, në brigjet dallgëmëdha të oqeanit të lirisë. Në Nju Jork, ku mbylli dhe sytë në 2018.

Kisha folur në telefon me të, tronditëse dhe bisedat, kur kujtonim se jeta dënohej dhe bëhej baltë, nga ajo baltë që kurrë nuk bëhej jetë e që duhen treguar për të mbrojtur të vërtetat e saj…

Tani më duket se dy romanet kanë mbetur përballë njëri-tjetrit si në një duel, ky fat u ra dhe në përleshjen morale të tyre përdorin armët, me të cilat janë pajisur: e vërteta kundër mashtrimit, vuajtja me përtalljen e saj, dënimin me harresën vrastare.

Lexuesit, sidomos të rinjve, por dhe kritikut, madje dhe psikoanalistit, mbase këto dy romanet do t’i rikthejnë imazhin e një kënete iluzive, tashmë të tharë, sipër së cilës fëshfërijnë të mbjellat, që s’kuptohet ç’pëshpërisin kur fryjnë erërat, dhe befas nga poshtë saj dalin si halucinacione pamjet e përthithura nga balta të një persekutimi infernal, ndërsa në brigjet e humbura ka ende gjurmë çizmesh ushtarake dhe forma të dendura, të pafund këmbësh të zbathura plot gjak.

Toka është e çarë si me gojë memece që duan të dëshmojnë dhe ashtu, që sikur bërtasin se pak më poshtë ka kufoma…

EPILOG I VOGËL:

Një dëshmi tjetër tronditëse, por autentike e asaj “kënete”, tashmë futur në letrat shqipe, është dhe “Libri i Burgut” i Profesor Arshi Pipës, një përmbledhje me poezi, ku janë dhe Sonetet e tmerrshme të Kanalit, të shkruara fshehurazi në atë kenetë, kur autori ishte dhe vetë i burgosur politik dhe mundi t’i mbijetojë, ai dhe poezia e tij.. Të gjitha poezitë ishin shkruar në letra të holla cigareje, i gjithë libri bëhej sa një kuti e vogël shkrepseje. Prandaj dhe Arshi Pipa mundi ta nxjerrë librin, kur doli gjallë nga burgu. Por ai nuk qëndroi me kaq.  Mundi të arratisej duke marrë me vete dhe “kutinë e shkrepëseve”, Sonetet e Kanalit, ‘ferrin dantesk të letrave shqipe”, do të shkruaja  më vonë për to, kur do ta merrnim vesh që ai libër ishte…

U botua së pari në Romë, në vitin 1959, po atë vit që shkrimtari i socrealizmit Fatmir Gjata, nxori “Kënetën” e tij. Nuk e di në e kishte parë ai “Librin e Burgut”, të rroposur në Fondin e zi të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë dhe s’e di në e kishte lexuar në letra të holla cigaresh dhe shkrimtari tjetër i “Realizmit të dënuar” bashkëvuajtësi i tij Magensen Bungo.  

Pasi ra perandoria komuniste dhe diktaturat e saj me radhë në Europë, më e fundit në Shqipëri, unë pata rastin të vizitoj shkrimtarin Arshi Pipa në shtëpinë e tij në Uashington dhe i pashë ato fije të holla cigaresh, Sonetet e Kanalit të kënetës së Vloçishtit dhe m’u nëpërmendën fletoret e mia me poezi të burgut, plot me njolla dheu dhe djerse ankthi,  që mbas nja 25-30 vjetësh mbas Arshi Pipës arrita t’i nxjerr dhe unë nga burgu.

Duhet t’i shohin dhe lexuesit, sidomos të rinjtë  poezitë e burgut dhe romanet e kënetës së përgjakur të letrave shqipe, patjetër dhe studiuesit, e realizmit socialist dhe të realitetit socialist, që jo vetëm s’janë e njëjta gjë, por trishtueshmërisht të kundërta.

      

(c) 2020, Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

11 Komente

  1. Falemnderit Visar per kete shkrim. Duket sikur atje lart dikujt nuk i intereson ky ballafaqim. Prandaj nje shkrim i tille eshte akoma me i vlefshem.
    Ajkuna

  2. Ne librin e tij me kujtime”Rrno vetem per me tregue” edhe At Zef Pllumi ka lene shume pershkrime te gjalla per vuajtjet e te burgosurve ne kampin e Maliqit.

  3. Keneta e vdekjes -Marenglen Bungo, hera e pare qe e degjoj. Kalova ne internet, -gjej pak informacion. Vetem nje shkrim gazete dhe nja dy vidio ne youtube. Per tu habitur, pse shtypi shqiptar kaq pak per kete “sinonim-antonim” te romanit te njohur te F. Gjates. Duket disa i shoqeron stampa e njerkes, deri ne vdekje.

  4. Rolet tuaja në teatër dhe kinematografi kanë bërë më dëm se ai i komisarit të burgut, keni helmuar me art një popull të gjithë!..’
    Ne kete pike do zbatohet thenia e Jezu Krishtit :Ai qe s’ka asnje mekat le te hedhe gurin I pari .

  5. Dy komente te shkurtra:
    E para, duhet te permendet qe romani Keneta i Fatmir Gjates nuk ka asnje vlere artistike. Romani eshte jashtezakonisht i merzitshem, teper skematik dhe teper i gjate. Nuk mund te them qe e kam lexuar te terin, por kam lexuar rreth 1/3, natyrisht me detyrim ne shkolle te mesme ne vitin 1984, dhe mund te them qe ka qene nje nga eksperiencat me te keqija qe kam pasur ne shkolle te mesme. E sigurte qe te njejtin mendim per romanin ndante edhe profesori im i letersise. Sigurisht qe ai ishte i detyruar te fliste pozitivisht por mbaj mend kur nje nxenes filloi te fliste me superlativa dhe mesuesi ja preu: Prit more se na e bere kryeveper, kryeveper ai roman nuk eshte.

    E dyta, ne vitin 1991 kam takuar nje burre nga Tepelena qe kishte qene partizan dhe pas luftes, komunist. Kur i kishin kerkuar “te dilte vullnetar” te punonte ne kenete ai nuk kishte pranuar sepse sipas tij puna ne kenete ishte denim me vdekje. Si rezultat ate e kishin perjashtuar nga partia dhe i kishte shkuar gjithe jeta si i persekutuar. E.permend kete fakt sepse ne shume shkrime lihet te kuptohet sikur qeveria komuniste ua beri jeten ferr te burgosurve qe punonin ne kenete ngaqe i konsideronin armiq. Ne realitet duket qe jeta ishte ferr per kedo qe punonte aty. Shume punetore nuk ishin te burgosur por prapeseprape ishin aty pa deshiren e tyre dhe sigurisht qe vuajtjet e tyre nuk ishin aq te medha sa vuajtjet e te burgosurve por edhe ata kane vuajtur e vdekur me shumice.

  6. Më prek gjithnjë ky kërkim plot pasion dhe këmbëngulje e Z. Zhiti për të vënë në një pozicion më të dukshëm një pjesë të tërë të letërsisë që nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Në fillim nuk i gjeja dot vendin e vet kësaj veprimtarie, kishte që flisnin për “letërsi të burgut” dhe pikërisht një gjë të tillë e shihja pak me çudi. Në vështrimin tim ka letërsi, pavarësisht se kush, ku e kur e shkroi.

    Pastaj m’u duk se nuk ishte tamam kështu. Zhiti nuk shkruan për letërsinë e krijuar në kushte burgu apo nga ta burgosur, por për letërsinë shqipe, për atë letërsi që u kushtonte rëndë atyre që e shkruanin, për letërsinë e vërtetë. Ai nuk mendon për autorët që ka njohur galerive dhe veprat e tyre, por për tërësinë e shprehisë shpirtërore. Madje me shumë se kaq. Ai përpiqet t’i japë dinjitet dhe arsye që të ngrejë kokën një letërsie që në një periudhë tmerrësisht të gjatë kultivoi dhe u ushqye me atë ç’ka më të fëlliqur, urrejtjen ndaj njeriut, dogmatizmin.

    Përfytyroni një çast dikë që do të interesohet për këtë letërsi pas 30 vjetësh. Eshtë e tmerrshme të mendosh se si do të gjykohet 40 vjet shkrimtari mercenarësh, pa vlerë e pa moral. Këneta është një nga ato, por nuk është e vetmja dhe as më e shëmtuara. Edhe sot e kësaj dite përpiqen të na mbushin mendjen për vlerat kolosale të një letërsi antinjerëzore, gënjeshtare, të pamoralësh, fund e krye.

    Kuptohet, personalisht nuk mendoj se letërsia dhe artet duhet të jenë të moralshme. Aspak. Por artet dhe letërsia nuk kanë të drejtë të jenë të pamoralshme. E pra, fatkeqësisht, letërsia shqipe zgjodhi të ishte e pamoralshme, mori përsipër mision i vështirë e idiot të përligjjes së krimit dhe për këtë merr dekorata sot e gjitha ditën!
    Sigurisht, letërsia duhet ta përligjë veten e saj me vlera estetike, duhet të na krijojë emocione, të na bëjë të vibrojmë së brendshmi. Por ky nuk është kriter i vetëm. Vlera më e madhe është pohimi i së vërtetës, humanizmi. Këtë unë e kam ndjerë te një poezi e H. Nelës. Mund t’i bësh vërejte për rimën, harmoninë, kadencën, nganjëherë ndjen nevojën të futësh dorën në xhep e të nxjerrësh një laps për të korrigjuar një rrokje që del nga rreshti. Po jo për shumë kohe.

    Diku ndesh një varg që flet për Frymën e Helsinkit, që ndjen autori. Këtu ti ndalon, ke dëshirë të ulesh e të mendosh e të shikosh rrotull. Flet për Frymën e Helsinkit kur në Tiranë të gjithë ulërinin si hiena kundër saj!? Ndjen të përloten sytë. Eshtë dikush që shkruan nga fundi i botës, në limbet e mbretërisë së harresës dhe vdekjes. Mua kështu më dukej gjithnjë Kukësi, një qytet i trishtuar, një qytet i varfër, i braktisur. Ma donte puna të shkoja nganjëherë andej dhe kur mbërrija aty, i rraskapitur dhe me kokën sa një daulle nga rruga e vështirë dhe gjëmimi i motorrit të makinës, shihja me ankth orën, në pritje për të ikur sa më parë. Kisha përshtypjen se aty nuk mbërrinin as valët e radios.

    E pra, Nela jetonte aty dhe ndjente Frymën e Helsinkit, ndërkohë që aradhet e renegatëve shëtisnin në Bulevardin e madh dhe në vargjet e tyre shprehnin gjithçka por nuk ndjenin asgjë, rreshtonin lloj lloj skelash e hekurash, shihnin ëndrrat më idiote që nuk i besonin as vetë dhe në korr ulërinin ndaj frymës së shpresës që frynte nëpër Evropë. Dhe ata, kultivarë i sheh sot e kësaj dite nëpër faqet e gazetave, revistave, në ekranet e tv-ve si zgjatin monstruoz i imoralitetit të një epoke, fëlligështisë që treguan gjithë jetën ata dhe ne që i pranojmë.

    Në këtë vështrim, Zhiti tek flet për një Kënetë të dytë, nuk përpiqet të nxjerrë në dritë letërsinë e autorëve të ndaluar, të paktën nuk bën vetëm këtë, por së pari ai përpiqet t’i japë pak dinjitet letërsinë sonë, ne të gjithëve. Të tregojë se nuk kishte vetëm imoralitet, se letërsia e vërtetë, që flet për një realitet që deshte ta fshihnte “ajo tjetra”, nuk kishte vdekur krejt. Nuk e di per ju, po mua kjo me ben te ndihem me mire.

    Se nuk ishte gjithçka vakuum, antihumanizëm, shkretëtirë e tokë ku kultivohej e i kendohej vetem se keqes, se kishte njerëz që nuk pranonin te hipnotizoheshin, që shihnin diçka tjetër, dhe për më tepër guxonin ta hidhnin në letër ate qe shihnin, me çmimin e kokës së tyre. Se letersia, nuk kishte vdekur fare, pra!

    Këtë bën Zhiti, në të vërtetë!

    1. Dashi, me vjen mire qe e mendojme kaq njelloj. Nisa ta shkruaja komentin para nje ore, dhe e lashe e dola te ble dicka. mbarova pune dhe kur u ula para kumputerit pashe qe s’e kisha mbaruar. Pastaj lexova komentin tend. 🙂 ne nje fare menyre me duket sikur ne permasat e asja qe sheh syri im, shkrimet si ky vertet sjellin mes njerezve te verteten e vrare e te mohuar. Kjo eshte prekese dhe ia vlen me shume se cdo arritje materiale e shqiptareve.

    2. Kur flitet per te kaluaren ose me sakte per sistemin monist flitet pak a shume me terma te tipit: ku ishe ti ku isha une?pse s’fole ti pse s’fola une ?Dolen ca njerez te keqinj qe na mbajten me zgjedhe per 50 vjet etj .Por deri me sot nuk kam lexuar asnje shpjegim bindes se pse populli U manipulua .Psh rasti I H Neles interpretohet si I quote:” E varen poetin per nje vjershe “.Problemet e tij me regjimin filluan per nje vjershe .Por ai u arratis nga vendi I internimit e u strehua tek te afermit e tij .Kusherinjte e tij te pare e spiunuan .Polici I zones vajti ta merrte ne dorezim.Ne gjendje depresive atij I plas arma dhe plagos policin ne nofull.Ne gjyq bashkeqytetaret e tij ne Kukes benin thirrje “te varet “,”te varet”. Dhe kjo ne vitin 1988 .Keto detaje pak permenden .Si ky ka raste shume dhe pak shpjegohet mekanizmi qe I bente njerezit te spiunonin vullnetarisht te afermit e tyre .Ndersa e kaluara nuk ndryshohet ,mekanizmi I trugomarhedhjes se popullit duhet studiuar ne menyre qe ne te ardhmen te mos biem pre e demagogeve .

  7. Të më pyesnin mua, do t’ia kisha lënë “Këneta” titullin edhe romanit të dytë. “…e vdekjes” më duket pleonazëm. Asnjë frikë për t’u përballur me “Kënetën” tjetër, nuk duhet fort gjë për ta kapërcyer. Avantazhi moral i “Kënetës” së Z. Marenglen Bungo është i padiskutueshëm. Por nuk mjafton ta kesh shkruar në letra cigaresh (fjala që bie). Jam kurioz ta lexoj.

  8. emocionohem gjithnje qe njeriut nuk i shter funksioni artistik dhe s’i fiket veshtrimi estetik ne kushte te rrenimit total fizik. Te thuash qe eshte menyre per te mbijetuar me duket shpjegim siperfaqesor. Nuk do ekzistone po te ishte vec nje shpikje per t’i lehtesuar plaget vetes dhe per te mos vdekur. E mendoj dhe e rimendoj situaten e krijimit te estetikes kur eshte here i veshtire dhe here i pamundur rigjenerimi i vetes nga sot ne neser, dhe sidomos kur nuk ka asgje ne horizont qe te ta lehtesoje pritjen e te te jape kurajo a ndjesi te bukura. Besoj eshte thjesht nevoja e atij qe eshte artist te beje art, e shkrimtarit te shkruaje, e njeriut te marre fryme.
    Nga ana tjeter e di se jo gjithcka shkruar ne burg apo per burgun, per terrorrin me syrin dhe trurin e te terrorizuarit, eshte letersi e mire. Nuk e them kete per romanin e Bungos, sepse nuk e njoh. Mund te jete shume i mire. Por Visar Zhiti ketu nuk flet aq shume per vleren artistike te romanit nga pikepamja teorike, sa per faktin se Bungo u kthen dinjitetin atyre qe u kenetosen te gjalle gjate tharjes se saj, dinjitet qe u merret nga versioni i Gjates. Per kete fatkeqesisht nuk ka dyshim. Pasi atyre qe vijne t’u jete mesuar kjo lloj e vertete, le te diskutojme pastaj sa te duam per krahasimet ne vlera si letersi, llojin apo cilesite e realizmit ne secilin tip. Ceshtja ketu nuk eshte per dy menyra te ndryshme te shikuari te botes, por eshte per nje mashtrim “me pagese”, qofte edhe ate te frikes se qetesuar (sado bindje te majta te kete pasur Gjata, e sado te kete besuar ne sa shkroi), dhe nje jo-mashtrim. Midis te dyve ka shume gjak te pafolur, qindra e mijera jete njerezish qe iken mizorisht dhe s’ua kendoi kush te drejten qe paten per te jetuar, s’ua pa kush zemren, dashurine dhe endrren, dhe gjithe jetet e atyre qe vuajten per te njejten arsye me ta e pas tyre, ndertimin e socializmit. Ndaj gjithe Visaret qe shkruajne na afrojne me shume me njeriun qe kemi shkelur.

  9. Përshëndetje Visar. Për fat të keq kjo tematikë është ende aktuale. Të munduarit, të vuajturit, të torturuarit – në pergjithësi janë përmbajtur në dëftimin e emrave të persekutorëve. Persekutuesit janë vetëbindur e kane mundur të sugjestionojnë bindin një pjese të mirë të opinionit të brendshëm dhe të jashtem se ata thjesht patën zbatuar ligjin e shtetit, të zgjedhur nga populli (!)
    Po ashtu edhe në fushen e artit e letërsisë ka një vetëbllokim, vetëpërmbajtje, të cilës mund t’i vendosen edhe mjaft emra të tjere. Shihet edhe në kete artikull ku opinioni publik nuk njoftohet se cili ishte kritiku i mirënjohur, i cili komentoi në kete menyre ‘Keneten’. Dhe mungesa e këtij emri të thotë shume gjëra….
    Përpara se të shkojme tek aktorët e skenës, të cilët propagandonin politikën e partisë, të ish Jugosllavisë, pastaj të BRSS, pastaj edhe kineze, le të paraqitet edhe një herë lista e flamurxhinjve të fjalës së partisë (..edhe me poezi për kinezin i cili u vra duke montuar antenën, i shkreti Can Pao Y)..
    Shquheshin dy korifenjtë e asaj kohe, të cilët Lasgushi i pati quajtur ‘muza kryepërpjetë e partisë’ dhe ‘daullja e partisë’ dhe pastaj dhjetra të tjerë – poetuce, gazetaruce, aktorucë, regjisorë, etj., i imitonin që të pëlqeheshin nga i madhi i të mëdhenjve (.. si psh skena tek ‘Tat Tanushi i Kutelit, ku të parët e mbretëris bëjnë karagjozllëqe pëtr t’i pëlqyyer mbretit). Ndryshoheshin madje edhe programet mësimore per t’u dhënë edhe më shumë vend dy korifejve të medhenj. ..Po perderisa edhe Visari përmbahet per të shqiptuar emrin e kritikut demode, kjo listë me sa duket mbetet e harruar.
    Sa i përket romanit Këneta 2, me vjen keq që nuk e kam lexuar dhe nuk di sa i vërtetë eshte dialogu Kuteli – polic, ku Kuteli i thote se jam shkrimtar. Mesa dime ne si familje, Kuteli iu fsheh shumë (si shumë të tjerë) deklarimit të identitetit të vet në burg, mbasi ishte e rrezikshme. Kuteli u fut në burg per të mos dalë i gjallë ‘nga ata që iu pati shkelur hjen’ dhe nuk e pati fatin të jetonte çaste lirie intelektuale në vend që të mund ta lejonin të tregonte vetë kampin e Vloçishtit.
    Urime Visar për rihapjen e ketij diskutimi.
    Pandeli Pasko Kuteli

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin