Semiotika e hapësirave të pushtetit gjatë fjalimeve të krizës
“Jetojmë në një botë që ka shumë e më shumë informacion dhe pak e më pak kuptim”
Jean Baudrillard
nga Endrit Marku
Hyrje
29 marsin e shkuar akrepat e orës lëvizën 60 minuta përpara. Pjesa më e madhe e botës humbi orën e fituar 6 muaj më parë. Lajmi i ngjarjes së rëndësishme, që përsëritet në mënyrë sistematike e me devotshmëri të njëjtë dy herë në vit, këtë herë kaloi pa u ndjerë. Këtë mars nuk na e rikujtuan se sa traumatik do të ishte ndryshimi i radhës për shëndetin tonë fizik e mendor, se si do të flinim më pak e do të zgjoheshim më nursëzë, gjithashtu nuk na këshilluan të flinim më shumë apo të hanim më shëndetshëm e mbi të gjitha askush s’na tha të bënim shëtitje të gjata nën rrezet e diellit. Pasojat e mungesës së sivjetshme të këtij informacioni nuk do t’i dimë kurrë ndërsa vëmendjen tonë e ka përfshirë një numër i pafundmë lajmesh të cilat kanë të njëjtin subjekt: koronavirusin.
Në pak ditë përditshmëria jonë ndryshoi për fajin e një krijese mikroskopike po aq primitive sa vetë instinkti i mbijetesës që ndezi në thellësinë e qenies tonë. Ndërsa numërojmë javët a muajt e karantinimit të detyruar, ngjarje rreth të cilave vërtiteshin miliona dollarë sikurse rrokullisja e një sfere prej gome dhe lëkure nëpër bar dhe përplasja e saj mbi një rrjetë najloni, këshillat e vyera mbi dhjetëra mënyrat e lyerjes së vezëve të Pashkës apo vetë ora e humbur ose e fituar me datë 29 mars, u zhvlerësuan përballë epidemisë mbarëbotërore.
Por, sadoqë u kyçëm brenda, një pjesë e mirë e marrëdhënieve të përditshmërisë tonë rezistuan. Mes tyre marrëdhënia jonë me autoritetin dhe komunikimi i njëanshëm apo i ndërsjellë përmes realitetit dixhital. Madje, këto marrëdhënie ekzistuese u bënë edhe më intensive. Marrëdhënia me autoritetin u bë më e afërt se kurrë, pasi nuk mund të dalësh dot nga shtëpia pa e pyetur, apo të rrish jashtë më shumë se disa orë pa i dhënë llogari. Dikur shikonim parashikimet e motit ndërsa tani përditësojmë faqe pushtetarësh nëpër Facebook për të ditur se çfarë do të na lejohet nesër. Nga ana tjetër mjedisi dixhital i imunizuar prej sulmeve të viruseve organike është në kulmin e tij, aty flasim me njerëzit e dashur, aty punojmë, aty informohemi e gjithashtu takohemi, gjithnjë e më shpesh, me vetë përfaqësuesit më të lartë të autoritetit, siç janë udhëheqësit e shteteve.
Fjalimet e luftës
Gjatë muajit mars e në vazhdim kemi qenë dëshmitarë të një vale të njëpasnjëshme fjalimesh presidentësh, kancelarësh e kryeministrash shtetesh, secili rreth subjektit të sipërpërmendur, koronavirus. Duket se bashkë me vetëdijen për rrezikshmërinë e virusit, është rritur dhe vetëdija e udhëheqësve se mbase këto muaj do të shkruhen faqet më të ndritura të autobiografive të tyre. Komunikimet me publikun u bënë më solemne me një gjuhë që e mendonim të humbur nëpër kthinat kohore më të dhunshme të së kaluarës tonë. Kështu në këtë hapësirë kohore, më shumë se kurrë, përdoret fjala luftë. Me datë 18 mars kancelarja gjermane Angela Merkel i kujtonte popullit të saj se do të përballeshin me sfidën më të vështirë:
“që nga ribashkimi gjerman, jo, që nga Lufta e Dytë Botërore” (Merkel, 2020)
Sikurse ajo, njëri pas tjetrit, udhëheqësit e të gjitha vendeve të prekura nga koronavirusi e shënjuan me një fjalim drejtuar kombit, nisjen e përballjes së drejtpërdrejtë me epideminë. Dhe në fakt duhet të shkojmë në fillimet e konfliktit më të madh botëror të të gjitha kohërave për të dëgjuar kaq shumë fjalime të njëpasnjëshme, me të njëjtin solemnitet e të strukturuar në mënyrë të ngjashme. Dikur Churchill-i, pas disfatës së Dunkirk-ut, në qershor të 1940-ës, gjatë fjalimit të tij të famshëm Their finest hour (Churchill, 1940) i siguronte bashkëkombasit për pathyeshmërinë e flotës britanike, që njëkohësisht ishte muri i fundit që i ndante nga superfuqia ushtarake e Gjermanisë. Stalini në fjalimin e tij të 3 korrikut të një viti më vonë, plot njëmbëdhjetë ditë pas sulmit të rrufeshëm gjerman, i tregonte popullit sovjetik se si “trimëria e ushtarëve të ushtrisë së kuqe nuk kishte të dytë” (Stalin, 1941), duke u munduar të gjente së paku diçka shpresëdhënëse tek tiparet e ushtrisë së tij që deri atë ditë kishte korrur vetëm humbje. Në pranverën e 2020-s rolin mbrojtës të ushtrive e ka marrë përsipër sistemi shëndetësor. Kështu kancelarja gjermane shpjegon se “Gjermania ka një sistem shëndetësor të shkëlqyer, e mbase më të mirin në botë” (Merkel, 2020) kurse presidenti Trump i siguron amerikanët se “Ekipi ynë (i amerikanëve) është më i miri në të gjithë botën” (Trump, 2020). E kështu paralelizmat janë të shumta, pasi të njëjtat mesazhe i rigjen të nënvizuar nëpër fjalimet e asokohe dhe të kësajkohe. Popullit i jepet zemër duke e siguruar që rezistenca ndaj armikut po forcohet dita ditës, që armiku në fakt në përballjen me ta, ka qenë më pak i suksesshëm se tjetërkund e që duhet të jemi të bashkuar pasi fitorja me doemos do të vijë.
Udhëheqësit e Luftës së Dytë flisnin përmes valëve të radios, me zë. Mesazhi i tyre i përcillej popullit nga radiot në mjedise të mbyllura apo shtëpi dhe përmes altoparlantëve të vendosur në sheshe. Mundohuni të përfytyroni fshatarët sovjetikë që dëgjonin me ankth Stalinin në oborrin e ndonjë ferme socialiste disa ditë pas sulmit gjerman apo stërgjyshët tanë mbledhur poshtë altoparlantëve tek ballkoni i bashkisë së vjetër të Tiranës duke dëgjuar me kuriozitet udhëheqësin e tyre të përkohshëm, Benito Musolini, duke i shpallur luftë Anglisë (fig.1). Ata duhet të dëgjonin me vëmendje, duhet të kapnin kuptimet e fshehura përmes fjalëve dhe ndryshimet në intonacionin e folësve. Për fjalën e radhës do t’i duhej të prisnin ditë e mbase javë të tëra. Ata që jetonin në qendrat e mëdha do ta lexonin përsëri fjalimin të nesërmen në gazetë e më pas do të flisnin për të dhe një herë në ndonjë kafene.
Sot shpërhapja e mesazheve është më komplekse. Ato na vijnë me zë dhe me figurë, me komente që bëhen në kohë reale, madje pa përfunduar mesazhi. Dëgjuesit më shumë bëjnë sikur dëgjojnë pasi ndërkohë që udhëheqësi është ende duke folur, fillojnë të reagojnë. Nën videot e tyre drejtpërsëdrejti shfaqen vargje me ikona, gishtpërpjeta, fytyrëqeshura, zemërkuqe apo faqeskuqura. Bashkë me to fillojnë komentet e para, të cilat rriten me mijëra pas çdo rifreskimi të faqes. Disa shajnë, disa lavdërojnë, të tjerë shajnë ata që lavdërojnë derisa e tëra shndërrohet në një dallgë të rrëmbyer informacioni që mund të zgjasë me orë të tëra, e që në të vërtetë nuk ndalet kurrë. Në vazhdim mesazhi shpërndahet faqe pas faqeje, nëpër të cilat lajmi zbërthehet, rindërtohet, i bashkëngjiten tituj të ndryshëm dhe shtesa interpretuese. Dhe një herë lajmi bëhet gati për t’u rishpërndarë sipas audiencave të posaçme. Sot më shpejt se asnjëherë mesazhet shpërbëhen e shumëfishohen aq shumë sa humbasin lidhjen me mesazhin origjinal dhe bëhen pjesë e asaj që Baudrillard e quan, shkretëtira e reales (Baudrillard, 1994).
Figura 1. Qytetarë të Tiranës përpara Bashkisë së vjetër dëgjojnë fjalimin e Duçes, gjatë të cilit ai do t’i shpallë luftë Anglisë. 10 qershor 1940, (Instituti Luce)
Nëpër shkretëtirën e reales
Nëpër këtë shkretëtirë, që më shumë se me një ultësirë të zbrazur e me rërë ngjan me një luginë me gjembaçë, udhëheqësit botërorë u drejtohen njëri pas tjetrit qytetarëve të tyre, para kamerës, brenda një hapësire, me paraqitjen e tyre domethënëse. Por në ditët e pandemisë diçka ndryshon. Momenti është aq solemn, sa mesazhet e tyre e kanë një shans ta përshkojnë tejpërtej shkretëtirën. Pandemia është lufta thonë ata, e luftë do të thotë vdekje. Platoni tek Republika shpjegon se vetë “qyteti u krijua pasi individi nuk është i vetëmjaftueshëm dhe ka shumë nevoja” (Plato, 1997) ndërsa Rudolf Arnheim shton se “Rendi është parakusht i mbijetesës” (Arnheim, 1974). Pra në ditët e pandemisë, teksa ndihemi edhe më të vegjël e të pafuqishëm se zakonisht, i kthejmë sytë nga autoriteti, nga drejtuesit e rendit tonë. Meqenëse ekzistenca jonë është e rrezikuar kërkojmë më shumë rregulla dhe pranojmë të heqim dorë nga liritë tona. “Rezistencë për ekzistencë” thotë kryeministri i Shqipërisë dhe ne biem dakord, e kush nuk do që të ekzistojë. Në ditët e pandemisë drejtuesit e shteteve po ngjisin kurbat e popullaritetit, duke eklipsuar vetë kurbën famëkeqe të infektimeve. Populli i do më shumë, i beson më tepër dhe është gati t’i falë dhe ndonjë mëkat të kaluar. Përmbi shkretëtirën e reales koronavirusi ka ndërtuar për ta autostrada.
Më poshtë do kalojmë nëpër fjalimet e mbajtura nga disa krerë shtetesh, përgjatë ditëve më të vështira të pandemisë. Mes morisë së fjalëve publike që ata rëndom kanë shpërndarë këtyre muajve do të shkëpusim vetëm disa, ato më solemnet që janë shkruar dhe vënë në skenë më me kujdes. Do përqendrohemi tek mesazhet që shënuan fillimin e të ashtuquajturës betejë. Së bashku do të përpiqemi t’i lexojmë ato sipas një këndvështrimi tjetër, pasi do të përqendrohemi tek aspekti që i dallon ato më së shumti nga fjalët e paraardhësve të messhekullit të njëzetë. Mes zërit dhe figurës ne do të shqyrtojmë të dytën. Nuk do merremi vetëm me atë që thonë përmes fjalëve por me çfarë na thonë përmes hapësirave ku ata ndodhen. Në vazhdim do të këqyrim elementet që i rrethojnë, mënyrën se si qëndrojnë përballë nesh, e mbi të gjitha si komunikojnë ata përmes sfondeve të tyre. Së bashku do të ndërmarrim një rrugëtim kundër rrymës, duke e nisur nga ne, vrojtuesit, do të shkojmë tek ata, dërguesit. Do të sillemi nëpër zyrat e tyre, do shohim si i kanë përgatitur për rastin, pse e kanë zgjedhur një hapësirë të caktuar dhe pse e kanë organizuar ashtu. Do shkojmë sa më në thellësi nëpër një udhëtim në hapësirë dhe kohë, brenda dhe përtej planit të kamerës. Do e nisim nga zyra vezake e presidentit Trump, do të vazhdojmë me këndin pranë dritares së kancelarisë gjermane të zgjedhur nga Angela Merkel, me sfondin mbretëror të presidentit serb, me sfondin çuditërisht të varfër të kryeministrit shqiptar dhe me hapësirën kalimtare të kryeministrit të Kosovës. Le të zëmë një qoshe në universin e simuluar (Baudrillard, 1994), brenda të cilit tashmë jetojmë, për të kërkuar për sa më shumë kuptim. Sipas Arnheim (Arnheim, 1988) drejtimi vertikal i imazhit është dominuesi, dhe njihet si dimensioni i soditjes (contemplation). Figurat që qëndrojnë në këtë dimension janë më të rëndësishmet dhe janë aty për të na vënë në mendime. Në rastet tona do të shohim që ky dimension u përket folësve. Dimensioni tjetër, ai horizontal, njihet si hapësira e veprimit (activity). Vështrimi ynë do kalojë nëpër këto drejtime, do të mundohemi të kuptojmë si ndërthuren ato dhe si përputhet gjuha e folur me gjuhën pamore.
Donald Trump
Presidenti Amerikan qëndron përballë nesh i ulur në tavolinën e tij të punës, në zyrën vezake (oval). Vendndodhja mjafton për të kuptuar rëndësinë e mesazhit, pasi kjo tryezë me në sfond murin e harkuar të zyrës presidenciale është pozicioni më i shpeshtë prej ku presidentët kanë ndarë me amerikanët dhe botën lajme dhe vendime vërtetë të rëndësishme (fig.2). Këtu Eisenhower mbante fjalimin e lamtumirës, Kennedy fliste për krizën e murit të Berlinit, Lyndon Johnson e Richard Nixon për zhvillimet e luftës së Vietnamit. Po nga kjo zyrë, dhe ky sfond Gerald Ford do ta falte Nixonin pas skandalit Watergate. Në vazhdim Carter, nga kjo hapësirë, do të informonte për krizën e pengjeve në Iran, Reagan për aksidentin e anijes kozmike Challenger, George Bush për luftën në Irak, Clinton për Kosovën dhe bombardimin e Jugosllavisë, George Bush Jr për sulmet e 11 shtatorit dhe Barak Obama për masakrën e San Bernardinos. Donald Trump vazhdon sipas traditës së paraardhësve, skena dhe skenari janë të ngjashëm, ndërsa veçantitë e mesazhit të tij do të na duhet t’i kërkojmë nëpër detaje.
Figura 2. Nga e majta në të djathtë dhe nga lart poshtë, paraqiten presidentët amerikanë, a: Eisenhower; b: Kennedy; c: Johnson; d: Nickson; e: Ford; f: Carter; g: Reagan; h: Bush; i: Clinton; j: Bush Jr; k: Obama duke mbajtur fjalimet e tyre në zyrën vezake. (youtube)
Zyra Vezake
Formatin e sotëm televiziv të fjalimit presidencial e gjejmë të paktën që nga presidenti Eisenhower. Kreu i shtetit rri në qendër dhe përballë kamerës, kryesisht i ulur e i mbështetur mbi tavolinën e tij (fig. 3). Shumica e presidentëve që nga vitit 1880, përfshirë Donald Trump-in, kanë përdorur tavolinën “Resolute” (Association, n.d.), “e Patundura”, dhuruar nga mbretëresha Viktoria dhe e ndërtuar më dru lisi të marrë nga anija angleze me të njëjtin emër. Ajo u braktis gjatë një ekspedite shpëtimi mes akujve të arktikut dhe iu rikthye më vonë anglezëve nga amerikanët. Tryeza është shpesh e zbrazur megjithëse në fjalime të caktuara gjejmë dhe ndonjë objekt. Për shembull telefonin e bardhë dhe modern (për kohën) tek zyra e Kennedy-t dhe e Nixon-it (fig. 2/b/d), a thua se po i siguronin qytetarët e tyre që ata ishin vigjilentë e të përditësuar për çdo ndodhi të rëndësishme për fatet e vendit, ose dy dosjet në krah të presidentit Bush jr gjatë fjalës së tij pas sulmeve të 11 shtatorit (fig. 2/j), mbase për të treguar se tashmë ai e zotëronte të vërtetën. Edhe në tavolinën e presidentit Trump ka një dosje (fig. 4/a). Koronavirusi është sheshit, po mbjell vdekje edhe në Amerikë. Shkretëtira e reales është aq e mbipopulluar nga informacioni saqë amerikanët nuk dinë kujt t’i besojnë, atyre u duhet dija e presidentit. Sot më shumë se asnjëherë ai duhet të tregojë që i ka bërë detyrat e shtëpisë.
Figura 3. Presidenti Amerikan gjatë fjalimi të 11 marsit, mbi krizën koronavirus. (youtube)
Një veçanti e zyrës vezake është dritarja e gjithnjëgjendur pas krahëve të udhëheqësit (fig. 4/b). Në fakt janë tre të tilla të njëpasnjëshme përgjatë murit absidal të fasadës jugore të Krahut Perëndimor (West Wing) të Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa transparenca është një mjet që sot përdoret rëndom nga politikanët për të përcjellë idenë e hapjes përpara publikut, pak a shumë siç përdoren kolonat e larta e mermeret për të përcjellë idenë e shtresëzimit dhe plotfuqisë, në kohën e konceptimit të zyrës (1909) kjo do ketë qenë një risi. Kur presidenti amerikan i drejtohet popullit, kjo vihet re sidomos ditën, shpina e tij është e “zbuluar”, pas tij duken pemët e kopshteve presidenciale dhe qielli të cilat vazhdojnë të pandërprera përtej Bulevardit Kombëtar (National Mall) dhe Lumit Potomac. Presidentët amerikanë e kanë traditë t’i mbajnë perdet hapur, të paktën që nga fjalimi i vitit 1974 kur Gerald Ford (fig. 2) falte paraardhësin e tij fsheharak Richard Nixon. Donald Trump-i flet gjithashtu para xhamit të zbuluar. Ai, si paraardhësit e tij, nuk mund t’ia lejojë vetes mbulimin e dritares, pasi zyrtarisht kryeson një shoqëri të hapur që nuk ia ka frikën askujt.
Figura 4. Elementët që e rrethojnë presidentin gjatë fjalës së tij. a: dosja; b: dritarja; c: tre fotografitë e përzgjedhura; d: monedhat e sfidës dhe modeli i vogël i shtëpisë së bardhë; e: modeli i vogël i skulpturës me dy ushtarët. Me 1 dhe 2 janë shënuar dy boshtet e imazhit, boshti vertikal ose i soditjes dhe boshti horizontal ose i veprimit.
Përveç perdeve të arta, tipar dallues, i bizneseve Trump, detaje të tjera të përsëritura të sfondit janë dy flamurët, i Amerikës dhe i presidentit që shenjon praninë e tij kudo që shkon, dhe tavolina e ngushtë nën dritare. Tek kjo e fundit dhe më konkretisht tek mënyra se si presidenti e ka stolisur, mund të gjejmë hollësitë vetjake të folësit dhe të mesazhit që dëshiron të përcjellë
Familja e presidentit
Tavolina nën dritare ndryshon vazhdimisht sipas presidentëve, aty gjen fotografi familjare, skulptura ish presidentësh, figurash historike e plot elementë të tjerë. Fotografitë e shfaqura nga Donald Trump kanë ndryshuar në kohë. Gjatë fillimeve të presidencës mbante vetëm fotografinë e babait ndërsa më pas shtoi dhe të nënës, të dyja bardh e zi. Gjatë fjalimit për murin kufitar me Meksikën, do të shtonte dhe fotografinë e tij me zonjën e parë dhe të birin, këtë herë me ngjyra. Kështu tavolina është mbushur nga pak me të gjithë pjesëtarët e familjes. Pavarësisht këtyre shtesave, në fjalimin e koronavirusit, majtas mbizotërojnë vetëm tre fotografi (fig. 4/c), dy të përhershmet, bardh e zi, të prindërve, që duken si shenjë krenarie e presidentit për rrënjët e ku mbase gjen dhe arsyet e suksesit personal, dhe një fotografi e tretë, artificialisht[1] bardh e zi, ku ai ka pozuar me të bijën, Ivanka, kur kjo ishte ende fëmijë. Pra ajo është trashëgimtarja më e denjë e të atit dhe e cilësive më të mira të familjes Trump. E majta e presidentit amerikan, babai, nëna, ai vetë dhe e bija, një person publik mjaft aktiv, po i tregon amerikanëve se Trump-ët janë të suksesshëm, dhe të tillë do jenë dhe në këto ditë të vështira.
Monedhat e sfidës
Krahu i djathtë i udhëheqësit dhe drejtimi më i rëndësishëm është edhe më i pasur me detaje. Elementët e parë të dukshëm janë disa radhë medaljesh mbi të cilat qëndron një model i vogël i Shtëpisë së bardhë (fig. 4/d), e origjinales pa shtesat e mëvonshme lindore dhe perëndimore. Medaljet janë monedhat e sfidës (challenge coin), një traditë e vjetër e ushtrisë amerikane. Ato përgatiteshin nga vetë ushtarët dhe përfaqësonin njësitë e tyre të luftës. Ato janë shenjë e forcës, e fitoreve dhe e vëllazërisë mes ushtarakëve që luftojnë krah për krah, për njëri-tjetrin dhe për atdheun. Presidenti Klinton ishte një koleksionues i monedhave dhe i mbante në sfond (fig. 2/i) njësoj si presidenti Trump (Vogel, 2018). Tradita e nisur nga Klinton tashmë ka zënë vend, madje tani presidentët amerikanë lëshojnë vetë monedha presidenciale. Trump është veçanërisht i lidhur me to dhe ka lëshuar shumë syresh, jo zyrtare, të cilat përkujtojnë ngjarje e vende të shënuara sipas tij. Me monedhat, që me sa kuptohet ia kanë dhuruar gjatë takimeve të tij, ai u thotë amerikanëve, sidomos atyre në vijë të parë, që presidenti është krah tyre. Ndërsa Klinton i mbante monedhat në radhë të mbivendosura pa ndonjë hierarki të dukshme, Trump zgjedh t’i vendosë ato poshtë maketit të Shtëpisë së bardhë (Fig. 5), pra medaljet janë në themel të kompozimit. Presidenti, gjithashtu po i thotë amerikanëve që ai vetë, Amerika nuk do të ishte dot pa ta.
Figura 5. Mënyra e vendosjes së monedhave të sfidës mbi mobilie. a: organizimi i presidentit Trump; b: organizimi i presidentit Clinton.
Zëvendësimi i skulpturave
Figura 6. Statuja mbi kalë e presidentit Jackson. A: Foto e bërë gjatë fjalimit për masat kundër koronavirusit. Pas tij mungon modeli i zvogëluar i statujës së Jackson (The Guardian); b: Memoriali i Jackson-it i fotografuar mes 1900-1910-ës, në parkun Lafayette (Libraria e Kongresit); c: Foto e shkrepur gjatë një takimi në zyrën vezake, më 29 gusht 2019, ku duket modeli pas shpatullave të presidentit (Foto zyrtare e Shtëpisë së bardhë nga Shealah Craighead) |
Qëndrojmë në të djathtë. Elementi i fundit që e kërkon vëmendjen tonë është një skulpturë e vogël që ka si personazhe dy ushtarë (fig. 4/e). Në fotot më të hershme të aktiviteteve të presidencës, Trump mbante një tjetër skulpturë pas krahëve, modelin e zvogëluar të statujës mbi kalë të presidentit të shtatë amerikan, Andrew Jackson (fig.6/c). Origjinali i veprës ndodhet në qendër të kopshteve Lafayette përballë Shtëpisë së bardhë (fig. 6/b). Jackson ishte i burgosur nga anglezët, hero i betejës së New Orleans-it gjithashtu kundër anglezëve, pushtuesi i Floridës pas përballjes me spanjollët (Goode, 2010). Ai mbahet mend si udhëheqës i ashpër dhe sipas New York Times si i pari president populist i Amerikës (Haberman, 2017). Përtej meritave dhe statusit të heroit ai sot është dhe figurë e diskutueshme. Konsiderohet përgjegjësi i të ashtuquajturit shteg i lotëve[2], ngjarje që shkaktoi mijëra viktima mes popullsive native-amerikane (Pauls, 2019), të cilët u deportuan larg tokave të tyre stërgjyshore. Ish presidenti, i admiruar nga presidenti i sotëm (Haberman, 2017), e i cili ndiqte fjalë për fjalë parimin “Amerika e para”, nuk duket asgjëkund brenda planit të kamerës të 11 marsit (fig.6).
Andrew Jackson nuk ndodhet pas Donald Trump-it ditën e fjalimit mbi rrezikun koronavirus, vendin e tij e kanë zënë dy ushtarët. Këshilltarët e imazhit duhet ta kenë paralajmëruar udhëheqësin mbi dritë-hijet e paraardhësit të cilat nuk do ta ndihmonin në përcjelljen e mesazhit kryesor të fjalimit të tij:
“Ne duhet ta lemë mënjanë politikën, të ndalojmë ndasitë partiake, dhe të bëhemi bashkë si një komb dhe një familje”
Nuk do t’ju lëmë mbrapa
Statuja me dy ushtarët është varianti trepërmasor i logos së organizatës jo fitimprurëse, Wounded Warrior Project (Projekti i Luftëtarit të Plagosur). Shoqata ndihmon ish ushtarakët amerikanë, të dëmtuar duke i shërbyer vendit, nëpër procesin e vështirë të rehabilitimit dhe integrimit në shoqëri si civilë. Statuja iu dhurua presidentit, më 18 prill të 2019-ës, gjatë një takimi në Shtëpinë e bardhë nga veteranët dhe përfaqësuesit e organizatës. Skulptura paraqet një ushtar amerikan që mban mbi krahë shokun e tij të plagosur rëndë. Ai nuk e lëshon atë, pavarësisht vështirësisë dhe mbase irracionalitetit të aktit, që vë dy jetë në rrezik. Skena në këndin e majtë të ekranit shpjegon një nga besimet e hershme të ushtrive amerikane, e cila shprehet shumë qartë në një frazë të filmit We were soldiers (Ne ishim ushtarë), i bazuar në ngjarjet e një prej betejave të luftës së Vietnamit:
Figure 7. Statuja e dy ushtarëve. A: Presidenti amerikan gjatë takimit të datës 18 prill 2019 kur ju dorëzua statuja e vogël që e mban vazhdimisht mbi tavolinën pas shpinës (AP Photo/Andrew Harnik); B: Skenë nga komedia Forrest Gump (1994); C: Skenë nga filmi I Lindur me 4 Korrik 1989; D: Posteri i filmit Kreshta Hacksaw, 2016. |
“Nuk do të lë asnjërin pas. Gjallë a vdekur, ne të gjithë do të kthehemi në shtëpi së bashku…”
Ky besim është tashmë pjesë e kulturës pop amerikane, i glorifikuar shpeshherë si subjekt filmash hollivudianë, madje të zhanreve të ndryshme. Në përgjithësi nëpër fushëbetejat e simuluara të kinematografisë amerikane ripërsëritet skena e ushtarit të plagosur që e tërheqin ose e marrin në krahë shokët. Kujtojmë këtu skenën e shpëtimit të marinsit Ron, të plagosur rëndë, tek filmi Born on the Fourth of July (I lindur me 4 Korrik) apo filma si Saving Private Ryan (Shpëtoni Ushtarin Ryan) dhe Hicksaw Ridge (Kreshta Hacksaw) të strukturuar tërësisht rreth temës së shpëtimit të bashkëluftëtarit. Në një nga skenat e Forrest Gump, këtë herë një komedi, heroi në përpjekje për të gjetur shokun e tij të plagosur, bën disa herë vajtje ardhje nëpër xhungël duke shpëtuar këdo që i del përpara, madje ai merr në krahë dhe komandantin e tij që kishte humbur këmbët dhe që i përgjërohej që ta linte të vdiste në fushëbetejë. Pra mesazhi i statujës së vogël është i thjeshtë dhe i menjëhershëm dhe prek ndjeshmëritë e të gjithë amerikanëve. Me simulakrat ushtarake në të djathtë të tij presidenti po i përgatit amerikanët për luftën e radhës. Amerika di t’i fitojë ato por e di po aq mirë që beteja pa viktima nuk ka. Ndërkohë ajo që ka rëndësi është:
“Të sillemi me dhembshuri dhe dashuri, të shërojmë të sëmurët, të kujdesemi për ata në nevojë, të ndihmojmë bashkëqytetarët tanë, dhe të dalim nga kjo sfidë më të fortë dhe të bashkuar se kurrë” (Trump, 2020)
Thirrja e presidenti amerikan është paqtuese. Por shpejt kjo frymë do të ndryshojë, kriza koronavirus do të thellohet dhe fryma e mirëkuptimit mes tij dhe palëve të tjera politike shpejt zbehet. Për Pashkë Trump do të shfaqet përsëri nga zyra vezake e ndërsa krah tij pastori Harry Jackson mban lutjen e festës, pas krahëve rishfaqet skulptura e ish presidenti luftarak Andrew Jackson.
Figure 8. Pastori Harry Jackson duke mbajtur lutjen e pashkës drejtpërdrejt nga zyra vezake. Me rreth është shënuar statuja e ish-presidentit Jackson që mungonte ditën e fjalimit për krizën koronavirus (c-span) |
(vijon)
(c) 2020, Endrit Marku. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë (c) Endrit Marku.
[1] Fotografia është kopje e origjinalit me ngjyra.
[2] Trail of tears