Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PAVDEKËSIA E QENVE

Dy tregime nga Kostas Mavrudhis
përktheu Eleana Zhako

I.

Arrita me metro në Gare de Lyon, natën vonë. Paris – Romë. Kabina bosh, vetëm unë dhe valixhja ime. Porsa ishte bërë dhjetë ditësh, janari i 79-ës. Dy fëmijët e vegjël që hynë pas pak, u ulën përballë dhe flisnin mes tyre frëngjisht. Vëllai, më i vogël, ajo pak më e madhe se trembëdhjetë. “Ishim për Krishtlindje në New York, te shtëpia e babait tonë”, tha më vonë. “U kthyem pardje dhe po shkojmë në Lucca, pak kilometra jashtë Firences”. Jetonin me të ëmën, e cila kishte një galeri, një dyqan antikuaresh me objekte të rralla porcelani më saktë. Kalvino përshkruan diku, për dredhitë e udhëtarit, që nuk do shoqëri; perdet që mbyll, duke krijuar një lloj hezitimi tek ai që vjen më pas, gazetat dhe çantat që vë sipër ndenjëseve të zbrazëta – imazh parapritës plotësie. Gjeta në korridor një tabelë metalike me fjalën Occupé dhe e vara sipër derës. U entuziazmua me idenë. Po përpiqesha të hamendësoja në ishte një hov lojcak apo dëshirë për të kaluar bashkë udhëtimin shumë-orësh, pa të tjerë. Pasi kaluam Parisin, peizazhe të mbuluara me dëborë shfaqeshin në errësirë. Të vëllanë e kishte marrë gjumi me kokën mbështetur në hapësirën ndarëse mes pjesës së sipërme të ndenjëses e asaj të poshtme. Flisnim me orë të tëra, kalonim nga kabinat ngjitur e zinim në gojë pasagjerët e tjerë; kundronim nga dritarja shpatet e maleve, që ndriçonin si negativë të errët. Kur pas shumë orësh u shfaq drita e parë, më kërkoi të hapja një nga dritaret e korridorit. “Winter freshness” mërmëriti me sensualizëm burimor, të parafinuar. Dy-tre herë shkoi te porta të shohë vëllain e vogël, ndoshta për të krijuar imazhin e një të rriture që përkujdeset, hamendësoj. “Lucca është stoli e vërtetë”, më tha me fjalë që më befasuan. “Ishte mbrëmje shumë e bukur, do e kujtoj”, i thashë pak para se të zbriste në stacionin e Firences. Shkroi emrin dhe adresën e saj mbi fletën e një blloku, dhe pasi e grisi, me sy gjysmë të mbyllur – një pozë, që s’ngjante tashmë fëmijërore -tha: “ Mos e humbisni”. E gjeta në një portofol të vjetër pas tridhjetë e katër vitesh, tani që kërkimi i njerëzve të ndryshëm (cilidoqoftë atdheu i ri e lëvizjet e tyre), është shndërruar në një lojë të thjeshtë. “ Dr. Véronique Giroud mbaroi doktoraturën në vitin 1991 në Princeton University dhe kreu praktikën në Washington. Punoi në Institutin Mjekësor të spitalit Johns Hopkins. Ka si objekt studimi shpërbërjen e proteinave gjatë kalimit nga vezorja në embrion. Dhe më pas blogu i saj; fotografi nga Central Park, laboratori i spitalit, një restorant (3 prill, ditëlindja). Vathë të vegjël, buzëqeshje e përmbajtur, flokë të shkurtër biondë. Burri i moshuar, pak më i madh se unë, është babai i saj. Kishte dhe një video e shkurtër, nga bregu i një liqeni. I hedh vazhdimisht diçka një qeni që stërvitet, i cili vrapon ta kapë, por refuzon t’ia kthejë pas. Ajo i thërret me mëri të ëmbël “Bring it back, bring it back Luca”,  dhe më pas i drejtohet personit të kamerës “Askush s’më bindet”. Ashtu si fëmija i humbur, që ende s’është gjetur, dhe që kompjuteri i ndërton fytyrën vite më pas, në bazë të ndryshimeve të hamendësuara. Kërcim në një pjekuri të tjetërllojtë. Nuk është e huaj shprehja e saj. Buzëqeshja është e panjohur, por familjare, thua se përjetësia mes dy kohëve, ishte veçse një pauzë disa minutëshe, aq sa edhe çastet në stacion, kur duke i shtrënguar dorën i premtova, që do e kopjoja menjëherë shënimin e saj, adresa nuk do humbiste e që do flisnim së shpejti.

II.

Të shumta ishin arsyet që zgjodha të jetoj me babain pas ndarjes. Mund të joshesha lehtësisht nga karakteri i tij i fortë, demoni i biznesit që mbartte, ose në mënyrë të pavetëdijshme nga ngjashmëria skandaloze, që akoma dhe tani – që jam mesoburrë – kam me të. Por, ndërkaq ajo që më shtyu drejt tij ishte autoriteti që gëzonte me qentë. Dashuria ime për qentë ishte patologjike. Që fëmijë, kisha një mbinuhatje të pashpjegueshme (“Çrregullim mbishqisor”). Të gjithë ngeleshin gojëhapur, kur u tregoja që arrija të hamendësoja se çfarë kishte mbi tavolinat e shtëpive të të tjerëve ose ç’parfum kishte hedhur Kryetarja e Bashkisë, që ndodhej në anën tjetër të sheshit. Gjatë karnavaleve, vishesha gjithmonë si qen dalmat (kostum i bardhë sateni ose i kadifenjtë me pika të zeza të çrregullta). Shumë shpesh netëve, ngrija pakëz këmbën e djathtë në ajër dhe shenjoja me urinën time nëpër qoshe. Por, le t’i rikthehemi temës sonë. Viti 1963: për një kohë të gjatë, secili prej tyre kërkonte të më kishte për vete – përmes një lumi dhuratash, breshërish sentimentale dhe mëdyshjesh të pathëna, që fatmirësisht nuk i kuptoja. Më fitoi ai, që e njihte më mirë pasionin tim. E dinte se çfarë rëndësie kishin në zemrën e një djaloshi, historitë e Lassy-t në natyrën amerikane, qentë-shokë, qentë që vajtonin si njerëz, qentë-shpëtimtarë të Shën Bernardit. Të shtunave, çdo mbasdite – para shëtitjeve familjare – fërkonte këpucët me një sallam të yndyrtë. Qëndronim të heshtur në kafenenë e rrugës kryesore. Qentë e rrugëve na vinin pranë, dhe duke shpërfillur nënën, afroheshin menjëherë te këpucët e babait, si gjilpëra magnetike drejt Veriut. Lëpinin tërë ëndje këpucët me lëkurë dhie, kurse im atë gjoja indiferent, fliste me mua ose me ndonjë që ndodhej afër nesh. Zgjidhja përfundimtare, po gjarpëronte në favor të tij. Me mjeshtëri gati artistike, kishte parapërgatitur vëmendjen e kafshëve. Preferenca që tregonin ndaj tij, dëshmonte për rëndësinë e pabarabartë të prindërve të mi, që tashmë ishin shndërruar në dyluftues të paepur, në krijesa të huaja që urreheshin mes tyre.

 


Kostas Mavrudhis ka lindur në ishullin Tinos në vitin 1948. I përket brezit të poetëve të viteve ’70. Është autor i një sërë veprash poetike dhe prozazh të shkurtra. Në vitin 2001 ishte kandidat për Çmimin Kombëtar të Letërsisë, me librin “Perdet e Garibaldit”. Në vitin 2009, fitoi Çmimin e rëndësishëm të Revistës “ Ο Aναγνώστης ” (Lexuesi) për vëllimin poetik “Katër stinët”, ndërsa në vitin 2016 u nderua me Çmimin Kombëtar të Letërsisë për librin me tregime të shkurtra “Pavdekësia e qenve”, si dhe sërish me Çmimin e Revistës “Anagnostis”. Që, prej vitit 1978, bashkë me Tasos Goudelis (Tasos Gudhelis), drejton një nga revistat letrare më të rëndësishme në Greqi, “Το Δέντρο” (Pema).

Dy tregimet më lart janë shkëputur nga libri i tij, “Pavdekësia e qenve”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin