Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

RAMA, RRËNOJA E LULËZIMIT TË QYTETARISË

nga Idlir Azizaj

                                    Sepse veten lënë në harresë, të vdekshmit, kur vrik
Dëshirat e zotave përmbushin, dhe duan me tepri
Sepse, me sytë e hapur kanat,
E gjejnë vetë rrugën e tyre

                                                 « Zëri i popullit », Hölderlin

 

Rama ra. Zëre se ka rënë. Është pothuajse përtokë.

Deri tani dukej ende në këmbë. Sepse erdhi tërmeti. Pastaj e shpëtoi virusi. Mandej ia zgjati jetën konfinimi.

Përfytyroje Ramën të cofur, si pushtet. Nëse s’ia del dot, atëherë imagjinata i bie që ka cofur. Kollaj ta përfytyrosh tani Ramën të cofur. Përderisa imagjinata e tij tani cofi. Sepse doli frika në sipërfaqe. Ashtu si dheja ngrihej e iu vinte në fytyrë personazheve të Homerit.

S’ka më ngjyra. S’ka më performanca publike me paratë e shtetit. S’ka më bluza lejla të Ringjalljes së vdekjes morale e politike e shpirtërore.

Sepse ndoqi frikën. Dhe sulmoi natën. Bëri një blitzkrieg në 4 të mëngjesit. Nxori me kallash artistët nga teatri. Pastaj ndërseu fadromën dhe shembi ndërtesën. E rrafshoi teatrin.

Nuk rrafshoi godinën. S’i plas kujt për një ndërtesë. Por pati frikë ; dhe i ra qëndresës qytetare. E kuptoi që protesta po zgjaste shumë. Frika i tha që protesta është rrënoja më e vjetër në botë ; e vetmja rrënojë që pjell sërish. Rrënoja i vetmi vend ku populli banon sot e mot. Rrënoja e vetmja strehë që pushteti s’e shemb më dot.

Rama është duke rënë. Duket nga mënyra si rrahin policët qytetarët. Duket nga mënyra si nxori policinë kufitare të blindonte Tiranën. Që të mos hynte asnjë protestues nga jashtë saj. Shqipëria u bë kështu diversante. Duket nga mënyra e pafalshme si e tregojnë pishmanllëkun e tyre tani ish studentët e tij. Ata që i paskan besuar atij. Që paskan marrë mësime anti-komunizmi prej tij. Të gjithë ne që kemi aq frikë nga Marxi e Lenini (sa dhe nga Rancière e Gramsci e Pasolini). Nga droja mos na klasifikojnë si komunistë. Si ata që Rama « theri » në dhjetor të 90-ës. Të gjithë ne që pamë sot izolimin e tkurrjen e kufijve të Shqipërisë rreth Tiranës. Pa qen kufiri. Pa armiq të jashtëm. Pa armik që s’fle.

Rama ra në rrënojën e pushtetit të vet. Duket nga mënyra si tubat me ujë lagën rrënojat e teatrit. Që avulli i protestës të mos ngrihej si polen. Të mos shpërndahej në ajrin e Shqipërisë socialist-esadiste.

Pluhuri është ndërtim ndaj do e durojmë, thotë poeti Walcott. Dhe me pluhurin e rrënojës së teatrit u ndërtua një parullë proteste vrik në Prishtinë : -Teatri është gracka, ku shpirti i Ramës kapet si laraska ! Një lexim i beftë e i thuktë i Shekspirit u bë kështu në Kosovë. Atë që s’e bëri as teatri jonë në vite. As gjatë viteve të qëndresës.

Po tani s’ka rëndësi. I rrënuar me vite, teatri i hapi vend rrënojës së perandorisë Rama. Rrënoja e vetmja skenë ku populli është aktor me thikën në fyt.

Rama po bie sepse tani kaloi në rang spektatori. Tani ai është aktor pa tekst. As aktor memec si në dramat e Euripidit s’është më. Duket nga mënyra si arrestoi dje aktivistët e VV-së në Tiranë. Duket nga mënyra si shqeu gjokset e grave dhe vajzave protestuese. Duket nga mënyra si e ktheu Edmond Budinën direkt në vitin 1991. Duket nga mënyra si priti vdekjen e Maks Velos, që të ndërsente fadromën ndaj objektit që kish mbrojtur ai. Duket nga mënyra si po i le territor bosh Berishës të hyjë në lojë sërish.

Rrënoja i vetmi truall ku Shqipëria po merr ca madhësi. Rrënoja prona e vetme e popullit pa zë. Rrënoja zëri i ashpër i qytetarisë që ha dhé përditë. Rrënoja e vetmja pronë që s’e kthen njeri me ligj. Rrënoja prej shkrumbit të banorëve të Kukësit që Rama i qau me ligje përkohësisht.

Rama është duke u rrëzuar. Hampti Dampti ynë i qeverisë. Duket nga mjekra fallco prej Ismail Qemali që e gërvisht. Që e duron vetëm se ndryshe imazhi i tij pjerdh. Rama rrënoja e vetë imazhit të tij. Që e ngriti dhe e ndërtoi me ndihmën e sa e sa të rinjve zemërkëllirë elitistë, Ramajunge.

Rama, e reja që shembet ! Gërmadha që lulëzonte në çdo ballkon pallati. Graffiti pushtetar më i madh në histori.

Deri atëherë imagjinata punonte ende. Sado e mbrapshtë. Kur theu protestën e parë të aktorëve dikur ministër: -Ata të mbajnë vendin ku janë e të marrin vesh ç’është shteti ! Kur ende ia dilte që i madh e i vogël, me furça e me bojë, t’na vinte në rresht të retushonim ca shpirtin tonë gri.

Por dje imagjinata i vdiq. Imagjinata e pashtershme e Ramës vdiq, imagjino ! E paimagjinueshme kjo nga Spiropali. Dishepujt po e humbnin Shën Palin. Atëherë Rama e vuri kufirin e Shqipërisë rreth Tiranës. Sa për t’i vënë një sinor qoftë edhe fiktiv imagjinatës. Qoftë edhe të përkohshëm. Përderisa ideja e përkohësisë së pushtetit e kish braktisur me kohë. Në këtë sforcim nxori fadromat natën. (Se natën është pjellor artisti !) Dhe polli vërtet : një rrënojë që pandehu se i mbuloi frikën. Rrënojën të vetmin shtrat perandori ku telekoset tani imazhi i fundit të tij. Rrënoja e vetmja banesë e popullit që kërkon emër. Banesa e vetme gjendje civile e shqiptarit të zmadhuar sa s’e rras dot në polici. Rama rrënoja e së vetmes Shqipëri « të madhe » në trajektoren e beftë të protestës. Rrënoja kombi i vetëm ku gjeografia jonë e harruar lulëzon mes rrënojave të historisë ku Rama mendoi të ndrijë.

Rama dhe pak e po bie. Duket nga mënyra si vodhi natën e Tiranës për të kaluar kufirin e vendit. Ku është vetë qeveri. Për t’u arratisur në « ligjshmëri ». Duket nga mënyra si kalecët e tij rrahin qytetarë. Të pajisur me maska anti-virus. Rrënoja e vetmja skenë ku Rama luan tamam më në fund rolin e virusit.

Kështu dolën në protestë « barbarët » e dhunuar për vite. Vetëm barbarët autentikë pranuan t’ia marrin oshtimën fadromës. Që nuk e do asnjë oligark i ndërtimit.

Këtë oshtimë e ndolli heshtja e konfinimit në Tiranë. Ish nxënësi i Ramës, dhe oponenti i tij, Gentian Shkurti, e « ndjeu » këtë oshtimë. Artisti në fjalë, ditët e konfinimit, xhiroi nga dritarja plakun e pallatit përballë. Që bënte vajtje-ardhje të dëshpëruara. Dhe recitonte hap më hap këtë fragment të Kavafit, përshtatur ngjarjes që po gdhinte :

Pse kjo heshtje, pse kanë ikur në plazhe shtetarët ?
Sepse barbarët pritet të vijnë…
Ku janë vallë barbarët, ku shkuan ?
Ishin njëfarë zgjidhje ata në këtë zbrazëti.

Gjatë protestës dje, ai u rrah jo nga policia, por nga militantët PD-LSI. Meqë kërkoi shporrjen e tyre nga skena e protestës civile.

© 2020, Idlir Azizaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: fotogram nga videoja Suspense e Gentian Shkurtit.

17 Komente

  1. Ka ca kohe qe ka rene edhe nje mit tjeter: ai i politikanit qytetar ne raport me politikanin fshatar, ardhacak. Vite me pare ishte ne mode nje interpretim kulturologjik i udheheqesve. Keshtu psh Sali Berisha personifikonte politikanin arrivist, ardhacak me prejardhje fshatare qe nuk i kishte brendesuar rregullat e qytetit dhe i thyente ato lehte para fuqise se pushtetit. Ne krah te tij Edi Rama. Ky i fundit nenkuptohej si udheheqesi qytetar qe sido qe te ishte do te arrinte t’i bente balle forces se tundimit sepse forca e qytetarise ishte brenda tij.

    Ka ca kohe qe intelektualet nuk po e rimarrin kete teze. Kjo me shume sepse kane dale bllof. Shpresoj edhe te kene reflektuar qe e kane pasur gabim qe ne fillim. Por asnjeri nuk e thote se nese Sali Berisha simbolizonte deshtimi i fshataresise, Edi Rama simbolizon deshtimin e qytetarise ne kete vend. Shqetesuese padyshim por jo tragjike. Sepse i hap me ne fund rrugen pistave te tjera qe jane me te sakta dhe qe do ndihmojne te gjithe te reflektojne e te orientohen me mire.

  2. Vallahin, kur lexon keto shkrime robi, mendon qe tironsit e sotem jane te gjithe si qytetaret e Athines se vjeter qe veshur me tunika te bardha, me kurora dafine ne koke dhe me shapka kineze me gisht rrine ulur gjithe diten ne shkallet e amfiteatrit romak te ndertuar ne kohen e Qazim Mulletit duke pare njera pas tjetres sa Prometeun e Mberthyer, sa Borgjezin Fisnik e sa Henrin e Shtate, nderkohe qe duke ngrene papushim fara luledilli diskutojne per lojen e aktoreve dhe skenografine e pjeses.
    Une se di kush shkon me neper teatro ku sic degjojme e lexojme aktoret masturbohen ne skene per t’ia bere hallall paret spektatorit apo ku luhen pjese amatore te teatrove “moderne” e eksperimentale nga aktore edhe me moderne e eksperimentale, po nga ato qe degjojme, kam idene qe grave ne moshe iu keput shpirti duke qare me filmat osmanlli te Baba Dovletit, kurse rinia do vetem Bollivud e tallava. Sa per burrat e moshes time qe i njoh me mire, ve bast qe asnje prej tyre ashtu si dhe une vete, edhe ne ato kohe kur nuk kishte asnje argetim tjeter ne Tirane, nuk ka shkuar me shume se nje a dy here ne Teater, dhe edhe ato here ve bast qe shumica shkonin jo per te pare ndonje teater te Kico Blushit apo Bubuq Germenjit, po me siguri per te rregullu ndonje fyre te Institutit qe i ishte bo fiksim.
    Tani, se nga doli ky teater monument kulture, nje Zot e di. Po mbase gjeja qe duhet sqaru ne fillim eshte ” Tamom tamom, per ca “kulture” flet ti mer plak?!”

    1. PF, ky do te kete qene niveli jot dhe i rrethit tend. Ka pasur ca qe kishin mesuar te hanin vetem me luge, nuk e perdornin dot pirunin as thiken. Kliente te mengjezoreve me pace dhe pilaf. Por ka pasur edhe tiranas qe e shijonin teatrin ndryshe. Njerez qe mbajne mend pjese nga Brehti, Shileri, Lorka, Artur Miler, Cehov dhe qe nuk shkonin ne teater kur i conte qendra e punes. Respekt per pacen dhe pilafin dhe pordhet e tharta, por respekt edhe per pasionin e atyre te tjereve.

      1. E drejte. Duhet me e pranu qe gjithmone kam qene armik klasor ne ate periudhe, dhe jo vetem une po dhe rrethi im shoqeror. Dhe kjo pavaresisht se studjova Gjuhe-Letersi dhe punoja gazetar qe ne ate kohe, gje qe padyshim me detyronte te haja pace e pilaf rrugeve te atdheut, qe tani e shoh qe paska ndikuar kaq keq ne edukimin tim. E di qe vula e sabotatorit te Institucioneve Kulturore te Realizmit Socialist nuk do me ndahet deri ne vdekje. Dhe po, e kam urryer gjithmone dramen Vilhelm Tel. Poshte Kadri Roshi.

    2. Ne fakt mbrojtja e nje teatri kombetar nuk la lidhje me numrat por meqe pyetet dhe meqe kete pyetje e has tek shume persona qe per nje arsye ose tjetren kane dekada qe nuk shkojne ne sallat e teatrove te Shqiperise po te pergjigjem une. Ne fakt keto 8 vitet e fundi eshte rritur shume frekuentimi i teatrove ne Shqiperi. Sallat jane thuajse plot. Ne ato pjese qe konsiderohen popullore nga publiku madje nuk gjen as vende me dite te tera. Jo se e caj koken personalisht. Madje per mua bezdi eshte se tani ne krah gjen ate kokecepshin qe deri dje thoshte me qesendi “ca eshte ky teater”. Ca ti besh. Ca gjera ndryshojne. Per mire ose keq!

      1. Mbase…mbase. Ju qe jeni aty I dini me mire punet. Por per teatrin e para 90, mund te them pa mu dridhur qerpiku qe vetem monument kulture nuk ka qene. E vetmja kulture qe perhapte ai ishin batutat e Kadriut per Margariten, historite e hamshorit Ndricim Xhepa dhe historite e sa ka “thy” Nonjona (qe mos zejme emra) kete muaj. Gjithashtu interesant ka qene Gara Socialiste e pijes midis Teatrit dhe Estrades ku ne 90% te rasteve fitonte Estrada ngaqe kishin te pathyshmin Vasillaq Vangjeli. Mund te hyme pastaj dhe ne historite e pafund te marredhenieve Teater/Kino studio, po per keto histori duhen net dimri nderkohe qe po vjen vera dhe s’do na dale koha. Eh ne artistet kemi bere edhe guret te qeshin e pemet te qajne tha I madh i Koci I teto Ollges.

        1. Haha, këto historirat dhe ahengjet shpjegojnë se përse disa aktorë duan teatër të ri, pikërisht ATY tek i vjetri.

          Edhe këta për ruajtjen e trashëgimisë kulturore janë. U paskemi rënë kot në qafë.

        2. Per mua pastaj skenat me te mrrekullueshme qe kam pare ishin ato kur Xhelil Gjoni, i shoqeruar nga pas nga nje tabor inspektoresh politike, kalonte permes bulevardit nga komiteti i partise per te mberritur te Teatri diten qe do te behej miratinmi i pjeses se radhes, per t’u dhene ne publik.

          Une duhej te isha i pranishem per te pare nese do te qe e mundur rregjistrimi i pjeses.

          Tundja e zinxhirit te Xhelilit, tmerri me te cilin e veshtronin te gjithe, drejtimin qe merrte zinxhiri per te kuptuar mendjen e tij (se ishin disa muaj pune qe mund te hidheshin ne ere), por mbi te gjitha veshtrimi i vranet qe u hidhte aktorve (jo aktoreshave, per çudi), jane disa nga çastet me pikante te jetes se atij teatri martir.

          Tamam kjo eshte fjala e duhur, ai nuk duhet quajtur as Teatri Popullor, as Teatri Kombetar, por Teatri Martir.

          (u ndodha aty kur i thane Behar Shtylles, amator e dashamires i madh i teatrit, se kishin vendosur ta quanin Teatri Kombetar, jo me teatri popullor. Kam frike se po vini nje kapele me te madhe se sa keni koken, tha ai),

        3. Mos ma merr per ters, por ti keto ke pare dhe keto mban mend sepse per keto gjera te eshte stervitur syri. Edhe ata qe t’i benin keto muhabete, mbase e dinin se keto muhabete te terhiqnin. Kete punen e aktoreve qe tani i bejne te shenjte nuk e ha as une, aktoret jane si jane dhe nuk pretendojne per me shume. Tjeter pune qe ne i fryjme tani, ah Robert Ndrenika, por ne mesjete nuk i varrosnin ne token e kishes. Por merita e aktorit eshte qe te behet dikush tjeter. Ne Amerike pastaj ngaterrohen dhe i zgjedhin ndonjehere presidente ose guvernatore.

  3. Koherat ndryshojne.Shqipot e sotem jane patrons of art and architecture connoisseurs .

    1. Kam frike se Zamira po ngaterron personin me institucionin. Aktore si Ndrenika, Roshi e shume e shume te tjere ishin persona te kulturuar, te zgjuar e njerez shume te kendshem e te respektuar. Po ashtu edhe nje pjese e konsiderueshme e elites Kulturore te kryeqytetit dhe vecanerisht brezi I studenteve te fund viteve 80. Por sic e kam thene edhe ne vend tjeter, kjo ishte kultura underground e Tiranes, te ciles duhej te ishe me fat qe ti bashkoheshe dhe perjetoje. Kurse kultura institucionale ishte krejt tjeter gje. Kultura institucionale ishte kultura e drunjte e Realizmit Socialist. Dhe ishte kjo dhe vetem kjo qe cdo institucionin Kulturore shperndante ne ate kohe. Keto ishin Institucioneve te krijuara per qellime propagandistike dhe trumpetes me tri nota te Partise ti edhe po te doje nuk I bije dot si saksofon se nuk ta lejonte instrumenti. Le qe ti ne rradhe te pare as nuk doje ti bije saksofonit vete, se pastaj e dije ku perfundoje. Dhe jo, kjo nuk ishte pershtypja ime apo e jotja nga nje sy I stervitur gabimisht, po realiteti objektiv ku jetuam 45 vjet.
      Dhe po s’me besove mua lexo shokun Zylo, ose te madhin Uç Karavastaja te Qamil Buxhelit. Shiko filmin me Andon Ledhin apo Cirku ne Fshat me Ben Nofllen. Ose po pate durum ulu e degjo nje festival te there te RTSH nga fillimi ne fund, qe ta kuptosh se cfare ishte kultura institucionale ne ato vite. Tung se u be terkuze.

      1. Uç Karavastaja – ky ka qenë te komedia “I pazëvendësueshmi” e Qamil Buxhelit. Unë kam qenë kalama, por më patën çuar që ta shoh komedinë. Mbaj mend që komedia u vu në skenë para se të botohej romani (i përshëndetur si romani i parë humoristik shqip, me titull “Kur qesh tërë qyteti”). Mbaj mend edhe që Uçin – në variantin që kam parë unë – e luante Roland Trebicka. Ka qenë komedi shumë e çuditshme, gati beckett-iane. Edhe romani që doli më pas kish ilustrime gati kubiste, nga Bujar Kapexhiu. Në atë kohë edhe “Arturo Ui”-në e vunë në skenë me skenografi origjinale të ardhur nga Berlini (Berliner Ensemble, Berlini Lindor, nëse nuk gabohem) – krejt të pazakonshme. Kushedi ç’u bë me rekuizitën më pas… Unë nuk merrja vesh shumë nga dramaturgjia, por në teatër shkoja shpesh dhe di të them se si ajo skenografi nuk kisha parë kurrë. Ekspresioniste mbase? Kish një gjë si të mprehtë, si me dhëmbë sharre. Por ato kanë qenë vite të lulëzuara për Teatrin Popullor. Më pas, në Plenumin IV, Enver Hoxha i goditi keq, edhe Fadil Paçramin (për dramën “Ngjarje në fabrikë”), edhe Ibrahim Uruçin (më duket se për “Shtëpia në bulevard”), dhe në atë vazhdë e pësoi edhe Kujtim Spahivogli.

        1. Aty ta kisha llafin. E gjithe disidenca letrare e Kadarene nuk vlen sa tregimi me shokun Hasan qe pinte per te mbytur trishtimin e termetit ne Timbuktu, ose sa tregimi Faraone dhe Firaune me frazen e tij te famshëm “tani lidhe”, qe e detyronte studenten te lidhte me fillin e kuq simbolik, skllavopronarine egjyptiane me luften klasore te Marksit. Po kush e lexonte Qamil Buxhelin… 🙂
          Ndersa nga Teatri Kombetar une kam pare vetem tre shfaqe per te cilat nuk gjeje bileta. Arturo Ui qe per mendimin Tim eshte pjesa me e bukur qe eshte vene ne skenen e Teatrit; “Nje nate pa hene” qe ishte kot me kot po ishte gjoja disidente, dhe Pallati 176. Tre bileta ne 30 vjet nuk eshte se ishte ndonje shpenzim I madh.

  4. Hmmm… Lyss. Me ka rene njehere rasti te pi nje raki me Xhelilin ne shtepine e nje miku aty nga vitet 2000. Me u cudit, te thush ti zotni burre. Heren e fundit qe e kisha pare nga after ishte te mitingu I refugjateve. Atje dukej sikur e kishte emrin Xhahil, jo Xhelil.

    1. PF., Kishte shume njerez te tille (nuk e di a ekzistojne me apo ishin mutacion i regjimit), me te cilet kur nuk kishe pune, me sakte kur nuk kishe marredhenie vartesie me ta ( drejtore institutesh, kryeredaktore, sekretare partie), u zbuloje nje portret krejt tjeter nga ai i njeriut nursës, qe shfaqnin ne pune. Kishin humor dhe batuta te hatashme. Keshtu qe nuk habitem fare me Xhelil Gjonin.

      Me tregonte nje here Teodor Keko ketu e tridhjete vjet, kur ishte parlamenti i pare pluralist, por pushtetin e kishin gjithnje “ata”. Ishin te dy deputete. E shikon nga larg Xhelili Dorin dhe i thote: Teodor ç’e ke lënë ate mjeker, kur do ta heqesh? Kur t’ju heqim ju nga pushteti i thote Dori. Epo mire, ia priti Xhelili, paska per te mbërritur deri ne fund te kembeve!

  5. Teatri i sotem eshte si ajo balloja me maska, kush e ka masken me te sofistikuar eshte me i verteti……..dhe une gjykoj qe masken me te sofistikuar e ka basha dhe rama meqe rrenoja e teatrit ndodhi pervjetorin e dites se marreveshjes se tyre……fushate elektorale si ne ShBA fillon nje vit para se te zhvillohen zgjedhjet….

  6. Ndersa une Lyss, kam frike ate do ta quajne Teatri Pop. Meqe do ta bejne me vrime ne mes ndoshta gjejne edhe ngushellim cunat e undergroundit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin