Shënime për romanin Koncert në fund të dimrit, të I. Kadaresë (pjesa e dytë dhe e fundit).
Nga Ilir Yzeiri
Transferimi i ligjërimit
Ajo që ndodhi me numrin dy të Kinës, Lin Biao, jo vetëm që ka mbetur mister sot e kësaj dite, por, për nga mënyra e ekzekutimit dhe përmasat e efektit që shkaktoi, me të drejtë mund ta krahasosh me historinë e “Makbethit” të Shekspirit. Në atë kohë, në një njoftim të thatë e të shkurtër, u tha se Lin Biaoja desh të arratisej dhe avioni me të cilin udhëtonte, u qëllua nga rojat kineze dhe ra në kufi me Mongolinë. Ndërsa Kadareja, me imagjinatën e jashtëzakonshme dhe me ndjeshmërinë e artistit të madh, e ka rindërtuar këtë skenë duke e përqasur me vrasjet në tragjedinë “Makbeth”. Sot, kur dëgjon lajmet për zhdukjen dhe shfaqjen e diktatorit koreano-verior Kim Yong Un, të shpaloset e gjithë narrativa e mbulimit të krimit nga diktaturat. Teksti që rindërton këtë skenë, është një tragjedi më vete brenda romanit. Çu En Lai, që vjen e i thotë Maos se ai po arratiset. Lëreni të ikë. Pastaj intriga me djalin dhe vajzën. Djali ishte nënkomandant i aviacionit kinez. Hipja në avion, pyetja fatale “Ku po shkojmë”, pastaj versioni tjetër i darkës. Ftesa për darkë familjarisht dhe pastaj vrasja e tyre dhe hipja në avion e kufomave. Në karkasën e avionit u gjetën shenja plumbash. Darka si te Makbethi. Në avion djali, gruaja dhe vajza që tradhton të atin. Ndërkaq, nëse e lexon me vëmendje këtë tekst, ti vëren se ligjërimi i përdorur këtu, është karakteristik për rrëfimin e ngjarjeve me sfond shqiptar më së shumti, sepse të gjitha skenat apo të gjitha detajet si dhe vizatimi i krimit ngjet me rrëfimin për një ambient më së paku europian. Shenja të tilla si darka, pastaj mbrëmja, lidhja e tyre me xhelozinë për pushtet, janë topika që vijnë më së shumti nga letërsia dhe nga mjedisi europian e shqiptar, po ashtu. Kur e lexon, të krijohet përshtypja se po flitet për një ngjarje që ka ndodhur në një hapësirë që ti e njeh dhe që e identifikon me arealin ku ti jeton. Krimi, vrasja e bashkëpunëtorëve të ngushtë janë karakteristika për të gjitha diktaturat. Duke treguar vrasjen e Lin Biaos, Kadare nuk e dinte se vetëm pak muaj pasi ai e kishte dorëzuar këtë roman, numri dy i Shqipërisë, Mehmet Shehu do të vriste veten. Kjo kishte qenë një parandjenjë profetike, do të shkruante Peter Morgan. Edhe në këta rast kishte pasur një vizitë familjare, por në sens të kundërt: Enver Hoxha viziton Mehmet Shehun, pastaj një fejesë, një dashuri që sjell vdekje. Ndaj edhe censura që vendosi ndalimin e botimit të romanit, theksoi se nuk mund ta botojmë “në këtë situatë”.
Siç shkruante edhe kritiku amerikan, ky roman është një va et vient – switches back and forth, një vajtje-ardhje Tiranë-Pekin.
Gjergji është në Pekin, por që andej nuk vjen asnjë lajm dhe ne ndjekim jetën në Tiranë. Këtu, ndryshe nga romanet e tjera, nuk bie asnjëherë shi. Atmosfera është pezull, gjithmonë vrenjtur dhe të gjithë presin të bjerë shi. Silva kujton kohën kur është njohur me Gjergjin dhe letrën anonime për një flirt me Skënder Bermemën. Pastaj, në letër ishte shkruar që motrat e bukura Krasniqi ishin pak të çlirëta. Sjell ndërmend edhe Anën, motrën e vdekur, pastaj letërshkruesi anonim e hidhte fjalën për këmbimin e dashnoreve: Anë – Skënder Bermema, Silvë –Skënder Bermema, ndoshta… (f.147).
Rrëfimi alternohet. Gjergji jepet gjithnjë në ajër, në avion, me çantën e zezë që mban letrën sekrete. Poshtë tij është Kina, por edhe krimi, vrasja e Lin Biaos. Me anë të teknikës së transfermit të ligjërimit, autori vijon të tregojë aktet e tragjedisë. I duket se një mendim cinik kishte ndërtuar një skenë makabre. E doni? kishte thënë Maoja për sovjetikët. Merreni – dhe u kishte hedhur kufomën. Kështu edhe u përfol që Lin Biaoja donte të arratisej në B. Sovjetik.
“Tamam kështu, përsëriti me vete, ndërsa ndiente tëmthat t’i rrihnin me forcë nga shtypja e ajrit. Një histori hedhjeje kufome dhe asgjë tjetër. Në të vërtetë ishte një zakon i vjetër hedhja e kufomave brenda kështjellave armike, për të ngjallur terror. Nga historia i kujtohej hedhja në një gjyle topi e hirit të Dimitrit të Rremë të Rusisë në kufirin polak… Sovjetikët nuk kishin qenë më pak misteriozë me Berian e tyre. Kishin kaluar gati njëzet vjet dhe vdekja e tij kishte mbetur enigmë. Flitej se s’kishte pasur as gjyq, as skuadër pushkatimi, ngaqë e kishin vrarë më parë në mbledhjen e Byrosë Politike. Ca thoshin se e kishin mbytur me duar. Dhe kufomën e kishin futur pastaj në tokë. Kurse ky i çuditshmi Mao, kishte qejf t’i hidhte kufomat nga shteti në shtet si me hobé”. (f. 155).
Kujtoni këtu pushkatimet e Kim Yong Un me goditje me top apo pushkatimet dhe zhdukjen e kufomave te ne të atyre që u quajtën puçistë. I njëjti krim, e njëjta diktaturë. Lojë e dyfishtë e Kadaresë e ka quajtur Petër Morgan këtë cilësi të narrativës së Kadaresë që shkruante, siç thotë R. Kaplani, në një vend ku policia sekrete ishte ngado dhe përgjonte gjithçka.
Pas kësaj veprimi zhvendoset në Tiranë. Në zyrën e Silvës hyn një ditë Ariani, një koleg, dhe asaj i kujtohet një moment dobësie me të në një mbrëmje vallëzimi. Hyn dhe Simon Dersha që kërkon vazhdimisht të flasë në telefon sepse në zyrën e tij aparati është i prishur. E kishte veshur përsëri kostumin blu. Më në fund, Gjergji ka dërguar telegram dhe lajmëron ditën se kur do të kthehet. Futet në veprim edhe një jo vend (non lieu) tjetër si aeroporti. Është në stilin e Kadaresë që të vendosë ngjarjet në jo vende, në kuptimin që ta zhvillojë veprimin në mjedise që nuk identifikohen me shenja etnike të posaçme. Aeroporti është një mjedis që të bën të ndihesh si në Europë, si jashtë vendit si një hapësirë që nuk ka lidhje apo konotacion etnik, siç thotë Marc Augé.
Ndërkohë, në skenë futet edhe një personazh tjetër. Ekrem Fortuzi është një i deklasuar, siç thuhej me terminologjinë e kohës, një ish-borgjez që tani e siguron jetën me përkthime nga gjuha kinezçe. Ai ka shfrytëzuar aftësitë e tij për të mësuar gjuhë të huaja që të sigurojë jetën. I është përshtatur modelit socialist dhe klasor të jetës duke i sfiduar të tjerët me këtë dhunti. Por rendja pas çdo aleati që gjejnë komunistët dhe mësimi i gjuhës së tyre e ka bërë pak qesharak. Dashuria e tij për kinezçen dhe kinezët apo për Maon tregohet këtu deri në kufijtë e karikaturës. Ai dhe grupi i tij shoqëror që kanë si vatër kryesore Kryekurtët, që ne i njohim nga “Dimri i madh”, paraqiten në roman jo vetëm si të përjashtuar nga jeta sociale, por edhe pak të shkatërruar psikologjikisht, madje me dramë të thellë siç ishte fati i Llukë Alarupit, një ish-pronar i fabrikës së sapunit që tani ishte transformuar në një agjitpropas komunist dhe ndiqte realizimin e planit të fabrikës duke llogaritur gjithnjë edhe përqindjen e tij të fitimit. Lart, në katin e dytë, është Marku me të fejuarën e tij duke mësuar frëngjisht. “Il fait froid” i pëlqen të pëshpërisë e fejuara e tij që i lutet herë pas here t’i tregojë historinë me ish të fejuarën e Besnikut, Zanën. Këtë pleksje gati perëndimore të fateve të disa personazheve e kishte vënë re edhe censura kur shkruante:
“Personazhet pozitive në roman jo vetëm që janë të kufizuar në numër, por, për hir të “objektivizmit”, të gjithë janë me mangësi të theksuara. Gati të gjithë kanë drama e ndarje në dashuri, duke përfshirë edhe Lindën që është më e reja. Disa janë martuar dy herë. Përse personazhet pozitivë duhet të kenë patjetër “dramën” e tyre. Vetëm për hir të teorisë sipas së cilës nuk ka heronj të përsosur? Midis pesonazheve pozitivë e armiqve në roman kemi një galeri të tërë personazhesh e tipash të lëkundshëm, madje negativë: S. Dersha, gruaja e tij, i vëllai, gruaja e vëllait. Të tillë janë edhe ndërlidhësi, shefi i kuadrit, i zbulimit etj. Përse duhen në një roman që paraqet luftën dhe qëndresën tonë, kaq shumë elementë të lëkundshëm, pa karakter, pa personalitet?”[1]
Ky pasazh që citova nga teksti i një prej punonjësve të aparatit të KQPPSH-së për kulturën, që në fakt ishte censura politike, zbërthen në mënyrë brilante edhe vlerën e romanit. Siç e përmenda edhe më sipër, kjo vepër është ndërtuar e gjitha me logjikën e transferimit ligjërimor; pra, përshkrimi i diktaturës kineze, i paranojave dhe krimeve të liderit kinez, i masakrës që bëri mbi mendjet e kinezëve revolucioni i tyre kulturor me mjetet, topikën dhe mënyrën e të menduarit shqiptar. Kadareja kishte magjinë e nuhatjes si shkrimtar gjenial që kjo frymë e tharjes së jetës, e shkatërrimit të letërsisë, e shpëlarjes së trurit kishte mbërritur edhe në Shqipëri dhe nuk nguronte që në krijimtarinë e tij të vizatonte atë oazë europeist që censorët politikë të indoktrinuar edhe me revolucionin kulturor kinez, jo vetëm që nuk e pranonin, por e quanin edhe herezi. Kulmin e këtij vështrimi, Kadareja e arrin me personazhin C.V. kritikun letrar i cili, i ngazëllyer nga afshi i revolucionit kulturor kinez, kishte propozuar që veprat në Shqipëri të shkruheshin pa autor dhe, mundësisht, çdo rreth të paraqitej me një gjini të vetën: p.sh.: romani i shkrimtarëve të Poliçanit apo poezitë e poetëve skraparlinj. Janë të bukura në roman gjetjet e emrave të ekspozitave kineze që hapen në Tiranë si grupi skulptural i veprës “Oborri i vjeljes së taksave” (f. 187). Dhe pikërisht këtu, Kadareja përdor termin “kinezëri” :
“qeflinjtë e kinezërive, megjithëse të rrallë, u bënë të tillë jo sepse deshën, por sepse gjetën në kinezëritë një mbështetje për mungesat e tyre, për paaftësinë, mungesën e talentit, smirën, kompleksin e inferioritetit, varfërinë shpirtërore e gjer te ligësia e thjeshtë apo dreqi e di çfarë.” (f.189)
Pasi u nda nga Skënder Bermema, Silva ndjeu se kishte në fytyrë ende një mbeturinë buzëqeshjeje, thotë autori, po këtu.
Në roman ka edhe detaje që të bëjnë të kujtosh se si ka ndryshuar kultura e komunikimit në kohë. Më kujtohet se, kur lexoja kujtimet e Mustafa Greblleshit[2], diku, ai kujton një mikun e tij që me kohë u dha pas pijes dhe, kur sjell ndërmend një bar në Pazarin e Vjetër, kujton se atje miku i tij dhe të dehurit e tjerë, kur pinin, recitonin Omer Khajamin deri në mesnatë. Në romanin e Kadaresë, Silva sheh një ditë në kafe “Riviera” të shoqin me një femër dhe i hyn krimbi i xhelozisë, pastaj kujtohet se i shoqi kohët e fundit kishte filluar të lexonte poezi dashurie. Të duket sikur kanë kaluar qindra vjet.
Rrëfimi ecën shpejt, Sajmiri arrestohet, Gjergji i tregon Silvës për shkretëtirën njerëzore në Kinë dhe i thotë se kisha nevojë t’ia tregoja dikujt atë që përjetova atje, sepse, nëse ti i flisje një fjalë shoqëruesit, ai ta kthente me një citat të Maos: “në qoftë se ti i thoshe se fryn erë, shoqëruesi të përgjigjej se era e Lindjes sundonte mbi të Perëndimit. Po t’i thoshe shiko ç’mjegull, të përgjigjej se Kryetari Mao ka thënë mjegulla u pëlqen imperialistëve e revizionistëve”. (f. 216) Pastaj parrulla të thata ngado. Në vend të të thoshin “Mirëmëngjes” të thoshin “Popujt tanë, megjithëse janë larg, janë vëllezër”. (Po aty)
Kështu mbyllet edhe kapitulli i gjashtë që, veç arrestimit të Sajmirit, ekspozitës kineze të poçeve dhe vizitës aty të Ekrem Fortuzit e Silvës, ka edhe një vizitë te varri i Anës, motrës së Silvës dhe ish-gruas së Besnikut.
Kapitulli më pas hapet me vizatimin metaforik të çastit që ka rutina e jetës. Atë vetëm Kadareja mund ta vizatojë: Silva u zgjua me mbeturina ëndrrash në sy. Pastaj autori vë në lëvizje njerëzit e afërm pas arrestimit të vëllait të Silvës, tankistit Sajmir. Në zyrën e Silvës vjen Besnik Struga dhe Linda, e joshur nga hija e tij, nuk e kupton as vetë se si ndihet. Në shtëpi vjen edhe një teze e Silvës që është martuar me një të deklasuar si për të thënë se tani jemi njësoj dhe në fund, një mbrëmje në Ministrinë e Jashtme.
Kapitulli i tetë i kushtohet një maoisti europian. Huan Maria Kramsit dhe ngjarjet zhvillohen sa në Paris, ku Kramsi shkon, sa në një ambasadë lindore, përfshirë edhe atë shqiptare, në tjetrën. Kadareja është treguar i pamëshirshëm me këtë personazh dhe ironia e tallja me të, mesa duket, ka brenda gjithë zemërimin e autorit për mendjelehtësinë e disa europianëve që jo vetëm nuk e denonconin komunizmin në botë, por ishin bërë edhe viktima të ideve të tij. Karikatura e tij si personazh dëftehet më se një herë në roman për të përfunduar në frazën lapidare:
“Gjithë qenia e tij jetonte tani me kongreset e partive të shumta, grupeve, fraksioneve të reja të lindura pas thërrmimit të partive marksiste-leniniste, me plenumet e programet e shpallura, ndryshimet në linjat e përgjithshme, dy vija apo tri vijat në gjirin e tyre, pikëpamjet reformiste, tendencat sindikaliste, rrugët e kalimit në socializëm, pikëpamjet për dhunën, për mjetet paqësore, për terrorin, anarkosindikalizmin, kompromisin historik, botën e tretë. – A s’ke mërzi nga të gjitha këto? – i kishte thënë njëherë një shok. Huan Maria Kramsi ishte zemëruar si rrallëherë në jetën e tij” (f.275).
Pastaj autori tregon se ata kishin ndenjur deri në mëngjes duke polemizuar e zënë. Kramsi e kishte akuzuar shokun e tij për nja shtatë deviacione dhe, diku ndaj të gdhirë, shoku i vet i kishte thënë: “ti je djalli vetë, ti je anti jeta” (po aty). Pastaj tallja me të arrin një pikë kulmore kur Kadare përshkruan vizitën e tij në Shqipëri dhe habinë e tij që këtu kishte ende shkrimtarë, romane, njerëz që vrisnin veten për dashurinë dhe nuk kishte ndodhur ende procesi shndërrues “çshkrimtarizues”, siç thotë Kadareja. (f.277). Ka dhe një pasazh në këtë kapitull që është një lloj diversioni i hapur që Kadareja bën po të përmendim një term të Arshi Pipës[3] kur ai analizon veprat e Kadaresë e sidomos Kronikë në gur e Dimrin e madh. Kramsi, thotë autori, kishte pritur më shumë prej shqiptarëve, sidomos pas ndalimit të fesë dhe mbylljes së kishave.
“Atëherë qe mahnitur me ta. Shqipëria kishte kapërcyer një prag që s’kishte guxuar ta kapërcente askush. Ëndrra që Niçja kishte profetizuar në “Antikrishtin” e tij po realizohej. Net të tëra Kramsi nuk përfytyronte veç buldozerët që rrëzonin kishat e katedralet, kumbanoret e thyera, kryqet që binin…”(f. 278)
Dhe pak më tej, Kadareja gati sa nuk denoncon hapur jo vetëm këtë krim makabër mbi traditën historike shqiptare, por vë në psikikën e të menduarit të këtij maoisti që ishte aq në modë nga udhëheqja komuniste shqiptare, edhe një pandehmë tjetër:
“Por zhdukja e fesë nuk do ta gazmonte aq shumë Kramsin, në qoftë se nuk do të parathoshte një tjetër proces. Ai ishte i bindur se kishat do të tërhiqnin pas vetes në varr një kulturë të tërë të vjetër: shekuj letërsie të shkruar nga shkrimtarë murgj, ikonat mesjetare, piktorë, poetë, filozofë, vetë Gjergj Kastriotin dhe legjendën e tij shkatërrimtare”. (f.279)
Pra, gjithë duke përdorur teknikën e transferimit ligjërimor dhe meqenëse romani ka karakter polifonik, autori, herë drejtpërdrejt e herë në mënyrë të kamufluar, jo vetëm që ironizon lëvizjet marksiste-leniniste në botë, por gjen rastin të çmontojë edhe konstruksionet antikombëtare që ishin ndërtuar në Shqipëri atëherë kur komunistët shqiptarë iu turrën shkatërrimit të kulteve dhe objekteve fetare në emër të ndalimit të fesë. Dhe, për ta shkatërruar tërësisht si personazh, ai përdor ironinë therëse. Kramsi, që ishte joshur nga rrafshimi i jetës mondane europiane, kishte përgatitur një studim me titullin: “Darka, opozita e fundit kundër botës së re.” (f. 280). Nuk i shpëton as Kosova mendimit të Kramsit që e quan një gjë nacionalromantike, të kapërcyer. Kramsi paraqitet jo vetëm si një fantazmë e antijetës, por edhe mendërisht i mbyllur. Kadareja nuk kursen asgjë në vizatimin e tij. Ai, thotë autori, ishte mahnitur me Mao Ce Dunin, sidomos me thënien e tij se “komunizmi mund të vonohet në botë dhjetë mijë vjet”. Nuk është vështirë të kuptohet se ironia dhe cinizmi në këtë rast, nuk ishte vetëm ndaj Kramsit, por edhe ndaj gjithë atyre që e kishin komunizmin si model. Ironia me teoritë e botës së tretë, me primitivizmin, apo thënie si kjo që për të kuptuar shprehjen “pikëllim vjeshte” duhet të kalonin një mijë vjet, apo vargje si “Kamboxhia fillon te ti”, Kadareja i përdor për të demistifikuar një lëvizje të tërë që jo vetëm kishte shënuar krime makabre si në Kamboxhia, por kishte tharë gati gjysmën e globit me idetë absurde të komunizmit kinez e jo vetëm.
Kapitulli që pason, i nënti, rrëfen ngasjen e Simon Dershës që do të takojë ministrin për një hall personal, vajtja deri te vila, pastaj përmendja për fjalët që fliteshin për të se po binte nga vakti. Më te vendin qendror e zë ministri D të cilin Kadare e paraqet si një lodër në duar të sovjetikëve e kinezëve. Kujton vizitën e tij në Kinë dhe rekrutimin e tërthortë nga kinezët, gjithë sipas narrativës zyrtare të kohës, për të rrethuar një komitet partie. Ftesa në një dramë ku sekretarin e partisë e tërheqin zvarrë në skenë. Drama është vendi ku mund të marrësh vesh politikën e Kinës, i kishte thënë dikush. Ti që lexon romanin, kujtohesh për një frazë nga Hamleti “drama është gracka ku shpirti i mbretit kapet si laraska”. Pastaj veprimi zhvendoset në Kinë. Skënder Bermema së bashku me kritikun C.V. do të vizitojnë Kinën. Ftesa është e çuditshme: me rastin e Ditës së Zogjve. Jemi në Pekin, në një dhomë hoteli dhe, nëse në një vend më sipër Silva ishte zgjuar me mbeturina ëndrrash në sy, këtu, Skënder Bermema sapo hap sytë, shikon jashtë dhe te perdet ishte përsëri e diela. Ky stil animistik e metaforik bashkë është tipar i narrativës së Kadaresë.
Në këtë kapitull autori ndërthur disa linja subjekti. Gjithnjë e më shumë përsëritet ankthi i S. Bermemës për vdekjen e një romani, të atij që nuk e shkruan dot. Pastaj dikur nxjerr fletët dhe sheh sinopset. Ndër to, ai për Komisionin e krijimit të njeriut të ri kinez, Lej Fenit, është pa dyshim më i bukuri. Komisioni që do ta krijonte atë, netët pa gjumë dhe ideja për të lindur një njeri sipas maocedunidesë janë ushqim për fantazinë e Kadaresë që kalon çdo imagjinatë të mundshme. Pra, përfytyroni komisione pafund në Kinë, një maternitet i tërë që punonte për të lindur njeriun e ri. Aluzioni është i qartë. Si duhet të ishte ai? Mesatar, pra, një kompromis, i thjeshtë, një vidhë e mendimit të Mao Ce Dunit, asnjë gjë origjinale, i rëndomtë, asnjë lidhje dashurore, me origjinë fshatare, ushtar, të huaja për të duhet të ishin krenaria, individualizmi dhe mirëqenia, mblidhte kuti të vjetra, pastë dhëmbësh, për t’i shitur pastaj dhe për t’ia dorëzuar paratë shtetit. Më pas, jetën e tij, përvojën, duhet ta linte të shkruar. Po në ç’formë? Në formë denoncimesh në komitet të partisë a në hetuesi dhe pastaj vdekja, si do të ishte ajo, aksidentale apo natyrale. Nëse do të zgjidhnin vdekje nga zemra, kjo i ngjante vdekjes së intelektualëve borgjezë, nga heqja e barkut jo se lidhej keq me fshatin dhe, më në fund, u gjet: e shtyp treni dhe kjo ilustron edhe teorinë e Maos që fshati rrethon qytetin sepse heroi do të vdiste duke u përpjekur të shpëtonte një kalë (fshati) që kalonte në shina dhe e shtyp treni (qyteti). Këtë ndjenjë humori dhe satire vetëm Kadareja mund ta krijojë. Në kapitullin në vazhdim janë të famshmet çjetinçi, përgjueset që shpërndahen në Kinë. Edhe këtu ka faqe të mrekullueshme që vizatojnë një nga kapitujt më të errët të diktaturave, përgjimin e shtetasve dhe klimën e terrorit.
Kapitulli që pason, ka në qendër koncertin në Pekin. Skënder Bermema dhe kritiku C.V. do të marrin pjesë në të, por gjithë vëmendja është te lozha, si do të shfaqet Çu En Lai. Pastaj simbolika e koncertit, vajza valltare në reshtin e dytë dhe copa prej mëndafshi lejla që ajo do të vërtisë në ajër. Pastaj vjen vdekja e Maos. Këtë lajm S. Bermema, që nuk kishte gjumë, e mëson nga dezhurni i hotelit, të cilit Bermema kishte frikë t’i fliste për fjetjen apo gjumin se, nëse i thoshte që nuk po fle, ai i përgjigjej: kryetari Mao ka thënë se ujët fle, po imperializmi nuk fle. Nuk është vështirë të kuptohet këtu tallja edhe me parullat politike tonat, nëse mbajmë në vështrim transferimin e ligjërimit që përdor si mjet të narrativës Kadareja. Mirëpo “The Chairman is dying” i thotë me lot në sy dezhurni kinez. Mao po vdes.
Efektin e saj, autori e jep menjëherë në Tiranë, por e përqendron vëmendjen te pritja që i bëjnë asaj ata që në atë kohë quheshin shtresa e deklasuar. Ekrem Fortuzi e ndien rëndë dhe gjithë shtresa e tyre po ashtu. Përsëri Gjergji niset në Kinë dhe kapitulli që pason, tregon arrestimin e gruas së Maos, Sajmiri ka dalë nga burgu dhe ministri e thërret për gjoja pajtim. Ndërkaq, Skënder Bermema shfleton sinopset e tij dhe këtë radhe vëren se midis Makbethit, darkës dhe vdekjes së Lin Biaos ngjashmëria është fatale. Ndërkaq, rrëfimi rrjedh shpejt. Narratori kthehet në Tiranë dhe në gjithë vendin kanë filluar të ndihen pasojat e ndërprerjes së ndihmave nga Kina. Silva dhe shefi i saj shkojnë me shërbim në Metalurgjik. Simon Dersha i zbraz ankthin që e mundon Lindës dhe i tregon me ngashërim për darkën e gabuar. Kinezët largohen përfundimisht dhe studentët shqiptarë kthehen nga Kina.
Kapitulli tjetër është shkruar me stilin e Kafkës. Nëse si ton i përgjithshëm i rrëfimit është gjendja e kohës pezull, pra, as shi, as borë, por pritje, tani rrëfimi vendoset në zonën e errët të frikës dhe fjala që e organizon atë nga pikëpamja e semantikës së tekstit, është: “Thellohu!” Kanë filluar mbledhjet e gjata me net pa gjumë për grupet armiqësore dhe ata që duhet të rrëfejnë krimet, asnjëherë nuk i bindin ata që i dëgjojnë, sepse mbi ta rri si një thikë në qafë fjala: thellohu. Vendi zien nga autokritika dhe shpjegime që nuk bindin ata që kanë në dorë fatin e atyre që çmohen si fajtorë.
“Mbledhjet vazhdonin gjer natën vonë sidomos në dikasteret qendrore. Edhe më vonë, pas mesnate e disa herë gjer ndaj të gdhirë rrinin ata që duhej të bënin autokritikë. Flinin studiuesit e akademikët, flinin njëri pas tjetrit shkrimtarët, madje edhe ata që merreshin me gjinitë e gjata, flinin asistentët që përgatisnin leksionet e së nesërmes, përkthyesit nga greqishtja e vjetër, hartuesit e fjalorëve, grafomanët, shkruesit e letrave anonime e të padive të divorcimit, flinin më në fund edhe ata që shkruanin letra dashurie e që zakonisht u duhej të rrinin jo më pak se dy orë zgjuar pas shkrimit të frazës së fundit, me një fjalë, flinin të gjithë ata që puna, ndjenjat apo rasti i lidhnin me lapsin dhe letrën, me përjashtim të bërësve të autokritikës”. (f. 622)
Ishte kohë plenumesh dhe fjalët që dëgjoheshin më shumë, ishin “puç” e “puçistë” thotë autori sikur të jetë duke treguar për një vend të juntës amerikanolatine dhe jo për Shqipërinë. Njerëzit janë pak si në jerm dhe teto Hasija përzien kohët ashtu si në një rrëfim psikanalitik. Sipas saj. radioja një ditë më parë shante ata që ajo i quante turq. Kjo zhvendosje e kohës dhe fshirja e kufirit mes ëndrrës dhe gjalljes është karakteristikë e rrëfimit edhe të Kadaresë në ndonjë rast. Vulën gjithë kësaj zdërhalljeje ia vë Rrema, fshesaxhiu i “Dimrit” që ka ardhur të shohë kolegët e rrugës që qeshnin me kinezët, por Rrema u thoshte se nuk hap gojën se i hëngra dy javë burg për Hroshovin. Dhe të gjithë kujtojnë me ngazëllim, thotë autori, fjalën e kryetarit të bashkimeve profesionale me rastin e daljes në pension të Rremës. Ti fshive për tridhjetë e pesë vjet rrugët ku kaloi njeriu i ri. Shpjegimi këtu është i tepërt. Ironia e Kadaresë nuk kursen më asgjë. Ndërkaq, edhe përgjuesit e Polit të Veriut përpiqen të deshifrojnë atë që po ndodh në Kinë e më gjerë.
Në qoftë se romani nis me një festë, me ditëlindjen e Brikenës, ai mbyllet me një vdekje. Në furrnaltën e Metalurgjikut ka humbur jetën Maksi, kushëriri i Bermemës dhe është plagosur Beni, vëllai i Besnik Strugës. Ndërsa Viktor Hila ka humbur sytë. Linda është lidhur me Besnik Strugën dhe në mortin e kushëririt të tij shkon bashkë me Silvën. Kur kthehet në shtëpi, Silva kujtohet të heqë plastmasën nga limoni. Ai kishte lëshuar disa kokrra të vogla jeshile. Kështu mbyllet romani.
Përfundime
- Romani “Koncert në fund të dimrit” nuk është roman për qëndresën e popullit shqiptar ndaj tradhtisë kineze, siç jemi mësuar ta dëgjojmë nga tekstet zyrtare të kritikës socrealiste. Është një rrëfim epik me personazhe historikë dhe me të trilluar që rreh të paraqesë një nga periudhat më të errëta të historisë botërore që është diktatura e komunistëve kinezë dhe arkitektit të tyre, Mao Ce Dun. Kjo pikënisje i ka shërbyer atij që me anë të të transferimit të ligjërimit të bëjë anatominë e shkatërrimit shpirtëror të njerëzve në të gjitha diktaturat. Ngjarjet në Kinë përdoren vetëm si model për të ilustruar makabritetin e krimit të diktaturave komuniste. Përballë revolucionit kulturor që rrafshoi vlerat më të qenësishme të kulturës kineze, Kadare vizaton oazat e mbetura europeiste në Shqipëri, por parashikon edhe këtu krimet që do të ndodhnin më pas sipas logjikës diktatoriale.
- Jo vetëm stili është i lëmuar dhe jo vetëm tonaliteti i rrëfimit është zgjedhur me kujdes, por edhe vetë gjuha është punuar gati si me limë. Edhe këtu tërheqin vëmendjen fjalëformimet e tij me vlerë stilistike si p.sh.: gratë shqiptare nën ndikimin e revolucionit kinez kishte rrezik të “çgrarizoheshin”, nëse zakonisht mbajmë ditar, në roman Bermemës i takon të shkruajë natën dhe të mbajë një “natar”. Dikush ka biografi të mirë dhe sytë e bukur dhe ajo është “biografibukura”. Ndërsa në roman ka dhe personazhe që ngazëllehen nga jeta socialiste me mitingje dhe ata vuajnë nga “ngazëllimi mitingo-presidiumor”. Duke luajtur me fjalën tri botë ai e quan “trifshatarësi” një personazh në roman. Ata që janë përfshirë nga ethet e autokritikës, janë “autokritistët”, lindja e një gjuhe të re pas revolucionit kulturor, atij i duket si një “zhgjuhë” etj. Nganjëherë, portretizimi i personazheve arrin në paraqitje absurde dhe ana qesharake e tyre zmadhohet aq shumë, sa ironia dhe satira pleksen keq. Li Pan, një përgjues profesionist në Kinë, kishte nxjerrë sytë në mënyrë që t’i rritej dëgjimi.
- Karakteristikë tjetër, sidomos e stilit të tij narrativ, është se në gojën e kinezëve vihen fraza klishe dhe stereotipe të ligjërimit të ngurtë totalitar shqiptar. Rrëfimi për Kinën, në fakt, është narrativa për komunizmin shqiptar. Autori nuk kursen asnjë, as talljen me qethjen e të huajve në Rinas.
- Është me shumë interes të thuhet një prirje tjetër e narrativës së Kadaresë që ka të bëjë me hapësirën e veprimit dhe me kohën. Hapësirat në disa raste janë më së shumti jo vende: aeroporti, hotelet, baret, zyrat e një dikasteri, avioni. Ndërsa koha e veprimit, në shumë raste, është një festë familjare dhe sidomos darka familjare, mbrëmja, rituali i kafesë në shtëpi apo salla e një koncerti, apo ekspozite dhe bulevardi. Gjithë kjo hapësirë i lejon autorit që të ndërtojë oazën europeiste të Shqipërisë. Duke e theksuar veprimin në këtë ambient, ai, në fakt, projekton një Shqipëri tjetër, një utopi të ndryshme.
- Ky roman, së bashku me Dimrin e vetmisë së madhe apo Dimrin e madh do të ruhen në kujtesën tonë si dy nga kryeveprat që regjistruan me mjeshtëri jetën shqiptare në diktaturë në dy nga momentet më të papërsëritshme të historisë së komunizmit botëror. Ne kishim fatin tragjik se ishim autorë dhe personazhe të asaj epoke.
Në vend të mbylljes
Siç e thashë në fillim të këtij shkrimi, sot bota është përfshirë në epokën e globalizmit dhe nuk ka më kufij ideologjikë që të vështirësojnë komunikimin. Megjithatë, keqkuptimet vazhdojnë. Ngjarja e fundit me koronavirusin, misteri që e rrethon shkakun dhe përhapjen e tij lidhen me një vend që megjithëse formalisht nuk është një vend tipik komunist, ruan ende tiparet e shtetit njëpartiak dhe komunikimi i tyre nuk mbështetet te fjala e lirë dhe mendimi i lirë. Për këtë arsye, misteri, keqkuptimet dhe mungesa e së vërtetës janë plagë të trashëguara nga ajo traditë që atje lidhet me themeluesin e Kinës së re, Mao Ce Dun, portretin e të cilit ata e ruajnë me fanatizëm.
(fund)
© 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Titulli është i PTF.
[1] Sh. Sinani, vep. e cit. f. 307
[2] Mustafa Greblleshi, KUJTIME 1939-44, Botime ÇABEJ, Tiranë 2017.
[3] Arshi Pipa, Subversion drejt konformizmit fenomeni Kadare, Shtëpia botuese Phoenix, Tiranë 1999