nga Dr. Ledio Allkja, planifikues urban
Si qytetar i thjeshtë i Tiranës, lindur e rritur në këtë qytet, jam pro mbrojtjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Është pjesë e historisë sonë dhe duhet ta mbrojmë me çdo kusht. Është dëshmi e identitetit tonë dhe duhet të qëndrojë aty, qoftë edhe për t’u treguar brezave të ardhshëm një nga ikonat e qytetit tonë. Kjo është një përgjigje e shkurtër emocionale imja.
Si planifikues territori po ashtu mendoj se kjo ndërtesë duhet të qëndrojë. Po të shohim politikat e territorit kudo në Evropë apo dhe vende të tjera të zhvilluara, synimi është i qartë: Mbrojtja e tyre si një vlerë e shtuar në strukturën urbane. Kjo dëshmohet qartë në Agjendën Urbane të BE, Agjendën Urban të UN-Habitat, Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB etj. Madje, edhe PPK (Plani i Përgjithshëm Kombëtar) apo dhe PINS Durana (Plan i Integruar Ndërsektorial) mbështeten fuqimisht mbi këto parime. Ndërkohë në Tiranë kemi një kontradiktë të fortë për sa i përket trajtimit të trashëgimisë kulturore nëpërmjet politikave të planifikimit.
Një shembull i thjeshtë është se, nga një anë rinovojmë bunkerët e periudhës së komunizmit (njëri madje ngritur ngjitur me Teatrin) dhe e shesim si vlerë historike e vlerë e shtuar në qytet, e nga krahu tjetër shkatërrojmë vila të Tiranës me vlera të mëdha arkitektonike. Pra kontradikta qëndron në përcaktimin e vlerave. Përse Teatri Kombëtar nuk ka vlera për t’u mbrojtur? Edhe sikur të mos ketë asnjë vlerë arkitektonike, ajo ndërtesë ka kaluar tre periudha të rëndësishme të historisë sonë pas Çlirimit nga perandoria Osmane. Aurel Plasari në shkrime të mëparshme ka vijëzuar me fakte disa nga momentet historike që i shtojnë vlerën asaj ndërtese.
Gjithashtu duke parë mënyrën se si është zhvilluar Tirana në këto 30 vjet dhe përdhunimin që i kemi bërë territorit në këtë hark kohor, cilido Kryebashkiak apo vendimmarrës duhet të luftonte për të mbrojtur me çdo kusht atë pak histori të prekshme që ka mbetur në Tiranë.
Në planifikim nuk ka përgjigje të saktë apo të gabuar. Fatkeqësisht, është ndër profesionet e pakta ku suksesi apo dështimi i një politike lexohet vetëm pas realizimit të ndërhyrjes, dhe me të përballon dhe kostot. Pra, shkatërrimi i një objekti është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Kësisoj, duhet një vlerësim shumë i mirë dhe transparent i të gjithë alternativave të mundshme. Aktualisht, shkatërrimi dhe ndërtimi i një ndërtese të re, pa lidhje me kontekstin na paraqitet si e vetmja alternativë. Nuk ka debat, nuk ka arsyetim profesional, nuk ka arsyetim financiar.
Si planifikues, do të thosha që zgjidhja më e mirë është të parashtrohen alternativa të ndryshme e me pas të diskutohen gjerësisht! Pse jo, ku ka më mirë se një referendum; një qasje e tillë do të ishte pa dyshim një vlerë e shtuar edhe për rritjen e demokracisë në vend!
Mendimi im si profesionist është që teatri të restaurohet, të kthehet pse jo në një muze, të përdoret për shfaqje ceremoniale, ndërkohë, në Bulevardin e Ri, të ndërtohet një teatër i ri e modern. Kjo qasje i përgjigjet dhe politikës së policentrizmit. Madje Bashkia mund të ndjekë politika të kapjes së vlerës së shtuar të investimit për teatrin në Bulevardin e Ri e të nxjerrë një pjesë të këtij investimi.
Përtej arsyetimit, nuk arrij të kuptoj nxitimin për të prishur ndërtesën ekzistuese, ndaj kam disa pyetje të cilave nuk u jap dot shpjegim as nga ana logjike as nga ajo ligjore:
1- Sipas ligjit të planifikimit, autoritetet të cilat japin leje, janë në nivel vendor Kryetari i Bashkisë dhe në nivel Kombëtar KKT. Përse duhet një leje nga Këshilli Bashkiak, kur ky nuk ka asnjë kompetencë në këtë çështje? Përse një leje nga një organ kolegjial pa kompetencë?
2- Perse duhet prishur ndërtesa kur nuk ka një projekt përfundimtar? Madje as leja për ndërtim nuk mund të dalë pa një projekt përfundimtar? Me ligj, as edhe një ndërtesë e thjeshtë nuk mund të prishet pa leje, mendoni një ndërtesë si ajo e Teatrit?
3- Jo më larg se dy ditë më parë, Kryetari i Bashkisë tha që është negociatori më i fortë në këtë qytet! Po mirë, përse duhet prishur ndërtesa për të negociuar me pas me bankën? Në këtë rast tregohet se negociatori është i dëshpëruar për investimin! Pra do të thotë se upper-hand në negociatën e ka banka! Supozojmë që asnjë nga bankat nuk japin huan e kërkuar? Çfarë ndodh? Mbetemi me një gërmadhe tjetër në Tiranë!
Si rrjedhojë, çështja e teatrit nuk më bën kuptim as si qytetar i thjeshtë, as si politikë planifikimi, as nga ana ligjore, e as nga ajo logjike. Ajo ndërtesë duhet mbrojtur, restauruar e trashëguar për breza.
(c) 2020, Ledio Allkja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Doktor Ledio, me vjen mire qe keni futur ne receten tuaj si lakra te buta dhe te egra, se te bejne mire per stomakun. Edhe une bej eksperimente ne guzhine me gjithfare recetash. Por ju qenkeni me specialist. Permendni istitucionet nderkombetare, (e kishit fjalen per mumje egjypti?), aludoni per vlera arkitektonike dhe hidheni tek ato historike (si tek loja mos u nxeh), na rekomandoni per alternativa te shumta sherimi (kur personi ka vdekur), na kujtoni muzete (si tek monologu humoristik i Fadil Hases), ne fund shprehni habine pse do prishet teatri, (kur ai eshte prishur ne fakt), dhe e mbyllni per ruajtjen e tij, (kur vete aktoret kane folur per nje ndertese te re, sepse e vjetra ka patur mjaft demtime).
Ate kryesoren, qe i pershtatet dhe profesionit tuaj te urbanistit, kondicionit (varesise dhe pershtatjes) te ndertesave me njera-tjetren dhe me shtyllen e tyre kurrizore, ku lidhen, BULEVARDIT, kete ju e keni harruar! Me nje fjale, keni folur sa per te thene, qe keni folur! Por nuk na thate gje!