Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

SI U SHKALIT ÇELIKU

nga Idlir Azizaj

 

Motive pa diell

Lagjja jonë është e madhe. E i tejkalon mjaftueshëm sinorët ku e kufizon vetë termi « lagje ». Ky kapërcim i kufirit vihet re sidomos në specifikat që e bëjnë lagjen tonë aq të njohur. Sytë tanë kapin kanë atë ekskluzivitetin e perceptimit të virtyteve tona, të panjohura tej nesh, por të sigurta gjithsesi. Për sytë e ballit!

Një nga këto virtyte ka qenë e mbetet « motivi ». Domethënë, lloji i motivit, motorit shtysë drejt sipërmarrjeve tona njerëzore. Ajo ndërgjegjja e sëmurë si qendër e tablosë ku lëvizim. Ne vetë e dimë, e brez pas brezi, nga beli e sipër dallojmë përmbi llucën që formon koha, motivet specifike të disa veprimeve tona, atë know-how tonë legjendar. (Që s’ka të bëjë hiç me nihau kinez!)

Vetëm ne dimë, bie fjala, se si bëhet seks me mullixhinë për inat të vjehrrës ; sesi i hyn sherrit për aq speca sa blihen me pesë pare ; si digjet krejt jorgani nëse një plesht i vetëm banon aty ; si grindesh thjesht duke u kapur pas një llafi.

Llafi nxjerr llafin në netët e gjata të dimrit që virusi shkakton jashtë ciklit natyror. Kështu dëgjojmë sërish rrëfimin e hajdutit të preshve. Autori i rrëfimit nuk gjendet më. Por si virus tashmë rrëfenja hyn e depërton në kokë. E aty brenda shohim një burrë që hyn në arën e preshve të fqinjit të vet. Era frynte si e marrë, stuhia e transportonte larg dhe zhurmën e vokët të hapave të hajdutit, dhe zhurmën e mugët të shkuljes së preshit nga lehu.

Mirëpo, për të ekuilibruar anën profane të natyrës, u pat shpikur prona, e prandaj ajo është e shenjtë. Çka e bën pronarin të tejshquajë, pra të abstragojë sakaq krejt shtjellat natyrore, e të dallojë atë boshllëk që ndodhet mu në mes të « animacionit » jashtë.

Kështu fqinji pat ndier me hundë se një lëvizje tjetër qarkullonte mes stuhisë dhe erës. E paperceptueshme, por aty gjithsesi. Ai doli me vrull në ngastër, e kapi hajdutin me duart rreth preshit që sa do shkulte. E njohu shpejt siluetën e fqinjit. Dhe përderisa ky nuk qe i huaj, situata kërkonte njëfarë komunikimi, e jo plumb menjëherë. Kështu ai kaloi radhën, e pyeti hajdutin se çfarë po bënte ! Atëherë fqinji hajdut as lëvizi ; me preshin ende në duar (ka përherë një stop-camera në çastin poetik, kur bota bëhet fiks pikturë !) dhe iu gjegj se frynte goxha, e ai thjesht po mbahej për presh, të mos e merrte era !

Kurrë në historinë e lagjes sonë ky rrëfim nuk u bë shkas për një tablo, ndoshta me titullin « Fushë me prasë ». Edhe natyra agrare e lagjes sonë nuk i mjaftonte artit tonë të vinte këtë perime si subjekt pikture. Madje as atributi prej sendi fluturues që i jepet kësaj « vegetable » te tregu ynë, nuk ia ngriti ndokujt penelatën në ajër. Sa të kompozonte me atë jeshilen aq specifike të këtij ushqimi, simbol i monizmit tonë.

Por kjo mungesë shijeje për preshin-subjekt u bë motiv për kritikun Niko Zako Stalli për të marrë penën. Me majën prej çeliku, ai nisi kështu një ese të gjatë. Duke përdorur një strategji që edhe gazetarët e përdorin tek-tuk, por pa ia njohur esencën. Kështu, me majën e çeliktë ai nisi t’i binte pragut. Ne të tjerëve na mbetej të dëgjonim çfarë kish dëgjuar pastaj dera. Në këtë mënyrë, pra, ai nisi një volum mbi veprën e Van Goghut, më saktë mbi tablonë e Fushës me grurë.

Jo pa qëllim ai e shkurtoi titullin dhe i la « korbat » jashtë tij. Kështu ruhej i pastër aluzioni lidhur me fushën me presh, që ishte interesi thelbësor i opusit. Mandej, kjo « trembje » e shpendëve zezona që iu bëri Zako Stalli me penën steel-point, duhet të hapte vend për ndërkalljen e personazhit të hajdutit në tablo. Dhe kjo mbetej kulmi i vështirësisë. E është e lehtë të përfytyrohet kjo. Po aq lehtë sa mund të zëvendësojmë çekun 1 milion të Mark Twainit – kur ai pat zbuluar natyrën thelbësisht prej kartëmonedhe të jetës shoqërore – me tablonë e Van Goghut. Tashmë që njerëzimi ka vendosur të mos e vrasë më piktorin, të paktën jo përditë. Këtë mos-vrasje filozofët e emërtojnë ndonjëherë dhe biopolitikë.

 

Formë e përmbajtur

Volumi i parë i këtij opusi e merrte tablonë e Van Goghut vetëm si motiv. Si sfond për të zhbiruar mundësinë e për të gjetur një strukturë bazë, themelore të emocionit e të sentimentit njerëzor. Paçka objekteve të përdorura për ta paraqitur (grurë, dy këpucë të majta, korba, luledielli, apo presh). Zako Stalli ndiqte kësisoj hulumtimin strukturalist të gjuhëtarëve. Teksa ata rreken të gjejnë rrëfenjën bazë, rrëfenjën-tip, mbi të cilën janë bazuar mijëra variantet që qarkullojnë nëpër botë e qytetërime. E në këtë hulumtim, motivi kish më përparësi se subjekti (2). Kështu, më shumë përparësi se Rozafa merr fakti se rrëfenja përfshin elementin « tri vëllezër » si te përrallat ruse ; e se marrëdhëniet mes vëllezërve janë ilustruar qysh në Bibël.

Kësisoj rrëfenja, zhanër anonim popullor, i transmetuar gojarisht e me transformime, përdor dhe e tejkalon religjionin, i cili ripërtyp subjekt. Përkundrazi, rrëfenja e bën subjektin motiv, në kuptimin që kjo fjalë merr në pikturë. Ndaj dhe ato enden të lira, në kohë e hapësirë, pa teklifin e së drejtës së autorit.

Atëherë hulumtimi shqyrton pikërisht midis transformimeve. Mes tyre kërkohet dhe forma, struktura-tip. Sepse studimi i formave është dhe studimi i transformimeve. Në lagjen tonë ne e dimë këtë thënie të të madhit Gëte që ka shkruar dhe Faustin e madh. Ngaqë Gëtja është i madh si dhe Fausti i Gëtes ! – sipas nesh.

Kështu Zako Stalli e mbylli volumin e parë të opusit të vet. Që nuk spekulonte tamam mbi veprën e Van Goghut. Por e merrte për motiv bazë të zhbironte thelbin e emocioneve të mëdha. Për t’u kuptuar bazamentin e formës. Në këtë studim, tablonë e Van Goghut ai e përdorte veç si skicim, si rrjetë merimange, mbi të cilën ai do hidhte « me fjalë » tablonë « Fushë me prasë ».

Procedura e tij ishte mjaft pikturale për një shkrues eseje. Ai kishte ndjekur pa dashur procedimin e piktorit Mustafa Lamaj në ekzekutimin e tablosë « City Structure » (në krye të këtij shkrimi). Komenti i vetë piktorit e evidenton faktin dhe më : « sapo të krijohej njëherë merimanga (cobweb), pastaj piktura të realizohej me një të prekur, pra çdo penel të godiste me një të prekur, e mundësisht të gjithë strukturën njëkohësisht… ».

E këtë pan-rezultat solli njimend dhe eksperimenti i Zako Stallit. Që u rrek të përmbyste ca « perspektivën » lidhur me preshin. Porse diç më ndryshe …

 

Opinioni i paraprin Fevziut (ashtu si ekzistenca i paraprika thelbit)

Krejt volumi i parë sillej rreth preshit, në paralel të largët me grurin e Van Goghut. Subjekti, njeriu, hajduti pra, nuk kishin dalë ende në skenë. Në këtë vëllim Zako Stalli rrekej të troshiste rëndë opinionin tonë apriori mbi figurën e preshit. Ky i fundit e qarkonte opusin e tij si pendët maskën totemike xwéxwé të indigjenëve të Amerikës. Zako Stalli kish shtuar madje dhe vërejtjen lidhur me këto maska: « Këta përbindësha nuk janë tamam përbindësha, por bashkëqytetarët tanë »! Çka shpjegonte se maskat indigjene nuk janë thjesht imazhe muzeale, por lëvozhga e gjallë e një mase rrëfimesh e mitesh.

Zako Stalli u mendua gjatë ta ndërkallte këtë citim të strukturalistit Lévi-Strauss. Por në fund u kujtua se ne e kishim marrë gjithsesi medaljen për mbrojtjen e hebrenjve dikur. Me këtë vlerë të zyrtarizuar në mend, bëri si bëri dhe e la citimin në tekst.

Mirëpo asnjë qasje apo shije nuk mbetet e padiskutueshme në demokraci horizontale. Zako Stalli kuptoi se asgjë s’mund të lihet në lagjen tonë pa subjekt. Iu kujtua se në lagjen tonë, pamundësia për të jetuar pa subjektivitetin, kish ngritur e mbante ende lart rolin e biografisë. Dhe njollën në të, piktura jonë e vetme tip Pollock.

Atëherë Nikollë Zako Stalli vendosi ta botonte një përmbledhje të opusit të vet në një blog. Deri këtu gjithçka i shkoi mbroth. Por sa vështirë të mos lesh gjurmë e vraga në lagjen tonë ! Kështu ai u transformua në subjektin kryesor të opusit të vet. Dhe me emër tjetër, natyrisht, postoi një koment mbi opusin e tij në blog.

Ai u ruajt të mos i bënte elozhe opusit. Për të shmangur sado mundësi që lagja të detektonte atë vetë pas postimit, u përqendrua tërësisht te elementi i preshit. Dhe shtoi se kjo perime-motiv në tablonë « Fusha me prasë » i jepte tablosë konotacionet enigmatike e heroike të Uellsit, vendit që preshin e ka simbol kombëtar. Mendoi po aq se paraleli me një vend të vogël si lagja jonë do e joshte publikun.

Mirëpo minoritari nuk i përket lagjes sonë, ku çdokush është minator i Maxhorancave të çdo lloji. Me ligështim Zako Stalli ndoqi një ditë më pas komentet në blog. Direkt i pari ishte kapur pas preshit, që ai vetë kish nxjerrë në pah për detaj. Komentuesi evokonte mensat e punëtorëve nëpër ndërmarrje dhe ato të Qytetit studenti, ku preshi qe zot. Komenti pasues i këtij komenti evokonte komunizmin e lig që na ushqente me kësi perime si preshi. Komenti tjetër i komentit para hidhej në sulm e tregonte se dhe preshin s’e hanin dot të gjithë, se asokohe edhe preshi ishte për disa më të privilegjuar. Komenti tjetër bërtiste realisht për faktin si preshi shkonte dikur larg nëpër eksporte, për të blerë metalurgjira, ndërsa ne hanim me tallon. Një tjetër, ekonomist i moderuar si duket, tregonte si preshi ishte aktualisht eksporti ynë kryesor në botë. Komenti më pas tij, nën nickname-in Neroni, tregonte vlerat e lëngut të preshit për të qëruar e forcuar zërin ; ai madje udhëzonte liderët e lagjes ta përdornin e të arrinin timbrin (the pitch në origjinal) e Duçes në prill. E kështu me radhë.

 

Ministria e Stresimit

Zako Stalli u ligështua nga këto komente, që as e kishin marrë parasysh thelbin e opusit të tij. Duke qenë se shumica e komenteve lehtoshe vinte dhe nga banorë të lagjes sonë në Nju Jork City mendoi se qe ma mirë të tërhiqej në pyll. Me « pyll » Zako Stalli nënkuptonte pyllin e simboleve ; si dhe hijen mbrojtëse të tij. Ku nuk qe i mundur turri e vrapi për t’u kapur pas fijes së kashtës nëpër komente e nënkomente.

Mes drurëve e degëve, me të cilat filozofi i pabindur Henry David Thoreau sajonte dikur lapsat e shkrimit, ai pranoi për fakt të hidhur : që në lagjen tonë e vetmja kohë reale e leximit të vërtetë qenkësh ajo e komunizmit. Se donte apo s’donte ai, vetëm ajo kohë e kishte (të) institucionalizuar leximin në lagjen tonë. Se qysh mandej akti i leximit tonë qe një stres më vete. Stres i vetë leximit për më tepër.

Zako Stalli, që e kish lënë në mes tani opusin, pati shtysën të sajonte një elozh të « leximit në kohën e preshit » te ne. Demek për t’i gjetur një strehë leximit në lagjen tonë, megjithë stresin e përgjithshëm e pse jo mondialist.

Por sakaq hoqi dorë. E kuptoi se preshi i tij nuk do arrinte kurrë të depërtonte në ndërgjegjen e keqe, me të cilën post-komunizmi ynë krenohej fshehurazi. Kjo krenari sybaziliske qe përhapur tashmë e kish zënë vend në lagjen tonë, si Murtaja e kuqe « duke vendosur mbi gjithçka perandorinë e vet të pamatë ». Ky vizion i Edgar Poe-s, që kishte paraparë komunizmat e keq të çdo lloji, u pa si « gazetari » në lagjen tonë. Ndoshta shpirtrat e çelikta, që tashmë kinse po detoksikoheshin (në emigracion) prej vigjilencës së dikurshme, ngatërrojnë ca lajmin me dukurinë. Për pasojë mbase të atyre « holzwege » (3) të rrjeteve sociale, që çojnë të gjitha në Jeff Bezos.

Jo, në trollin tashmë fringo të lagjes sonë, aq liberal (neoliberal biles) preshi i Zako Stallit ishte më zor ta shkulje se shpata e kalitur me çelik « Excalibur » e mbretit Artur. Edhe po ta shkulnin, kurrkush s’do e merrte seriozisht për motif.

 

Zhurmues të vegjël të historisë së madhe

Mes pyllit, Zako Stalli mbeti i vetëm në skutat e kulturës orale e popullore. Ishte 18 dhjetor, dita ndërkombëtare e emigracionit. Në lagjen tonë s’e festonte njeri. Të gjithë pinin kafe me paratë e ardhura nga emigrantët tanë. Të gjithë po thoshin fiks të njëjtën gjë, por duke prodhuar grimasa të ndryshme me fytyrë.

Me fytyrën e zhytur në një fletore shkolle, Zako Stalli nisi një projekt më modest : të sajonte njëfarë historie popullore të lagjes sonë. Kështu trokiti në dyert e historisë sonë madhore zyrtare kjo ndodhi mëse banale. Ajo e 3 vëllezërve, emigrantët tanë numër 1 në Itali (siç flitet për pacient zero zakonisht). Heronjtë e parë të ekzodit tonë ishte gjendur mes dallgëve të Otrantos në vitin 1991. Më në fund e kishin mbytur Minotaurin (4) e vet dhe dolën në breg. Atëherë Telenorba e Barit i kish vënë para kamerave, siç bëhet me star-et. Ku ata shpjeguan peripecitë e udhëtimit dhe mjerimin ekonomik nga kishin ikur. Folën dhe për antenat TV e sajuara me tubat e vjedhur në SMT. Për të mundur sadopak zhurmuesin e fortë të KQ të PPSH ; e për të parë me miza filmat porno të RTM. Dhe të tjera aventura të vockla drejt Botës.

Porse pyetjes mediatike se me çfarë motivi kish nisur ai shtegtimin, iu gjegjën prerë, e me gjeste, se kishin ardhur aty me trap të sajuar me goma zetori dhe jo me ndonjë motiv.

Ngaqë nuk njihet ende kjo histori njerëzore, kjo datë fiksoi si duket themelimin e liberalizmit tonë shpirtëror-politik. Sajë ligjit të mirënjohur të kompensimit. Për gazep, kjo Circe ve dorë mbi shumicën e komenteve nëpër bloget tona, pavarësisht temës.

 

(c) 2020, Idlir Azizaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënime :

Si u kalit çeliku (Kak zakalaj i stal) është roman (fatmirësisht) i harruar i Nikolla Ostrovskit, pjesë e realizmit socialist sovjetik.

2. Në esenë « Morfologjia e rrëfenjës » Vladimir Propp thekson se klasifikimi i rrëfenjave mbi bazën e motivit është më frutdhënës në studime sesa ai bazuar te subjekti.

3. Term kyç i filozofisë së Heidegger-it, që do të thotë pak a shumë : shtigje që s’të çojnë gjëkund.

4. Sipas mitologjisë, demi i Minosit, ose Minotauri, doli nga dallgët e shkuma e detit.

Imazhi në kopertinë: City Structure nga (c) Mustafa Lamaj (http://mustafalamaj.com/)

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin