Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

TË MUNDËSH TË KEQEN ME PIKTURË

(Shënime për filmin gjerman «Vepra pa autor» të regjisorit Florian Henckel von Donnersmarck, fitues i çmimit «Oskar» me filmin «Jeta e të tjerëve»)

Nga Ilir Yzeiri

[kujdes: përmban spoilers]

E kam parë dy herë filmin «Vepra pa autor» që në anglisht ka mbajtur titullin «Never look away» (Mos shiko larg), dhe në të dyja rastet jam befasuar njëlloj. Ky film, për herë të parë, është shfaqur në vitin 2018 dhe u vlerësua mjaft. Ka qenë i nominuar për Oscar në vitin 2019 dhe arriti mes 5 më të mirëve në natën finale. Kur u shfaq për herë të parë në Festivalin e Venecias, në vitin 2018, sapo mbaroi, spektatorët u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën plot pesëmbëdhjetë minuta.

Më kujtohet se, kur e kam parë për herë të parë në platformën «Digitalb», ka qenë pak para mesit të natës dhe më duket ka qenë viti 2019. Ashtu, duke lëvizur me telekomandë, nuk e di si mbeta aty. Filmi kishte filluar. Unë nuk e kisha kapur nisjen e tij, mirëpo vazhdimi ishte aq intrigues, saqë nuk të linte të të shpëtonte as edhe një sekuencë. Pasi e mësova titullin  dhe lexova gjithçka rreth filmit, e ruaja që ta kapja përsëri në një nga programet e «Digitalb»-it dhe ashtu ndodhi, e pashë përsëri në një nga këto ditët e qëndrimit në shtëpi, për shkak të pandemisë.

Të vonuar

E kisha menduar qysh më parë se do të shkruaja diçka mbi këtë film, por stepesha nuk e di pse, ndoshta, se si më vinte kur mendoja që ai është një prodhim i vitit 2018, që ka qarkulluar në shumë vende në vitin 2019 dhe unë që mrekullohem me të në vitin 2020 !!! Pse jemi gjithnjë të vonuar, përsëritja me vete dhe kësaj pyetjeje nuk i jepja dot përgjigje.

Do të doja shumë që edhe te ne ngjarjet e mëdha kulturore si, fjala vjen, filmat e rinj që bëjnë bujë, ekspozitat në pikturë, muzikantët, shkrimtarët, shkurt, gjithë rrjeti i kulturës që qarkullon në Europë apo në SHBA, të na përfshinte edhe ne, në kuptimin që të arrinim edhe ne të bëheshim pjesë e të njëjtit areal dhe e të njëjtit publik si ata, por nuk ndodh kështu. E keni vënë re: ne nuk kemi krijuar ende sot network-un ballkanik të kulturës, pra, nuk kemi krijuar një publik të vetëm ballkanik që të arrijë të informohet në të njëjtën kohë për një vepër që del në Tiranë, Prishtinë, Beograd, Athinë, Bosnjë, Podgoricë. Madje, ne nuk arrijmë që edhe mes dy kryeqyteteve shqiptare, pra, të të njëjtit komb, të kemi të njëjtin publik. Nganjëherë më duket se formulat patetike që popujt afrohen përmes kulturës, se arti i bashkon njerëzit apo plot të tilla kësisoj që përdoren në tekstet e sociologjisë vulgare, për shkak se thonë të vërtetën, nuk janë bërë realitet asnjëherë në hapësirën ballkanike. Në këtë hapësirë nuk shtyhet puna me të vërteta, por me mite dhe legjenda urbane. Kultura dhe arti, sipas meje, janë të fundit që mbërrijnë në publikun e një bashkësie tjetër. Nëse vendin e shkëmbimit agresiv të akuzave politike apo nacional romantike do ta zinte shkëmbimi kulturor, do të duhej që shumë akte ligjërimore të shuheshin. Por kjo është një histori tjetër. Më duket sikur koha ligjërimore për ne, shqiptarët, nuk ka ndryshuar. Në diktaturë kishim muret ideologjike dhe ato represive që na ndanin nga kultura e të tjerëve. Sot që këto mure kanë rënë, janë ngritur bedenat e injorancës, mediokritetit, idiotësisë, provincializmit dhe sharlatanizmit. Që të jesh pjesë e publikut perëndimor, duhet të kesh institucione moderne që të t’i përcjellin ato ngjarje. Për fat të keq, në Shqipëri këto institucione nuk ekzistojnë.

Cili është regjisori Florian Henckel von Donnersmark?

Është shumë interesante karriera e këtij regjisori që sot llogaritet si një ndër më të mirët në botë dhe, padyshim, më i miri regjisor gjerman i kësaj periudhe. Është vetëm 47 vjeç me origjinë nga Silezia e Epërme. Rrjedh nga një familje fisnike që mbante titullin Graf (Kont). Ka lindur në Këln, por është rritur mes New York-ut, Brukselit, Shën Petërburgut dhe, natyrisht, në Mynih. Studion fillimisht në Oksford për filozofi e drejtësi, pastaj shkon në Petërburg dhe studion letërsinë ruse. Kthehet në Gjermani dhe regjistrohet në Shkollën e lartë të Kinemasë dhe Televizionit. Pasi mbaron studimet atje, realizon disa filma me metrazh të shkurtër derisa nis punën për filmin « Jeta e të tjerëve » (2006), i cili tregon jetën e përgjuar të një artisti nën vëzhgimin e rreptë të STAS-it. Nominohet për çmimin Oscar si filmi më i mirë i huaj dhe e fiton atë në vitin 2006. Pas kësaj, jeta e tij ndryshon rrënjësisht dhe, ashtu si shumë artistë të tjerë para tij, zhvendoset me gjithë familjen në Los Angeles, madje banon pranë vilës së shkrimtarit të madh, gjermanit tjetër Thomas Mann. Gjatë qëndrimit aty realizon një film tjetër «The Tourist» me aktorët Angelina Jolie e Jonny Depp. Është një histori gjysmë thriller, gjysmë melodramë. Nëpër kanalet e Venecias, një agjente dhe një i panjohur (turisti) iu shmangen një grupi mafioz që tenton t’i kapë me qëllim që të marrë një shumë marramendëse parash. Aksion, ndjekje, melodramë, filmi u duk si një shfaqje e zakonshme, në fillim, por arriti të grumbullojë shifra marramendëse të ardhurash. Megjithatë, regjisori gjerman nuk mbeti i kënaqur. Dhe iu vu punës për të realizuar një film tjetër, por këtë radhë nga vendi i tij, nga Gjermania. Ishte në dilemë mes «Budenbrok»-ëve të Thomas Mann-it apo ndonjë vepre tjetër. Ndërkaq, kishte rënë në kontakt me biografinë e piktorit më të madh gjerman ende gjallë, Gerhard Richter. Një histori e jashtëzakonshme. I shkruan atij, por ai ngurron. Më në fund takohen dhe në fillim piktori e pret me hezitim dëshirën e Donnersmarck-ut për të bërë një film për jetën e tij, një film biografik. Pastaj bindet, pastaj heziton. Mirëpo nga bisedat me të, regjisori e kishte bërë thuajse gati skenarin. E kishte lexuar, studiuar dhe përthithur aq thellë jetën e këtij artisti, saqë e shihte atë gati si një film të përfunduar. Dhe ajo që e kishte befasuar më shumë, ishte sfida që i kishte bërë ky artist i madh dy regjimeve totalitare: nazizmit dhe komunizmit me anë të pikturës. Ndërsa jeta e tij personale kishte qenë aq shumë e mbushur me tragjedi e drama, sa vështirë se mund të gjenden në një jetë të vetme.

Në sytë e një fëmije

Donnersmarck është quajtur mjeshtër i imazhit dhe vështrimit në këtë film sepse, këtu, ai ka zgjedhur sytë dhe vështrimin në vend të kamerës. Fëmija i vogël Kurt, bashkë me tezen e tij të bukur gjenden në një ekspozitë me piktura dekadente të një arti «të degjeneruar», amoral, të turpshëm dhe reaksionar, sipas mendimit zyrtar të kohës në Gjermaninë hitleriane. Ciceroni i kësaj ekspozite, një nazist i ri, u shpjegon të pranishmëve amoralitetin e këtyre veprave. Jemi në Dresden në vitin 1937 dhe Hitleri po instalon nazizmin. Kështu hapet filmi. Kamera lëviz sa në portretin e ciceronit, pastaj te pikturat që janë më shumë kubiste, ekpsresioniste, abstrakte dhe ndalet në portretin e bukur të tezes së Kurtit të vogël Ellisabet May (Saskia Rosendahlt). Lidhja e tyre nuk është thjesht marrëdhënie gjaku. Regjisori, duke lexuar vështrimin e Kurtit të vogël, vetëm 6 vjeç, sytë e tij të përhumbur në portretin e tezes së bukur dhe pastaj një pëshpërimë në vesh duke i thënë atij se asaj, në fakt, i pëlqejnë këto piktura ndërsa sytë e Kurtit të vogël që ngjajnë me vështrimin e autorit që pulit sytë për ta parë më mirë objektivin, të gjitha këto, nuk kuptohet nëse pohojnë atë që sapo i tha kushërira, apo vijojnë të jenë të mbërthyer nga bukuria e saj.

Kthehen në shtëpi. Ata i kanë larguar nga Dresdeni sepse babai i Kurtit të vogël nuk kishte pranuar të bëhej anëtar i partisë naziste dhe tani jetojnë në periferi të qytetit. Ellisabeta ka pasion muzikën dhe kjo ndjeshmëri për tingullin e ka bërë atë pak psikotike: ndien dhe kupton vetëm një notë dhe i duket se me atë notë muzikore bota mund të shpëtojë. Tani regjisori ka vendosur të përdorë vetëm një mjet për ta sfiduar nazizmin: artin. Ajo ndalon në stacionin e autobusëve dhe shoferët, të mësuar me ritualin e saj, ndezin dritat dhe në sinkron u bien borive; qëndron para tyre me krahët hapur gati si në ekstazë dhe kamera lëviz sa te trupi i saj, sa te plani i gjerë i autobusëve dhe mbyllet te sytë e Kurtit të vogël. Është si një atako me tromba në një orkestër simfonike.

Në rrëfimin e mëtejshëm filmik ai përdor elipsën dhe në ekran ti sheh vetëm portrete, pak lëvizje dhe në çdo rast vështrimin e Kurtit të vogël vetëm 6 vjeç që është i pasionuar me pikturën, por jo me çdo lloj gjinie, po me nudon. Rrëfimi lëviz shpejt. Ndizen dritat dhe Ellisabetën e bukur bashkë me shumë të reja të tjera i shohim në një paradë entuziaste duke brohoritur për Hitlerin. Ai do të kalojë aty dhe një nga organizatorët, kur sheh portretin e saj, e tërheq në reshtin e parë dhe i jep një tufë me lule. Pra, ajo do të jetë e përzgjedhura për t’ia dhënë Fyhrerit tufën me lule. Plastika e saj shpreh edhe një lloj ekstaze, edhe një lloj neverie, sytë i mbushen me lot që nuk kuptohet nëse janë lot gëzimi apo trishtimi. Që këtu regjisori e zhvendos kamerën në shtëpinë e Kurtit të vogël dhe na paraqet Elin nudo duke i rënë pianos, pastaj Kurti që hyn në dhomë dhe vështron atë. Ajo e ndien, kthehet, ngrihet në këmbë dhe i thotë atij: «Never look away». Ky është thelbi i filmit, apo esenca e krijimit, filozofia e artit e të gjitha bashkë.

Më pas, ashtu në këmbë shfaq shenjat psikotike. Me një pjatë, nudo siç është, godet kokën dhe thotë fraza, po ashtu, të errëta. Hyn e ëma, e sheh në atë gjendje dhe tani veprimi lëviz shpejt. Vepron elipsa dhe autori na rrëfen si një mjeshtër i madh peneli me linja të shpejta një nga tragjeditë dhe krimet më monstruoze të nazizmit – sterilizimin dhe më pas mbytjen e atyre njerëzve që nuk ishin të pastër mendërisht dhe fizikisht. E ëma, me naivitet, e dërgon te një mjek psikiatër të bijën. Ai e raporton rastin dhe vajzën e dërgojnë te një mjek gjinekolog dhe këtu shfaqet një tjetër figurë kyç e filmit, Herr profesor Carl Seeband, interpretuar nga Sebastian Koch, i njëjti aktor që në filmin «Jeta e të tjerëve» interpretonte dramaturgun e përndjekur nga STAS-i. Këtu, nën petkun e oficerit të bindur nazist, ai ka nxjerrë në reliev një tjetër rol të madh. Skena edhe është e jashtëzakonshme. Vështrimi i ngrirë i Herr Profesorit, sytë e bukur jeshilë dhe lutës të Ellisabetës, pastaj një fletë vizatimi i një fëmije në tavolinën e mjekut. Dhe në fund, fraza e ngrirë, caktimi i orës se kur do të bëhet sterilizimi i të sëmurës. Shpërthimi në lot, lutja dhe përgjërimi i saj në këmbët e Herr Profesorit dhe qëndrim i tij i akullt e japin në mënyrë të shkëlqyer këtë përmasë të krimit. Dhe në fund, një detaj që i përmbledh të gjitha: kamera shkon te këpucët e Herr Profesorit dhe aty është një pikë lot i vajzës që është nxjerrë nga zyra e tij me dhunë nga dy mjekë të fuqishëm. Kamera ngrihet lart dhe Herr Profesori bën një lëshim: telefonon dhe i thotë vartëses së tij që ndërhyrjen nuk do ta bëjë ai.

Që këtu tregohen pastaj skenat e të sëmurëve dhe atyre me probleme të lehta psikike e pastaj mbytja e tyre në një dhomë gazi. Pamja në fund me femrat lakuriq të shtrira në një dhomë me çimento, pra, ashtu të mbytura nga gazi helmues, ngjet më shumë me një tablo pikture të trishtë, sesa me fundin e një masakre.

Jeta në Dresdenin komunist

Mbyllet pjesa e parë e filmit dhe tani, pasi autori ka treguar gjithmonë me stilin e tij eliptik, vdekjen edhe të kushërinjve të Kurtit të vogël dhe vëllezërve të Ellisabetës, të cilët vriten diku në frontin rus, bombardimin nga aleatët të Gjermanisë, tani e zgjeron planin dhe na tregon Dresdenin gërmadhë e të shkatërruar nga lufta. Jemi në vitet ’50 dhe Kurti i vogël tani është student. Këtë rol e luan me mjeshtëri të madhe Tom Shilling (Tom Schilling). E çuditshme është se vështrimi i Kurtit të rritur është identik me atë të Kurtit të vogël dhe portreti i Tom Shillingut ngjet në mënyrë të përkryer me atë të piktorit Gerhard Richter prej jetës së të cilit, regjisori Donnesmark ka marrë subjektin, siç e përmendëm në fillim.

Kurti regjistrohet në degën e pikturës në Dresdenin që administrohej nga rusët fitimtarë dhe autori, përpara se të shtyjë veprimin në ato shtigje që e bëjnë rrëfimin të duket i natyrshëm, ka futur një episod që të kujton edhe një tjetër nga filmi «Jeta e të tjerëve». Herr Profesori, siç i pëlqen ta thërrasin, është arrestuar nga sovjetikët dhe mbahet në burg në një godinë ku jeton edhe familja e komandantit rus. Një natë, ai dëgjon ulërimat e një gruaje dhe e kupton se ato janë britma nga dhimbjet e lindjes. Me intuitën e mjekut profesionist e kupton se gruaja ka një problem dhe i thërret rojës që të shkojë menjëherë ta ndihmojë. Po lindte gruaja e shefit të madh rus. Pas një hezitimi të kuptueshëm e lënë të ndërhyjë dhe ai e shpëton gruan dhe fëmija lind. Nyja e subjektit është lidhur përsëri. Komandanti rus i premton se do t’ia shpërblejë këtë të mirë dhe i ndryshon emrin, i jep një identitet tjetër dhe mjekun nazist që kishte marrë pjesë në krimet e sterilizimit dhe të eutanazisë, e gjejmë përsëri si mjek të shquar në Dresden me një shtëpi të madhe e luksoze. Vajza e tij, Ellie Seeband (Paula Beer) vizatimin e së cilës kur ishte fëmijë, Herr Profesori e mbante në tavolinën e punës, siç e përmenda më lart, studionte dhe ajo në këtë fakultet, por në degën e modës. Për cilindo regjisor apo autor, fijet e intrigës do të lidheshin dhe veprimi do të bëhej jo vetëm tërheqës, por edhe dramatik. Ashtu ndodh. Kurti bie në dashuri me Ellien dhe, madje, gjatë lidhjes së tyre, ajo mbetet shtatzënë. Kjo pjesë e jetës në Dresden është shumë interesante sidomos për ne shqiptarët. Paraqitja e jetës studentore të degës së pikturës me studentë që vizatojnë modelet e punëtorit dhe korrëses, retorika e klasës punëtore dhe unitetit, pra, realizmi socialist me gjithë shtrirjen e tij në hapësirën e mendimit, këtu jepet me shumë vërtetësi. Ashtu siç jepet hapësira e realizmit socialist, me po atë ndjeshmëri jepet edhe filozofia e këtij arti, kuptimi i të cilit qëndron tek ajo «NE»-ja e famshme dhe jo te UNË, UNË, UNË, që karakterizon artin perëndimor. Narrativa e kësaj pjese të filmit është e njëjta me atë që kemi dëgjuar e lexuar në socializëm.

Kurti është i talentuar dhe këtu përsos më tej edhe teknikën, sidomos në vizatim. Atij i besojnë punë të rëndësishme si një murale të famshme që ngjet me atë që ne kemi në ballë të Muzeut Kombëtar. Mirëpo, në vështrimin e tij ka gjithmonë një melankoli që vjen edhe për shkak se ky lloj arti nuk i pëlqen, sepse në nënvetëdije i qëndron sidomos ajo që i kishte thënë edhe tezja e bukur «Never look away» apo ndoshta edhe njohja me artin modern. Ndërkaq, marrëdhënia e tij me Ellien ka ecur shpejt. Ai tashmë është bërë pjesë e familjes së saj dhe aty Herr Profesori zbulon anën e tij të errët si mjek nazist që vlerëson, sidomos, genin e pastër. Sapo e sheh Kurtin, ai vëren se buzët i ka të varura dhe kjo është një shenjë, sipas tij, që ai mund të ketë të trashëguar një sëmundje nervore. Heton dhe zbulon se ai i përket një familjeje, një pjesëtar i së cilës kishte këtë cen. Dhe vendos që edhe vajza e tij duhet ta abortojë fëmijën. Sajon një sëmundje dhe ia aborton fëmijën edhe vajzës së tij. Të dy, edhe Kurti, edhe e bija e profesorit flasin hapur për të shkuarën e tij naziste. Siç e thashë pak më lart, ai kishte shpëtuar falë atij kompromisi me shefin rus. Në filmin «Jeta e të tjerëve» një punonjës i STAS-it e fsheh një përgjim dhe e ndihmon dramaturgun që të mos arrestohet. Kjo përthyerje pak melodramatike që iu bën personazheve kyç autori, e bën filmin më njerëzor dhe e shmang nga shabllonet. Në këto kushte, Kurti dhe Ellie vendosin të shkojnë në Gjermaninë Perëndimore. Jemi në kohën kur ende nuk ishte ndërtuar muri i famshëm. Më parë, edhe Herr Profesori ishte detyruar të largohej nga Gjermania Lindore. Një ditë e thërrasin në Ambasadën ruse dhe shefi që e kishte mbrojtur, i thotë se do të transferohet në Moskë dhe nuk e mbron dot më, ndaj edhe ai duhet të largohet nga vendi.

Jeta dhe arti në Perëndim

Mbërrijnë në Gjermani dhe aty autori na njeh me akademinë e artit modern të Düsseldorfit, i njohur në atë kohë si qendër e avanguardizmit. Jeta këtu nis me kampin e pritjes së refugjatëve, pastaj vështirësitë ekzistenciale. Piktori i shquar në Lindjen Komuniste, që mund të kishte një banesë të madhe, madje bleu dhe një makinë atje, tani do të duhej të punonte edhe si pastrues që të paguante studimin dhe qiranë. Por pjesa më e bukur filmit është jeta në Akademinë e Arteve. Këtu, vështrimi i Kurtit bëhet refleksiv dhe ai vetë e ka të vështirë të përshtatet me këtë lloj arti, i cili në pjesën më të madhe është performim, instalacion, është Unë Unë Unë, siç u kishte thënë dikur pedagogu i realizmit socialist në Dresden. Mirëpo, këtu, autori ndërton një personazh tjetër që është një paralele e një piktori real të kohës dhe ky është profesori i rreptë e serioz Antonius van Verten, interpretuar prej Oliver Masuccit. Ai mban një kapele republikë në kokë, të cilën nuk e heq kurrë dhe legjenda urbane e studentëve e ka mbushur me lloj-lloj rrëfimesh atë enigmë. Është gjithmonë i pakënaqur dhe përçmues. Shokët e kursit i thonë Kurtit se vetëm në orët e tij nuk duhet të mungosh. Ai këmbëngul që gjithsecili duhet të tregojë një metaforë të jetës së tij. Punët e tij nëpër ekspozita janë instalacione me shajak dhe me dhjamë. Por askush nuk e di pse. Një ditë, në një orë leksioni, kur ai pyet se çfarë ju ka bërë përshtypje, Kurti, që kishte vënë re lojërat e fatit me numra, i përgjigjet: numrat. Numrat kanë një fuqi që askush nuk e ka. Nëse unë them disa numra tani, nuk kanë asnjë kuptim, por kur spikerja lexon numrat që kanë fituar në një lotari, ato ndryshojnë jetën e një njeriu. Të gjithë qeshin, por profesori jo. Shkon dhe i viziton atelienë që kishte Kurti si student dhe nuk kënaqet me atë që sheh, sepse aty ai pa punime moderniste : rrathë, ngjyra apo njolla ngjyrash të hedhura kuturu, por nuk po shoh se cili je ti, – i bërtet ai Kurtit. Dua të di cili je ti dhe aty i tregon enigmën e vet. Unë kam qenë aviator gjatë Luftës, i thotë ai, dhe, gjatë një operacioni, avioni goditet dhe biem në Siberi. Shoku im vdes ndërsa unë isha plagosur keq në kokë. Më gjejnë barinjtë nomadë tartarë dhe më mjekojnë me dhjamë e shajak dhe heq kapelën e i tregon shenjat e kokës së plagosur. Largohet me vrull dhe tani Kurti e kupton pse ai performon me dhjamë e shajak. Këtë rrëfim, autori e shoqëron edhe me pamjet filmike të avionit të rrëzuar e tartarëve që mjekojnë pilotin e dikurshëm, sot pedagog arti.

Narrativa duket sikur ngec. Ne shohim gjithmonë e më shumë një kanavacë të bardhë dhe Kurtin përballë saj që nuk arrin të hedh dot asnjë penelatë.

Ndërkaq, në Perëndim autori na njeh përsëri me jetën e profesorit. Ai ka qenë pothuajse kudo dhe një ditë vjen të takojë edhe vajzën dhe dhëndrin e tij. E fton për darkë dhe i kërkon që të shkojë në zyrën e emigracionit që të çojë fotografitë për kartat e identitetit. Janë katër fotografi si ato që bëheshin dikur për pasaportë. Ndërsa po darkonin, hyn një gazetashitës dhe, duke u kërkuar klientëve të blinin gazetën, bërtet se është arrestuar dr. Kroll, shefi i Seebandit, ai që kryesonte grupin e mjekëve nazistë për krimet e sterilizimit dhe eutanazisë ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara në Gjermani dhe atyre të sëmurë mendërisht. Herr Profesori dridhet dhe largohet. Kurti qëndron dhe pak dhe, duke dalë, i kërkon një klienti që ta shohë pak gazetën. Ai i thotë ta marrë se i interesojnë vetëm faqet sportive. Shkon në studio, nxjerr nga arkivi fotografitë e familjes dhe aty, mes të tjerash, është një foto ku ai ndodhet në prehrin e teze Ellisabetës. Një fotografi të ngjashme kishte, në të vërtetë, edhe piktori Gerhard Richter. Shikon dhe fotografinë e gazetës me nazistin e arrestuar, në profil, me syze, dhe fillon të pikturojë. Në fakt, projekton me videoprojektor në kanavacën e tij fotografinë dhe e riprodhon atë. Pastaj vendos aty fotografitë e Seeband-it, i riprodhon edhe ato dhe pastaj mbi to vendos fotografinë e tezes së tij dhe të tria bashkë i shkrin me teknikën e retushimit me viza të lehta horizontale, një teknikë që e kishte përdorur që fëmijë kur pa ambulancën që e mori me përdhunë tezen tij dhe ai vuri dorën përpara, hapi gishtat dhe kështu shikonte pamjen flu të rrëmbimit. Kjo teknikë, që përdoret për të realizuar fokusim-shfokusimin, është një nga mjetet stilistike që ka përdorur edhe Gerhard Richteri i gjallë. Por këtu, efekti është i magjishëm. Ti e shikon këtë tablo dhe aty, në njërën anë sheh portretin e tezes së bukur, pastaj vështrimin e ngrirë si në fotografi pasaporte të mjekut që urdhëroi sterilizimin e saj dhe pastaj portretin e kryenazistit që drejtoi këtë masakër. Të gjitha në një tablo dhe të gjitha përmes teknikës së rrëfimit fotografik. Gerhard Richter ishte, po ashtu, edhe një fotograf i madh. Filmi ka triumfuar.

Kurti hap ekspozitën e tij të parë në Perëndim dhe kjo vepër, si dhe fotografitë dhe punët gjysmë realiste e gjysmë ekspresioniste tërheqin vëmendjen e kritikës. Ai ka vendosur edhe një foto të gruas së tij, Ellies, nudo duke zbritur nga shkallët, që është një reminishencë e piktorit të famshëm francez Marcel Duchamps «Nudo që zbret shkallët». Edhe Gerhard Richter kishte vendosur në ekspozitat e tij një fotografi të bashkëshortes duke zbritur shkallët. I pyetur nga gazetarët se çfarë teknike përdor dhe çfarë do të thotë me këto vepra, ai përgjigjet se nuk e di, vetëm se më duket se forcën dhe magjinë që ka fotografia familjare, nuk e ka asnjë art.

Kurti del nga ekspozita dhe ecën bri një ure, pastaj shkon në një vendqëndrim autobusësh dhe aty ndizen dritat e bien boritë njëherësh. Ngre krahët, pastaj kthehet, dritat e tyre fiken dhe ai ndez një cigare dhe humbet diku.

Filmi ka mbaruar dhe vetëm tani ti kujtohesh se ai ka zgjatur 3 orë e 10 minuta.

 

© 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Rrofsh per rekomandimin e filmit. E pashe mbreme. I shkelqyer. Kinematografia germane eshte bere shume interesant me rishikimin e historise dhe vecanerisht te propaganden historike. Mbase kjo I dedikohet edhe fatit apo fatkeqesise qe gjermania eshte I vetmi vend ne bote qe ne nje gjysem shekulli ka perjetuar koncentratin e propaganden naziste, komuniste dhe westerniste. Good luck with that.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin