nga Mikaela Minga
Kam një nxitje të përveçme kur më takon të flas për punën e Thoma Simakut. Kompozitori ka qenë këto ditë në Tiranë për një seri aktivitetesh në lidhje me krijimtarinë dhe mësimdhënien e kompozicionit. Njëri ndër ta ishte edhe prezantimi i albumit Thoma Simaku: Solos and Duos for Violin and Piano[1] (Solo dhe duo për violinë e piano). Albumi është publikuar në gusht të 2019, me kolanën e etiketës NAXOS – Klasikët e shekullit XXI dhe është publikimi i dytë i Simakut me një etiketë diskografike prestigjioze sa i takon muzikës klasike dhe asaj bashkëkohore (i pari, daton në vitin 2008).[2]
E mora shtysën për të shkruar rreth këtij albumi së pari sepse më lidh me një pjesë më të hershme të formimit tim si muzikologe dhe që ka të bëjë me muzikën bashkëkohore të shekullit XX. Këtë interes e kam përcjellë me monografinë për Luciano Berion dhe Folk Songs (2008), të cilin e përmend posaçërisht këtu pasi ka qenë një figurë inicuese për mua drejt kësaj muzike; dhe e gjitha kjo ka ndodhur dikur rreth mesit të viteve 2000, në një kohë kur, ç’është e vërteta, studimi i saj brenda realitetit shqiptar mbetej ende një terra incognita. Së dyti, Thoma Simaku, është ndër ata kompozitorë të cilët përfaqësojnë jetën bashkëkohore të kësaj muzike, tashmë në mbyllje të dekadës së dytë të shekullit XXI. Nga etiketa Naxos, ai konsiderohet “si një ndër kompozitorët bashkëkohorë më të rëndësishëm dhe më tërheqës, muzika e të cilit është përshkruar si vizionare dhe krejt origjinale.”[3] Kurse nga komentet kritike do veçoja: “Eleganca e Ligeti-t dhe intensiteti i guximshëm i Kurtág-ut, një kombinim magjepsës. Kam ndjesinë e një muzike të pastër, plot seriozitet, karakterizuar nga dëshira e vetme e kompozitorit të shprehë vetveten, ” James H. North, për Fanfare Magazine, kurse Frank Kämpfer e përshkruan idiomën e Simakut si një kombinim mes avant-gardizmit dhe modalitetit në një mënyrë krejt të tijën (Avangarde und Ethnologie vereint, Deutschlandfunk, Cologne, 2008).[4]
Dhe është një fat i madh që e kemi, thënë kjo jo thjesht për t’i bërë qejfin, por me vetëdijen se tashmë Thoma Simaku ka krijuar një profil të vetin, të vlerësuar gjerësisht nga skena internacionale.
Simaku (1958) mbaroi kompozicion në Institutin e Lartë të Arteve, në klasën e Tonin Harapit më 1982. Për publikun e gjerë shqiptar, ndoshta materiali më elokuent i asaj periudhe mbetet muzika e filmit Duaje emrin tënd.
Gjithsesi veprat e tij spikatin qysh herët në koncertet e kohës. Në vitin 1991 shkon në Angli, duke u afirmuar gradualisht si kompozitor në karierë dhe njëkohësisht profesor në Universitetin e York-ut.
Sot ai vjen si një kompozitor me një katalog të pasur veprash; të gjurmueshëm në performanca të vazhdueshme nga formacione të njohura si Arditti Quartet, English Northern Philharmonia, London’s Kreutzer Quartet etj., si dhe nga solistë të njohur si Peter Sheppard Skaerved, Neil Heyde, Garth Knox dhe Madeline Shapiro. Pjesë e këtyre prurjeve është edhe albumi në fjalë Solo dhe Duo për violin e piano, me 8 vepra të shkruara në harkun kohor mes viteve 2000 – 2015.
Prej tyre do të doja ta filloja me Soliloquy V: Flauto Acerbo. Kjo është pjesë e një cikli kompozimesh për instrument solo, i cili daton qysh në fillim të viteve 2000. Ndonëse janë shkruar si të pavarura njëra nga tjetra, ato i bashkon një logjikë kompozicionale ku spikat synimi për të eksploruar me shumë fantazi aftësitë ekspresive dhe potencialin teknik të një instrumenti të vetëm. Kompozitori nuk pëlqen të përshkruajë me fjalë atë çka shkruan në muzikë, megjithatë di të kapë fjalë të caktuara dhe t’i tejçojë te muzika, një lloj semantike që zhvillohet në kufijtë mes gjuhës dhe tingullit. Kështu ideja e Soliloquy-t është një ide që lidhet drejtpërdrejt me gjuhën. I ka rrënjët te latinishtja Solus (vetëm) dhe Loqui (me fol) dhe në nivelin bazik i referohet aktit të të folurit me vete, ndërsa në një nivel më të kultivuar ka të bëjë me teatrin dhe tregon një interpretim solo (poemë, ligjëratë, fjalë e një aktori në një dramë), në trajtën e një monologu refleksionesh të pathëna. Këtë format Simaku e tejçon te tingulli, duke krijuar një akt tingëllor, të cilin e “rrëfen” instrumentisti.
Është një logjikë e cila më kujton Sequenza-t e famshme të Luciano Berios. Berio shkruan Sequenza 1 për flautin e Severino Gazzelloni-t në vitin 1958[5], ndërsa Simaku shkruan Soliloquy V 50 vjet më vonë, në 2008 për flautin e drunjtë të Chris Orton-it.[6] Kemi sërish atë afinitetin semantik, përmes nëntitullit: Flauto Acerbo që të çon tek ato përvoja që të ngërthejnë fort, thumbuese, diçka që nuk ka arritur pjekurinë por që kërkon një instrumentist të pjekur për ta luajtur si duhet. Vepra iu porosit Simakut nga instrumentisti Chris Orton dhe një vit më vonë, ishte fituese e BASCA Award, në kategorinë Instrumente Solo/Duo, ku juria unanimisht e vlerësoi me motivacionin: “Kjo vepër ripërkufizon instrumentin në një mënyrë vizionare dhe krejt origjinale; për t’u vlerësuar virtuoziteti, shprehja e thellë dhe imagjinata e fuqishme.”[7]
Soliloquy V
Nëpërmjet ciklit të Soliloquy-it mund të gjurmojmë një prirje të veçantë të Simakut për t’u përqendruar tek veprat solistike, qysh në vitet 2000 e në vijim. Për shembull do veçoja dy pjesët e para të CD-së, Signals (2015) për piano solo dhe Capriccioso për violin solo (2014). Nga shënimet e kompozitorit në lidhje me këto vepra, mësojmë se e para përqendrohet te kuinta e pastër, një interval i cili e mbështjell veprën, ndërkohë që teknikisht, karakterizohet nga një format mekanik, goditës, i cili shtrihet në gjithë tastierën. Personalisht do të vëreja gjithsesi, që qëndrimi fiks në tinguj të caktuar e lidh këtë pjesë me një lloj tingulli bazë, i cili është karakteristik edhe për veprën pasuese: Capriccioso për violinë solo. Kjo përqendrohet në një notë të vetme, diçka që kompozitori e lidh me ison. Ai e fillon dhe e përfundon me këtë tingull dhe ekoja e tij ndjehet edhe në çastet kur nuk dëgjohet. Ai është gjithmonë atje, në sfond, si një bërthamë me një fuqi tingullore gravitacionale.
Philip Buttal në recensionin e tij mbi albumin Simakut e vlerëson këtë prirje të tijën për të kundërvendosur struktura akordike komplekse përkundrejt seksioneve që vërtiten rreth një note të vetme. “Përdorimi i këtyre pedaleve, karakteristike për muzikën antike të Ballkanit është një pikë e spikatur”, shprehet ai dhe shton se në këtë kuadër shfaqet edhe një cilësi tjetër, e vazhdueshme: përdorimi efektiv dhe i kujdesshëm i heshtjes mes tingujve.[8]
Cappricioso
Në dëgjimin e kësaj vepre, krahas këtyre aspekteve do të doja të ktheja vëmendjen edhe te akspekti i virtuozizmit, i cili e karakterizon pjesën. Vlen të çmohen nga kjo pikëpamje, aftësitë e jashtëzakonshme interpretative të një instrumentisti të mirënjohur si Peter Sheppard Skaerved, të cilit edhe i është dedikuar pjesa. Është raporti mes virtuozizmit dhe instrumentacionit, të cilin e shpjegon shumë bukur Berio kur flet për nxitjet që pati për të shkruar Sekuenca-t
“Kam shumë respekt për vituozizmin, thotë Berio-ja, ndonëse shpesh kjo fjalë të sjell para syve figurën e një muzikanti me duar të shkathëta, por me kokën bosh. Në fakt, shpesh herë virtuozizmi lind nga një konflikt; nga një shkallë e caktuar tensioni mes idesë muzikore dhe instrumentit; mes materies muzikore dhe materialit…dhe nëpërmjet një kundërvënieje të tillë në disa raste lindin shprehje që sjelin ndryshime të rëndësishme në raportet me instrumentin. Përvoja historike e ka treguar një gjë të tillë me krijimtarinë për violin të Paganinit, me veprat për piano të Bahut, Beethoveni-t Stravinski-t.”[9]
Dhe unë do shtoja që vazhdon ta tregojë edhe me krijimtarinë për instrumente solo të Thoma Simakut.
I rikthehem sërish asaj semantike në kufij mes gjuhës dhe tingullit, e cila gjurmohet te titujt e veprave të Simakut në këtë album dhe që shfaqet në trajta edhe më komplekse, “bizarre” i cilëson Buttall në recensionin e tij, tek vepra ENgREnage per violin e piano, “ingranazhe” me të cilat kompozitori krijon asociacionet përkatëse. Së pari, të lidhura me notën Re, si nota tek e cila muzika është përqendruar. Së dyti, parametrat mekanikë të këtij elementi, Simaku i aplikon në kompozicion, duke e vënë muzikën në lëvizje përmes një lloj lëvizjeje kontrapuntistike. Ai shprehet në shënimet shoqëruese se dy instrumentet ndjekin rrugën e tyre individuale dhe ndërlidhen vetëm në disa nivele. Ndërkaq, dinamikat që kapin shpesh ekstremitetet, me dialektikën e të kundërtave përbëjnë forcën kryesore të pjesës në tërësi.
Në fund, do të doja të ndalesh te dy vepra që e sjellin Thoma Simakun më afër atyre aspekteve të kontekstit kulturor shqiptar, kontekst të cilit ai gjithmonë i është referuar në një mënyrë apo në një tjetër. E kam fjalën për Moj e bukura More dhe The flight of the Eagle. Këngës, në fakt, Simaku i është kthyer herë pas here, megjithëse unë çmoj në mënyrë më të veçantë përpunimin që ai ka bërë për kor. Kjo këngë (melodia e të cilës, që të mos biem në kurthet mitike nuk është 500 vjeçare siç e dëgjojmë shpesh të thuhet, por më pak se 200 vjeçare) në fakt është materiali më “i kapshëm” le të themi, i gjithë albumit. Mua personalisht më vjen si një lloj “Amarcord” muzikor i autorit në këtë albumit; një rievokim i asaj çka ishte muzika një kujtesë nostalgjike e asaj çka nuk është më.
O e bukura More
Kjo më pas merr tjetër dimension tek The flight of the Eagle (vepra më e hershme e kompozitorit në këtë album), e frymëzuar nga një fjalë e urtë: Shqiponja fluturon në qiell, po folenë e bën në tokë. Edhe kjo na ankoron tek disa elemente të njohura të kulturës shqiptare: shqiponja, fluturimi, vetëm se këta nuk mvishen nga ato përmasa mitike e shpërdoruar në një kohë të caktuar në muzikën shqiptare, por përqendrohen tek ajo çka është esenciale: raporti i virtuozizmit me instrumentacionin; raporti mes asaj që lëviz, hapërdahet në ajër, fluturon derisa përfundon. Të jetë kjo një metaforë edhe e diçkaje që mbaron me muzikën shqiptare?
Zgjidh ta lë përgjigjen në perspektivën individuale të çdo dëgjuesi, me synimin që këto fjalë të ishin një ngjallje kureshtjeje drejt botës tingullore të Thoma Simakut te e cila angazhimi kryesor mbetet ai me tingujt dhe dëgjimin inteligjent të tyre.
(c) 2019, Mikaela Minga.
[1] Ky recension është një variant i përpunuar i ligjëratës së mbajtur në 21 nëntor në Akademinë e Shkencave, për prezantimin e albumit.
[2] https://naxosdirect.co.uk/items/thoma-simaku-quartets-2-and-3-3-soliloquys-147213
[3] https://naxosdirect.co.uk/items/thomas-simaku-solos-and-duos-for-violin-and-piano-504897
[4] https://www-users.york.ac.uk/~ts8/press.html
[5] Severino Gazzelloni (1919-1992) flautist shumë i njohur, me një gamë të gjerë veprash që shkonin nga muzika antike deri te shek.XX. Aktiv edhe në kurset e Darmstad-it, kontribuoi gjerësisht në rëndësinë që pati flauti në avangardën muzikore të shek. XX.
[6] Chris Orton është instrumentist i fyellit të drunjtë (flauto dolce) dhe njëkohësisht pedagog e dirigjent. Është promovues i lojës me fyellin e drunjtë. Interpreton një repertor të gjerë por sidomos atë për fyell druri të shkruar në shek. XX dhe XXI, repertor të cilin kujdeset posaçërisht për ta promovuar, përmes porositjes së veprave nga kompozitorët bashkëkohorë.
[7] https://www.york.ac.uk/music/news-and-events/news/2009/thomassimakuwinsbascaaward/
[8] http://www.musicweb-international.com/classrev/2019/Oct/Simaku_violin_8579035.htm
[9] Mikaela Minga. Luciano Berio dhe Folk Songs. Tiranë: Uegen. 2008
Një ide e shkëlqyer të shkruash për Simakun! Një kompozitor po aq simpatik sa edhe muzika që krijon. Zatën ashtu ka qenë gjithnjë. Një djalë i gjatë e elegant, gjithnjë në lëvizje e dinamik. Dhe shumë i sjellshëm.
Më pas shkëmbenim mendime, veçanërisht pasi dilte ndonjë disk i tij apo kur orkestra të ndryshme evropiane ekzekutonin pjesë të tij (kujtoj një koncert të tillë në Bruge, Belgjikë).
Tani, për fat gjeta edhe ndonjë email të atyre viteve, që kam këmbyer me të . Njëri i përket datës 17 juill, 2008, pra gati një vit para se të fitonte British Composer Award (Instrumental) for Soliloquy Flauto Acerb.
Qe tamam ai edicion Soliloquy, që pasi e gjeta në Amazon, më la disi pa mend, nuk po orientohesha mirë, ca pasazhe te fillimit i mora si nje lloj ndikimi të largët nga Stravinski, por me tej vura re se ishte dicka tjeter krejt unike, muzike qe tentonte te perkthente ne nota nje gjendje ireale, transi.
Në dëgjimet e më pasme të atij disku m’u desh të korrigjoj gjësendi se herën e parë kisha gabuar duke e dëgjuar në makinë. Eshte një lloj muzike që kërkon kushte të tjera, te pakten ne fillim ka nevoje per nje vemendje te vecante, pastaj ajo të terheq vetë.
Dhe atëhere krijova një vizion tjetër dhe kete ia shpreha edhe vete Simakut, citoj (copy past): “… mbase gabohem, por disa jehona te largeta te vajeve tradicionale te jugut, nje si ëndërr, si makth i rëndë m’u duk sikur m’u shfaqen herë pas here….”
Dhe përgjigja e tij ishte kjo: “… Pershendetje Z. Kokonozi. Ju falenderoj nga zemra per fjalet tuaja te ngrohta dhe te sinqerta. Ju nuk gaboheni fare!! Rezonancat e muzikes se Shqiperise se Jugut (sic jane isoja dhe elemente te tjera vokale), ndihen qarte ne keto vepra ne pergjithesi, por ne “due sotto-voci” dhe “soliloquy II” ne vecanti.
Te pakten keshtu i degjoj une, por sic duket, nuk jam i vetmi qe i degjoj ne kete menyre. Fakti qe ju e permendi kete, qe per mua eshte nje kompliment i madh, me te vertete me sjell kenaqesi. CD-ja ka patur jehone mjaft te mire. Disa radio i kane transmetuar veprat. Me poshte po ju dergoj dy linke (Gjermanisht dhe anglisht)…”
Nuk mendoj se kam kompetencat e duhura për të folur gjatë për muzikën e Simakut, por kam përshtypjen se mund të ngrihet një problem “përkatësie” për artin e artistëve që krijojnë jashtë.
Simaku është nga ata të paktët kompozitorë që e ka shoqëruar me dinjitet muzikën shqiptare në kapercyell te shek XXI, ka pasuruar dhe rinovuar shprehjen e saj, por në thelb, pavarsisht trajektores që ka ndjekur, pavaresisht vendit ku krijon, unë jam i bindur se muzika e tij mbetet gjithnje muzikë shqiptare, ne shprehjen e saj me te evoluar. Simaku zhvillon elementë që tashmë kanë emigruar me të, në ADN-në e tij.
Kjo qe edhe arsyeja pse solla me siper si provë per nje gje te tille, këmbimin e më sipërm që kisha me të, këtu e më shumë se dhjetë vjet më parë.
Urime për shkrimin dhe vemendjen qe tregon, znj. Minga!