Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

BEKIM SHELBA FILLON JETËN PAS VDEKJES

Nga Mustafa Nano

[Më poshtë ju sjellim një pasazh nga romani i Mustafa Nanos “Lamtumirë babá”, botuar nga UET Press. Nga kapitulli i katërt. Bekim Shelba, mysliman, bashkëshorti i Anës (ortodokse), babai i dy djemve (Gurit që është ateist, dhe Adlit që është mysliman i epshëm), sapo ka ndërruar jetë, dhe ndodhet në botën e përtejme, ku nuk gjen atë që ka besuar se ekziston: takimet me engjëjt, parajsën, shtatëdhjetë e dy virgjëreshat, etj. Ngushëllohet sidoqoftë prej idesë se vdekja nuk është fundi, dhe se pas saj vjen përjetësia. Por kjo përjetësi “monotone” e ngroh shumë më pak sesa përvoja në tokë, e cila mbetet “pjesa më e bukur e jetës së pasosshme të njeriut”.]

…. [Bekimi] u vu ta maste me mendje kohën që kishte kaluar qysh prej momentit që ishte hedhur përkëtej, por kuptoi se nuk ishte në gjendje, ngaqë iu bë se njësitë matëse të kohës në tokë, sekondat, minutat, orët i ishin shkrirë në një, dhe kjo “një” nuk ishte njësi e re matëse e kohës, por ishte vetë koha që rridhte, një kohë e pamatshme dot prej tij. Por ai mund ta gjente me saktësi, mbi bazën e barazimit të njohur kuranik që lidhte kohët në të dy botët. I duhej të vinte në punë rregullin e treshit. Dinte, sipas Kuranit, që një ditë e tij tash e tutje do të ishte baras me një mijë vjet të Anës, dinte edhe sa kohë i ishte bërë Anës në tokë që ishte pa të. Nga këtu, pasi bëri disa llogari me mendje, i doli që një sekondë e tij ishte e barabartë me rreth katër ditë të Anës. Nuk e priste këtë rezultat. Iu shtua pështjellimi në kokë. “Anës nuk i janë bërë as 24 orë pa mua, e kështu i bie që këtej nga anët e mia të mos ketë rrjedhur më shumë se një fraksion i sekondës.” Hëm, këto llogari nuk i puqeshin me orën e tij të brendshme, e cila i thoshte se kishte më shumë sesa një fraksion të sekondës që ishte hedhur përkëtej. Qartësisht më shumë. As që diskutohej se koha në këtë botë rridhte më shpejt, shumë më shpejt, por jo aq shpejt sa përcaktohej në barazimin kuranik. E ngaqë e kishte të zorshme t’ia pranonte vetes këtë mospërputhje, vihej në gjurmë të ndonjë shpjegimi. Fjala vjen, llogaritë që ai kishte bërë mund të ishin një pesë me hiç, pasi nuk ishte e thënë, madje mund të ishte fare pa kuptim, që të shtihej në punë logjika e Tokës për të vërtetuar pohime që janë të vlefshme për Qiellin, veç për Qiellin, ku me siguri ka rregulla të tjera, që nuk ka se si t’ia rrokë truri njeriut. Përderisa mund të bëjë vaki – sapo e kishte menduar këtë gjë – që një engjëll të ndodhet në mijëra vende e takime në të njëjtin çast, në të njëjtën mënyrë mund të bëjë vaki që një numër të vërtetash të Tokës të kthehen përmbys në Qiell, mund të bëjë vaki, për shembull, që dy drejtëza paralele të ndërpriten, që një gjë të bjerë nga poshtë lart, që dy plus dy të jenë baras me çdo shifër tjetër, por jo me katër, që e tëra të jetë më e vogël se një pjesë e saj, apo që të bëhet seks me shtatëdhjetë e dy virgjëresha, s’ka gjë se organet gjenitale mund të kenë mbetur në varrezat e Bedenit, nja dy metra thellë nën tokë etj., etj. Po kështu mund të bëjë vaki që rregulli i treshit, kaq i zakonshëm e me kuptim në botën e Anës, që ai sapo e shtiu në punë për të matur kohën, të jetë një mufkë e madhe këtej nga bota e tij. Ose mund të ndodhte fare mirë që ndjesitë e tij lidhur me kohën që rridhte të ishin gënjeshtare, me fjalë të tjera nuk kishte pse e përjashtonte që kjo ora e brendshme e tij të ishte e pasaktë, apo që të kishte nevojë për një riprogramim. Ajo që kishte ndodhur ishte e jashtëzakonshme. Nuk ishte se Bekimi kishte ndërruar shtëpinë, apo vendin e punës, apo qytetin, apo xhamínë, nga ajo e Efendinjëve tek ajo e Dy Ortakëve. Ishte hedhur në një botë tjetër. E jo nga një botë çfarëdo në një botë çfarëdo, por nga Toka, ku të gjitha gjërat, edhe vetë toka, edhe vetë Ana, Ana e tij, janë të vdekshme, në Qiell, ku çdo gjë është e pavdekshme. Iu kujtua se në spital, para se t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale, kishte qenë në dhomë me një sipërmarrës nga Sh-ja, dhe ai i kishte folur për një çrregullim fizik e mendor që zgjaste nga disa orë deri në disa ditë pas një udhëtimi me avion nga Tirana në New York, që ai e quante xhatleg, a xhetlag, nuk i kujtohej mirë. “Është logjike, të duhet ca kohë të familjarizohesh me një regjim tjetër pune e pushimi,” i kishte thënë ai.

“Përfytyro tani se ç’mund të ndodhë me këtë xhatlagun tim, a si dreqin e quajnë, që nuk vjen thjesht prej ndryshimit të orareve, por prej një sistemi të ri të rrjedhjes së kohës,” mendoi Bekimi. “Pastaj, mund të jetë edhe tjetra,” ia bëri në përpjekje për t’i gjetur një shpjegim parehatisë që provonte prej përplasjes mes orës së tij të brendshme dhe orës kuranike, që dilte nga llogaritë e bëra pak më parë, “mund të jetë pra që pohimit kuranik se ‘një ditë në qiell është e barabartë me një mijë vjet në tokë’, ashtu si edhe Kuranit, apo Skripturave në përgjithësi, i duhet bërë një lexim në frymë, e jo në germë, e prandaj në rastin konkret ka rëndësi kumti që koha në qiell rrjedh ndryshe nga koha në tokë, e jo saktësia matematikore e barazimit kuranik”. Zuri të thoshte me vete se gabimi i tij ishte, e me gjasë gjithnjë kishte qenë, që Kuranin e kishte lexuar si të ishte një ushtrim aritmetike. Ndoshta edhe këtë fiksimin e engjëllit të vdekjes që do duhej t’i ishte shfaqur, tanimë, e kishte prej të njëjtit lexim. Sidoqoftë, në gjithë këtë përsiatje, një gjë dukej se ishte e vërtetë, një e vërtetë bazike, një e vërtetë që pranohej pa vërtetim: Koha në qiell rrjedh shumë më shpejt se në tokë. “Kjo do të thotë se, sido që të jetë, Ana e djemtë nuk do më mungojnë për një kohë të gjatë,” ngushëlloi veten. Iu vu sërish llogarive, gjithnjë me rregullin e treshit, që në të vërtetë sapo e vuri në diskutim, por ai rregull ishte, për sa kohë që në këtë botën tjetër ishte i papërvojë, i vetmi, me të cilin mund të bëheshin llogarira. E krahas tij ishte dhe barazimi kuranik, që atij i pëlqente, ngaqë u ikte formave e shifrave të ndërlikuara, ishte një barazim i thjeshtë, një me një mijë, dita përkundrejt viteve. “Nëse Ana do të mbetet në tokë, në rastin më të skajshëm edhe nja 30 vjet, atëherë i bie që këtej nga unë të kalojnë jo më shumë se 40 orë.” Iu duk një kohë pabesueshmërisht e shkurtër, dhe prandaj iu rivu llogarive, i sigurt se do kishte bërë ndonjë gabim. Por jo. Aq do duhej të priste, jo më shumë se 40 orë. “Ja, po e zëmë 400 orë, në rastin që ekuacionit kuranik do t’i fusnim një koeficient ngadalësimi. Edhe 400 orë nuk janë kushedi se çfarë.” Ndjeu një lehtësim që Anën do ta kishte shpejt pranë vetes. Por edhe djemtë nuk do vononin kushedi se çfarë. Gjithnjë, në rast se ata do rronin gjatë në tokë. Se mund të ndodhte siç ndodhi me atë vetë, që jeta atje mund t’u ndërpritej papritur para kohe, prej një aksidenti, a një lufte civile, a një lufte fetare, a sëmundjesh, si frëngjyza, veremi, gërbula, tartakuti, qimja, dhe në këto rrethana mund t’ia behnin në këtë botën tjetër nga çasti në çast. Përfytyroi takimin me Gurin, i cili, me një ton gjysmë triumfalist, do t’i thoshte: “Hë, baba, ku është ferri që është përgatitur për mua, e për ata që kanë qenë si unë? Ku m’i ke engjëjt, pemët, hijet, lumenjtë e parajsës? Ma mbaje mbi kokën e shtratit atë pikturën me frutat kuranike, me hurma, me rrush, me shegë etj., etj., mirëpo këtu nuk po shoh gjë. As shtatëdhjetë e dy virgjëreshat nuk po i shoh!” Dhe Bekimi do ta kishte të gatshme përgjigjen: “Kush ka gojë e flet! Ti do më kishe gjuajtur me shkelma, nëse unë do të thosha se vdekja nuk është fundi, apo se do piqesh edhe në këtë botë me tët’atë.”….

………………………………………………………………………….

….“Çfarë më pret në këtë jetë?” ia bëri, teksa po mbyllnin ceremoninë e varrimit të tij. Ndenji një copë herë atje, mbi kulmin e dheut që i kishin hedhur përsipër, nën shiun që lagte çdo gjë, veç tij. E para siguri që kishte marrë në këtë botë ishte që koha rridhte ndryshe, dhe tani po mendonte se e dyta gjë, për të cilën nuk kishte nevojë që t’i vërtetohej, ishte që koha e tij do të ishte si koha e botës ku ndodhej, e pambarimtë, e përjetshme. Nuk kishte ide se ç’lloj përjetësie do ishte kjo, por edhe në këtë pikë do gjëra i ngjanin të sqaruara. Kjo bota tjetër, kështu dukej, ishte shumë më e thjeshtë sesa përfytyrohej në tokë prej të gjitha besimeve, madje ishte fare e thjeshtë, e mbi të gjitha nuk ishte një rrethanë, në të cilën Zoti, tok me administratën e Vet qiellore, rrinte i gatshëm për të pritur të ardhurit nga jeta e tokës, për të ndarë nga trumba kanakarët e Vet, ata që ia kishin bërë zemrën mal gjatë qëndrimit në tokë, ngaqë kishin besuar jo vetëm se Ai ekzistonte, por edhe se Ai kishte pasur të zgjedhurit e Tij, Profetët, e këtyre të fundit u kishte diktuar rite e rituale të adhurimit të Tij, e porosi e urdhra, mbi bazën e të cilave njerëzit duhej të organizonin jetën atje, e për t’i bërë, pas një procedure të shkurtër verifikimi, të preheshin në parajsë, që ishte më e përsosura ndër veprat e Tij, dhe për të ndëshkuar në mënyrë shembullore të tjerët, ata që, për sa kohë jetuan në tokë, refuzuan besimin, apo përqeshën ata që besimin e bënë të tyrin. Nuk ishte kështu. Me sa duket, Zoti nuk kishte gisht në gjërat që ndodhnin në këtë botë, në tokë a në qiell. Ai i kishte krijuar të dyja, tokën e qiellin, dhe ishte në roje të krijimit të vet. Kaq.

E ç’mund të bënte me këtë jetë të vetën të pasosshme? Nuk e kishte idenë. Një mendje i thoshte se nuk ishte çudi të bëhej fjalë për një përjetësi monotone, apo monotoni të përjetshme, dhe nëse do të ishte kështu, i binte që vdekja, vdekja për fare, vdekja ashtu si konceptohej prej Gurit, domethënë shndërrimi në asgjë i trupit dhe i shpirtit, të ishte lule. Por një mendje tjetër i thoshte se nuk kishte gjasa që jeta e tij e përjetshme të ishte monotone. Ai ndihej i lirë, i lirë në kuptimin më absolut të fjalës, ndihej i lirë të lëvizte nëpër botë, në çdo cep të botës së madhe, të pasosshme gjithashtu, e kjo ishte një garanci se jeta veç monotone nuk mund të ishte. Për më tepër, kjo ndjesi kaq e fortë lirie, që ishte një gjë që ai po e provonte për herë të parë, i rrinte tok me idenë se mund të kontaktonte shpirtra të tjerë, në radhë të parë të vetët që kishin kaluar përkëtej më herët, edhe ata më të hershmit fare, ja, babanë e nënën i takoi në Beden, do t’i takonte sërish, e në të njëjtën mënyrë ai shpresonte se do të takonte edhe të tjerët, prindërit e prindërve, prindërit e këtyre të fundit, e kështu me radhë, do mund të fliste me ta, do mund të fliste pa fund, e për rrjedhojë do të mund të zbardhte edhe enigmën e origjinës së tij, gjë që Guri e kishte aq shumë merak. “Rebusi i origjinës së Shelbëve e paska një zgjidhje, Guri.” Toka do ishte destinacioni i tij i parapëlqyer. Aty kishte lënë Anën, dhe djemtë, të cilët shpejt do t’i bashkoheshin. Me atë botë e lidhnin edhe shumë kujtime, që kishin të bënin me ngjarje të ndryshme, të hidhura apo të lumtura, me persona që ai i kishte njohur, me momente të veçanta që jo vetëm përbënin kronikën e jetës së tij, por edhe ishin pse-ja e thelbit të qenies së tij, në tokë e në Qiell, siç ishin pëllëmba e parë që i kishte dhënë babai, një përfytje që kishte bërë në tetëvjeçare me një shok të klasës, i cili ia kishte dalë ta vinte poshtë, gjë që ai e kishte vuajtur për një kohë të gjatë, i dashuri i parë i Tatúsë, përdhesi i s’ëmës, namazi i parë që kishte falur në dhomën e vet, xhelozia që e kishte brejtur për një kohë të gjatë, derisa kishte fjetur mendjen se Ana tradhtinë nuk e bënte jo se nuk donte, por se nuk mundej, dhe kjo situatë e kishte bërë të ishte më mendjefjetur sesa do ishte nëse Ana nuk do ta tradhtonte për të kundërtën, nuk do ta tradhtonte pra jo se nuk mundej, por se nuk donte, nata kur, tok me dy shokë ushtrie, njëri nga Sh-ja, tjetri nga Gj-ja, u bë çakërrqejf me raki në një qebaptore pranë varrezave të Mushnikut, të rinjtë komunistë që iu sulën, për ta prishur, xhamísë së vjetër të Efendinjëve, por që në momentin e fundit u stepën të frikësuar, ngaqë njëri prej tyre, shí kur ngriti qysqinë për t’u rënë mureve, u alivanos e u plandos përdhé, hera kur kishte qenë në xhamínë e Efendinjëve dhe kur, me t’u kthyer mbrapa në përfundim të lutjes, kishte parë Gurin e Ursulën që po drejtoheshin nga dera e daljes, gjë që e kishte bërë të ndihej ligsht prej idesë se sapo ishte lutur nën mbikëqyrjen e tyre, një fqinj që e kishte ndalur një ditë në rrugë për t’i thënë se Adli bënte gili-vili, kështu i kishte thënë, gili-vili me Merjemen, ai i betohej se e kishte parë Adlin me sytë e vet që kishte hyrë në shtëpinë e saj, e kishte dalë prej andej treçerek ore më vonë, shoqja e Gurit, Ursula, që kur fliste me të, nuk ia ndante sytë për asnjë çast, duke e bërë që të mos dinte ku të çonte sytë e vet, Bora që vinte rreth nëpër shtëpinë e tyre, edhe në prani të tij, me një veshje që ia nxirrte në shesh stolitë e saj, Sula që në një rast e kishte përshëndetur me fjalët “njatjeta Benedikt”, e që nuk dinte pse nuk ia kishte thënë për herë të dytë, sido që ai vetë nuk do kishte dashur që kjo të ndodhte etj., etj. Të gjitha këto kujtime nga jeta e tij në tokë, e me miliona të tilla akoma, do ta mësynin kohë pas kohe, krejt papritur, pa ndonjë rregull, pa ndonjë logjikë të caktuar, në ndjekje të rrjedhës së pandalshme të mendimeve të veta, do ta mësynin, dhe kaq, ja, siç i ndodhi tani me këtë vrundull kujtimesh që i erdhën njëri pas tjetrit, apo siç i ndodhi që një nga ngjarjet e para të asaj bote, madje e para fare, që i erdhi në mendje me të hyrë në këtë botën tjetër, ishte momenti kur Çuni i Mamit ia kishte hipur Bendicò-s.

Nuk ishte larguar ende nga varri i vet. Nuk dinte nëse, apo kur, do të kthehej një herë të dytë aty, ndonëse ishte bërë një copë herë që nuk po i shqitej ideja se nën atë pirg dhéu të shkrifët, një metër a më shumë në thellësi të tokës, brenda një arke të drunjtë, i kishin kallur trupin, tok me ngasjet, të cilat ai kishte bërë çmos t’i mbante gjithë kohën në fré, përndryshe, e kishte besuar këtë gjë, e kishte besuar fuqimisht, pa ndërdyshje, përndryshe pra, do të cenonte paqen e përjetshme të shpirtit, e cila, sipas asaj që ai kishte besuar, ashtu si të shumtët e njerëzve në tokë, do të ishte një trofé, përveç të tjerash e mbi të gjitha, e betejës kundër këtyre ngasjeve. “Hëm!” ia bëri mes një trazimi të lehtë, që i erdhi prej vetëdijes se ai besim i ishte përgënjeshtruar tanimë, një herë e mirë, pas një prove empirike. Por nuk është se pati keqardhje, apo ndonjë ndjesi faji, për këtë. Dhe nuk e diti pse. Aty për aty, megjithatë, e përshkoi të tërin mendimi se pjesa më e bukur e jetës së pasosshme të njeriut është ajo që ai sapo e kishte lënë pas.

(c) 2019, autori, UET PRESS.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë