Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KAPITEN

nga Ajkuna Dakli

Kur e morëm ai ishte një zog i vogël i bukur me pendë blu ngjyrë deti të thellë dhe ca pika të bardha e të zeza anash kokës. Ishte i vockël, tre muajsh vetëm dhe lëvizte pareshtur në kafaz. E quajta Kapiten sepse nganjëherë e ngre kokën dhe sqepin e vogël lart dhe duket si një kapiten anije që po shikon detin. Edhe ngjyra e pendëve më kujton detin. Ishte shumë i gjallë dhe i lëvizshëm – njëlloj si ti kur ishe i vockël më thotë mami. Në të vërtetë ajo më quante “zog” kur isha më i vogël po tani që kam filluar të lëshoj shtat nuk e thotë më aq shpesh.

Ne kishim tre zogj të tjerë kur e morëm: një të verdhë, një të gjelbër dhe një të bardhë , Kapiteni është i katërti. Që të gjithë kanë lindur në kafaz , nuk e dinë ç’do të thotë të fluturosh në pyll, të të sulmojnë grabitqarët , ta gjesh ushqimin vetë, të kesh ftohtë apo vapë e të tjera si këto. Duken shumë të qetë e të sigurt aty brenda në shtëpinë e tyre me tela.

Në fillim tjerët e panë me çudi, duke kthyer kokat e vogla nga njëra anë siç bëjnë papagajtë e vegjël. E verdha e ngacmoi nja dy herë duke i çukitur kokën me sqep po Kapiteni ia ktheu – e çukiti gjithashtu dhe ajo u tërhoq. Po tani duket sikur janë mësuar me njëri tjetrin.

Nganjëherë i lëshojmë të fluturojnë nëpër shtëpi. Vijnë rrotull si ndoca aeroplanë të vegjël duke iu shmangur mureve pastaj shkojnë që të katërt mbi kornizën e perdes nga ku rrinë e na shohin ne njerëzit. Kapiteni në fillim nuk fluturonte dot mirë ngaqë ishte i vogël po unë i afroja një shkop ku ai mbërthente këmbët e vockla dhe kur e afroja shkopin pranë kornizës hidhej dhe shkonte pranë zogjve të tjerë.

Më pas mësoi të fluturonte mirë dhe nuk kishte më nevojë për ndihmën time.

Unë jam në klasë të pestë. Jam më i vogli i klasës. Më pëlqejnë lojërat dhe matematika po më pëlqen sidomos të bëj nga ato detyrat që quhen projekte e ku duhet të ndërtosh diçka. Kam shokë plot dhe më pëlqen të luaj. Po nganjëherë kur më ngacmojnë kot edhe mërzitem. Çuditem si disave u pëlqen të ngacmojnë të tjerët pa arsye. Këtë nuk e kuptoj.

…………………………………………………..

I kam ngulur sytë kokës së vogël të tim biri që shikon me vëmendje kafazin e zogjve dhe pa dashur ta prish magjinë e asaj pasditeje dimri me diell nuk po flas. Po ai duket i shqetësuar. Pasi shikon për disa minuta zogun blu që e ka quajtur Kapiten, kthehet nga unë dhe më thotë “ Mami, më duket se Kapiteni nuk ndjehet mirë”

Afrohem dhe e shoh. Zogu duket paksa i shpupuritur nuk është aq I gjallë sa zakonisht dhe herë pas here e fut kokën midis puplave.

“ Mami “- thotë im bir prapë – “duhet ta çojmë të veterineri”

Shkojmë dhe mësojmë se zogu qenkësh vërtet i sëmurë. Me ca shishka dhe shiringa të holla kthehemi në shtëpi.

……………………………………………………………………………

Ka nja dy javë që Kapiteni është sëmurë.

E shikoj nganjëherë si rri i heshtur dhe nuk e ka atë gjallërinë e zakonshme. Sqepi i është zgjatur ngaqë nuk ka fuqi ta mprehë në atë gurin e vogël ngjyrë portokalli që kemi vënë në kafaz dhe nuk ha shumë. Po më duket se ai nuk ha edhe për një arsye tjetër. Zogjtë e tjerë herë pas here e ngacmojnë. Sidomos e verdha, ajo nuk e le rehat. Sa herë ai i afrohet kutisë së vogël me fara ajo e çukit në kokë me sqep dhe ai largohet. Shpesh kur të tjerët flenë e dëgjoj Kapitenin tek çukit farat. Duket se ai ha në atë kohë ngaqë nuk e ngacmon askush.

Më vjen keq për të. Jam i mërzitur. Jo vetëm për Kapitenin. Edhe në shkollë punët nuk kanë vajtur mirë ditët e fundit. Është Dillon. Nganjëherë ai me ve ca ofiqe pa kuptim dhe kënaqet shumë sepse i bën të tjerët të qeshin.

Dillon e mban veten për djalin më “cool” të klasës që sipas tij do të thotë i mençur i fortë dhe që i bën të tjerët për të qeshur. Të tjerët e ndjekin. Po të jesh shok me të, ke shumë shokë. Po të mos jesh……

……………………………………………………………….

Celulari mbi tavolinën e zyrës dridhet. Jam e zënë dhe mendimi i parë që më shkon në kokë është të mos e ngre. Nga forca e zakonit i hedh një sy sidoqoftë. Është numri i shkollës. Përgjigjem me zë të ulët dhe ndërsa dëgjoj zemra fillon të më rrahë fort.

Zëri nga ana tjetër, më tregon se si një grup fëmijësh e kanë goditur fort tim bir me dëborë në oborr të shkollës, pastaj vijon me hollësirat, sesi e gjitha ka nisur si lojë se ai nuk ka asnjë faj dhe shkolla do marrë masat e duhura etj etj.

E ndërpres dhe e pyes nëse im bir është mirë, a është vrarë gjëkundi dhe më përgjigjen që ai është në rregull vetëm se shumë i shqetësuar, ndodhet në drejtori dhe po pret të shkojmë ta marrim.

…………………………………………………………..

Sot u ktheva herët sepse në shkollë ndodhi një ngjarje e papëlqyer. Nisi si lojë po pastaj një grup çunash me Dillon në krye më goditën me topa bore të ngrirë si akull. Unë u thashë të pushonin po ata nuk më dëgjuan. Një top më ra afër syrit dhe mend më theu syzat dhe tani kam një shenjë të kuqe mbi faqe. U mërzita shumë. Babi erdhi e më mori herët nga shkolla, foli disa minuta me mësuesen dhe ja ku jam tani. Në shtëpi me faqen që më dhemb. Vras mendjen të kuptoj pse qenkësh kaq zbavitëse të lëndosh dikë dhe mbi të gjitha pse më zgjodhën mua.

Në kafaz Kapiteni duket i lodhur. Afrohet te kutia për të ngrënë po zogu i verdhë e çukit pastaj fillojnë edhe zogjtë e tjerë. Ai nuk ua kthen. Duket se nuk ka fuqi.

Hap deriçkën e kafazit dhe i ve një kuti me fara në dysheme aty ku zogjtë e tjerë nuk kanë dëshirë të rrinë. Atyre që janë të fortë u pëlqen të rrinë lart. Ai e kupton. Mbërthen këmbët e vockla pas telave të kafazit, zbret poshtë dhe fillon të hajë i uritur.

………………………………………………………………………………….

Është herët , akoma errësirë kur zbres në kuzhinë dhe vë kafen ndërkohë që një cicërimë e fortë e shqetësuar më bën të kthej kokën nga kafazi. Është papagalli i sëmurë. Mesa duket ka filluar të çukisë farat ndërkohë që tre zogjtë e tjerë me në krye zogun e verdhë janë zgjuar gjithashtu, e kanë vënë në mes dhe e çukisin gjithandej. I afrohem kafazit , e hap e marr zogun e vogël në pëllëmbë dhe filloj ta përkëdhel. Pranë meje dëgjohen hapat e tim biri që është zgjuar. Më afrohet dhe u ngul sytë zogjve.

“Mami “ – më thotë. – “Unë e di pse ndodhi ajo ngjarja dje në shkollë. Sepse ata janë më të fuqishëm dhe e dinë që unë nuk i mund dot”

Dua t’i them se bota jonë udhëhiqet nga të tjera ligje po nuk flas. Pas meje gurgullon currili i errët i kafesë që derdhet në filxhan. Kapiteni është strukur symbyllur në pëllëmbën time.

 

(c) 2019, Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

3 Komente

  1. Paralelizmi edhe pse nuk shkon me tej, mbetet megjithate interesant dhe mbase as qe behet fjale si ne rastin klasik qe njeri te shpjegoje tjetrin, mjaftohet te ndertoje nje strukture dhembshurie te padiferencuar njerzore per dy qenie te brishta,te tregoje se jeta eshte ajo qe eshte, e dhuneshme, por kjo nuk nenkupton qe secili duhet te braktiset ne fatin e tij. Ne rregull me kete!
    Ajo qe me le pershtypje eshte pershkrimi i sakte dhe fraza e zhdervjellet. Autori a autorja (nuk e di ne paraqitet me pseudo a pen name) eshte mjaft i (e) qarte ne ate qe thote, e di ku do te shkoje, çfare do te lere te kuptohet e nenkuptohet dhe nuk i le asgje ne dore rastesise, shprehje kjo e zoterimit te mire te idese qe merr persiper te zhvilloje.

  2. Ide e qarte, e thjeshte dhe e bukur! E shprehur me gjuhe sa lakonike aq dhe feminore! Gje qe prek dhe kercunj, vec mos qofshin te stazhionuar ne furra te egra shekullore!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin