nga Idlir Azizaj
Një trup doemos e kemi, por ai trup assesi s’jemi
—Lacan
Shitësi i vogël i leukoplasteve
Karakteri transpopullor e ndërkulturor i rrëfenjave ua lejon atyre të ndërrojnë cilësi e veçori nëpër vende e kohë, pa e bërë travestit thelbin. As specifika sado e madhe e Shqipërisë nuk merr mundimin ta shfarosë këtë veti. Kësisoj, mund ta ndërrojmë vajzën e gjorë të Andersenit* me djalin verior “të ardhur në Tiranë”; dhe acarin e natës së Vitit të ri të rrëfimit danez me zagushinë ngjitëse të Tiranës së 30 qershorit, e nis kështu një histori që pandehnim se e kishim tejkaluar.
Leximi ynë shqiptar i veprave të Balzakut mbetet ai i viteve të komunizmit. Por, dhuntia e mbrapshtë që i kemi siguruar vetes në këto 23 vjet kioskash e skafesh duke qenë sot më, mund të në shtyjë të kalojmë direkt në të kundërt të leximit të vjetër. Vetëm kështu mund ta shohim jetën tonë reale shqipe si një lloj rrjedhe tregtare. Një lum-tregu, qoftë edhe në ditë zgjedhjesh, sidomos lokale.
Çka vjen më pas duket ndoqi këtë rrjedhë: nëpër lokalet e Pazarit të ri, u shfaq djali i vogël verior, që për çastin po e quajmë Gjuzi. (Jo aq për efekt stili; por në vijim të argumentit se “analiza e atributit në rrëfenjë mundëson interpretimin shkencor të tyre”**.) Në botën-skenë, ku jemi doemos pjesë, mundësia e analizës teatralo-shkencore nuk bën t’i zdrypet qasjes sociale. Kështu djali në fjalë iu ofronte zgjedhësve nëpër lokale … pako me leukoplast.
Sfondi juridik e tregtar i vendit nuk e përjashtonte këtë lloj shitje. Ligji për ndalimin e cigareve të hapura nga minorët kish kaluar me kohë; vocërrakët dickensianë të uzinës së Gërdecit kishin avulluar me tymin drejt reve (pak a shumë si Moisiu malit përpjetë). Po prapë ky mall i pazakontë i shitur ambulant bënte ca çudi.
Veçse çudia e këtij malli me vlerë përdorimi jo aq të përditshme nuk ia merrte – atë darkë – emulacionin mallit tjetër: votave. Kështu, çudia e shitjes së leukoplasteve nuk ia kalonte aspak habisë apatike të mosblerjes së pazakontë të votave kësaj here, pas votimeve më të qeta e më pa dhunë në demokracinë tonë, që për nga brishtësia krahasohet veç me kaviljen*** e Helenës së Trojës. Këto dy tregti ngjanin aty, mes muhabetit të lokaleve, me shproporcionalin mes prioritetit të fitores së zgjedhjeve dhe numrit sado skandalozisht modest të pjesëmarrësve në to.
Në këtë sfond politik fringo tonin, edhe familjet pushuese, që druanin duke ardhur nga emigracioni për ndonjë përplasje civile në 30 qershor, i detyruan avionët të kthenin në ajër (për t’ua larë borxhin e pashlyeshëm SHBAve u etiketua ky aksion jo si njëfarë rilindje e paqme e 11 shtatorit). Dhe zbritën në Tiranë, zemërlehtuar.
Kësisoj, djali verior u gjend para një klientele më të bollshme nëpër lokale. Dhe me shpirtin e beftë, djali e kapi në ajër strategjinë. Me atë dhuntinë e fëmijës që i është dashur të burrërohet para kohe, në një vend ku tregtia private ka lindur me cene, sajë ‘monizmit afatgjatë’, aq sa ekonomia e vendit s’mund të mos përqendrohej e gjitha në 20 duar. Kështu ai revizionoi ofertën: 3 pako leukoplast për 100 lek (të reja).
Si çdokush në botë, ai rrekej të fitonte kohë. Më saktë, të arrinte një bilanc të kënaqshëm mes fitimit ditor dhe kohës së harxhuar drejt tij. Ai madje, me këtë ofertë, s’kishte futur në çmim as dhe një qindarkë nga koha që normalisht do përdorte për argëtim fëminor. Dhe në këtë pikë ai thjesht kish aplikuar performancën e varfër elektorale kësaj here: mosfutjen e kohës së fushatës në çmimin e jetës së përditshme. Sidomos nga opozita, kësaj here tërhequr aktivisht nën moton: Me ne s’fitojmë as ne! Çka i bëri analistët të shihnin te ky detaj një ogur për kalimin në paqe e rehati të këtyre zgjedhjeve lokale të skaduara para afatit.
Sekseri i së shkuarës
As nuk i bënte fare reklamë leukoplastit djali shitës. Mandej vapa e tejkalon veten, kur, nën avarinë e përgjithshme klimatike, moti kopjon atmosferën politike. Dhe endja e tij mes lokaleve të pazarit s’mund të ishte më fluide sesa debati mbi avarinë kushtetuese të Presidentit për zgjedhje alternative në 13 tetor. Por ai gjithsesi kishte arritur të grumbullonte 20 mijë lekë (të vjetra) në fund të darkës.
Me këtë nivel të ardhure, mesatarisht 30 mijë lekë në muaj, substrati social pëson vetiu përçudnim. Dhe sikur në këtë afsh metempsikoze sociale shitësi i vogël të metamorfozohej befas në pensionist me 42 vite punë në shpinë (sepse nuk thuhet CV për pleqtë) s’do ngurronte aspak ta pyeste vetë djalin shitës: përse njerëzve nuk u pëlqente ta blinin vetë atë mall në farmaci ?
Edhe nënqeshjet fëminore në Tiranë duket kanë sekserë. Dhe sekseri përkatës, me induksion ia hodhi djalit shitës atë buzëqeshjen që i parapriu dallaverit të rastit: njerëzit përtonin të shkonin vetë në farmaci ! Dhe në një vend ku fëmijët piqen me zor në hellin e mbijetesës; e pleqtë foshnjërizohen nga nanurizmi mediatik, dallaveri i djalit përshkoi ajrin shumë më shpejt se deklarata e ODHIRit.
Në një shoqëri të paturp, shteti s’ka zgjedhje veç e merr vetë turpin përsipër; përunjet për disa minuta, sa me shpikë një çudi tranzitore, thjesht për ca eliminim të realitetit. Kështu pensionisti u ngërthye para TV: kur, ndërsa Kryeministri ravijëzonte komplotin e Presidentit ndaj demokracisë, dikush afër tij evokoi emrin e të ndjerit B. Gazidede, dhe ligjërimin e këtij. Bëhet fjalë për speech-in prej iluminati në parlamentin e vitit 97, duke lexuar ai hartimin në fletë lakrori : planin grek Lotus për “pushtimin” e Shqipërisë! Kur pensionisti u kthye nga WC-ja e lokalit (prostata ka arsyet e veta që arsyeja partiake dot s’i rrok), komisioni parlamentar për hetimin e Presidentit qe krijuar. Kjo shpejtësi vendimi jo vetëm që i futi duart “kohës së Berishës”. Porse pa hir i solli nostalgji pensionistit për mënyrën e prajtë të urinimit të tij dikur në rini.
Ky realitet i eliminuar doemos i hapte djalit shitës hapësira në tregtimin e leukoplasteve të skaduara. Sado të tilla, s’krahasoheshin me skadencën e opozitës. Më saktë, skadenca e kësaj të fundit, hiqte qafe dhe plagën tonë të madhe : qelbin e votimit kurrë të lirë. Kjo “plagë e rruar” paq, kur ndërkombëtarët sa hodhën një dozë livando, linte aq vend sa për tregti me Anomali-pa-Kufi.
Kështu i ndih shteti vogëlushët në udhën e tregtisë me shumë pakicë, duke u bërë mbrojtësit e pakicave tregtare, siç janë fëmijët veriorë në Tiranë, që në vend të TVSH-së kanë dackat e sekserit Invisible.
Ilaçe të sëmura
Prej vitesh në Shqipëri farmacitë mishërojnë kuptimin më parak të termit “farmakon”, para termit që përdorim në kohët e sotme. Dhe shitja e ilaçeve të skaduara nuk ndjek më shumë parimet e tregtisë së paskrupull. Por duket bën një lloj konspekti (pak të vulgarizuar, doemos) të mërdhezjes platonike ndaj “farmakonit”. Në veprën e filozofit, Sokrati i referohej farmakonit si lëndë, si diçka që sillte mandej viktima gjatë ushtrimit të riteve të purifikimit në shoqëritë primitive.
Kështu farmacitë tona garantojnë gjithqysh bazamentin tonë të lashtë, para grek. Duke e lënë ilaçin (ilaçet e pensionistëve sidomos) në rangun e turpshëm ku i takon: atë të keqbërësit, të helmit. Pikërisht kjo e fundit duket i ka intriguar edhe farmacitë tona në vite sa t’u shisnin heroinomanëve (mallistëve) tanë vinglla. Dhe për ta bërë lojën e plotë, këta vetë paraqiteshin duke lypur shiringa “për gjyshen diabetike për insulinë”.
Është atëherë brenda totalitetit të fakteve përbërëse të botës ****sonë (shqiptare) që edhe leukoplastet e shitësit të vogël ishin të skaduara, as nuk ngjisin në mish. Sepse fokusi tashmë orientohet në llojin e mishit që shoqëria jonë ka vënë qysh prej Zanafillës demokratike, sidomos për brezin tonë të ushqyer me mishin e skaduar të kutive të ndihmave humanitare.
Kështu qytetari e kupton se në një shoqëri të sëmurë, farmacia s’është vakëfi i shëndetit. Mbetet për gjykim niveli i plagëve tona, para se të aplikohet leukoplasti në të. Zaten ai ka pasë ngjitur dikur. Për shembull, ka mbajtur puthitur (në ekranet e para të TV private shqiptare) : leukoplast kryq mbi zemrat fallco rozë kitsch, që ishin reklama e fallxhores Leonora. Në lirinë e shtypit, qytetari mjaft të kalojë syrin në Introduktën që filozofi horizontalist A.Fuga i dedikoi librit të kësaj Circeje shqiptare (vdekja e saj e parakohshme pamundësoi melhemin që do mund të zgjidhte A.Fugën kryetar të Akademisë së Shkencave). Kështu kupton që edhe plagët e shoqërisë do kenë turp nga vetja. Dhe do kuptojnë se ato vetë janë të skaduara, e jo leukoplastet e shitësit të vogël.
E ç’rëndësi ka mandej skadimi i leukoplasteve të tij, para skadencës konstante të protestës bombastike të filozofit më mediatik të vendit. Tek e fundit, djali shitës abstenoi në 30 qershor për shkak të moshës. As mosha, as pozita nuk ia lejonin dot të shpallte me bujë Pse nuk do votonte ! këtë herë. Mandej ai mbetet i ardhur në Tiranë. Por deklaratën e kushëririt shqiptar të filozofisë A.Fuga natyrisht e kish kapur sekseri i djalit. Dhe si ofertë sado modeste në prekjen e plagës sociale, ai nxori në rrugë shitësin me leukoplastet e skaduara. Secili me mjetet e veta.
E duhet doemos një emërues i përbashkët. Dhe në këtë rast SHVP (shumëzuesi më i vogël i përbashkët) mbetet Shitja : leukoplaste për sekserin ; dhe shitja e radhës e lëkurës së filozofit, sa djathtas aq majtas, nga njëri dhjetor në tjetrin, nga njëra katedër universitare në tjetrën. Si personazh i librit Philosophia perennis e postit, e duke parë shpirtin-protestë të A. Fugës qysh nga libri i tij kundër Sartre në vitet 80 e deri te ankesat mbi thellësinë ca të tepërt të Kantit sot, Filozofia, s’ka hall pa e pranuar Fugën si kushëri të saj, qoftë duke u habitur dhe vetë.
Çka i shpjegon sekserit dhe supershitjen e librit Habia filozofike në vite, përkthyer nga A.Fuga. I rekomanduar pa da studentëve ndër vitet e konkurrencës së skaduar të dijes. Por i bindur për mungesë të konkurrencës në dy mallra pa lidhje, sekseri mjaftohet vetëm me pranimin pasiv të këtij korpusi të skaduar universitar e intelektual te ne. Dhe ndoshta nga devijimet e jetës (mund të ketë bërë veç një vit filozofi, kur u mbyll departamenti në vitin 93) i mbetet veç të bëjë kalimthi tautologji të plagëve të skaduara. Por sa për të justifikuar shitjen e atyre leukoplasteve, që asnjë shtetari në biznes s’i ka shkuar ndërmend t’i shesë.
Përralla në lesh, e vërteta midis nesh
Këto lloj plagësh të skaduara rrekeshin të qetonin dhe këto zgjedhe të fundit. Sipas formulës se çdo plagë ka leukoplastin që meriton. Çka mpreh jo vetëm hundën e sekserit, por dhe shpirtin e analogjisë. Kështu dhe deklarimi i Ndërkombëtarëve për zgjedhjet mëse të skaduara vuri leukoplastin e vet. Por kësaj here me një mesazh mëse religjioz infermierik (a s’ishin dhe infermieret e para shqiptare motra kuvendesh katolike?): për të treguar se Shqipëria deri dje mund të ishte diç teatri i preokupimit gjeopolitik Perëndimor në rajon. Ndërsa në 30 qershor u bë sakaq skena e moskokëçarjes totale Perëndimore për ne.
Por s’duhen harruar dhe efektet dytësore. Kësisoj, rreziku i madh që opinioni akut e vendim-ushtrues Perëndimor për skenën politike shqiptare (“E ka thënë Amerika” ; “e ka vendos Evropa”) të na duket i skaduar dhe ne mandej. Brenda kornizës në zgjerim e sipër të integrimit, natyrisht. Aty ku ne shohim veten tonë të ulur në tryezën e bollshme europiane. Njëlloj si shitësja e vogël e mërdhifur e Andersenit ndizte një shkrepëse sa të lumturohej dy sekonda me iluzionin se po sheh veten buzë tryezës së bollshme të Vitit të ri që e pat lënë jashtë.
“Çfarë strategjie e mjerë për t’u ngrohur” e pat quajtur një shpirtkazmë në rrëfenjë, kur pa vajzën e vdekur në ngricë. Dhe saje mungesës së kufijve e vizave mes përrallave, ai shpirtkazmë ndodh të udhëtojë … deri në vapën e Tiranës. E të “integrohet” aty ndoshta jo aq shpirtkeq sa në rrëfenjën e shkruar. Por i konvertuar në realitet, në këtë realitet të skaduar tonin. E për të treguar sesi komuniteti ndërkombëtar na asistoi çuditshëm për ta hequr qafe nocionin e zgjedhjeve normale. Njëlloj sikundër në Europë patën ndaluar dikur shkrepëset me fosfor, meqë merrnin flakë vetiu duke u fërkuar nëpër shalëhedhjet e njerëzve e kallnin xhepat flakë.
(c) 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit. Shkelësit do të vihen para përgjegjësisë ligjore.
Shënime:
*Andersen, « Shitësja e vogël e shkrepëseve »
**V.Propp, « Morfologjia e rrëfenjës »
***Homeri u atribuonte si bukuri heroinave kryesisht këto tipare : flokët, kaviljet dhe tokëzën e rripit të tunikës.
****Fraza monumentale e « Tractatus logico-philosophicus » të Wittgenstein-it përcakton se « Bota nuk është shuma e gjërave, por totaliteti i fakteve ».