Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Letërsi

PASOLINI DHE MITI I TIJ I VDEKJES

Bazuar në dokumentarin
Pasolini – Një mister i kulluar intelektual”
(Hetuar nga Xhuzepe Zigaina)
Përktheu dhe përshtati: Aida Baro

 

Pier Paolo Pasolini ishte një nga intelektualët më të mëdhenj italianë të shek. XX. Përpos krijimtarisë letrare, ai u bë një zë i fuqishëm edhe në kinematografi e publicistikë.

Një nga enigmat që la pas vetes ishte dhe vdekja e tij, ndodhur në Ostia, më 2 nëntor 1975, natën mes ditës së Shenjtorëve dhe ditës së të Vdekurve – nga një prej “djemve të tij të jetës”.

Mënyra “sipërfaqësore” me të cilën u kryen hetimet e para mbi vendin dhe armën e krimit, ngre kaq shumë pikëpyetje, sa nuk mund të habitemi nga interpretimet e ndryshme dhe të shumta që shtypi dhe opinioni publik dhanë për këtë ngjarje makabre.

Hipoteza dhe pyetje të destinuara të mbeten pa përgjigje. Ndaj, nga pikëpamja hetimore, vdekja e Pasolinit, sot e kësaj dite, është e destinuar të shihet si një ngjarje për të cilën, falë hetimeve të kryera shkel e shko, mund të ngrihen hipoteza nga më të ndryshmet: vrasja e një homoseksuali që vinte çdo natë jetën e vet në rrezik; vetëvrasje e autorizuar nga vetë viktima, krim politik ose çdo gjë tjetër që mund të sygjerojë fantazia

Megjithatë, një version tjetër tronditës rrëfen se ndoshta Pasolini ka nisur ta tjerrë idenë e vdekjes së vet qysh më 1958. Një prej tyre është Giuseppe Zigaina, piktor, mik i ngushtë i Pasolinit prej shumë vitesh.

Kompozimi i fundit poetik i Pasolinit “Saluto e augurio” i drejtohet një djaloshi, thuajse një testament.

“Merre ti këtë barrë,
djalë që më urren,
mbaje ti.
Shkëlqen në zemër.
Dhe unë do të eci i lehtë,
përpara,
duke zgjedhur përgjithnjë jetën,
rininë”.

 

Pasolini shkruan për mikun Zigaina në “Quaderni di Imago”, 8, 1970:

“Siç ndodh me miqtë e rinisë, nuk kam hetuar kurrë tepër në “psikën” e Zigainës:  ai është ontologjik (pra qenie reale e të plotë) për mua, siç unë, besoj se jam ontologjik për të. Pikërisht sot, më 1970, duke shkruar për të në mes të lagunës së Grados, për herë të parë e shoh si  qenie për t’u studiuar më thellë. Po kënaqem me kaq dhe nuk po e thelloj më tepër, sepse qartazi, kisha kuptuar gjithçka qysh më parë pa e shprehur – pikërisht siç ndodh mes miqve të vërtetë.

Takimi mes dy artistëve të rinj, pak më tepër se 20 vjeçarë, u forcua me kalimin e kohës, përgjatë itinerarit të një solidariteti ideal dhe një bashkëpunimi thuajse të fshehtë, por domethënës.

Zigaina, lindur më 1924, pra 2 vjet më i ri se Pasolini, artist me kulturë të madhe, e shtjellon rrëfimin mitik Pasolinian me një qartësi mbresëlënëse, që e fut dëgjuesin në një realitet që ndonjëherë ngjan haluçinant.

Kur Zigiana fillon të flasë njeriu hyn në këtë botë dhe po vazhdoi shikon t’i kalojnë para syve imazhet  e jetës dhe të vdekjes së Pasolinit, duke nisur pikërisht nga vetë vdekja e tij, që pak e njohin dhe e mbështesin, por që ende askush nuk është në gjendje ta vërë seriozisht në diskutim.

 

Xhuzepe Zigaina

Çfarë po bëj për Pasolinin? Puna ime është ajo e një kritiku apo e atij që nga jashtë ekzaminon, për të tjera arsye, veprën e këtij personazhi? Mendoj se veprimtaria ime ka pasur lidhje dhe ka gjithnjë lidhje me një punë sqaruese, por dhe deshifruese të njëmendtë të personalitetit të Pasolinit.

30 vjet më parë, në këtë dhomë të Muzeut të Qytetit të Bolzanos, është xhiruar një nga skenat më të rëndësishme e më misterioze të filmit “Dekameroni” të Pier Paolo Pasolinit. Për mua, historia e filmit “Dekameroni” është një nga historitë më të veçanta. Mbaj mend që gjendesha në shtëpi, në studion time në Friuli, kur Roselini, producent i deleguar i shtëpisë së prodhimit, më telefonon e më thotë që duhej t’u bëja një nder të madh, të shkoja në Bolzano, sepse Pier Paolo po xhiron Dekameronin  dhe unë do të luaja rolin e fratit të shenjtë.

Kjo gjë, siç mund të kuptohet, më turbulloi shumë. Pse, për të luajtur një prift, më kishte zgjedhur pikërisht mua? Diçka, të cilën, ia kam thënë gjithnjë, duke u ndjerë disi ngushtë. “nuk është çështja e priftit ose jo-priftit, më thoshte ai, – ti luan fratin e shenjtë, sepse në thelb, i tillë je.”

Për Pasolinin, “Dekameroni” duhet të ketë qenë një zgjedhje vendimtare dhe e papritur, që duhej t’i qëndronte si kornizë një episodi themelor: atij të Çapelletos. Pas shumë vjetësh, duke hetuar për të, zbulova që në të vërtetë, unë s’kisha qenë rrëfyestari i Çapeletos, por i vetë Pier Paolo Pasolinit.

Zhvillimi thelbësor është ky: pas vdekjes, Pasolini, Çapeleto në novelën e Bokaccio-s, shpallet shenjtor. Ky kriminel, ky homoseksual, ky dashnor i skandaleve, në fund, në film, shpallet shenjtor menjëherë, pa formalitetet e gjata që njohim. Kësisoj, gjendem në Novaçela dhe në shumë kisha të zonës së Bolzanos duke shpallur shenjtor Pasolini-n, nga katedrat, nga kambanoret, e nga vende të tjera të shenjta.

Kjo miqësi mes meje dhe Pier Paolos lindi menjëherë pas luftës. S’e mbaj mend  me saktësi në ka qenë ’45 apo ’46. Flisnim ndonjëherë në telefon: unë shkoja e telefonoja nga Vila Viçentina. Duhej të bëja 5 km me biçikletë. Dhe ai shkonte në ndonjë pijetore të Kazarsës. Historinë e telefonit e mbaj mend mirë, sepse kur ndodhi skandali i madh për Pasolinin, tashmë anëtar i Partisë Komuniste qysh më 1947 dhe kishte mbuluar rolin e sekretarit të seksionit në San Xhovani të Kazarsës, aktiviteti I tij ishte I rëndësishëm dhe fantastik. Shkruante tazebao (manifeste murale me përmbajtje politike) në dialektin friulan, që tërhiqnin vëmendjen e të gjithëve. Më 1948, kur u bënë zgjedhjet, ai u përjashtua nga partia me formulën më të turpshme të padenjësisë morale dhe politike. Atë ditë ai më telefonoi. Në ora 8 të mëngjesit, pashë të më vinte në shtëpi një vajzë me biçikletë, që më thoshte se  më priste një telefonatë urgjente. Shkova në Vila Viçentina,  dhe fjala e parë që më tha ishte: “I ke lexuar gazetat?” Sapo kisha dalë nga shtëpia dhe s’kisha pasur kohë. Ai më tha që donte të fliste me mua dhe po të shkoja tek ai, do t’I bëja një nder të madh. Mora trenin, mbërrita në Kazarsa dhe menjëherë u tërhoqëm në dhomën e tij, ku më tregoi gjithë ngjarjen. “S’më mbetet veçse të shkoj në Romë, – më tha, – s’kam ç’bëj tjetër”.

Pasolini

Në fund të fundit, e konsiderova Friulin, si një lloj mërgimi të këndshëm dhe tragjik, njëkohësisht. Një lloj burgu, ku mund të kryeja veprat e mia të narcizmit, në mes të manave, vreshtave, lëndinave të gjelbra të Friulit, por në të njëjtën kohë, një vend ku mund të bluaja dhembjen për vdekjen e vëllait tim, që kish ndodhur një vit më parë, në fund të luftës: ishte partizan.

Zigaina

Më pas, takimet tona, u bënë të shkurtra, ndonjëherë, madje, dhe thuajse të heshtura. Megjithatë, në thelb, unë e kuptoja se çfarë kishte shkruar ai: “Zigaina është ontologjik për mua, siç shpresoj të jem unë ontologjik për atë.” Përfundimisht, ajo çka ai e quante “Trauma” qe ndarë mes të dyve, në njëfarë mënyre, me aspekte të ndryshme e me thelb të ndryshëm, origjina të ndryshme. Mundësia dhe aftësia empatike për të komunikuar ndjesi të pashprehura e ndoshta jo fort mirë të njohura as për ne, ishte në fakt, tepër e saktë.

Kur Pasolini vdiq, reagova si shumë njerëz të tjerë. Por më pas, kam arsyetuar gjatë për këtë: Nëse vrasjen e kanë bërë shërbimet sekrete ose CIA, si ka mundësi që e kanë bërë pikërisht në ditën që ka vendosur ai, ashtu siç ka shkruar ai, më 2 nëntor, Ditën e të Vdekurve?! Në ditë të diele?! I vrarë i rrahur nga një djalë 17-vjeçar?! Atëherë, një organizatë që arrin të vrasë në këtë mënyrë një njeri që duhet zhdukur, eliminuar, por krimi i së cilës duhet të duket si diçka e rastit, është një organizatë kritikësh arti e letrarësh, më e madhja në botë. Kjo nuk është e mundur, është e papranueshme!

Ndërsa të afërmit, bashkë me një shpurë të tërë kritikësh, copëtoheshin gjithë turp për të ngratin, duke u përpjekur që të fshihnin, në njëfarë mënyre, këtë vdekje disi skandaloze, takimin me një homoseksual, etj. duke e përngjasuar Pasolinin me të gjithë poetët qaramanë e romantikë, që i kanë thurur gjithnjë lavde vdekjes, me Pasolinin nuk dalin hesapet: vdekja e tij është Pasoliniane, pikërisht sepse është konceptuar nga një regjisor si ai, për më tepër në një terren si Ostia, ku kishte xhiruar shumë skena të dy prej filmave të tij, të paktën. Pra, kjo çështje u hetua në një tjetër mënyre. Atëherë e kuptova që realiteti qëndron në vetë tregimin: Pasolini ka bërë një tregim mitik, duke vendosur në qendër të tregimit figurën e vet.

Nëse ndokush e ndjek në këtë terren, duhet të përdorë gjithë leximet që ai vetë studioi për të ndërtuar këtë tregim mitik, domethënë të gjithë rusët, Jakobsonin, Shkollën e Pragës, Propin, dhe francezët, përpos “Historisë së feve” të Mirçea Eliades, si dhe qindra mijëra gjëra të tjera , që kolegët e tij nuk i kanë lexuar ende. Kurse unë, përkundrazi, e kam ndjekur në këtë terren.

Pasolini

Mbi vdekjen e Kenedit do të duhej të ishin xhiruar 700 dokumentarë të tjerë, secili i parë nga një këndvështrim i ndryshëm, me një tjetër objektiv, pra do të kishim pasur 700 dokumentarë mbi të njëjtin fakt, secili syresh që tregon një tjetër kënd të realitetit. Thosha që sikur një detektiv të kishte bërë montazhin e këtyre dokumentarëve, ndoshta përmes montazhit do të kishim pasur mundësi të arrinim tek e vërteta e vdekjes së Kenedit. Me këtë doja të thosha që montazhi është disi si vdekja për një njeri. Domethënë, pa vdekur një njeri, nuk dihet mirë se kush ka qenë në të vërtetë.

Zigaina

Strumbullari, të themi, metafora themelore e gjithë këtij filli është vdekja si montazh. Ky veprim i rrufeshëm që kryhet përmes montazhit në filmin e xhiruar dhe ajo që vdekja kryen mbi jetën e njeriut janë homologe. Kur Pasolini thotë që në kinemanë e tij, ajo çka është me rëndësi është montazhi, po thotë pikërisht këtë: në realitetin e jetës sime, në kinemanë time si gjuhë e shkruar e realitetit, ajo që është e rëndësishme është vdekja. Pikërisht kjo duhet sqaruar tek Pasolini, një diskutim i bazuar mbi disa metafora domethënëse, metafora ose aforizma siç i përcakton ai. Një nga më themeloret është: Ose të shprehesh e të vdesësh, ose të rrish pa u shprehur e të bëhesh i pavdekshëm. Pra, për t’u shprehur, unë duhet e dua të vdes.

Pasolini

Figura që mbizotëron në veprat e mia është ajo që Fortini e quan oksimoron, pra përcaktimi i gjërave përmes të kundërtave. Vajzë bjonde dhe brune, për shembull. Tani, meqënëse kjo është një nga figurat qendrore në veprat e mia, ky përcaktim i gjërave si të kundërta dhe ky kontrast i pandreqshëm, ndoshta u jep veprave të mia pamundësinë që të konsumohen në mënyrë normale, pra të nxisë reagimet për të cilat flisni ju.

Zigaina

Ajo e Pasolinit është një gjuhë kriptike, e ndërtuar me qëllim dhe nga nevoja për të arritur të shprehë, me vështirësi, atë që normalisht është e pathënshme. Pa këtë gjuhë, kaq të koklavitur, por po aq jashtëzakonisht të lirë, gjuhë pasoliniane, pra plot lehtësi e poezi brenda, ai nuk do të kishte arritur t’i komunikonte botës se kishte filluar, qysh më 1958, të programonte një vdekje të vetën rituale, si kremtim të mitit të vdekjes dhe rilindjes.

Është mbështetur në figura mitike, si Krishti ose Adonisi, si Atisi ose Tamuzi, që kanë qenë të gjithë hyjni dhe viktima, së bashku. Pasolini ishte narcist i madh, pra ky akt i vetëpërfaqësimit në personazhe, që brenda veprave të tij letrave, kinematografike dhe teatrale, vdesin gjithnjë nga një vdekje e dhunshme dhe, nëse akti është i përshkruar, thuajse të gjithë vdesin të dielën, një kuptim besoj se do  ta ketë.

Pasolini

Kinemaja ka diçka thellësisht të shenjtë. Ju thoni fanatik, kur për mua fanatizmi, kur është i mbushur me një ndjenjë reale, bëhet i shenjtë. Është e vërtetë, kështu është, ky është elementi stilistik që unë ndjek sidomos në xhirimin e filmave të mi. Përpiqem të tregoj këtë përballje të reales, me respekt, edhe nderim për realitetin. Sepse nuk jam nga ata njerëz që kanë frikë të kenë respekt e nderim të thellë për diçka.

Zigaina

Kur Centauri i thotë fëmijës “e shikon bukurinë e Krijimit, Sa i bukur është qielli, uji, sepse gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e shenjtë! Dhe e  përsërit tre herë: gjithçka është e shenjtë”, është një mësim i madh, edhe feje në thelb, por sidomos mësim gjuhësor. Pasolini po na thotë që realiteti flet. Është i shenjtë, sepse flet, sepse është i gjallë dhe i komunikon njeriut misterin e vet.

Pasolini

Ky kalim imi nga letërsia në kinema ka shpjegime të ndryshme. E para është më e dukshmja: pra mendoj se kam dashur të ndërroj teknikë. Gjithë prodhimtaria ime letrare karakterizohet nga fakti që kam ndërruar shpesh teknika letrare. Mendoja se kinemaja ishte një teknikë e re. Mandej, kuptova që kjo nuk ishte e vërtetë, sepse kinemaja nuk është një teknikë letrare, por është një gjuhë tjetër.

Atëherë mendova, në mënyrë ndoshta pak të kuturisur dhe të tepruar, që kalova në kinema, pra në një gjuhë tjetër, për të braktisur gjuhën italiane, pra për të bërë një lloj proteste kundër gjuhës italiane dhe kundër shoqërisë sime. Një lloj dorëheqjeje nga kombësia italiane. Por fundja, as ky nuk është një shpjegim i plotë. Shpjegimi i vërtetë, sipas meje është ky: ju thashë që kinemaja është një gjuhë, një gjuhë ndërkombëtare, ndërklasore, pra një zezak në Ganë, një amerikan, një italian, kur përdorin gjuhën e kinemasë e përdorin të gjithë në të njëjtën mënyrë. Është një bashkësi shenjash, e vlefshme për të gjitha kombet e mundshme të botës. Tani, cila është karakteristika kryesore e këtij sistemi shenjash? Të paraqesë realitetin, jo përmes simboleve siç janë fjalët, por përmes vetë realitetit. Për shembull, nëse unë dua t’ju paraqes juve, ju paraqes përmes  jush, ose qoftë dhe përmes dikujt tjetër, por që është prej mishi e gjaku, që është i njëjtë me ju. Pra, paraqes gjithnjë realitetin duke përdorur vetë realitetin. Kjo më lejon, duke u marrë me kinemanë e duke kërkuar këtë mjet të shprehjes artistike, të jetoj gjithnjë në nivelin dhe në zemrën e realitetit.”

Zigaina

Zgjedhja e kinemasë përkoi me një moment krize të madhe tek ai, me një histori të madhe dramatike. Për Pasolinin, kjo zgjedhje nuk është zbavitje, nuk është luks, nuk është diçka për të kaluar kohën, por është zgjedhja e ndërgjegjshme e gjuhës së shkruar të kinemasë për të rrëfyer projektin e tij të vdekjes. Për t’u fshehur dhe për të pasur mundësi të flasë për atë që kishte në mendje e në shpirt, pra instiktin e vdekjes, përdor leksikun dhe gjuhën e kinemasë. Përmes këtyre, të themi, arrin të përçojë ide që, përndryshe, nuk do të kishte arritur t’i thoshte. Në fakt, Pasolini pohonte që disa gjëra nuk mund të thuhen, ose nëse thuhen, thuhen përmes poezisë.

Një nga shembujt më të shkëlqyer të gjuhës së zhargonit Pasolinian që përmenda, të mënyrës së tij të veçantë për t’i parathënë botës projektin e vet të vdekjes, project ekzistencial, meqenëse ai, nga njëra anë, u kërkon të tjerëve ta vrasin dhe nga ana tjetër, shprehet me vdekjen, pra është një projekt gjuhësor ekzistencial, është kapitullthi i 8-të i “Una disperata vitalità” (Vitalitet i dëshpëruar).

Në fillim të poezisë, Pasolini pohon zyrtarisht që do të shprehet e do t’i flasë lexuesit përmes zhargonit të tij” pra do të përdorë një gjuhë kriptike, të veçantë për të komunikuar, në mënyrë të koduar, këto mesazhe të tijat.

“Erdha në botë në kohën
e Palogjikës.
Veprova
në atë fushë, si fillestar.
Pastaj pasoi Rezistenca
dhe unë
luftova me armët e poezisë.
Rimëkëmba Logjikën, dhe qeshë
një poet civil.
Tani është koha e Psikagogjisë.
Mund të shkruaj vetëm duke profetizuar
në rrëmbimin e Muzikës për
tepri të farës ose mëshirës”.

Psikagogjia është ceremonia që kryhej në qytetërimet e lashta mesdhetare, për të shpënë në Qytetin e të Vdekurve të ndjerin. Zakonisht, siç ndodhte shpesh në qytetet e mëdha, qyteti i të vdekurve ishte veçmas qytetit të të gjallëve dhe ata e përcillnin të vdekurin me një ceremoni të madhe, për shembull, përmes Nilit, në rastin e Egjiptin, me një barkë ceremonial, që quhej barka e varrimit.

Pasolini shpall se qysh prej atij çasti “duhet të fillojë riti funebër imi, sepse është koha për të menduar për të vdekur, është  koha e Psikagogjikës. Mandej, bën dhe një përpjekje tepër të qartë, përpiqet të nxjerrë në pah tingullin mbi kuptimin: atëherë nxjerr fjalë të tjera që të kenë një bashkëlidhje fonetike me këtë psikagogjikë, por vetëm për të hutuar lexuesin.

 

“Nëse tani Palogjika mbijeton
dhe Logjika ka dalë nga moda
(dhe unë tok me atë;
nuk kam më kërkesa poezie),
Psikagogjika
ekziston
për inat të demagogjisë.”

Lexuesi i kujdesshëm nuk hutohet, atëherë, ja tek mbërrin Pasolini në pikën qendrore ku njofton pikërisht, në mënyrë profetike, atë çka do të bëjë me jetën e tij:

“E kështu
unë mund të shkruaj “Tema dhe Trena,
edhe Profeci.”

Mandej, duke iu referuar Moravia-s, që e kishte përcaktuar si “poet civil” (pra i angazhuar), përcaktim që Pasolini s’e kishte pranuar asnjëherë, thotë:

“si poet civil, ah, po gjithnjë!”.

Si për të thënë se çfarë tjetër do të mund të bënte ai. Por tashmë e kishte thënë: “Tema dhe trena edhe profeci”.  Në të gjithë botën, kjo poezi është përkthyer: “kështu mund të shkruaj tema – në klasë – dhe trena – të shpejtë – edhe profeci.” Për këtë gabim të madh e qesharak, sot nuk flet asnjë kritik letrar: është një masakrim! E megjithëse, po përgatitet Vepra e Plotë e tij, dy vëllimet e “Bestemmia”, kurrë nuk zihet në gojë ky gabim!

Pasolini e dinte që po  përdorte një zhargon të vetin, – ndaj nëse dikush nuk  e kupton këtë gjuhë, pavarësisht paralajmërimeve, përkthen fjalë për fjalë. – “E kështu mund  të shkruaj tema dhe trena, edhe profeci”, është bërthama qendrore, jo vetëm e poezisë apo kapitullthit të tetë, por e të gjithë veprës së tij. Temat janë shembujt, “exempla” në kuptimin mitik, kuptimi i katërt i fjalës në fjalorin italian, ndërsa trenat janë, nga greqishtja trenos, rënkimet funebre. Është e qartë, që kush i lejon vetes një lehtësi të tillë, e nëse duam, një liri të tillë, mund të përdorë strategji të tjera për t’u shprehur: për shembull, mund  të përdorë një boshllëk domethënës. Dhe cili është ky boshllëk domethënës? Tre fjalët që Pasolini i heq vargut të Dantes “unë do të qëndroj atje, si ai që…” duke hequr finalen “mallkimin e tij ëndërron”. Kohët e fundit, redaktorët e Veprës së Plotë kanë shpërfillur krejtësisht faktin që “tema” dhe “trena” janë keqpërkthyer, ndërsa bëjnë një shënim të gjatë nën këtë kapitullth për të pohuar që mungesa e tre fjalëve të mësipërme është një harresë tipografike. A thua se Pasolini nuk do ta ketë lexuar me miliona herë këtë poezi, në të cilën njofton, ndër të tjera, vdekjen e tij!!!

 

Sa për të ardhmen, dëgjo:
Bijtë e tij fashistë
do të lundrojnë
drejt botësh të Parahistorisë së Re.
Unë do të qëndroj atje,
si ai që
në brigjet e detit
ku rifillon jeta.
I vetëm, ose thuajse, në bregun e vjetër
mes gërmadhave të qytetërimeve të lashta,
Ravena
Ostia, ose Bombej – s’ka rëndësi –
Me Hyj që heqin barrën, probleme të vjetra
-si lufta e klasave –

davariten…
Si një partizan
i vdekur para majit të ’45,
do të filloj dalëngadalë të dekompozohem
në dritën sfilitëse të atij deti
poet e qytetar i harruar”.

Ky kapitullth i tetë përmban gjithë Pasolinin: së pari, sepse flet për vdekjen e tij, duke paranjoftuar vendin ku do të vritet, pra në Ostia. Dhe e thotë në formë triade (trekëndore), pra të shenjtë, duke vënë Ostian në qendër të trekëndëshit të formuar me Ravenën dhe Bombejin. Në Ravena ka lindur i ati dhe është varrosur Dante, në Ostia vritet Pasolini dhe Bombejin e ka menduar gjithnjë si qytetin e madh të mitit, ku ndoshta do të kishte dashur të xhironte disa filma. Së dyti, kujton të vëllanë: si një partizan vdekur para majit të ’45-ës”, dhe vëllai i tij vdiq më 12 shkurt të atij viti.

“Do të nis pak nga pak të dekompozohem,
në dritën sfilitëse të atij deti,
poet dhe qytetar i harruar”.

Doemos, Pasolini ka guxuar në gjithçka, ka guxuar të bëjë atë çka s’guxohet as të mendohet. Me gjuhën e vet kriptike dhe zhargonin e vet, të rezervuar për pak vetë, ai i ka komunikuar botës projektin e tij të vdekjes. Por, nuk mund të ishte kaq i rëndomtë dhe i kotë sa të njoftonte një projekt vdekjeje, të zgjatur të paktën, 15 vjet, pa patur sigurinë se do të vdiste në ditën, në orën, në hapësirën dhe në vendin, “në kronotopo” siç do të thotë ai duke nënkuptuar kohën dhe  vendin e përcaktuar, me armën e profetizuar prej tij, shkopin, me mënyrat e paraqitura në filmat e tij dhe në veprat e tij, duke e ditur që asnjë njeri nuk mund të shpjerë deri në fund vdekjen e tij, ashtu siç e do. As edhe një vetëvrasës, që nuk e ka tamam pistoletën në dorë, në çastin që profetizon vdekjen e vet, nuk mund të jetë i sigurt se do ta vërë në jetë projektin e vet: kjo u takon ligjeve dhe mundësive të tjera. Për këtë, ai ishte thellësisht i ndërgjegjshëm dhe përdorte çdo ditë Optalidon, një lloj droge, që të mund t’i bënte ballë këtij stresi të tmerrshëm, që ka zgjatur më shumë se 15 vjet. Ndërkohë që afrohet data e caktuar për vdekjen, Pasolini, siç pohon dhe vetë, fillon të ndihet, çuditërisht, më i lehtë, pa shpresa, i sigurt, madje i lumtur. Kjo sepse, projekti i Pasolinit artist e poet, ishte për të më i rëndësishëm se çfarëdo projekti tjetër i një njeriu të thjeshtë.

Tani jemi në këtë pikë: “Në planin estetik, unë gëzoj për lirinë e Pasolinit që zgjodhi vdekjen, ndërsa të gjithë ata që sot merren me trashëgiminë e veprave të tij, pra me ngrirjen e personazhit, ata që duan ta etiketojnë e ta katalogojnë përgjithnjë, mendojnë që ai ka vdekur rastësisht, në një ngjarje disi të pahijshme, që është mirë të harrohet. Pra, mendojnë që vdekja e tij nuk ka lidhje me jetën e tij.

Pasolini

Fjala shpresë është fshirë krejtësisht nga fjalori im, pra vazhdoj të luftoj për të vërteta të pjesshme, çast pas çasti, tani për tani, muaj pas muaji, por nuk bëj plane afatgjata, sepse nuk kam më besim.

Gazetari

Ju nuk keni shpresa?

Pasolini                                                                            

Jo!

Gazetar

Jetoni ditë pas dite?

Pasolini

Po, jetoj ditë pas dite. Nuk kam më nga ato shpresat që në fakt, janë alibi.

Zigaina

E bëra këtë punë kërkimore, një euristikë e vërtetë, një punë që është kërkuar nga Pasolini në mënyrë të saktë, jo për të bërë ndonjë kritikë arti apo letrare. Përkundrazi, jam ruajtur që të mos jap gjykime mbi Pasolinin.  Por për të bërë një punë të madhe kërkimore, për të hedhur dritë e për të deshifruar, sepse si artist e ndiej që jemi duke folur për një nga personazhet më të mëdha, të paktën, të shek. XX. Një njeri që jo vetëm ka parë të shkuarën duke e përcaktuar veten si “një forcë të së shkuarës” – duke iu referuar kohës së lashtë dhe jo ‘800-ës, por në të njëjtën kohë “jam më modern se çdo modern”. Pasolini ishte krejtësisht i vetëdijshëm për qenien e vet të rrënjosur në kohërat e lashta të mitit, e në të njëjtën kohë që kishte aftësi të lexonte realitetin aktual në mënyrë të tillë sa të parashikonte të ardhmen. Po aq sa ç’jam unë i vetëdijshëm për të. Duke e lexuar me vëmendje – e besoj se shumë pak vetë e kanë lexuar me vëmendje, siç kam bërë unë,  – e kupton se cila është fuqia e madhe përfytyruese, kthjelltësia intelektuale dhe njohja e realitetit, ndaj dhe aftësia e parashikimit të një artisti që sot, marr përsipër përgjegjësinë ta quaj artistin më të madh multimedial të shekullit tonë. Një gjykim që nuk kërkon të futet në hollësitë e veprave, por nëse ka njeri që e ka çuar vërtet përpara artin konceptual ky është pikërisht Pasolini. Nëse dikush ka propozuar formën më dramatike të body-art-it, ai është Pasolini. Në planin e kritikës, të vëzhgimit dhe të parashikimit, ai ka qenë një njeri me këmbët e ngulura thellë në realitet, pra një dëshmitar i madh i kohës sonë.

5 Komente

  1. Nuk e njihja kete dokumentar, por nuk u habita tek pashe te aludohet edhe ne te per komplotin e vrasjes se Pasolinit. E gjen kudo nje gje te tille. Edhe une ashtu kam menduar dikur, madje qe ne fillim fare. E kujtoj si tani diten e tij te vrasjes dhe pas lajmit nga nje stacion radioje italiane, u takova me mikun tim H.S. e biseduam gjate per nje ngjarje aq tronditese, sa ç’ishte vrasja e Pasolinit. Ishte nje mit i gjalle edhe per ne. Dhe si tani i kujtoj fjalet e mikut tim, me te cilat isha i nje mendje edhe une se edhe ne nje demokraci si Italia, te lene ta zgjatesh gjuhen deri ne nje fare mase, pastaj po u bere shume i bezdishsem,ta presim. Keshtu mendoja edhe ne fillim te viteve ’90 kur me mikun tim te paharruar I. Gurakuqi, shkonin dhe vizitonim plazhin e Idroscalo-s ne Ostia (ku Iliri banonte dhe ku une shkoja te flija ndonjehere ne shtepine e tij) ku shkrimtari i madh u gjet i vrare.
    Ne ate kohe blija gjithçka qe fliste per Pasolinin, madje gjeta edhe romanin e tij te lene doreshkrim Petrolio, por mbi te gjitha Vita di Moravia, nje liber i shkelqyer qe ne te vertete eshte nje bisede e gjate e Moravias me Alain Elkann (i familjes se avokatit me duket), ku i kushtohet nje vend i madh Pasolinit, mik i madh i Moravias.
    Mbase pa dashjen e Moravias ky liber ma shkermoqi disi figuren e Pasolinit. Jo vetem se nuk i besoja me komplotit te vrses se organizuar se aty kupton se Pasolini dilte çdo nate te “gjuante” por edhe se ai ishte mjaft i eger para gjate a pas aktit seksual, se i rrihte, keqtrajtonte e dhunonte parteneret e rastit dhe urrejtja me te cilen Pelosi iu kthye me dajak dhe pastaj ndezi makinen e tij dhe i kaloi persiper disa here, ishte e besueshme dhe e perligjur.

    Pastaj Pasolini m’u zbeh edhe intelektualisht (meqe shkrimli qe ne fillim thote se ai ishte nje nga intelektualet me te medhenj italiane te shekullit te tij) sepse personlisht e kisha mbajtur si nga te paret qe u ngrit kunder pushtetit te medjeve (gje qe qendron edhe sot) dhe konsumerizmit, por gjithçka duket se ka qene mode, menyre per t’u veçuar, ne mos hipokrizi, se Moravia shpjegon se sapo doli nga varferia ai bente vete nje jete te paimagjinueshme luksi, me makina te shtrenjta etj.. Dhe me tej akoma, aty thuhet se ai priste nje revolucion te fuqishem te klases puntore te vendeve kapitaliste dhe meqe kjo nuk po ndodhte (sepse ne perendim klasa puntore po pasurohej dhe po i kthente krahet ideve revolucionare) , ai diku i thote Moravias (po flas me sa me ka mbetur ne mend) se: tani e vetmja shprese e jona nga mund te na vije shpetimi ka mbetur Afrika (?). Demek Evropa pret shpetim nga proletariati i shkrete afrikan.
    Dhe kur ngrysej i hipte makines se tij luksoze dhe shkonte te perdhunonte (me pagese) djem te rinj (nganjehere fare minore dhe te mos harrojme qe qe kur ishte i ri fare per nje gje te tille ai u detyrua te braktise Friulin dhe te perzihet me perbuzje nga radhet e PCI-se) , qe pastaj i rrihte etj, etj.

    Kam deshire te flas edhe per romaini e tij Petrolio, se eshte edhe ky qe u analizua per te zbuluar vrasesit per arsye se flet per lidhjet midis sherbimeve sekrete dhe titullarve te ENI-t (dhe po flea shkurt fare) se ne te lihet te kuptohet se Aldo Troia ka porositur vrasjen e Enrico Mattei-t dhe pastaj per botimin e tij postum thuhet se kapitulli i fundit u zhduk “ne menyre misterioze”.
    Gjithmone kam dashur te pyes ndokend, perse i lane te botohen kapitujt e tjere ku zhvillohet e gjithe intriga dhe zhduken vetem kapitullin e fundi? Nuk do te ishte me mire qe libri te zhdukej i gjithi?

    Per implikimin ne vrasjen e tij te Cia-s, te juntes se kolonelve greke, te Mafias etj., nuk po flas fare, se sillen argumente jo serioze, ne mos qesharake..

  2. E vertete Lyss! Pasoni eshte manjetik… Por kur lexon keto veset e tij, qe ne fakt ilustrohen nga pak ne te gjitha veprat e tij (kurse te Saló, amplifikohen, film i pashikueshem) vleresimi per te fillon e zbehet… libri Vita di Moravia, a eshte ne shqip? Kush eshte autori? PS: Prej Moravias kam lexuar “Tregime Romane” liber me tregime te mrekullueshme. Respekte.

  3. Me sa di une Vita di Moravia nuk eshte ne shqip. Eshte nje bisede prej nja katerqind faqesh me gazetarin A. Elkann ku ai rrefen shume sinqerisht jeten e tij. Po te kisha qene ne Tirane do ta jepja me qejf kopjen qe bleva ketu e 25 vjet me pare dhe qe e kam ende ne shtepi. Tregimet romane jane me te vertete te bukura, por madheshtine e tij me shume se te veprat e medha me fryme disi sociale si Indiferentet, Perbuzja, Merzitja etj., une e kam gjetur ne romane per te cilet nuk eshte folur shume ndonjhere, si L’uomo que guarda etj. Nje mrrekulli e vertete frojdiste!

  4. Për Pasolinin: robi kishte probleme të mëdha. Jo se ishte homoseksual. Ca portrete të tij e tregojnë pedofil. Kish qejf djemtë e rinj. Gjuante djemtë e rinj. I papërmbajtshëm. Shkonte me djem të rinj prostituta (njëri prej tyre e vrau, thonë sepse donte ta sodomizonte me një bisht fshese). Ishte sado-mazo. Mundet që në këtë kontekst të shpjegohet pse e vranë dhe si. Dhe këto siklete të njeriut i gjen edhe te vepra. Jo se ishte homoseksual dhe pastaj shkruante për Platonin ose ndiqte kampionatin e mundjes.

    Ka edhe më: Pasolini rebel, shpirt i trazuar, trazues i shpirtrave. Ikonë e të majtës në Itali. Por le të përfytyrojmë: një homoseksual që rritet në një shoqëri si ajo në Itali, homofobe, hipokrite, e ka zakon t’i mbulojë veset që të mos duken. Pasolini i persekutuar, i poshtëruar për orientimin e tij seksual. Që pastaj rebelohet kundër sistemit. Në fillim ishte seksi, pastaj revolta. Nuk pretendoj që rebelin te Pasolini e krijoi homofobia e katolikëvë italianë. Por ca gjëra flasin vetë. Për shembull, që çfarë i bëri Pasolini sistemit pasqyron atë çfarë i bëri sistemi Pasolinit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin