Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Shkencë

TINKER, TAILOR, ACADEMIC SPY

nga Kapedani

Një artikull në Associate Press mbi rolin e një profesori maltez, J. Mifsud, në marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe administratës së Trump gjatë fushatës zgjedhore tërheq vëmendjen edhe për lidhjet e mundshme të universiteteve në Shqipëri me botën e errët të krimit dhe shërbimeve sekrete. Por këto lidhje janë problematike për t’u shtjelluar, jo vetëm prej natyrës së punës së shërbimeve sekrete dhe keqbërësve, por edhe për shkak të ngjashmërisë me veprimtarinë e intelektualëve, universitarëve, akademikëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile.

Në hetimin e FBI mbi George Papadopoulos, ish-këshilltarin për politikën e jashtme të presidentit amerikan D. Trump, qëmtohet edhe roli i Joseph Mifsud, i cili sipas dëshmisë së Papadopoulos, ishte i lidhur me qeverinë ruse. Sipas tij, profesori kishte informacion se rusët zotëronin dokumente të Hillary Clinton-it. Papadopoulos pohon gjithashtu se Mifsud dukej të kishte lidhje të forta me rusët dhe kishte kërkuar që ky i fundit t’i mundësonte një takim me ta, çka edhe ishte realizuar. Profesor Mifsud-i ndërkohë është zhdukur nga radari i medias dhe i policisë dhe është në kërkim për përvetësim fondesh në Itali, duke lënë prapa edhe të fejuarën e tij ukrainase.

Në hetim është edhe Stephan Roh, një avokat zviceran që ka bashkëpunuar me Mifsud-in në një universitet privat në Itali, që është pjesërisht në pronësi të avokatit.  Sipas Tagesanzeiger, Stephan Roh e ka mohuar përfshirjen e tij dhe e ka cilësuar „Russiagate“ një luftë politike pa ndonjë shkak për këtë hetim (shih librin e tij). Universiteti, La Link Campus University, është themeluar nga V. Scotti,  ish-ministër demokristian dhe (ish-)agjent i shërbimeve sekrete italiane.

Janë të paqarta lidhjet e Mifsud-it me shërbimet sekrete ruse, por edhe me ato perëndimore. Sipas The Guardian, rasti i tij ngre shumë pikëpyetje, pasi ekzistojnë prova për takime të tij me Ambasadorin Rus në Londër dhe në Moskë. Për disa, Joseph Mifsud duhet të jetë agjent rus (Tom Rogan, Washtingtonexaminer.com, 2, Nëntor 2017). Sipas Rogan, London Academy for Diplomacy (LAD), vendi ku punonte Mifsud-i mund të jetë një mbulesë rezidenture për agjenturën ruse në Britani, nëpërmjet të cilës ai mundohej të rekrutonte studentë duke u ofruar bursa studimi. Gjithashtu nga diskutimet në senatin amerikan, senatorët demokratë mëtojnë se përfshirja e profesorit evidenton përdorimin e metodave të profesionit të agjentëve sekretë rusë. Ndërsa, të tjerë e vendosin atë pranë shërbimeve sekrete perëndimore. P.sh. një faqe kritike ndaj mediave konvencionale dhe Julian Assange hedhin dyshime se ai është agjent i shërbimeve angleze (MI5), pas takimeve që ka patur ky me një prej anëtarëve të komisonit qeveritar për apelimin e procesit të vetingut për anëtarët e shërbimeve sekrete dhe trajnimeve që Link Campus University ofronte për punonjës së shërbimeve italiane e saudite. Edhe miku i tij, Stephan Roh, në librin e tij spekulon se, ndoshta Mifsud është aset i agjenturave perëndimore, për shkak të lidhjeve të tij me shumë politikanë perëndimorë. Sipas tij, ish-ministri i brendshëm Italian dhe ish-agjenti V. Scotti, mund ta këtë mbrojtur e këshilluar Mifsud-in të fshihet.

Siç mund të verehet nga sa më sipër, mediat e majta i mëshojnë hipotezës se Mifsud-i është agjent rus, për shkak se ushqen teorinë e madhe të një kompromentimi të mundshëm të presidentit D. Trump nga agjentë rusë. Ato të djathta, që mëtojnë se “Russiagate” është një konspiracion (anglez në këtë radhë), këmbëngulin se Mifsud është agjent perendimor për ti dhënë kredibilitet shpifjes. Por për rastin e Shqipërisë tjetër gjë meriton interes.

Fijet që priten

Për të plotësuar panoramën mbi figurën e dyshimtë të prof. Mifsud-it, Associated Press problematizon çështjen e një studenteje shqiptare që ishte mashtruar për regjistrimin e saj në programin e doktoratës së përbashkët ndërmjet një universiteti slloven, ku Mifsud-i ishte rektor, dhe një “akademie” në Shqipëri, e cila shte e palicencuar dhe e pamiratuar nga institucionet përkatëse.

Mifsud-i bie në kontakt me akademikët shqiptarë në dy momente: (1) gjatë drejtimit të LAD (London Academy for Diplomacy); dhe (2) kur ishte president i European Mediterranean University of Slovenia. Në Shqipëri këto dy projekte janë multiplikuar në (1) Albanian Diplomatic Academy, drejtuar nga prof. L. Bashkurti; dhe (2) Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, themeluar nga L. Bashkurti dhe Anastas Angjeli, e sot në pronësi të këtij të fundit, deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë.  Më tej prof. Mifsud-i ka qenë anëtar i disa organizmave të arsimit të lartë në Maltë që kanë lidhje me ato të Bashkimit Evropian për arsimin e lartë (Bologna Follow-Up Group, Tempus, Erasmus Mundus etc.), dhe ka gjasa të ketë qenë në kontakt me të tjerë persona në Shqipëri.

Angjeli ka bashkëpunuar me Akademinë Diplomatike të Londrës prej shumë kohësh. Sipas mediave, p.sh. The Guardian (shih më sipër) London Academy of Diplomacy ka mbyllur dyert e saj dhe nuk ekziston as në internet.

“Sot në Middlesex Street në Londër nuk ka asnjë shenjë nga Akademia e Diplomacisë së Londrës. Numrat e telefonit për organizatën që mund të gjenden online dhe në faqen e internetit nuk arrihen. Një recepsionist në adresën e përmendur thotë që organizata i ka lëshuar mjediset 6 muaj më parë.”  (The Guardian, 31 Tetor 2017)

Nëse Mifsud-i është agjent rus, ose perëndimor, në të dy rastet duhen analizuar lidhjet e tij me Angjelin, e ndoshta besnikëria dhe kredencialet e këtij të fundit për aplikimin në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Edhe ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati ka qenë në kontakt me Mifsud-in, sikurse edhe Taulant Balla, që ka marrë një çmim të dyshimtë, sikur shumë të tjera që marrin politikanët tanë rëndom të blera apo dhuruara për merita të çuditshme (Mesdheu).

Pas takimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë  ndërmjet Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati dhe përfaqësuesve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe Akademisë Diplomatike të Londrës si dhe nënshkrimit te Memorandumi te Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë Diplomatike të MPJ, Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe Akademisë Diplomatike të Londrës, i cili ka  si qëllim bashkëpunimin në organizimin e aktiviteteve dhe trajnimeve të përbashkëta në fushën e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të zhvillimeve bashkëkohore, Prof.Joseph Mifsud-i zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Akademik Prof. Muzafer Korkuti.Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e ardhshëm. (Angjeli.com).

Cilatdo qofshin agjenturat që me gjasë qëndrojnë pas Mifsud-it, veprimtaria e tij është e vështirë të ndahet me thikë nga ajo e studiuesve, politikanëve e sipërmarrësve që rreken të kërkojnë lidhje me kolegët apo të financojnë veprimtarinë e tyre. Një mik i Mifsud-it, G. Pitella, deputet i Partisë Demokratike në Itali shprehet:

E njihja për këtë, si një ndërlidhës të madh (grande networker), më duket e habitshme ta shoh protagonist të komploteve dhe spiunazheve ndërkombëtare. (il Foglio, 11 Prill 2018).

Sidoqoftë, dallimet ndërmjet veprimtarive janë të vështira. Ndërsa, nga ana tjetër, strukturat akademike përdoren rëndom për veprimtari spiunazhi, qoftë sepse studiuesit kanë lidhje me kolegë jashtë vendit, merren me çështje të sigurisë kombëtare etj., por dhe për mundësitë që ofron universiteti për të rekrutuar agjentë të ardhshëm.

Tinker Tailor Solder Spy

Në SHBA ka një seri studimesh që janë marrë me veprimtaritë e shërbimeve të inteligjencës në sistemin e arsimit e lartë gjatë Luftës së Ftohtë. P.sh. K. Paget, Patriotic Betrayal: The Inside Story of the CIA’s Secret Campaign to Enroll American Students in the Crusade Against Communism, tregon se shërbimet e inteligjencës amerikane kishin penetruar organizatat studentore amerikane dhe i përdornin këto jo vetëm si organizma indoktrinimi kundër komunizmit, por edhe si platforma për rekrutimin e simpatizantëve apo agjentëve. Ndër metodat që përdornin ishin sidomos bursat, heqja e shpenzimeve të udhëtimit, krijimi i organizatave studentore në bashkëpunim me shoqata katolike apo protestante etj. Një libër shumë i mirë sa i përket rolit të profesoratit është Cloak & Gown: Scholars in the Secret War, 1939-1961, i R. W. Winks, që merret kryesisht me brezin e parë të agjentëve rekrutuar nga Universiteti i Yale. Ndërsa libri i D. Golden, Spy Schools: How the CIA, FBI, and Foreign Intelligence Secretly Exploit America’s Universities, shumë larg cilësisë së dy të parëve, tregon në mënyrë gazetareske rolin aktual të FBI-së në këtë marrëdhënie. Më tej ka studime të mira që merren me rolin e shërbimeve të inteligjencës dhe industrisë së mbrojtjes mbi zhvillimin e shkencës në universitetet amerikane si p.sh. The Pentagon’s Brain: An Uncensored History of DARPA, America’s Top-Secret Military Research Agency, i A. Jacobsen.

Ndërsa në Amerikë kjo çështje është problematizuar nga perspektiva e cënimit të lirisë akademike, sidomos në lidhje me persekutimin e profesorëve të majtë gjatë viteve 1950-1960, në Shqipëri vlerësimi i bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit është vlerësuar negativisht dhe është fshehur. P.sh. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish- Sigurimit të Shtetit ka gjetur dy akademikë të Akademikë të Shkencave si bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit, dhe disa pedagogë, por nuk ka publikuar të dhëna mbi ta. Në kuadrin e ruajtjes së të dhënave personale, por edhe për t’i mbrojtur nga një sulm i mundshëm, ky informacion nuk publikohet. Ndërkohë që këta persona vetë janë subjekte për shantazhe pikërisht nga ata që duan t’i kontrollojnë, si p.sh. partitë politike PD dhe PS, që zakonisht zotërojnë informacione të tilla. Unë mendoj se bashkëpunimi ka qenë në kuadrin e sigurisë kombëtare dhe këta profesorë apo ish-studentë nuk kanë pse të fshihen.

Më interesante do të ishte të studiohen lidhjet e shërbimeve sekrete të huaja me studentë apo pedagogë shqiptarë prej viteve 90. Këto lidhje jo patjetër duhen problematizuar, por publiku duhet të njihet për të kuptuar se ku qëndron besnikëria e njërit apo tjetrit, ndaj Shqipërisë apo ndaj vendeve të shërbimeve përkatëse.

P.sh. në Shqipëri është problematizuar së fundmi veprimtaria e Fondacionit Soros, sidomos investimi i gjatë i saj tek një pjesë e inteligjencës shqiptare. Fondacioni që në fillim ka investuar në organizmat studentore, si p.sh. Gazetën Studenti të drejtuar në vitin 1992-3 nga Altin Goxhaj, që sot e sulmon rëndshëm atë. Mund që për Soros ky të ketë qenë një investim drejt synimeve të saj për shoqërinë e hapur, që jo patjetër mund të kenë qenë në përputhje me drejtuesin e gazetës, por gazeta ka qenë një organ i nevojshëm për të prezantuar interesat e studentëve dhe edukuar ata që punonin atje. MJAFT, një tjetër organizatë e përfolur për socializimin e studentëve shqiptarë me normat liberale perëndimore, krijuar nga një shoqatë studentore (dikush mund të spekulonte se është financuar nga shërbimet perëndimore nisur nga praktika të ngjashme në Ukrainë, Serbi e gjetkë), vlerësohet nga një ish-drejtues i saj (E. Qafmolla) si “shkollë” për politikanët e ardhshëm (shih p.sh. E. Veliaj, A. Mazniku etj.).

Besnikëri të paqarta

Por, nëse gjatë Luftës së Ftohtë lojalitetet ishin të qarta për tu përcaktuar e të lidhura me shtetet, sot ka një konfuzion që përfshin edhe aktorë privatë si OJQ apo korporata.

Open Society Institute, sikur gjatë Luftë së Ftohtë ishte Rockefeller Foundation, është instrument i politikës së jashtme amerikane, kryesisht diplomacisë publike. Por fondacioni jo vetëm ndikon mbi politikën e jashtme, siç mund të vërehet influenca e G. Soros mbi klasën politike amerikane dhe paratë e lobiizmit, por edhe ndihmon në zbatimin e saj. Nisur nga përvoja me Rockefeller Foundation, fondacion që shërbente për të kryer pagesat e CIAs për organizatat e ndryshme studentore në SHBA e gjetkë, nuk përjashtohet që roli i fondacionit të jetë i ngjashëm pas viteve 90.

Në një mbledhje të komisionit parlamentar amerikan (COMMITTEE ON FOREIGN AFFAIRS HOUSE OF REPRESENTATIVES, ONE HUNDRED FIFTEENTH CONGRESS, FIRST SESSION MAY 17, 2017 Serial No. 115–47) gjatë një diskutimi mbi rolin e Open Society Institute, H. B. Yee, zv.sekretari i Zyrës për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, shprehet se, akuzat mbi ndikimin e madh të Soros dhe institutit të tij ishin të ekzagjeruara dhe që faktikisht ishte e kundërta: që individë dhe OJQ dhe organizata të tjera janë duke mbështetur Bashkimin Evropian dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara duke ndihmuar reformat etj., ku Shoqëria e Hapur ka qenë “veçanërisht e investuar në fuqizimin e shoqërisë civile, të qytetarëve dhe grupeve të tyre” për të kontribuar në stabilitetin dhe reformat e rëndësishme.

Përfundime të paqarta

Politika mundet t’i problematizojë këto lidhje sipas hesapeve të momentit. Edhe e djathta në ShBA ka filluar duke folur mbi deep state, çka në Shqipëri mbërrin në format e veta të “Katovicës”, ose p.sh. duke faktorizuar shpikës konspirativë që kanë edhe programet e tyre në kanalet televizive kombëtare. Por strategjikisht, si PD-së, e cila duket se lobonte pa dijeninë e saj me paratë ruse (Mother Jones, 6 Mars 2018), apo PS-së, që mundohet të gjejë akses në politikën evropiane nëpërmjet figurave të dyshimta si J. Mifsud, nuk u leverdis të merren me kësi çështjesh të ndërlikuara. Sidomos kur bëhet fjalë për eksponentë të lartë politikë, që u duhet të hynë në marrëdhënie të tilla (p.sh. në Angli është mbuluar dhe ka kaluar pa pasoja veprimtaria poli-agjenturore e V. Rothschild për shkak të lidhjeve të tij me klasën politike – R. Perry, The fifth man: The Soviet Super Spy). Por zgjedhësit duhet ta dinë se ku qëndrojnë besnikëritë e njërit apo tjetrit politikan dhe se jo gjithmonë shërbimet e huaja, apo OJQ-të ndërkombëtare për të cilat ata punojnë, kanë përparësi interesin e kombit shqiptar. Më tej, vetë hulumtuesit apo gazetarët duhet ti trajtojnë këto çështje me profesionalizëm dhe jo t’ua lënë ekskluzivisht personave me probleme mendore.

Nga ana tjetër, shteti shqiptar është i pafuqishëm dhe i pavullnetshëm të blejë besnikërinë e intelektualëve. P.sh. programi i bursave të studentëve ekselentë prej 2015 është rreth 3.8 milionë EUR për rreth 50-60 studentë (në krahasim, Open Society Foundation ka dhënë rreth 15 mijë bursa përgjatë këtij programi, me buxhet mbi 500 milion euro në vit për grante e bursa). Një pjesë e studentëve të mbështetur financiarisht nga fondi i ekselencës janë bijat e bijtë e gazetarëve apo intelektualëve të blerë nga qeveria, të pasinqertë në marrëdhëniet e tyre me publikun, e aq më pak me interesat e vendit. Jo vetëm që nuk ka të dhëna mbi ata që janë kthyer për t’i shërbyer vendit, sipas kontratës për 3 vjet, por edhe që një pjesë e tyre nuk kanë ndërmend ta kthejnë këtë borxh nëpërmjet angazhimit të tyre social apo intelektual, në mos për vjedhje apo sekserlliqe të mësuara nga prindërit e tyre.

 


Shënim i autorit: Në këtë shkrim, që nuk përfaqëson detyrimisht qëndrimet e sajtit Peizazhe të Fjalës, përmenden me emër personalitete publike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucioneve, etj. në Shqipëri, por kjo bëhet vetëm me synime ilustrimi dhe nuk duhet interpretuar si akuzë për “guilt by association”. Përkundrazi, autori i përmbahet parimit se kontaktet e punës ose të miqësisë me persona më pas të rezultuar agjentë të shërbimeve të huaja nuk janë vetvetiu komprometuese. Për më tepër, të dhënat identifikuese në shkrim nuk janë siguruar me mënyrë konfidenciale dhe as me hearsay, por janë nxjerrë nga burime publike lehtësisht të verifikueshme.

2 Komente

  1. Komenti i siperm i Lyss i thote te gjitha. Megjithate edhe pak sterhollim me teper.
    Nuk ka nevoje te kerkohet pas nje emri (Jozef Misfudit), nuk ka nevoje te germohen lidhjet me x- apo y-intelektual ne Shqiperi, duket se vete Enver Hoxha e la vendin te lidhur me vendet perendimore me disa fije, me qellim ruajtjen e panvarsise se saj, pse jo mundesisht zgjerimin e saj me zona te banuara nga shqiptare prej qindra e me shume vitesh ne vendet fqinje. Ndaj sot e gjithe klasa politike shqiptare eshte e lidhur koke e kembe me perendimin, Meta, Rama, Veliaj, Basha, etj., ndonese permes grupimit qe prej shekujsh ben lidhjet Perendim-Lindje, atij cifut, te cilet -me apo pa deshiren e tyre- e kane lene Shq. te bjere ne preherin e Turqise Erdoganiste, (por dhe kjo do te kete shkaqet e veta). Ajo qe nuk kish parashikuar Enveri dhe as keta te sotmit, ishte qe kjo mani e madhe per para do ta conte kete vend ne kete pike ku gjindet tani, me popullsi te shperbere, i gatshem ndaj cdo lloj skenari te huaj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin