Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

ARTIST, NA KE ZAPTUAR ASHENSORIN!

nga Lorjan Agalliu

…let us state what it is that we say the political art aims at and what the highest of all goods related to action is. As for its name, then, it is pretty much agreed on by most people; for both the many and the refined say that is eudaimonia (happiness), and they suppose that living well and acting well are the same thing as being happy. (Aristotle – Aristotle’s Nicomachean Ethics.)

…le të përcaktojmë se çfarë është ajo që themi se arti politik synon dhe cila është më e larta e të gjitha të mirave që lidhen me veprimin. Për sa i përket emrit të saj, atëherë, është e pranuar gjerësisht nga shumica e njerëzve; sepse si njerëzit e zakonshëm edhe më të rafinuarit besojnë se është eudaimonia (lumturia), duke supozuar se të jetuarit mirë dhe të vepruarit mirë janë e njëjta gjë si të qenit i lumtur. (Aristoteli – Etika Nikomakiane e Aristotelit)

Momenti, ose incidenti po deshëm ta quajmë, kur Kryeministri gjatë fushatës së dialogut me studentët në Universitetin e Vlorës u pyet ndër të tjera edhe për origjinën e të ardhurave të siguruara për ndërtimin e Vilës së vet private në Surrel, nuk meriton të shihet thjesht si një moment “transparence” i zbulimit të një korrupsioni të supozuar kryeministror. Në fund të fundit korrupsioni duhet dokumentuar dhe provuar ligjërisht, një pamundësi absolute kjo në kushtet e Shqipërisë. As edhe si një moment qartësie në debatin që vendos se kush nga interlokutorët në dialogun kryeministri-studentë e ka në të vërtetë epërsinë. Ose, kush është në të vërtet manipuluesi dhe kush është i manipuluari. Sepse mund të argumentohet se në të dy rastet është vetë Kryeministri. Duhet thënë që studenti i cili po dialogonte me Kryeministrin, qartësisht, jo vetëm që e priste pyetjen e tij rreth tabletës elektronike në duart e veta, por e kishte si përgjigjen ashtu edhe kundërpërgjigjen gati. Çfarë tregon se kryeministri është bërë shumë i lexueshëm, edhe përpara se të futet në dialog. Por pozicionet gjatë dialogut nuk është se janë aq të ngurta, ndaj edhe se kush e ka epërsinë e momentit nuk duket të jetë edhe aq përcaktuese në fund.

Por ky incident merr rëndësi të veçantë nëse do pranonim që të dy palët, janë duke luftuar në arenën politike për mendjet dhe zemrat e opinionit publik. Për të qenë të sigurt, Kryeministri ngulmimin e vet për dialog duket se e përligj në besimin që ka me të drejtë vetë publiku, kushedi ndoshta edhe vetë kryeministri, se në demokraci dhe në politikë çdo gjë vendoset nëpërmjet bindjes me ndihmën e fjalës, dhe jo nëpërmjet forcës dhe dhunës. Por edhe nga ana e studentëve duket se e kanë kuptuar këtë, dhe vijimi i protestës dhe dialogut deri më tani është tregues i qartë i këtij ndërgjegjësimi politik.

Por mbi të gjitha ata janë të ndërgjegjshëm se për sa kohë që protesta është shprehje e fjalës së lirë, edhe ultimatumet që dalin prej saj për parakushtet minimale për një jetë më të mirë studentore, nuk mund të lexohen dot dhe as duhet të lexohen si ushtrim force. Por duhet të lexohen si kusht që nëse duam që problemet politike dhe demokratike të zgjidhen nëpërmjet fjalës dhe aksionit politik, dhe jo forcës, atëherë jo vetëm plotësimi i kërkesave minimale të jetesës, por vetë synimi i një jete të mirë (koncepti Aristotelian i εὐδαιμονία; eudaimonia; good life)  duhet të pranohet si qëllimi përfundimtar i artit të politikëbërjes.

E parë në këtë këndvështrim kureshtja Kryeministrore që ngjalli tableta elektronike në duart e studentit, i peshkuar nga Kryeministri si simbol i mirëqenies së tepërt, (po deshe edhe si vlerë e shtuar në përputhje me konceptin marksist të ekonomisë kapitaliste, duke i perceptuar kështu qytetarët dhe studentët si proletarë të përjetshëm), kish për qëllim të kontrastonte këtë mirëqenie të shtuar me “tetë kërkesat”, për t’i paraqitur ato si të tepërta, si vlerë e shtuar, dhe jo si të domosdoshme dhe kusht minimal për të demonstruar që, më në fund, qëllimi final i politikave shtetërore të jetë mirëqenia e qytetarëve, dhe jo diçka krejt tjetër, e zbuluar por e pakonfirmuar.

Kurse sjellja në vëmendjen e publikut e Vilës së Surrelit, zbuloi jo thjesht standardin e dyfishtë kryeministror, por qartësoi edhe diçka tjetër të dyshuar deri më tash.  Atë që kontrasti në mirëqenie midis qytetarit dhe klasës së vet politike nuk është i rastësishëm, por është konceptual. Në kuptimin që pasuria dhe lumturia e klasës politike merret si e mirëqenë (për shembull nga emigracioni!), por ajo e qytetarit dhe e studentit duhet të diskutohet, të debatohet, qoftë kjo nëpërmjet dialogimit mbi “tetë pikat”, apo akoma më keq nëpërmjet kuriozitetit të tepruar (të pakontrolluar) mbi tabletat elektronike në duart e studentëve, dhe jetën private të kujt ngre zërin, të kujt kundërshton.

Vila në Surrel, emblematike mes gjithë vilave të panumërta që okupohen nga politikanët shqiptarë, është signifikative jo vetëm sepse ajo vilë, e parë nga jashtë, është reflektimi i vetëm në publik i jetës private të Kryeministrit  ashtu si ai ka dëshiruar ta reflektojë atë, por sepse është edhe ajo që ai nuk do donte të përmendej në debatin publik, ajo që ai në këtë moment dialogu nuk do donte që ne ta shihnim, por ajo që ai nuk mundi ta fshehë.

Ndryshe nga sa jemi mësuar të dëgjojmë, shpesh dhe me të drejtë, që jeta private e figurave politike nuk duhet ngatërruar me aktivitetin e tyre publik, ftesa indirekte që kryeministri u bëri dialoguesve të vet për të rrëmuar në jetën e tij private, hap edhe një fushë të re debati në atë se sa janë në gjendje vetë politikanët shqiptarë ta ndajnë publiken nga privatja? Sa janë në gjendje të bëjnë dallimin midis aktivizimit të tyre në publik, në polis, dhe në arenën e qytetarëve të lirë, si zõon politikon (kafshë politike sipas nocionit aristotelian) të barabartë mes gjithë të barabartëve, dhe rolit të tyre si  kryefamiljarë, paterfamilias, të shtrirë edhe në jetën publike, qoftë edhe me interesa meskine, qoftë edhe me një vilë. Dhe është e tepërt ta themi se ekuivalenca ose shtrirja e rolit të kryefamiljarit, paterfamilias, në publik, e atij që e drejton shtetin si shtëpinë e vet, nuk është ajo e një të barabarti mes të barabartëve, por është roli i një tirani, në kuptimin që i jep Hannah Arendt drejtimit të pakontestuar të shtetit sipas modelit të kreut të familjes nga njëra anë, dhe drejtimit në polis dhe politikë nëpërmjet dialogut si i barabartë mes të barabartëve në anën tjetër, si dy gjëra të papërputhshme që e përjashtojnë njëra tjetrën.

Dhe të nesërmen e dialogut në Vlorë, Kryeministri si për të na kujtuar që rolin e paterfamilias, të drejtuesit të shtëpisë sonë të përbashkët, vetëm ai mund ta bëjë më mirë se kushdo tjetër i nis një Tweet homologut të vetë opozitar:  Artist ç’janë këta që ankohen pse ke zaptuar ashensorin e pallatit?

Por, edhe për të na rikujtuar se rolin e paterfamilias ky nuk e ka të krijuar por e ka të trashëguar, dhe nuk e ndan i vetëm por edhe me të tjerë.

© 2018, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


  • Aristotle (2011) Aristotle’s Nicomachean Ethics (The University of Chicago Press)
  • Hannah Arendt (1958) The Human Condition, Second Edition – (The University of Chicago Press)

 

10 Komente

  1. Vila e Rames ne Surrel te kujton nje kompleks bunkeresh, bunkeri i tankut, bunkeri i mortajes dhe bunkeri i artilerise kunderajrore. Pyetja qe mundon te shumtet nuk eshte se me cfare lekesh, por se me cfare mendsh nje individ quan shtepi nje kompleks bunkeresh. Ndersa vaniteti i Lulit per nje kat ekstra mbi te fundit eshte i kuptueshem per njeriun (dupleksi ne pallat), halucinacioni i Rames, jo. Ajo qe e shqeteson Ramen eshte qe Luli eshte ne normen e vanitetit dhe nxjerr ne pah ashensorin privat, i cili perben nje eksluzivitet, pra e nxjerr Lulin mbi normen e vanitetit, dupleksi po, thote norma, ashensori privat jo ( nuk je Toni Stark).

  2. I nderuar hyllin, ne pamje te jashtme si bunker duket, shtepia e zotit Rama por, pikerisht ketu qendron hileja.
    Ne nuk e dime sesi eshte brenda, por kane dale shume informacione, se jane perdorur materiale teper te shtrenjta per te ndertuar ate “bunker”.
    Zoti Sali Berisha, prsh, ka permendur materiale te vecanta, teper te kushtueshme.
    Siperfaqja tejet e madhe, qe nuk e ka asnje shtepi e ndonje politikani tjeter ne Shqiperi, te cilen po ashtu e permend shpesh zoti Berisha, eshte nje tjeter tregues se ketu kemi te bejme me nje luks te shfrenuar.
    Mirepo, pamja si bunker, tallja me te, po i sherbejne jashtezakonisht shume Rames, per te sfumuar te gjithe ato zera qe flasin per luksin marramendes te shtepise se tij.
    Me vjen keq, qe edhe ju, hyllin i nderuar, paskeshti rene pre e ketij mashtrimi bunkerist.

    1. Halli o imdat eshte qe ngaqe eshte bunker ska as dritare, nga te cilat mund te zhbirohej se cka brenda. Pastaj brenda bunkerit Rames do i mjaftonte te kishte ndonje Van Gog qe te thuhej se ka 50 milione euro. Sot po flitet per grabitje dhjetera miliona eurosh ne nje dore, te rrish e te merresh me pllakat e banjos dhe porcelanin e sanitareve eshte minimizim i grabitjes, reduktim te muhahete te viteve ’90, Enveri merrte rroge 16 mije leke ne muaj ose qe Saliu jeton ne apartamentin 2+1 te kohes se Enverit. Keta o i nderuar imdat kane leke te ndertojne saraje sulltani. Mua me ben pershtypje c’lloj problemi mendor e shtyn robin te jetoje ne bunker.

      1. I njejti problem qe pasi te ka shtyre te lyesh gjithe dynjane me gjithfare bojrash, shtepine tende te shtyn ta besh gri.

    2. Imdat,
      Z. Berisha, një tjetër “paterfamilias”, në mos “The Paterfamilias” i politikës Shqiptare të këtyre 28-të vjetëve felt për pllaka, por nuk flet për sistemin që ai vet krijoi, dhe mundësoi Edi Ramën dhe bunkerët e Edi Ramës.

      Nuk ju duket ironike?

      1. i nderuar kinoditar, ju mund ta quani thjesht “Sali”, a me mire “Saliu”, sic bejne gjithe socialistat por, ju lutem, me lejoni te jem korrekt, duke mos u perpjekur te me kompleksoni me ironira te kuqerremta . Eshte mire qe te mesohemi me gjuhen korrekte.

      2. Me thene te drejten,edhe mua me erdhi per te qeshur,po pastaj pashe edhe qe kishte thene zoti Rama.Eshte si BBC,qe se si na dukej kur thoshte “Zoti Milloshevic”.Ndersa po te thoshte “Doktori”,do me kujtonte ate “Doktorin e vdekjes” a engjellin e vdekjes,si quhej ai i Aushvicit.

  3. L.A.
    Nuk mendoj qe eshte e sakte te thuhet se, Berisha krijoi kete sistem te korruptuar. Do te ishte, nese ne vitin 1992, kur zoti Berisha mori pushtetin, te kishte zhbere sistemin 47 vjecar te meparshem dhe te kishte ngritur nga fillimi sistemin per te cilin po flasim. Kur ish-komunistet erdhen ne pushtet, vetem pas kater (4) vitesh, e kishin shume te lehte te qeverisnin, sepse, ne thelb, struktura e pushtetit te tyre ishte ende ne kembe, dhe shume e forte. Pastaj, shumica e analisteve politike jane ne nje mendje qe socialistet e ngriten korrupsionin ne sistem gjate dymandateshit te pare te qeverisjes si te tille (dmth, si ish-komuniste).
    Me e sakte do te ishte te thuhej, qe mekati i zotit Berisha eshte se i’u pershtat ketij sistemi. Vendi yne , Shqiperia, eshte i vetmi nder te gjithe vendet e Lindjes ish-komuniste, ku e majta socialdemokrate eshte trashegimtare e drejtperdrejte e e ekstremit te majte qe ishte ne pushtet ne kohen e diktatures. Kjo eshte edhe arsyeja kryesore e korrupsionit te turpshem shqiptar.

    1. Imdat,

      Aq shumë ju “përshtat” Berisha sistemit të vjetër sa edhe partinë e vet ku kishte kontroll absolut e ktheu edhe më keq se sistemi të cilit ju përshtat?!

      Po këto teori janë konsumuar, tashmë sepse nuk i qëndrojnë dot as realitetit, as fakteve, dhe as llogjikës.

      Berisha mori në drejtim një vënd plot me optimizëm dhe energji, dhe një parti në shumicën e saj absolutisht të djathtë. Të dyja i shkatërroi. Pasi mbaroi pune, publikut iu servir përralla, nga Mero Baze me shokë, se ishte trashëgimia komuniste dhe jo Berisha, që i prishi.

      Edhe një gjysëm i informuar e di se PD është sot në shërbim të familjes së Berishës dhe Lulit.

      Lëre Berishën dhe PD-në të merret me pllakat, dhe me vezë, se aq e ka takatin. Nuk kanë si të merren dot me sistemin që kanë ngritur vetë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin