Titulli: Mjaltë në teh
Autori:Romeo Çollaku
Përgatiti: Armanda Kodra Hysa
Zenit Editions, 2016
[divider style=”double” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]
1.
Por jetonte në fshat edhe një grua tjetër, vejusha e të ndjerit Maqo, të cilin, një natë me suferinë, e kishin gëlltitur, sipas gjithë gjasave, përfare dallgët e zeza. Kjo ishte ndryshe nga të tjerat: nuk dinte shqip dhe kryqin e bënte nga e majta në të djathtë. Megjithatë, që binte në sy menjëherë mes grarisë së asaj kodre të humbur mes malesh, nuk bëheshin edhe aq shkak gjuha e feja. Para se Maqoja ta sillte, për herë të parë, gruan e huaj mes atyre kreshtave, vendasit kishin patur, brez pas brezi, një koncept krejt tjetër mbi bukurinë femërore. Revolucioni kishte plasur papritur, një mbasdite gushti. Nuk ishte derdhur pikë gjaku, vetëm qepallat e burrave, që, ulur këmbëkryqë, po luanin spathitë poshtë rrapit të moçëm, ishin shtangur në çast; bëje be, qepalla statujash. Kurse duart, ato duar që patën ngritur shkëmbinj e trungje të rëndë, ishin dobësuar, befas, aq shumë, sa mezi po mbanin letrat e bixhozit.
2.
“Gjo këtu, Miço”, i tha Papateoja dhe tjetri mbajti hapat, “që nga koha e Noes, që bëri dhe kutinë e madhe, e gjer para ca vitrave, kur nuk kish doktorë, kush ia vështronte gjuhën njerëzisë”
Njeriu më i pafajshëm i asaj kodre mblodhi supet.
“Prifti, Miço, prifti. E çish ta thotë ti mëndja? Ka hequr dorë qisha nga kjo e drejtë e saja”
“Ku di gjë û, uratë…”
Papateoja nënqeshi:
“Û, mbamë vesh mirë dhe shko, pastaja, pa u errur, e thuaje në tërë fshanë, û, kur u thom të sëmurëve të hapën gojën, nuk u vështroj vetëm gjuhën, u vështoj më tutje, më përbrënda, u vështroj gurmazin, mushkëritë dhe, në funt, në funt fare, u shquaj shpirtin”.
3.
“I gëzoneshim, krenoneshim me të. Po ç’e do? E ormismë me hajmali, e nismë në atë të shkretën Avstri që të nderonte fshanë, po ai, di a tre vitra, na harroi e as i ra mëndja për ne. Hodhi një gur pas krahëve. As di gjisht kartë s’u kujtua të na zhgarravitte”. Në të vërtetë, nuk e patën dërguar ata në Austrinë e largët, sepse çështje të këtilla nuk ishin në dorën e tyre, dhe, gjithsesi, nuk kishte vajtur atje për të nderuar fshatin. Duke qenë se ethet e tifos u dëmtonin rradaken nënshtetasve të mbretërisë, e kishte zgjedhur dhe e kishte dërguar ministria e atëhershme e arsimit që të shkollohej mirë e mirë dhe të kthehej, pastaj, në atdhe e të shëronte mendjeçarturit.
4.
Mësues Stilloja e zhyti, më në fund, dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe, duke u fshehur pas Qesarit, rrëkëlleu nga faqorja nja tri a katër gllënjka të forta. I lotuan sytë, kashta e grykës dhe kraharorit i mori flakë.
“Nashinë”, mërmëriti, “edhe në lule të ballit të ma drejtojën titën, siri tërr nuk ma bën. Kështu çish u thom û”.
“Gogo, ke folur me vënd”, tha Zahoja, “të heq kapellon. Më njan sikur kishim dekur e u njallëm prapë. Do t’u thomi edhe faleminderit, do t’u japëm edhe ca ullinj me vete jermanëve. Të tërë që jemi këtu, e kërriem nga një pikë raki. Ndaj i vështonin hardhitë, që të siguroneshin”.
“Jo të tërë, nuk kërriem të tërë”, kundërshtoi Qesari.
“Të tërë, të tërë”, ngulmoi kunati i Kondes me nishan dhe me kasketë.
Atëherë, Qesari, njeriu që, në çastin më të gabuar, i shpëtonte më e gabuara e fjalëve, tha:
“Xhuzepja nuk kërreu!”
Njëri prej gjermanëve, ndërsa ishte duke shtrydhur puçrrat e nofullës, u kthye me vërtik; një tjetër bërtiti. Nëpër dritare e veranda, u shfaqën gra, fëmijë. Josifi, pasi u përplas me nja dy a tre veta, gjeti shteg, kapërceu disa shkembinj dhe, ndoshta me shpresën se do ta mbulonte muri i ulët i shtpisë së Arqilesë, u turr tatëpjetë. Vraponte zbathur, opingat i fluturuan nga këmbët qysh në hapat e parë. E kishin në shuplakë të dorës; ndodhej ende shumë larg përrenjve e prralleve, që edhe mund ta fshihnin disi e ta mbronin. U dëgjua një breshëri e zgjatur, ajri kundërmoi barut.
5.
Prifti nuk shkulej nga pragu, shtypte me thonjtë e sertë nyjet e rruzares, teksa i kishte kërcyer damari në mes të ballit, dhe ziente përbrenda. Nuk donte ta pranonte se, për mynxyrën e një dite më parë, nëse i duhej hedhur faji me doemos dikujt, ky nuk mund të ishte tjetërkush veç Qesarit. Ç’është e vërteta, Qesarin, jo vetëm ai, por asnjeri nuk e fajësonte. Ia njihnin huqin dhe, me kalimin e kohës, ishin bindur se diçka e mbinatyrshme, një forcë mjaft e errët dhe e pashpjegueshme, për të shkatuar, herë pas here, ndodhi të mbrapshta në kodër, ndërsa mund të zgjidhte gjithsecilin prej tyre, kishte zgjedhur, krejt rashtësisht, ndoshta me short, Qesarin.
6.
Me padurim, rrëmbimthi, burri dhe gruaja zunë të zhvishnin shoshoqin, duke i flakur teshat sa andej-këndej, derisa u shfaqën lakuriq nën dritën e zbehtë të qiriut. Xhilda u ul ndanë shtratit, Andoni qëndroi në këmbë përpara saj; sikundër ishin, u afruan dhe, atëherë, Kondja i mbuloi sytë e përflaktë me të dyja duart, e çmeritur. Jo, kjo ishte e pabesueshme! Jo vetëm që nuk e patën ushtruar kurrë me Balashin një gjë të tillë, por as i kishte vajtur ndonjëherë mendja se mund të bëhej! Ky ishte kulmi i shthurjes, turpi i turpeve!
I hapi paksa gishtërinjtë e rreshkur, pa kokën e gruas që, me topuzin e flokëve tashmë të zgjidhur, lëvizte ritmikisht sa para-mbrapa, u bind që nuk i kishin bërë sytë dhe gati sa nuk i ra pika. Pastaj, Xhilda u shtri në shpinë, me gjunjët të përthyer, dhe Andoni, duke e zgjidhur çikrikun e llapës, zhyti midis kofshëve të saj fytyrën. Fund bote, Sadomë e Gomorrë: plaka brofi larg parvazit të dritares, bëri kryqin tri herë dhe u lëshua shkallëve, pa qenë aspak e sigurt nëse vazhdonte ta kishte tepelekun ende në rradaken miza-miza. E përshkroi oborrin vetëtimthi dhe vrapin e ndali në shtëpi, ku ran ë gjunjë para ikonës Shën Mitrit.
7.
Kur mbërriti në atë pikë, Tatjana i la kyçet e duarve t’i kryqëzoheshin mbi qëqi dhe përqendroi gjithë vëmendjen, për të mos humbur as gjestin më të imët të shoqes, asnjë regëtimë rrudhe, asnjë përpëlitje qerpikësh. Tashmë, nuk kuptonte gjë prej gjëje. Asgjë. Domethënë, kuptonte që diçka dhe më e llahtarshme kishte pasuar, por se çfarë mynxyre ishte kjo, nuk i binte dot në të. Kondja po vështirësohej t’ia shpjegonte. Po vështirësohej shumë. Ishte hera e parë që vështirësohej aq shumë për të treguar diçka. Seç nisi të bënte ca veprime tepër të çuditshëm, afronte grushtet te buzët, fuste njërin gisht në gojë dhe e thithte, por ku donte të dilte me këto? Ç’donte të thoshte? Mos gjëkundi, në skenën që kishte përgjuar një natë më parë, qe e pranishme ndonjë foshnjë gjiri? Apo ndonjë thuthuq? Kondja mohonte me kokë, duke e tundur fort, gjithë pezëm e zhgënjim, sa majtas-djathtas. Atëherë çfarë?
8.
U dëgjuan disa të qeshura të ndrojtura, që, më tepër se zbavitje, shprehnin habi. Famulltari, pa iu përgjigjur, e kapi Gogon për nofulle dhe e vështroi drejt e në sy. Një vështrim ky pyetës dhe hetues. Nuk iu duk se po bënte shaka. Madje, në qerpikë, i shkëlqente një lagështi përmallimi.
Gogoja u përqafua me Zahon.
“Do jesh meruar, more bir”, i tha kryetari i këshillit, “po për të mirën tënë punove, për të mirën e popullit”.
“Besa po, jena lodhë jo pak”, ia ktheu Gogoja, “po s’ka gajle, se për atmen tonë kena punù”.
Dhe, duke u shkëputur prej kryetarit, zgjati duart drejt Stillos:
“A je si je, msus! A të ka hecë shkrimi k’to kohet? A je tuj e marù njat liber qi shkrun, bre burrë?”
E ç’përgjigje t’i jepte i shkreti Stillo asaj të folmeje? Nuk i dha fare. Ç‘të ketë pësuar vallë, mendoi; vetëm dy javë qëndroi në malësi, jo dymbëdhjetë vjet. Arsye për të rrëkëllyer nja dy gllënjka donte mësuesi dhe ajo e folme e mërziti jashtë mase. Futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës.
9.
Ende nuk e kishin marrë veten nga kjo mandatë e parë, kur u erdhi, në të hyrë të verës, tjetra; kishin arrestuar Qesarin. Qëlloi të ndodhej në Sarandë pikërisht në ditën kur qytetin e vizitonin Nikita Hrushovi dhe Enver Hoxha. Kishte blerë pasta dhe torona, që t’ua shpinte nipërve në mbrëmbje, kur e përfshiu dallga e gjindjes me flamurë e me pankarta dhe zuri ta shtynte e ta vërtiste sa andej-këndej. Asnjeherë nuk kishte dëgjuar Qesari duartrokitje e brohoritje aq të zjarrta. Zgjati kokën dhe vuri re se, nga afër, dy udhëheqësit e lartë të Bashkimit Sovjetik dhe të Shqipërisë, fotografitë e të cilëve i kishte parë nëpër gazeta, dukeshin ndryshe: kuqalashë dhe të majmë. Sidomos Hrushovi. Qesari kapsalliti qepallat si flatra kolibri:
“E paska plëncin sa një bic!” tha dhe u zgërdhi pa të keq.
Pas dhjetë minutash, u gjend në hetuesi. Pas tri ditësh, në sallën e gjyqit. Gjyq i thënçin; nuk zgjati më tepër se gjysmë ore. Doli Zahoja dëshmitar dhe u përbetua se i pandehuri ishte njeri kokulur dhe i papërzier, por, ngaherë, e kishte patur mallkim të thoshte, në vendin e gabuar, fjalën e gabuar. Dëshmia e tij u pranua si e vlefshme dhe trupi gjykues shpalli vendimin:
“Tre vjet heqje lirie!”
Heqje lirie? Qesari nuk dinte nga fjalët e mëdha dhe nga terminologjia juridike, ndaj edhe nuk e kuptoi masën që sapo ishte marrë ndaj tij. Gjithsesi, buzëqeshi i lehtësuar. Mund të më futnin edhe në burg si Stillon, tha me vete.
10.
Pastaj, pasi hodhi edhe një vështrim të tejmë në brendësi të kishës, kyçi i përlotur portikun e rëndë dhe zbritën të dy të tatëpjetën drejt rrapit, ku lojtari i tmerrshëm i spathive u ul në pritje të ndonjë kundërshtari të fortë, ndërsa Papateoja mori kthesën drejt shtëpisë së së bijës.
I bëri zë Andonit, që të përgatiste veglat e qethjes dhe të rrojes. Dhëndri u habit, nuk lëvizi nga vendi. Për të qethjes, në rregull. Por ç’i duheshin priftit veglat e rrojes?
“Edhe të rrojes”, përsëriti plaku.
Me një të rënë të gërshëres, i preu në fillim gërshetin e përhimët, që, duke u rrëzuar përdhe, bëri po aq zhurmë sa një harabel kur bie i ngordhur.
Pas një ore, Papapteoja pa mbi rrasat e oborrit një kapicë thinjash, kurse, në pasqyrë, një fytyrë disi të njohur, që, vagëllimthi, i solli ndërmend fytyrën e një djaloshi të largët, pasqyruar aty e rreth shtatëdhjetë vjet më parë, mbi sipërfaqen e sternës a të ndonjë voze a të ndonjë pellgu a të ujrave të Gurrës. Ishin po ata tipare, porse të zhubravitur tashmë. Vuri re se qenkësh dobësuar shumë. Dhe zbehur.
Fantastike! Duket do te jene pjese te shkeputura nga libri, sepse dukeshin ne fillim si pa lidhje. S.d.q., keto pjese kaq te bukura te ketij libri tregojne edhe nje here se sa i tepruar eshte nihilizmi i disa (gjoja) specialisteve te librit, qe kane deklaruar se libri shqip eshte per toke ne krahasim me te huajin. Pertoke eshte mosreklamimi i autorve shqiptare,
Fantastike! Letersia shqiptare gelon e gezon permrekulli. Por e kane lene pas dore kritiker e saj.
MJALTE NE TEH është nje roman i shkruar mjaft bukur, me stil te rrjedhshëm dhe gjuhë të pasur. Ata që ankohen për letërsinë shqipe e bëjnë nga mosnjohja. Përgëzime Romeo Collakut!