Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

BUJRUM KORRUPSIONIT

nga Arjan Shahini

Në 2019 vjen fillon fushata zgjedhore dhe populli do të jetë sërish në mëdyshje për ndarjen e votës. Gjatë fushatës unë këshilloj që çështja e korrupsionit të injorohet tërësisht gjatë ligjërimit elektoral. Qytetarëve të mos u ngrihen veshët nga diskutime mbi qeverisje të mirë, videot apo denoncimet mbi korrupsionin e politikanëve. Këto vetëm sa krijojnë pritshmëri të larta për qeverinë e radhës. Shqiptarëve besoj se u mjafton që qeverisen.

Njësitë vendore më eficiente janë ato të drejtuara nga kryetarë të Partisë Socialiste. Këto njësi kanë tërhequr më shumë para dhe kanë shpenzuar më shumë. Po këto njësi janë edhe ato që kanë numrin më të lartë të prokurimeve me probleme, sikur vlerësohen nga OpenData.al. Sa më të larta shpenzimet totale për njësitë vendore, aq më i lartë numri i tenderimeve me probleme. Ato bashki që shpenzojnë më shumë, punojnë më shumë, kanë edhe korrupsionin më të lartë.

Ndërkohë që bashkitë e PS-së kanë numër mesatar më të lartë se ato të PD-së, bashkia e Tiranës zë vendin e parë me mbi 300 tenderime me probleme. Sikur vërehet nga grafiku i tretë, kurba e të ardhurave është ndarë nga ajo e shpenzimeve vetëm në qeveritë vendore të koalicionit të PD (APPD), e shpenzimet janë me të larta në bashkitë e administruara nga koalicioni i PS (AES). Ndërsa numri i prokurimeve me probleme, sikur shenjohen nga OpenData.al, është ulur vetëm në bashkitë e PD-ës, e po aty edhe shpenzimet në total.

 

Numri i prokurimeve problematike te shenjuara nga OpenData.al

Lidhja ndermjet te ardhurave dhe shpenzimeve ne bashkite e vendit, sipas koalicioneve ne 2015.

 

Lidhja ndermjet shpenzimeve dhe prokurimeve me probleme, sipas koalicioneve 2015

 

Prandaj populli është i këshilluar të zgjedhë atë që korruptohet më së shumti. Të ndërgjegjësohet gjithashtu se, partitë politike në Shqipërinë me 2 milion banorë nuk mund të veprojnë më shumë se kaq. Aq janë mundësitë për të vjedhur, e për pasojë kaq edhe për investime në shpenzime publike.

Më tej unë propozoj që partitë të shpallin dhe të tenderojnë shërbimet e tyre korruptive në mënyrë të hapur. Kjo do t’i siguronte klasës ekonomike stabilitetin e shumëpritur. Që të kuptohemi, klasa ekonomike me influencë në politikë është njëkohësisht edhe ajo e bizneseve me veprimtari ekonomike më pak të fisme se krijimi i karteleve, shfrytëzimi i klasës punëtore apo mashtrimi i konsumatorit me produkte jocilësore.

(c) 2018, autori.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin