Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

FESTIVALI “I VOGËL”

Para disa ditësh mora pjesë si anëtare jurie në një festival kënge për fëmijë në qytetin tim. Deri në atë çast kisha menduar se një festival i tillë është ngjarja më e vogël në jetën muzikore të një vendi dhe asnjëherë nuk kisha menduar ta ndiqja një të tillë prej fillimi në fund. Megjithëse kam një formim muzikor.

Ta themi hapur, një festival kënge për fëmijë nuk zgjon aq interes sa një festival kënge për të rritur[1]. Mungesën e interesit e gjej, së pari, në atë që tregu muzikor e ka përjashtuar prej kohësh. Ky treg sot po dikton me forcë shijet, rrymat, mesazhet, performancat, parapëlqimet e këngës shqipe, dhe sigurisht edhe prirjet muzikore për festivale e në festivale.

Nga ana tjetër, të duket çudi ekzistenca e një festivali të tillë në Shqipëri, për shkak se fëmijët tanë i dëgjon gjithnjë të këndojnë këngë të rriturish, në konkurse talentesh, në spektakle televizive, festa dhe kudo. Më kujtohet vitin e kaluar, nga fundi i korrikut pushoja në një plazh në Shëngjin. Një familje ishte e ulur për të drekuar në restorantin e këtij plazhi. Dy fëmijët dhjetëvjeçarë të familjes, një djalë e një vajzë, ndërsa prindërit drekonin, i kënduan të gjitha këngët shqipe që dëgjoheshin në sfond nga muzika e restorantit. Dhe mund ta imagjinoni se çfarë këngësh janë më të pëlqyerat e verës për shqiptarët. Kulmi ishte që, ndërsa fëmijët këndonin gjithë qejf “se ftyrën e ke ba si kokaina[2], prindërit vazhdonin të përtypnin ushqimin e tyre dhe të shikonin telefonat e tyre. Asnjë reagim! Nuk po e teproj, dhe nuk jam e vetmja që jam përballur me këto shfaqje të frikshme: fëmijë që nxjerrin nga goja e tyre vargje të turpshme këngësh në praninë e prindërve të tyre që nuk u bën asnjë përshtypje.

Bëra një hyrje të gjatë për t’ju treguar disa gjëra që më lanë mbresa në këtë ngjarje artistike të rrallë të qytetit tim. Dhe mbi të gjitha, për të folur e bërë të ditur gjëra kaq të bukura e të mira që ndodhin në vendin tonë, por që nuk marrin atë bujën e disa ngjarjeve të tjera për fëmijë, ku derdhet paraja lumë dhe të cilat uzurpojnë një vëmendje të madhe të opinionit publik, edhe pse cilësia e këtyre lë aq shumë për të dëshiruar. Por ndërsa përballesh me ngjarje të tilla të një cilësie tjetër, shumë më të mirë, që promovon vlera dhe edukon breza, që nuk tërheqin vëmendjen e medias së Tiranizuar[3], mbushesh me shpresë.

Festivali, edhe pse një ngjarje lokale, kishte përfshirë edhe kompozitorë që tashmë janë pjesë e ngjarjeve kombëtare muzikore, si Edmond Zhulali, Alfred Kaçinari, Klodian Qafoku, Naim Gjoshi, Eriona Rushiti, Edmond Rrapi, pjesëmarrës të rregullt të festivalit të këngës në RTSH, fitues çmimesh aty. Por një pjesë e konsiderueshme e këngëve dhe e realizimit artistik të tyre ishin kompozime nga muzikantë profesionistë të Elbasanit. Këngëtarët e vegjël ishin të gjithë artistë të rinj të Elbasanit.

Por desha të spikas posaçërisht disa gjëra që ishin si një zbulim për mua, një anë e panjohur dhe bukur e qytetit tim. Ky festival ishte fryt i punës plot përkushtim të një grupi të rinjsh muzikantë, të gjithë miq me njëri-tjetrin, dikur disa shokë të një klase, tani pjesë e jetës artistike të qytetit, kush si pjesë e Shkollës Artistike të qytetit e kush pjesë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve.

Si paska një grup njerëzish të talentuar në këtë qytet, që paskan këtë ambicie të rrallë: një festival kënge për fëmijë? Dhe tjetra që mësova këto ditë ishte se ky ishte një festival “i ngjallur” këto vite, pra me ardhjen e këtij brezi të rinjsh, që e kanë gjallëruar në mënyrë të pazakontë jetën e fëmijëve të qytetit. Në fakt, Qendra që organizoi festivalin organizon edhe ngjarje të tjera artistike, duke zbavitur, edukuar dhe formuar deri në 400 fëmijë të talentuar në arte të ndryshme.

Të gjithë e dimë që festivalet e rretheve ishin në ato fillime sajesa të sforcuara të mënyrës se si konceptohej arti përgjatë regjimit të Pushtetit Popullor, ku synohej masivizimi e artit, popullarizimi me çdo kusht i tij pa u kujdesur për cilësinë. Por të marrësh një gjë që ka vdekur me meritë (si një festival lokal i diktuar nga regjimi) dhe ta ngjallësh me cilësi, kjo kërkon guxim artistik, talent, përkushtim dhe organizim forcash. Pra, një mjedis artistik të gjallë, një grup njerëzish që i bashkon një pasion e përkushtim.

E të mendosh se kjo nuk është as një ngjarje që “buron” para, si ato ngjarjet mediatike për fëmijë e të rritur, ku arsyeja pse këngëtari fëmijë dhe i rritur këndon është që të përligjë reklamën: ai nuk komunikon më me një teleshikues, por me konsumatorët. Asnjë sponsor në kishte në këtë festival! Bashkia ishte i vetmi institucion që mbështeti financiarisht. Dhe për herë të parë në jetën time u ndjeva plotësisht e kënaqur me përdorimin e parave publike.

Të gjithë artistët e qytetit, bashkë, në një rivalitet të shëndetshëm me njëri-tjetrin, vit pas viti po zhvillojnë aftësitë dhe talentet e tyre duke kompozuar këngë për fëmijë. Këngë për fëmijë? Të kënaqësh ambicien tënde dhe të shfaqësh talentin tënd me një këngë për fëmijë?

Këtë pyetje e pata që në fillim, që kur mora lajmin se do të jem në juri. Kush kompozon për fëmijë? Dhe pse?

Këtë pyetje e kishte edhe një anëtar tjetër jurie, një kompozitor shumë i njohur i këngës shqipe, që është në majën e tregut muzikor në Shqipëri, pjesë e një brezi artistik me kompozitorët e festivalit për fëmijë. Ai e pati si pyetje retorike në një çast bisede, i mbushur me çudi, ndoshta edhe me padituri. Por unë, për vete, kërkoja përgjigje.

Ç’motiv e shtyn një të ri të talentuar të kompozojë një këngë për fëmijë? Të prodhosh diçka të bukur, por që nuk do të ketë suksesin që e ëndërrojnë sa e sa të rinj, që nuk do të marrë aq e aq klikime, që nuk do të të bëjë të njohur në ato sallonet e shndritshme dhe në netët e gjata plot zhurmë të qytetit që është aq afër me timin?

Njëri nga kompozitorët, një djalosh, kompozonte për të bijën. Sytë i shkëlqenin kur më tha: “Vajza më pyeti në fund pas këngës: Babi, a je i kënaqur me mua? Unë isha aq i kënaqur me të dhe ishte ajo që më pyeste mua”. Ishte viti i dytë që e nxirrte në skenë të bijën. Me kënaqësi dhe me sukses. Ajo rritet dhe ai kompozon këngë çdo vit për të. Pjesa më e madhe e prindërve ua ruajnë fëmijëve vitet në fotografi a video. Ai po ia dokumenton vitet me këngë.

Një artiste tjetër plot talent, që nuk pati mundësi ta zhvillojë potencialin e vet si të tjerët e brezit të saj, për shkak se jeta iu “lidh” në qytet, ka gjetur më në fund hapësirën për të fluturuar. Shkruan poema të vogla, vargje që i mbushin fëmijët me hare dhe i çojnë larg në një botë ashtu si duhet të jetë. Kënga fituese e festivalit ishte teksti i saj. Dëgjoje[4]. Ka gjetur gëzim kur sheh dhjetëra fëmijë që këndojnë në kor vargjet e saj.

Dikush tjetër kompozon sepse është i talentuar, do të provojë nëse talenti i tij prodhon gjëra të bukura. Dhe do ta nisë me këngën për fëmijë. Ndoshta do të shkojë një ditë përtej këtij caku. Provon të kompozojë për mbesën e vet. Ajo është e lumtur. Tani për tani mjafton.

Është kthyer të kompozojë edhe ai që e bënte kur ishte i ri edhe kishte ende energji për të ëndërruar. Dhe kënga e tij ruan ende motivet e madhështisë[5] së kërkuar nga muzika në kohën kur ai u shkollua.

U kthye të shkruajë vargje edhe ai që e bënte me guxim kur ishte i ri. Në vitet e pjekurisë harroi se e kishte një verb të tillë. E kujt i duhej arti këto vite në Shqipëri? Por, ja tani ka një arsye për të shkruar si dikur dhe për të kënaqur të tjerët si dikur.

Dikush tjetër kompozon sepse shokët e tij e bëjnë. Edhe ai duhet të dëshmojë se është po aq i zoti sa ata. Edhe është. Ndërsa dikush tjetër kompozon, sepse motivet që i vijnë për të kompozuar janë të bukura dhe janë për fëmijët.

Të gjitha këto që i shkrova, nuk janë fantazi të miat. As ëndërrime artistike. Janë ngjarjet dhe personat e këtij festivali të “vogël” kënge.

Dhe siç është e zakonshme për mediat tona, opinioni publik u informua prej gazetarëve në mënyrë sipërfaqësore. Kronika për këtë festival paraqet një aspekt artistik të tij anësor[6]. Edhe pse, në fakt, aspekt vërtet aq i bukur. Tekstet e dy këngëve nga festivali u paraqiten edhe me gjuhën e shenjave. Në fakt, nuk ishte një “përkthim” i thjeshtë në ato gjuhë, ishte një performancë e mirëfilltë artistike.

Vit pas viti, mjedisi muzikor i qytetit po pasurohet. Një këngë e kompozuar është diçka që mbetet. Fëmijët do ta këndojë atë gjithë vitin, por edhe vitin që vjen, në festat e tyre, në kopshte, në shkolla, në shtëpi. Vitin tjetër kompozimet do të jenë edhe më mira, bisedat mes artistëve për këngët e njëri-tjetrit e sigurojnë këtë. Dhe ata duket se do të vazhdojnë kështu, pa bujë, pa mediatizime të zhurmshme, sepse duket se u mjafton ai rivaliteti i shëndetshëm që kanë mes tyre dhe që kënaqin fëmijët, që nxjerrin talente, që kanë mundësi të prodhojnë artin e tyre.

Përkundruall, nga ana tjetër, është zhurma që vjen nga qyteti i madh, me zëra fëmijësh që rreken të imitojnë zërat e të rriturve dhe këngët e tyre me dashuri të prishura, tradhti, vetmi, mallkime, ndjenja të lagura me lot e alkool: të gjitha tema që i kërkon dhe i konsumon tregu. Dhe shokët që e ftonin kompozitorin më të suksesshëm të këtij tregu, anëtarin e jurisë: “Vitin tjetër të presim me një këngë këtu!”.

Por nuk besoj se vjen.

(c) 2018, Autorja.


[1] Në fakt ky tog fjalësh (festival kënge për të rritur) nuk ekziston në shqip dhe mua m’u desh ta ndërtoj në këtë tekst, për shkak se po e përqas me të parin (ai për fëmijë), i specifikuar tashmë.

[2] Vargu i parë i një kënge të kënduar nga këngëtari shqiptar Mozzik, me titull “Cocaina”.

[3] Me tematikë të vetme a qendrore Tiranën.

[4] https://www.youtube.com/watch?v=Dd3oUHj6r4E

[5] https://www.youtube.com/watch?v=CH7d942UYSI

[6] https://www.youtube.com/watch?v=ZCkS2xGipuo

 

(fotoja në kopertinë (c) Albert Vaja)

1 Koment

  1. Gje e bukur! Perpara ketij amorfiteti qe po kalon shoqeria shqiptare, perpara kesaj mase fluide ku eshte kthyer kjo shoqeri, festivale te tilla ngurtezojne sado pak bazamentin e kesaj shoqerie, i japin sado pak nje identitet kombetar brezit te ri. Me tej keshtu!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin