Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

RRETH IRRACIONALITETIT KREATIV

nga Bjorn Kamberi

frymëzuar prej thënies së Arthur Rimbaud “Ne jemi: Ata që nga pema prodhuam letrën, ku u vizatua rrënja”

Një ditë me shi, në Tiranë, 30 nëntor, 2017.

Çka besoj se ja vlen të diskutohet tani mbrëmazi, që paraqet në vjeshtë, stinë e shndërrimeve në natyrë, por kryesisht edhe e melankolisë së ëmbël të reflektimit nën shi, një vlerë të shtuar në kuturisjet e nevojshme, punëve të shpirtit, që shprehja elegante e paradoksit të cilën dje rasti e desh ta lexoja diku, sipas  të cilës njerëzit janë të vetmit që, pasi e kanë prerë pemën, duke ja mpakur asaj degëzimin, pyllit gjelbërimin, tokës qëllimin, oksigjenit çlirimin, malit blerimin dhe vetë njerëzimit frymëmarrjen, aq të dashur ashtu të freskët, kohëve të sotme, pra njerëzit, pasi prej trungu të cunguar prodhojnë letra, në to zënë, ironikisht e deri diku me një pathos pervers, të vizatojnë rrënjët, degët dhe gjethet, kurorat e harlisura të pemëve në dëlirje të tyren, piktura që më pas i soditin gjatë, ua veshin mureve dhe mendjes që edhe në më të mërzitshmen rutinë të tyren, të kenë një copëz nga freskia e pyllit gjithnjë me vete. Është vërtet një engledisje e këndshme mendore, mendova porsa e hasa një ide të tillë, shkoqitja e kësaj gjëegjëze kuptimore, e kësaj bivalence enigmatike që me ravijëzimet deduktive, shpesh e vë në diskutim thelbësor vetë kthjelltësinë e rolit vendimtar që inteligjenca, pra aftësia për të gjetur metodat më efikase për zgjidhjen e sfidave me qëllim arritjen e dëshirave, luan në diktimin e veprimit të njerëzimit, qoftë në vendim-marrjen e çështjeve gjithëpërfshirëse, që kërkojnë shkoqitje të thellë e ideal të përkore kolektiv, po ashtu edhe në ato zgjedhje të vogla kinse rutinore të çdo njeriu, në vendimet e aty për atyshme, mijëra të tilla që na e angazhojnë këtë aftësi karakteristike tonën sado kithtë, qoftë edhe në ditën më të vakët. Vihet kështu në diskutim, diçka më e thellë nga sa mund të përballojë afshi i lehtë i pranverës, vetmia e dimrit ose dehja e verës, por vjeshta, me ulluqet e ujëta dhe fishkurinë me të cilën e vesh të përditshmen, sidomos kur ky lloj fishkurie reflektuar në natyrë është më e lehtë të pranohet si shenjë fisnikërie, paraqet një medium të përshtatshëm për tu përballur me këtë përsiatje lojcake të intelektit. Përkthyer, siç në morinë e pikave të shiut mund të shohim transformimin e ngutit tonë për të mos u lagur, ravijëzohet në avull, mbështetur në kundërshtinë ekzistenciale të aftësisë për të logjikuar dhe mundësisë për ta ndarë logjikën prej zgjedhjes, një problemë e vjetër.

Kjo dilemë është një ndërkallje e domosdoshme, pararendëse e dhënies së kuptimit për gjalljen dhe kujdestare e fitores së një lirie të paskaj, sublime e njëherazi jetike, atë që Kamyja e quante liria e absurdit, por edhe me të çiltër sa aq, një liri të virgjër e autentike, të personalizuar, veshur shpirtit të çdo njeriu sipas përmasave dhe preferencës. Atë lloj lirie që na lejon ta pranojmë veten kështu siç jemi, një pasqyrë e brendshme që reflekton prej nga thellësia e shpirtit përqendrimin e rrezeve të dëshirës së mirë, si fanar i udhës përpara. Aq e vjetër sidoqoftë është kjo problemë sa ç’është edhe përpjekja jonë për ta rrokur e zgjidhur. Për t’i dhënë kësisoj, mendimit kënaqësinë e kuptimit dhe përpjekjes kënaqësinë e rezultateve nga ai lloj që të shtyjnë të thellohesh edhe më, do duhet t’ia nisim nga fillimi. E meqë thonë se në fillim ishte fjala, fjala vjen në këtë rast si aftësi për t’i tejkaluar zhurmat e zakonshme të frymorëve të tjerë, kësisoj për ta stërholluar shprehjen e ndjenjave dhe mendimeve. Është e habitshme që ky paradoks fillestar, kjo diferencë fillestare, aftësia për të përzgjedhur të ndryshmet fjalë nga repertori i të mundshmeve, por edhe i të krijuarave rishtazi, që me to të formonim kështjellat e ajrit të mendimit, ka qenë jo vetëm një kumt i pandryshueshëm qysh atëherë por edhe një kod stoik, për të zbërthyer përparimin tonë. Një udhërrëfyes i gjendjes sonë edhe si trup me nevojën për të jetuar në të tashmen, edhe si shpirt me prirjen për tu amshuar përjetësisht.

Mbase duhet pikërisht një dozë irracionaliteti, mbrujtur edhe në aftësinë e zgjedhjes së lirë dhe gabimit, që nuk vjen si rrjedhojë e predispozitës gjenetike a paaftësisë sikur në rastin e banorëve të tjerë të planetit, por si pasojë e diferencës së llogarive dhe shpesh herë edhe kaplimit të hutimit, emocioneve dhe atyre prirjeve të fshehta të nënvetëdijes që shpesh duket sikur na i diktojnë veprimet kur ato janë krejt të arsyetuara me aftësinë tonë të mos-arsyetimit, ose me saktë të mundësisë për përzgjedhjen e arsyetimit, çka na bën ne njerëzve, kështu vdekatarë siç jemi, zotërues të dijes për të përparuar në këtë botë. Mbase ne si qenie jemi të vetmit që mundet të veprojmë paarsyeshëm dhe ta kuptojmë këtë të fundit në rrafshin reflektiv të mendimit, jemi pra perla evolutive e një procesi të koklavitur, jemi ne të vetmit, logjikë-përdorës irracionalë dhe veprimtarë eufemikë. Kështu, së bashku me pagabueshmërinë e rezultateve dalë prej ekuacioneve të mendjes, ne përziejmë në mishelë edhe shpresën që të nesërmen, do t’i rishqyrtojmë kësi përfundimesh, me anë të ndryshoreve që e sotmja solli si risi prej të djeshmes.

Duke vdekur me shpresën që kemi lindur nëpërmjet pasardhësve tanë, por edhe të bindur për vdekjen i japim jetë aftësisë për të krijuar, kjo e fundit dukshëm e vetëm-lejuar në ne, që brezat e fëmijëve të kenë me shumë arsye të gëzojnë, nga ç’kanë prindërit detyrim të dyshojnë. Gjithmonë ama, të bindur se duke e trashëguar kreativitetin nëpërmjet faqes së bukur që ia kultivojmë jetës,  praktikë kjo, që në ndryshim nga të tjera krijesa populluese të planetit na kthehet në një rrafsh të panegociueshëm dëshire e nevoje për estetikë rigjeneruese, do të mundim të lindim edhe më të fundmen krijesë, atë që do të na mundësojë mos të vdesim. Pikërisht ky rreth vicioz, frikë dhe shpresë, endjeje dhe stepjeje, sikur përrallë e një feniksi grindavec, bën që të lindurit të kenë më shumë mundësi krijimi se ata që i lindin, pamundësia e përjetësisë i lë vend dëshirës së amshimit nëpërmjet një metamorfozë perfeksionimi, që me aq takt është lënë qëllimshëm në pamundësi plotësimi përfundimtar, duke e fshehur pra prej syve tanë të shpirtit më të fundmen tullë të nevojshme për ta plotësuar këtë mozaik stërmundues, këtë kullë surreale të Babelit, e është bash kjo tullë që mungon në përfundim të një veprimtarie të së shkuarës, njëherësh gurkreu i ngrehinave të së ardhmes.

Është pikërisht frika nga e panjohura e skëterrshme, ajo që na ysht të qëmtojmë udhë përballjeje që fundojnë në zgjidhjen e të panjohurave të tjera, një formuese kolektive që plotësohet prej formimeve individuale, duke firuar veçse përpjekjes dhe mundimit, tok me dëshirën dhe kënaqësinë tonë, një sasi rigjeneruese energjie që është edhe kontributi ynë i fshehur, më i çmuari, ajo përmasë e vetvetishme që e dhurojmë pa vetëdije në të dashurit tanë, njerëz e vepra, duke e denjësuar kështu vetveten përpara riciklimit kuptimor që qëndron në gjenezë të pafundësisë. Ky paradoks është pararendës me fibrën, në mos të njëllojtë me të, atë të besimit, që i kapërcen kufijtë e të prekshmes duke formuar atë tis të padukshëm, ama dukshëm të pandashëm nga thellësitë e energjisë së universit. Është mbase ajo bashkësi, kurioziteti të pandreqshëm, kurajoje të paarsyeshme dhe dëshire për të provuar ato ndjesi që shërbejnë si stimuj në hapje të horizonteve të reja shqisore, që na yshti drejt mollës së ndaluar. Që në këtë moment më të parmë, ndalesat nuk përbëjnë më një detyrim gjenetik të panegociueshëm e injorant përuljeje, porse vetëm një dimension të zgjedhjes, gabimi bëhet sivëlla me mësimin, tundimi erëz e shijimit, mëkati dhe shpërblimi, harresë dhe përjetësimi, e mbase edhe vdekja, aq e druajtur sa vetëm mund ta kuptojmë, jo vetëm si antagoniste e instinktit për mbijetesë, por edhe si tharm i tërthortë i kuptimit për jetës, është haraçi që na detyron të qëndrojmë me këmbë në tokë, edhe kur shpirti hovet tutje në përmasat e gjithësisë, aksioma e pafuqisë fizike që lëviz proporcionalisht me rritjen eksponenciale të fuqisë së shpirtit dhe mendjes, një degradim që vishet me eksperiencë, një ekuacion mohues që vërtetohet në çdo jetë që shuhet ndër ëndrra, paradoks ky njëherësh bashkudhëtar me kohën, që është edhe gënjeshtarja më e stërholluar, që na le të ecim mbi të teksa ajo mbetet lineare, ama duke na kërkuar të bindemi se edhe ajo plaket sikur rrudhat e momenteve tona, si të thuash siguresa mbrojtëse që profecia e mugët e zanafillës dëfton, apoteozën e ndryshimit në ulluk të krijimit tonë, bojës së Zotit.

(c) 2018, autori

1 Koment

  1. Filosofi&Letersi&Astrofizike&Besim fetar qe rrumbullakson te tera besimet kryesore,ndergjegje qytetare e mirfillte,mbi jeten&mjedisin natyror&stinet si nje dhurate falas e paçmuar,qe kemi si detyrim te mos ti ndotim,ti ruajme te qashtra me aq sa mundemi”nje tull ne kullen e Babelit” siç thote autori besoj,ne nje kuptim te dyzuar,gjakimi i njerzimit me tera mjetet,per tu njesuar me Hyun,paksa feminore&donkishoteske,por edhe syçeltesia ndaj,vetzvetnimit vet-tjertsimit vetshkaterrimit te ngadalshem por te pandalshem,nga humbja e kenaqesive qe natyra shperblen bujarisht,ne kembim te shterrimit te burimeve zanafillore,per hir’ te teknologjise qe na lehteson jeten,por edhe na zvjerrdh deshirat,endrrat,shpresat e dlira,duke u kthyer ne hije te vetvetes.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin