nga Arjan Shahini
Ndikimi i studiuesve shqiptarë në disiplinat e tyre është shumë i vogël, paçka se kuadri ligjor aktual (Vendim i Këshillit të Ministrave 467/2007), edhe ai i propozuar nga Ministria e Arsimit me ligjin e ri, kërkon që publikimet, në kuadër të promovimit akademik, të kenë reputacion (p.sh. me faktor impakti, shih Projekt-Vendim për caktimin e kritereve të titujve akademik, 2017). Për pasojë, studiuesit ose duhet të rrisin ndikimin e tyre në publikun vendas, ose të rrisin ndikimin e tyre nëpërmjet mjeteve alternative të transmetimit të dijes. Në kuadrin e promovimit të shkencës së hapur (Open Science), mjetet alternative si blogjet (p.sh. Peizazhe të Fjalës) dhe mikroblogjet (p.sh. Twitter, Facebook) ofrojnë një qasje të re edhe ndaj matjes së performancës së kërkimit shkencor.
Mesatarja e citimeve për studiuesit shqiptarë në revistat me impakt faktor është mesatarisht katër citime për artikull, matur kjo në 4092 artikujt e paraqitur me vendin e origjinës Shqipëri (Web of Science, 2018). Numri i citimeve për artikull të botuara nga institucione shqiptare në Scopus Database (2018) është 5.3 për artikull, në 3631 artikuj total. Indekset H, që masin reputacionin e studiuesit apo të vendit mbi bazën e citimeve, janë gjithashtu të ngjashëm, 53 Scopus dhe 50 Web of Science.
Krahasim ndërmjet Web of Science dhe Scopus, 2017
Disiplinat e shkencave sociale dhe atyre humane kanë shumë pak artikuj me faktor impakti. Në renditjen e vendeve të Evropës Lindore në Scopus, Shqipëria është ndër vendet e fundit, ndërsa nuk ka asnjë institucion të arsimit të lartë të renditur (Maqedonia ka dy, Mali i Zi ka një, Serbia shtatë, Greqia 23 etj.). Ndërsa nga një studim bibliometrik i Akademisë së Shkencave me Google Scholar rezultoi një performancë shumë e dobët edhe e akademikëve. Madje prej vitit 2013 Shqipëria ka ulje në numrin e publikimeve, si në Scopus Database edhe në atë të Web of Science (shih grafikët). Më tej, pjesa më e madhe e publikimeve të studiuesve shqiptarë as nuk lexohen (sipas Meho, 2007, edhe në botë rreth 90% artikuj nuk marrin citime, dhe 50% as që lexohen). Ndërsa një pjesë e madhe e publikimeve në Scopus janë pa faktor impakti dhe në një revistë që është përjashtuar nga indeksi prej 2015.
Demokracia shqiptare, e cila shfaq elemente të sistemeve post-demokratike (Colin Crouch), e ka shumë të nevojshme ndikimin e studiuesve. Studimet shkencore mund ti kundërvihen spektakleve politike të fushatave propagandistike të ekspertëve të Public Relations së qeverisë, dhe sidomos komunikimit politik idiotizues në mediat audiovizive. Studiuesit mund të mbushin me përmbajtje programet boshe të partive politike, të kritikojnë, apo edhe të ofrojnë alternativa ndaj atyre të kota të mjeshtreve të PR e të porositura nga partitë firma. Për këtë ata duhet të publikojnë studimet e tyre në forma të kuptueshme për lexuesin e gjerë, pa i banalizuar metodologjitë apo përfundimet e tyre.
Lëvizja e shkencës së hapur (open science) është ndihma që mund ti vijë demokracisë. Kjo lëvizje, e përfaqësuar në disa forma mendimi (shih grafikun e Fecher dhe Friesike, 2014), nuk ka si motiv vetëm demokratizimin dhe hapjen e shkencës, ajo ofron edhe metoda alternative për vlerësimin e cilësisë së kërkimit shkencor për akademikët.
Blogjet apo mikroblogjet janë p.sh. forma të tilla alternativ të rezultateve apo diskutimeve shkencore. Këto përdoren si për të reklamuar shpejtë studimet tek kolegët, ashtu edhe për t’ia përcjellë publikut. P.sh. informacionet që shkëmbehen në Twitter rrisin numrin e citimeve (Cabrera et al. 2017), ndërsa publikimi i gjetjeve paraprake rrit gjithashtu probabilitetin të citohet (Shuaj, Pepe dhe Bollen, 2012). Nëse studiuesit arrijnë ti përcjellin studimet e tyre publikut të gjerë, p.sh. nëpërmjet (mikro-)blogjeve, atëherë e kanë më të lehtë të përfitojnë mbështetje politike apo fonde për kërkimet e tyre (Puschman, 2012). Gjithashtu, përdorimi i këtyre platformave alternative do të mund të sheshojë marrëdhëniet e ekspertëve me publikun e painformuar. Kjo formë vlerësohet në literaturë edhe si një lloj gazetarie shkencore, e zhvilluar nga gazetarë, shkencëtarë apo amatorë të disiplinave të ndryshme.
Për universitetet shqiptare rekomandohet që ti marrin parasysh këto mjete alternative edhe për vlerësimin e performancës së kërkimit shkencor, sidomos në fusha ku publikimi në revista me faktor impakti është shumë i vështirë. P.sh. Cabrera et al. (2017) rekomandon disa metrika alternative për këto forma publikimi të gjetjeve studimore:
- Pjesëmarrje në bordin e editimit (ose punë editoriale) në blogje shkencore për një numër të caktuar shikimesh në muaj (1000 në muaj për Shqipërinë).
- Pjesëmarrje në bordin e editimit (ose punë editoriale) në podcaste/videocast (p.sh. Youtube) me një numër të caktuar klikimesh/shkarkimesh (1000 në muaj për Shqipërinë).
- Akademiku gëzon një nivel të caktuar reputacioni në komunitetet digjitale (p.sh. sipas një sondazhi të një pale të tretë, për Shqipërinë në 10% e parë).
- Autori i një postimi në blog, artikulli apo kontributi mediatik që ka DOI (regjistruar: Digitial Object Identifier) (për Shqipërinë, mbi 1500 shikime pa DOI, dhe mbi 500 shikime nëse ka DOI).
(c) 2018, autori
Cabrera, D., Vartabedian, B. S., Spinner, R. J., Jordan, B. L., Aase, L. A., & Timimi, F. K. (2017). More than likes and tweets: creating social media portfolios for academic promotion and tenure. Journal of graduate medical education, 9(4), 421-425.
Fecher B., Friesike S. (2014) Open Science: One Term, Five Schools of Thought. In: Bartling S., Friesike S. (eds) Opening Science. Springer, Cham
Meho, L. I. (2007). The rise and rise of citation analysis. Physics World, 20(1), 32.
Puschmann C. (2014) (Micro)Blogging Science? Notes on Potentials and Constraints of New Forms of Scholarly Communication. In: Bartling S., Friesike S. (eds) Opening Science. Springer, Cham
Shuai, X., Pepe, A., & Bollen, J. (2012). How the scientific community reacts to newly submitted preprints: Article downloads, twitter mentions, and citations. PloS one, 7(11), e47523.
http://www.monitor.al/pse-eshte-nevojshem-kerkimi-shkencor-ne-universitetet-shqiptare/
Në studimin me temë: “Krahasimi i botimeve shkencore në universitetet teknike, publike dhe private, në Shqipëri”, (të autores së këtij shkrimi – i vetmi studim i bërë deri tani në Shqipëri), duke përdorur metodën bibliometrike, u analizuan artikujt shkencorë, të botuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe tri universitete private të të njëjtit profil. Të dhënat u morën nga Buletini Shkencor, botuar nga UPT, si dhe nga Web of Science (Thomson Reuters), http://isiknowledge.com.
U analizuan artikujt shkencorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, të botuara këto të fundit në revista të ndryshme shkencore të huaja, në bazë departamentesh, fakultetesh, artikujt me një, dy, tre dhe me më shumë autorë, si edhe revistat ku janë botuar.
Rezultatet: Universiteti Politeknik kishte 55 artikuj në gjuhën shqipe dhe më abstrakt në anglisht, nga të cilët vetëm 10 prej tyre me një autor, pjesa tjetër janë me tre ose katër autorë. Fakultetet më prodhimtare, Inxhinieria e Teknologjisë së Informacionit dhe Inxhinieria Elektrike, me nga 15 artikuj secili. Për sa u takon departamenteve, ai i elektronikës dhe telekomunikacionit, si dhe ai i sistemeve elektrike të fuqisë. Ajo që bie në sy është numri i artikujve të botuar në revistat e huaja, 120, nga të cilët vetëm gjashtë me një autor, të tjerët janë me më shumë se gjashtë autorë. Mungesa e fondeve, i ka detyruar profesorët të gjejnë vetë financime dhe bashkëpunime, sidomos me profesorë të huaj, gjë që ul edhe kostot e botimeve.
Nga studimi ka dalë, se në artikujt me bashkautorë, shumica e tyre janë të huaj. Studimi tregon se 96,5% e artikujve realizohen me bashkautorë të huaj, vetëm 3,5% realizohet me financimin e vetë profesorëve. Megjithatë, janë shumë pak artikujt e botuar nga profesorët e një universiteti publik, (i krijuar më 1957-n) që ka 372 profesorë, nga të cilët: dy akademikë; 54 profesorë, 53 asistentë profesorë, 70 doktorë, 22 lektorë, 171 asistentë lektorë (të dhëna të marra nga zyra e statistikave të UPT-së për vitin 2012-2013). Për sa u takon citimeve të artikujve shkencorë të botuar nga profesorët e UPT, për periudhën e lartpërmendur, treguesi është zero. Për sa u takon revistave ku janë botuar vetëm 2% e tyre, bën pjesë në elitën e revistave shkencore. Ndërsa Epoka University, (i krijuar në 2007-n), ka trefishin e botimeve cilësore shkencore, të gjitha të indeksuara në Web of Science.
Shkrimi i drejte, (ndonese me duket si perseritje e nje tjetri). Edhe artikulli tek monitor.al ishte mjaft interesant. Gjithe ato shkolla, universitete, institucione shkencore, etj.-etj. ka Shqiperia, gjithashtu ka edhe jo pak punime shkencore, disa edhe ne gjuhe te huaj, por nuk njihen jashte, biles edhe nga shqiptaret njihen fare pak, pervec dy-tre rasteve.
https://www.youtube.com/watch?v=ql7N5pHPuTI