Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

SURREALIZËM ADMINISTRATIV II

Të zgjedhurit e organeve lokale, për shkak të funksionit të tyre, janë në komunikim të pareshtur me popullsinë për probleme nga më të ndryshmet që rregullojnë e ritmojnë jetën e përditëshme. E megjithatë, për kënaqësinë e madhe të medieve franceze, ka që nuk ndjenë asnjë detyrim për përkujdesje më të madhe në formulimin e korrespondencës dhe komunikimeve të përditshme me zgjedhësit. Dhe suksesi është i madhështor…

Dëmet e shkaktuara në komunën tonë nga përmbytjet i kanë tejkaluar edhe parashikimet tona më optimiste…

Çmimi i metrit katror të gazit do të caktohet me dekret…

Përjashtimisht Viti i Ri këtë vit do të fillojë që në fund të dhjetorit…

Në rend të ditës këtë të enjte do të jetë diskutimi i zëvendësimit të një urinoreje me një wc…

Dosja që shërbimet tona i përcollën Prefekturës së departamentit na u kthye me shënimin: Nuk banon në adresën e dhënë.

Në rast zjarri drejtohuni drejtorit me shkrim që të marrë masat e duhura.

Personi u përpoq të turbullonte tre herë radhazi ceremoninë duke u tallur me ereksionin (mbase duhej të ishte l’élection, zgjedhjen) e kryetarit të bashkisë…

Për shkak të mbylljes Bashkia do të jetë e mbyllur për punime nga 5 deri më 7 korrik.

Në rend të ditës së Këshillit bashkiak: zhvendosja e monumentit kushtuar të rënëve për të ndërtuar një sallë festash.

Ekipi ynë i futbollit nuk humbi sepse u mund por sepse nuk ishte në formë.

Ndalohet hedhja e plehrave, qofshin edhe të pastra…

Për shkak të vdekjes së z. Kryetar, fjalimi nuk do të mbahet prej tij…

Meqë Viti i ri këtë vit i bie e diel, e diela është shtyrë për të martën.

Plaku i krishtlindjes është një traditë e domosdoshme për fëmijët tanë dhe me këtë rast u kujtojmë prindërve të komunës sonë se nuk është mirë t’u thonë fëmijëve se pas kostumit të kuq dhe mjekrës së bardhë fshihet kryetari i bashkisë.

Në një mjedis të akullt u zhvilluar festa më e ngrohtë që ka njohur ndonjëherë komuna jonë…

Për shkak të punimeve në stadium hyrja për në morg do të bëhet nga salla e festave…

Gjatë punimeve punimet vazhdojnë…

Të gjithë të moshuarit tanë u ndodhën në një mjedis të gëzuar rrotull zotit Kryetar dhe gjelit të tij të detit.

Duhet thënë se festa e Vitit të ri qe një gjysmë – dështim sepse vetëm organizatorët ishin paraqitur…

Kryetari i bashkisë njofton organizatorët e mbrëmjeve të vallëzimit se kërkesat për autorizimin e tyre duhet të dërgohen në Bashki 10 ditë para datës që janë formuluar…

Në fjalimin e tij të Vitit të ri, zëvendësi i parë i kryetarit të bashkisë, kujtoi edhe të rënët, duke i uruar atyre jetë të gjatë…

Zoti Kryetar i bashkisë kërkon me forcë që personat të cilët janë parë duke dhunuar pemën e Vitit të Ri, ta sjellin pa vonesë objektin e tyre të krimit…

Pas dy orësh pritjeje në të ftohtë, kryetari i bashkisë konstaton që Plaku i Krishtlindjeve është me vonesë, prandaj fëmijët mund të shkojnë ta presin nëpër shtëpitë e tyre…

Të gjitha dhuratat për personat e moshës së tretë do të pranohen nga Kryetari i bashkisë, i cili gjithashtu ka nevojë për to…

Kur Louise C… u paraqit në bashki për të tërhequr një certifikatë të gjendjes civile, nëpunësi i tha ftohtë, se ajo kishte vdekur…

Baritja e kafshëve shtëpiake në rrugë është përcaktuar me rregulloren e 27 prillit 1996 që u ndalon shitjen e pijeve alkoolike të miturve…

Punonjësit e administratës janë thirrur të deklarohen për ose kundër këtij vendimi të pakthyeshëm …

Falë klubit për moshat e treta, pleqtë tanë nuk do të shkojnë më së bashku drejt vetmisë…

Panairi i derrave do të hapë dyert këtë të shtunë: sillni edhe familjet tuaja.

Konkursi i lopës më të bukur të kantonit u fitua nga Zonja Marbeuf, bashkëshortja e Kryetarit të devotshëm të bashkisë sonë…

Meqë gruaja nuk i dha kënaqësinë që priste, burrit krejt papritur i hyri në qejf e gjithë komuna…

Pas shembjes së urës, vetëm uji i shpëtoi këtij aksidenti dramatik…

Gënjeshtra dhe pabesia, dhuna dhe pandershmëria, vjedhja dhe braktisja, ja vlerat që duhet të mbrojë ai që kërkon votat tuaja për bashkinë…

Të dielën e ardhshme, zhvillohet festa e madhe e bamirësisë. Na sillni të gjitha objektet që janë bërë të panevojshëm në shtëpitë tuaja, por që mund t’u vlejnë të tjerëve. Po ashtu, sillni edhe burrat tuaj!

Një ditë për (dhurimin) gjakun do të organizohet në komunën tonë në fund të prillit. Jeni të ftuar të regjistroheni sa më shpejt te dyqani i kasapit të fshatit.

Personi i ndërtesës nr. 3 që ka një qen dhe që e le hapur me të gjithë volumin gjatë natës, është i lutur ta rregullojë atë.

Meqë ora e kambanores së kishës nuk troket 4 herë në orën 8, lutemi të mos e merrni në konsideratë…

Në kortezhin funebër, prefekti ndiqte në heshtje burrat dhe gratë që ishin pas tij…

Besnikëria e asaj gruaje ishte e njohur dhe e vlerësuar nga i gjithë fshati, megjithë dashnorët e shumtë që kishte në fshatin fqinj…

Banketi u organizua për nder të atyre që kanë uri në botë…

Banorët janë të lutur të mos i përdorin varrezat për të hedhur çfarë nuk përdorin më…

Për shkak të riparimeve në rrjet, disa banorëve do t’u pritet duke filluar nga ora 9.00

Midis të pranishmëve të shumtë, ra në sy mungesa e familjes së të ndjerit që ishte aty e tëra…

Personi ishte universalisht i njohur në fshat…

Meqë çatia e ndërtesës është dëmtuar, shiu është shtyrë për në fund të marsit…

Të gjitha ëmbëlsirat e Viti të ri do të sillen para orës 17.00 në sallën e shkollës nga vetë mamatë, të cilave z. Kryetar dhe i gjithë këshilli bashkiak do t’u vënë vetë duart…

Meqë topat e kryetarit u vodhën tani së voni, bredhi nuk do të zbukurohet si herët e tjera…

Gjithashtu shënoni se metri kub i ujit kushton saktësisht aq sa ishte para ngritjes së çmimit…

Mësuam me trishtim vdekjes e Z. Legendre. Përgëzimet tona familjes.

Këshilli bashkiak do të mblidhet të dielën në ora 11 me rastin e ereksionit të kryetarit dhe të zëvendësve të tij…

Endja e qenve të rrezikshëm është e ndaluar, sikundër edhe ajo e të zotëve të tyre…

Në prani të mungesës së mikut tim ministër të Financave, më duhet t’ju jap një shpjegim…

Edhe pse pyetja nuk u bë, ju megjithatë nuk u përgjigjët…

Meqë portat e stadiumit janë vjedhur, ndeshja do të zhvillohet natën…

Festa e organizuar në përfitim të spitalit psikiatrik pati një sukses të çmendur…

5 Komente

  1. Me vjen keq po qe se merret keshtu. Nuk duhet harruar se jemi thjesht ne fushen e komunkimit te rastit e te perditshem. Nje shkrese e pasakte, nje ortografi e pakujdesur, nje ide e pashtjelluar mire nuk do te thote se domosdoshmerisht edhe veprimi ne terren eshte i te njejtes cilesi. Kontaktet e natyres profesionale me sektore te ndryshem te administrates me ngjallin gjithmone respekt e admirim per korrektesen dhe perpjekjet per te mos lene probleme te pazgjidhura nga pas.
    Nga ana tjeter, me pelqen shume edhe puna e atyre qe rrijne me veshet ngritur per te kapur ne ajer gafat e rastit. Ka mundesi qe te dy nuk bejne pa njeri tjetrin.

  2. Nuk e marr kështu. Në fund të fundit edhe kur u shkrua Closhemerle Franca ishte një vend funksional dhe libri synonte të qëmtonte e qesëndiste, në një dorë të vetme, ato dobësi njerëzore që diktonin pastaj shëndetin e marrëdhëniet administrative. Pakujdesitë në kominikim janë ndër ato dobësi.

  3. Të lutem jo. Cikli është shumë i këndshëm e ofron ngushëllimin që gafat në komunikim ndodhin, siç thotë një miku im, edhe në familjet më të mira. Përveç asaj, ti duhet t’u lejosh lexuesve komentues të përpiqen të duken “smart”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin