Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

LUFTA PËR TË DREJTAT E BURRAVE NË SHQIPËRI

Nga Ines Topi

Para disa ditëve bëri bujë vrasja e një gjykatëseje në mes të kryeqytetit shqiptar nga ish-bashkëshorti i saj. Shumë gra e vajza e disa djem e burra u ngritën në protestë kundër dhunës ndaj grave në Shqipëri. Rrjetet sociale dhe asociale u shembën nga kundër-protestat e shumë burrave, të cilët filluan të qaheshin se në Shqipëri qënka rritur anti-maskilizmi, se gratë paskan filluar t’i shtypin edhe më tepër burrat e se edhe vajzave më të vogla e më bukuroshe i qënka bërë goja kërmë nga fjalët e pista e fyese që përdorin ndaj seksit tjetër.

Të dashura vajza, të dashura gra, ka ardhur momenti që një anëtare e seksit tuaj t’u dalë në mbrojtje burrave, të cilët me të vërtetë që nuk e kanë pasur e as e kanë të lehtë të mbahen mbi sipërfaqen e kënetës thithëse të grave të këtij vendi. Do të kisha dëshire t’ju kujtoja disa gjëra, të cilat ju mesa duket i keni fshirë nga mendja. Ju lutem ta lexoni tekstin deri në fund e të mos shpërtheni me fyerje ndaj autores.

Si fillim m’u kujtua që, kur isha në tetëvjeçare, isha unë ajo që përcillja djemtë e klasës për në shtëpi. Më luteshin si dreqi sepse ka ca femra, thoshin, që na fusin duart në mes të rrugës e ka disa të tjera të shpifura fare që masturbojnë ngjitur me ne në autobus. Mua me thënë të drejtën më vinte keq, kështu që kishte ditë, ku i përcillja njëri pas tjetrit deri te dera e shtëpisë. Në fakt, isha edhe më e vogël kur përcillja kushërinjtë e mi deri te pallati i tyre që ishte pesë minuta në këmbë larg atij timit. Njëri nga kushot vjen njëherë i trembur te gjyshja dhe thotë që e kishte ngacmuar njëra nga komshiet e moshës tonë te shtëpia e gjyshes, duke e ndjekur që nga dera e autobusit deri te ajo e shtëpisë. Dridhej i tëri i shkreti, ma bëri zemrën plagë. Shkova te dera e komshies në fjalë dhe i thashë të ëmës ç’kishte ndodhur. E ëma u tërbua fare. E nxori vajzën zvarrë për veshi dhe e rrahu paq para syve tanë, gjë që ne na traumatizoi edhe më shumë. Edhe ne qamë bashkë me të. Po ti, pse qan? Më thanë mua. Bëhu grua! Mbaje veten! Nuk bën vajza si çunak! Më erdhi turp e që atëherë mundohem ta mbaj veten sido që jam njeri sensibël e po marr guximin t’ju them tani që kjo metodë është e gabuar!

Nejse, të gjithë e dini, ju burrat e shkretë, se si ishin vitet 90’. Kur doja të takoja kushërinjtë apo shokët më thoshin që e kishin problem, se nuk i linin tezet e hallat më vonë se ora 5. Ore, hajde, i thoja unë, se je me mua e me kushërirat! Jo jo, thoshin djemtë. Se më ngacmojnë rrugës ato femrat prapa bordurave e pastaj thonë edhe komshiet që jam kurvar, po shkova vonë në shtëpi. Njëri nga shokët bile më tregoi që komshia e katit të parë e ngacmonte seksualisht, por ai nuk i tregonte dot mamit se mami do t’i thoshte që e kishte vetë fajin! Ku e çonte mushka me ato pantallona të shkurtra! Një shokun tjetër e ngacmonte mësuesja e gjeografisë. I shkonte deri në banjën e shkollës nga prapa, derëzeza! Moj, i thoshte ky, nuk kam interes. Ua, thoshte ajo, unë jam si shpirt, mor djalë! E di unë që të ha ty, po s’ta mban ta thuash! Stres më vete deri sa ndërroi shkollën. S’bëhej fjalë të hiqnin mësuesen nga puna për kësi gjërash të vogla. Ama bëhej nami në familje, nëse ndonjë shok kishte lidhje me një vajzë të moshës së tij. Gjëja e vetme normale konsiderohej si anormale në shumicën e familjeve. Ajo është vajzë, i thoshin djalit, e s’e gjen gjë, po ty të prishet reputacioni.

Në fakt luante një rol edhe frika, sepse në vitet 90′ djemtë rrëmbeheshin në masë e dërgoheshin për prostitucion jashtë shtetit nga banda të rrezikshme grash të maskuara. Njërin e tërhoqën zvarrë nga oborri i shkollës e u zhduk. Na ngeli traumë të tërëve e unë mendova për të miliontën herë: Shyqyr që jam vajzë! Kështu më thoshin dhe shokët. Ta dish ti, më thoshin, unë jam veç një bile me dy këmbë për femrat. Më fishkëllejnë nga prapa, më ngacmojnë, më kapin cepave, më fusin duart se jam dhe i bukur. Njëherë nxori njëra koburen nga vetura e më tha: Hip në makinë! Dua të pi kafe me ty, mor rrush! Hip, mos ki frikë se nuk të bëj gjë. Të tëra frutat përdoren në lidhje me djemtë. Rrushi, pjeshka, molla, dardha… Sidomos gjatësia e bishtit që ka dardha prapa.

Stres i tmerrshëm si për djemtë, ashtu edhe për vajzat që donin një adoleshencë normale. Sa mbijetuam për një fije floku ato vite të poshtra e djemtë u bënë burra, filloi problemi i martesës dhe i shtuarjes së rracës. Keq të martoheshin e keq të mos martoheshin. Ata që i zinte dashnia keq e i merrte ndonjëra për burrë, i ndodhte që ose i mbyllnin gratë në shtëpi që pas natës së parë, ose i torturonte vjehrri. Më merr të gjitha lekët e fituara në punë, më thoshte një shok, e nuk më lë vjehrri as të blej një palë këpucë me paratë e mia! Më ke marrë vajzën e vetme! I bërtiste vjehrri. Ul kokën e mos fol, i thoshte vjehrra. Çfarë thua mo? Habitesha unë. Ndahu nga ajo grua që nuk paska bythë të të mbrojë nga pleqtë e saj! Kush më merr mua tani? Vinte ai duart mbi kokë. Apo s’jam shëndoshur ca! Nuk vesh dot as këpucë me taka se më dhëmb gjuri. Tmerr! Më quaj të vdekur.

Në pallatin përballë ishin dy vëllezër të pamartuar që jetonin akoma me prindërit. Të dy ishin në depresion të thellë. Kur shiheshim në rrugë, ulnin sytë. Nuk më shihnin dot në sy sido që unë i thoja: Ju jeni burra fantastikë! Të zgjuar, simpatikë, me shkollë, me punë të mirë… Mos dëgjoni ç’ju thonë në këtë shoqëri matriakale. Eh, thoshte njëri. Nuk jam nga ata që pispillosen unë, siç i duan tani. Ah, thoshte tjetri. I kam të tëra shefet gra e ndihem pak i vetmuar. Të gjithë punën ma lënë mua dhe dalin pijnë whiskey e puro me koleget. Mua që jam burrë, më lënë jashtë grupit të tyre. Nuk janë të tëra gratë ashtu, i thoja unë, por ata më shihnin me sy të trishtuar. Ç’të thoshin të shkretët. Sa dilje nga pallati të dilnin përpara ca femra që sapo kishin dalë nga burgu. Ato i buzëqeshnin djemve të lagjes me gojën pa dhëmbë e revolen në brez.

Shumë burra që njoh shkonin në punë, lanin, shplanin, mbanin femijët dhe duronin vjehërr e vjehrrë. Kur vinin gratë e tyre në shtëpi as nuk denjonin t’i thoshin ku kishin qenë, por ata e ndjenin duhmën e rakisë e budallenj nuk ishin. Qepe gojën! I hakërreheshin ato burrave të tyre. Se ta çava, more vesh! Ata që s’kishin vjehërr e grua sadiste, kishin orën biologjike. Tik tak, tik tak. Siç e dini, prodhimi i spermës ka kufi e pastaj fillon dhe andropauza. Babai im ka vuajtur shumë në andropauzë e ra në depresion. Gratë e familjes e përqeshnin. Mos e tepro tani, i thoshin. Hajde, çohu, na bëj ca makarona. Ore, e vranë njërin në lagje me thikë se s’donte t’i bënte gjellën gruas! Absurde! Mamasë time i thoshin të tëra gratë e tjera me djem në shtëpi: Ah, të kishim dhe ne vajza. Vajzat rriten vetë. Djemve duhet t’i shkosh nga prapa e t’i kesh kujdes tërë kohën. Pale kur rriten që duhet t’i monitorosh pa pushim, se mos lënë virgjerinë diku me ndonjë bandille. Babait tim i vinte një e qeshur e hidhur. Ç’i duan vajzat këto! Thoshte ai, sido që ne gratë mundoheshim ta ndihmonim me punët e shtëpisë e nuk ishim si shumë nga familjet e tjera, ku burri i bënte të gjitha.

Shumë grave i duket vetja si sulltaneshë, se ashtu i kanë trajtuar prindërit që në lindje. Të mos prekin gjë me dorë e të kujtojnë se është e drejta e tyre t’i mbajnë djemtë nën tutelën e tyre. Dhe prapë ne mirë jemi! Në vende të tjera gratë mund të marrin disa burra. I keni parë në rrugë diku, besoj. Një grua përpara e pesë burra të mbuluar nga pas. Tmerr. Edhe te ne ka gra që nuk i lejojnë burrat as të presin flokët shkurt. Bravo Brad Pitt që preu flokët e i tregoi burrave që edhe ashtu kapi gruan me sexy në univers. Në fakt, tani e shoh dhe unë që kohët kanë ndryshuar disi. Djemtë janë bërë më të guximshëm. Maskilizmi ka hapur rrugën për shumë ndryshime pozitive. Nuk i shkojnë më as vjehrrit e as grave nga prapa burrat e sotëm e kjo gjë po i frikëson disi gratë, por jua them unë, moj, që do jemi më të lumtura me burra që kanë besim në vetvete!

3 Komente

  1. Bukur! Nje shkrim per te shpjeguar te pakten induksionin ne oren e filozofise, nga te vecantat arrihet tek e pergjithshmja. Nejse, dualizem natyre!

  2. Dhe prapë ne mirë jemi! Në vende të tjera gratë mund të marrin disa burra. I keni parë në rrugë diku, besoj. Një grua përpara e pesë burra të mbuluar nga pas. Tmerr.”

    Zot, sa kam qeshur!!!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin