Më poshtë gjenden të renditura një sërë pikash udhëzuese – saktësisht dyzet – mbi mënyrën sesi duhet shkruar apo ligjëruar një tekst, pa anashkaluar disa rregulla fillestare të drejtshkrimit dhe gramatikës në përgjithësi. Njëkohësisht, këto udhëzime i drejtohen nevojës për kthjelltësi dhe kuptueshmëri që një tekst duhet të zotërojë përgjatë procesit të ligjërimit të tij ballë një publiku të supozuar.
Frymëzimi për këtë përpilim nisi nga dyzet pika të ngjashme që studiuesi dhe shkrimtari italian Umberto Eco radhiti para do kohësh në rubrikën e tij me titull “La bustina di Minerva”, për revistën “L’Espresso”[1]. Njëkohësisht, është mbajtur parasysh dhe një renditje më e hershme e gazetarit dhe speechwriter-it amerikan William Safire, e vitit 1979, me plot pesëdhjetekatër pika të tilla[2]. Në të dyja rastet, rregullat që dy autorët rrekeshin të skalisnin në vëmendjen e publikut i përkasin dy gjuhëve të tyre (përkatësisht italishtes dhe anglishtes) dhe horizontit semantik dhe gramatikor që ato përqafojnë. Kësisoj, veç rasteve të përkthimit të drejtpërdrejtë të tyre (rregulli i parë dhe ai i fundmë janë dy shembuj aspak të veçuar), renditja e mëposhtme ka synuar të përshkojë disa hapësira të tjera që i përkasin vetëm gjuhës shqipe, pa shumë pretendime në këtë drejtim pasi radhitësi është veç një profan i fushës së linguistikës. Në vetëm një rast (pika 31) është “sfiduar” rregulli zyrtar drejtshkrimor në pararendje të një sugjerimi vijues.
Vlen të shtohet se një “shqipërim” i tillë vjen pas një renditjeje të ngjashme që ka bërë disa kohë më parë Ardian Vehbiu në këtë faqe.
- Shmangi aliteracionet, zbulojnë veç zbukurime të zbehta.
- Mos i ha pjesëzat trajtëformuese para foljes, paçka se do dukej pedantizëm.
- Shmangi frazat e gatshme se s’ia vlen barra qiranë.
- Shprehu thjesht dhe qartë, pa ndërmarrë fluturime pindarike në maja olimpike.
- Mos përdor simbolika virtu@le, lidhëza elektronike & shkurtesa pa karar etj. etj. etj.
- Kllapat me tepricë (tamam si gropat e hapura rrugës) ndërpresin qarkullimin (e kuptimit) brenda fjalisë (edhe kur duken të nevojshme).
- Trepikëshi i përsëritur… goxha shpesh… tregon se… as ti vetë… s’je dhe aq i bindur… për çka po rrekesh të shkruash… a të thuash…ndaj jepi dum…nëse ende…mban mend…se ku po e ngisje…llafin.
- Fraza s’duhet “sheqerosur” shumë me thonjëza, se i “prishet” “shija”.
- Referencat retorike, duke përgjithësuar shembuj historikë dhe/ose gjeografikë, s’janë marrë seriozisht kurrë dhe askund, në asnjë shekull përparimesh dhe në asnjë vend të botës së qytetëruar.
- Huazimet e panevojshme i anunçojnë publicut zbrazëti diksioneri.
- Megjithatë, këmbëngulja për ta shkundur gjuhën nga çdo fjalë me prejardhje të huaj, çon nga një moment spastrimi drejt e në një çast tjetër huazimi.
- Shmangi citimet e njëpasnjëshme; tregojnë varfëri mendimi dhe leximi të autorëve të cituar. S’thoshte kot një autor, anglez më duket, që nuk më kujtohet emri, diku, në një vepër të tij që e hasa të renditur në një libër me përmbledhje citimesh: “Librat e citimeve janë të duhurit për të palexuarit”.
- Gjithsesi, citimin mjafton ta vendosësh mes thonjëzash; s’është nevoja ta stolisësh dhe me italics. “Gjithë arti është krejt i panevojshëm” do të thoshte në këtë rast Oscar Wilde-i.
- Ë-ja është gërmë shumë e bukurë, por klonimi i tepërtë ia vretë origjinalitetinë; madje dhe në jugë. Qartëëë?
- Vendosja e ë-së dhe ç-së me korrektësi në një material elektronik nuk të bën shumë punë nëse gjithë shkronjave të tjera ua çatrafillon rendin dhe vendin. Ndaj, qëtmo me hodhësi drejtshikimin sa hërë që shukran.
- Shqipja nuk është Anglishte – aq Më pak Gjermanishte – ndaj, veç Fjala e Parë e një Fjalie nis me Shkronjë të Madhe Shtypi apo Dore. Kjo Vlen dhe për Titujt nëpër Libra, Konferenca e Gjetiu.
- Mos përdor pra fjalë të pista, iqj! (dhe jo “jqj”).
- Epitetet e rreshtuara pa karar kanë prirjen ta bëjnë ligjërimin të rëndomtë, të shpëlarë, grabitqar, hileqar dhe mëkatar.
- Të njëjtën gjë që thashë në pikën më sipër do ta pohoja njëmijë herë, njëqindmijë herë, një milion a më shumë herë për hiperbolat.
- Përmbledhja e pikave kryesore në përfundim të një shkrimi a ligjërimi nuk duhet të kapërcejë përmasat e vetë këtij të fundit. Me një fjalë, çka po përpiqem të sintetizoj shumë shkurtimisht dhe thjeshtë, është se nevoja për të qartësuar linjën e mendimit të ndjekur përgjatë një paragrafi të tërë (i cili, e zëmë, mbulon treçerekun e faqes) nuk mund të shkojë përtej kufijve sasiorë dhe kuptimorë të tërësisë së gjithë atij materiali që përmbledhja orvatet t’i nxjerrë thelbin, me qëllim që ky i fundit, afërmendsh, të dalë në pah në dy rreshta – ja tre, qameti! – por kurrsesi më shumë, pasi, n’atë rast, vetë përmbledhjes do t’i duhej një simotër, një përmbledhje tjetër, e cila, duke qenë se do të ngarkohej me detyrën e shtrydhjes së plot dy trupash teksti të vdekur tashmë (përmbledhjes së parë, qartësisht të dështuar, pa harruar dhe treçerekun e faqes që ende s’po ia rrokim fillin), do të pëlciste nga fryrja (duke çuar në tre numrin e viktimave, por ku i dihet, mbase numri rritet…) në pamundësinë që të shtrohej në ato dy-tre rreshta të cilët tashmë i mori lumi e ne, me kët’ rast, marrçim malet.
- Shmangi fjalitë e pafundme, si kjo më sipër, ashtu si dhe ato me një fjalë të vetme. Hiqi!
- O xhan, turqizmat janë pasuri për shprehinë, o derman. Shyqyr që i kemi, aman!
- Mos harro se pikëpresja është e gjallë e është në jetë; ajo tregon momentin kur, nga njëra frazë tek tjetra, lipset një frymëmarrje më e gjatë se ç’të dikton presja; megjithëse jo aq sa ç’të urdhëron pika.
- Ene pse dialektizmat dhe zhargonet jan alamet gjoje – gjo kulture, për t’u dit, ta kom llafin – kur i lsho ven e paven simas kaptinës, nfakt je tu tregu se spara ja ke shumë haberin gjuhës letrare, daku.
- A ka kuptim t’i përgjigjesh një pyetjeje retorike?
- Nëse do t’i mbështesësh shputat mbi shpatulla titanësh, bëje pasi të kesh studiuar në ndonjë kuvend françeskanësh apo normanësh. Përndryshe, përdorimi i lokucioneve latine ex cathedra, apo i atyre frënge pour parler, do të të bënte ca qesharak ndaj vetes dhe risus abundat in ore stultorum!
- Përdore apostrofën s’i ta dikton rregulli dhe jo kur si hyn në punë as dreqit.
- Nëse s’je duke tutur masat në ndonjë miting, s’ke pse shfryn pikëçuditje me gjyma!!!
- Pikëçuditjen, qëroje, presjen, numëroje,
- Lidhëza “dhe” s’e honeps dot presjen pranë: kur vendosen ngjitur, ato janë si shapi, dhe, sheqeri.
- Rregulli i prerë drejtshkrimor do që emrat e përveçëm të huaj të shkruhen sipas shqiptimit në gjuhën tonë (p.sh. Fridrih Vilhelm Niçe). Megjithatë, nëse ti ke vendosur që këtë urdhëresë ta thyesh në mënyrë jozyrtare, duke shkruar emrat e autorëve/artistëve/politikanëve etj. të huaj t’ua shkruash emrin siç ua ka ngenë gjuha e tyre e prejardhjes, bëje me saktësi (ah more Nietzçe!), pa harruar lakimet e mundshme kurrsesi. Ndaj, në djall vaftë Niçzche, mbinjeriu i Niçetche dhe kush e ka bërë Nietzsche!
- Gjithë ç’u tha në pikën nr. 31 nuk mund të vlejë për autorët etj. me prejardhje nga gjuhë që nuk regjen mbi alfabetin latin (me ose pa variante). Emri i këtyre duhet të hidhet në letër siç dhe shqiptohet. Фёдор Миха́йлович Достое́вский është një shembull i shquar në këtë drejtim. Për të mos folur pastaj për 黒澤 明.
- Kujdes, mos e tepro me kryeradhët.
Kur i shpeshton ato
ndoshta duhet parë
se mos
po ndërron
gjini
e po krijon
një poezi. - Të folurit në vetën e parë shumës i ka dalë boja tashmë. Pluralis majestatis është veç për Ne, si individ me gjak blu që Jemi.
- Themelore sintaksa është. Kanë fjalitë të tyrin rend të brendshëm në shqip.
- Përligjja e vazhdueshme e pohimeve nëpërmjet shprehive popullore s’ka bythë ku të rrijë.
- Mos u ngut me krahasime të tepruara a paralelizma të pamundura: janë si përshkimi i Saharasë me triko leshi mbi supe.
- Përsëritja e gjërave të thëna përgjatë ligjërimit, duke i thënë sërish e sërish ashtu siç i pate thënë e stërthënë kur po i thoshe, është një telendisje që s’thuhet për dëgjuesin a lexuesin.
- Përpiqu të ruash marrëdhënie korrekte mes gjuhës së shkruar dhe asaj të folur. Nse shkrn n kte far feje me njrzit n cel, provo tju flsesh n po kte mnyr n fytyr. E folim pasaj ca do tthon. Klm.
- Fjalisë vuri gjithmonë pikëzim në fund
[divider style=”single” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]
[1] Mandej botuar në një vëllim të posaçëm me po të njëjtin titull nga shtëpia botuese Bompiani e Milanos, në vitin 2000. Vite më vonë, shkrime të tjera nga rubrika e nisur në vitin 1985, e cila vazhdoi deri në vdekje të autorit një vit e ca më parë, u përmblodhën në një botim tjetër me titull Pape Satàn Aleppe (La Nave di Teseo, Milano, 2016).
[2] http://www.listsofnote.com/2012/01/fumblerules-of-grammar.html
(41)Fjalise (i) vuri gjithmone pikezim ne fund … para se te vdiste … tha
http://www.mapo.al/2016/05/ta-mbrojme-gjuhen-nga-shtremberimet/1
E forte! Na gajasi! Po ka dhe mw rregulla te tjera!