Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KUSURET E NJË NJERIU TË MESËM

Nga Dr. Eris Rusi*

Nuk është larg reales të themi që jetojmë në një kohë të shqetësuar, ku ndjehet pasiguri në fillim dhe në mbarim të ditës, ku gjërat shpesh ndodh të bëhen të vështira pa as një motiv dhe ku nuk është e thjeshtë t’i shpëtosh tundimit të banales, rënien thellë në baltën e monotones, të zymtës dhe prozaikes, që i bën pragjet e jetëve tona të zbehta, apatike e deri diku qesharake.

Brenda këtij konteksti vjen letërsia e Ardian Vehbiut, me një libër që ngjan jashtëzakonisht shumë me panoramën që të ofron vëzhgimi i jetës nga brenda një kafeneje, ku zërat e botës përfaqësohen denjësisht nga klientë që mund të flasin për gjithçka dhe për asgjë, pa më të voglin ngurrim. Kështu autori e ka të thjeshtë të rrëfeje, madje ai vërteton se nuk ka shpikur asgjë, veçse ka riprodhuar fragmente nga jeta e zakontë shqiptare. Episode te shumta me një tragjizëm të heshtur e mediokritet pikëllues, ku më shumë sesa buzëqeshje lexuesi është i prirë të lëshojë psherëtima.

Kusuret e zotit Shyti, apo diskursi moral mbi veset dhe virtytet e shoqërisë shqiptare, por jo në sheshet e dikurshme të antikitetit ku ligjëroheshin maksima publike dhe spektatorët ishin pjesë aktive e gjithë shfaqjes e kishin mundësi të reagonin. Përkundrazi, vendi ynë, sheshet tona ku rrihen debatet më të rëndësishme të shoqërisë, janë kafeneja e përditshme, me fytyra të njëjta e biseda të njëjta, me ankimet që kthehen në telashe e telashet në kusure e me njerëz që nuk reagojnë përveçse duke filozofuar pa pasur asnjë motiv të vërtetë për të ndryshuar gjërat apo për t’i vënë në vend padrejtësitë e jetës nën qiellin shqiptar.

Faleminderit, zoti Vehbiu, për këtë tekst që keni sjellë në letërsinë shqipe. Ky libër, për këdo që e lexon, ka gjuhën e bashkëkohësisë, problemet e të përditshmes dhe është i hedhur me një stil narrativ ku pjesëzat që lidhin jetën e Zotit Shyti, përbëjnë nënqeshjen tipike të atij që i di mirë gjërat edhe kur s’ka asgjë për të thënë;  i drejtohen shoqërisë së sotme si një sinjal i mundshëm reagimi, me një gjuhë që ndonjëherë i ngjan ligjërimit me nuanca sociale dhe politike, ku të gjithë janë të paplotë e askush nuk ankohet më shumë se ç’duhet për këtë.

Nuk duket rastësore që ky lloj rrëfimi vjen në kohët e sotme, ku dallimet, padrejtësitë, klima dhe trajtat e njerëzve futen brenda një modeli të përgjithshëm shqetësimi. Jetojmë të gjithë brenda një parehatie që s’dimë ndonjëherë prej nga vjen, apo kush e ka fajin. Ndërsa zoti Shyti e ka një përgjigje në çdo rast. Ai iu del borxhit qenve që lehin. Zoti Shyti luan me zjarrin. Zoti Shyti e pranon që nuk ka vuajtur. Zoti Shyti arsyeton për emrat e rrugëve. Zoti Shyti kuvendon me një mirëmbajtës të mirëqenies. Zotin Shyti e provokojnë. Zotin Shyti e sulmojnë për një fjalë goje.

Mund të vazhdoj gjatë në listimin e fragmenteve që përbëjnë ketë libër. Janë nëntitujt e çdo episodi, pasi i tille është strukturuar krejt teksti: me episode që kanë për protagonist zotin Shyti, i cili është autori dhe lexuesi njëherësh, çdo njeri me një inteligjencë mesatare, me një jetë mesatare, me dëshira mesatare, me pritshmëri mesatare mund të jetë zoti Shyti. Çdo njeri që mund të mbushet ende me frymë e të pretendojë që jeta me padrejtësinë e saj, është e çuditshme nga brenda një kafeneje që është kjo Shqipëria jonë e vogël, mund të jetë zoti Shyti. Ndërsa personazhet e tjerë zhvendosen, lëvizin, janë në formën e dishepujve, të dëgjuesve, të hijeve që shërbejnë si dekor apo të kundërshtarëve që presin duelimin me zotin Shyti.

Kjo mendoj është risia e bukur e tekstit, ekranizimi i jetës së protagonistit, njëlloj si episode të shkurtra parodike ku është e mundur të buzëqeshësh dhe të kafshosh buzën njëherësh. Aventurier Zoti Shyti, por edhe i kujdesshëm të thotë mendimin e tij nën hijen e rëndë të filozofimit. Zoti Shyti beson në shenjtërinë e jetës. Serioz në këtë episod, është Zoti Shyti që reagon ndaj një gjestit të një djaloshi, i cili në kafenenë dekor të pandashëm te ngjarjeve, vret një flutur që nuk i prishte punë askujt:

“Ti, i tha atij djalit që nuk ishte ulur ende në tavolinë; ti, more djalë, i tha, a e ke parë ndonjëherë nga afër atë që gjënë që vrave? Ia ke vënë re sedefin e pluhurt që ia mbulon krahët? Delikatesën e antenës dhe të gjymtyrëve? Je parë ndonjëherë sy më sy me të? Nuk ka makinë më përsosmërisht të ndërlikuar sesa insekti që sapo rrafshove mbi dysheme, edhe pse ty nuk po të bënte asgjë, madje, kushedi, me mënyrën e vet, as që të kish vënë re, as që e dinte se ti ekzistoje aty poshtë.”

Në tekst nuk ka vend për mister, as për lirizmin dhe as për përçartje. Edhe psikologjia është ne përshtatje me jetën e përditshme: siç thuhet në tekst, askush në përçartjen  alla shqiptarçe nuk është as përbindësh, as qenie negative. Kemi skicime të një përditësie që të dhemb në zemër kur e lexon me vëmendje, pasi flitet për jetë boshe, ditë boshe, hapësira boshe, mendje të zbrazëta e shpirtra pa jetë, që janë dekor e bashkëbisedues në ekzistencat tona. Asnjë nga personazhet nuk është shumë i gëzuar apo shumë i hidhëruar. Kemi të bëjmë me mesnjerëz.

E në fakt, është e nevojshme të bëjmë një sqarim, siç na orienton libri, për njeriun e mesëm. Për mesnjeriun. Shqetësimi më i madh për njeriun e mesëm është që gjerat të kenë mundësi të ndryshojnë. Ai nuk e do ndryshimin. Ai nuk lufton për ndryshimin. Por e kërkon me zë të lartë ndryshimin, si ankesë, që ta dëgjojnë të tjerët.

Mesnjerëzit i kanë idetë e qarta kur respektojnë orarin e nisjes nga shtëpia. E njëjta rrugë, të njëjtat dyshime kozmike, është normale të mos i prekë as e jashtëzakonshmja, as banalja.

Mesnjerëzit përshëndeten me njerëz të tjerë dhe shahen e mallkohen me pjesën tjetër të botës. Kjo pasi ata e dinë në thelb çdo me thënë ndarje e gjërave në mes.

Qeshin një ditë po dhe deri në mesin e javës po ashtu. Njohin përmendësh oraret e një linjë autobusi dhe bëhen lëmsh me ndërrimin e autobusit në ditën tjetër.

Zoti Shyti i njeh këto, i di të gjitha dhe kur e pyesin, silogjizmat e tij janë të mbushur me ironi e sarkazëm, janë qesharakë ose sipërfaqësore, por të nxitin të reflektosh. Ai kritikohet për gjithçka dhe për asgjë. Flet, e fjala është mjeti i vetëm në dispozicion të atyre që nuk lëvizin dot nga vendi, pasi palëvizshmëria është qëndresë, e qëndresa virtyt e vlerë e shtuar. Kjo është e meta e shoqërisë sonë, e mesnjerëzve tanë. Zoti Shyti e kap sërish me mjekët. Zoti Shyti përkufizon misionin e gjuhëtarit. Zoti Shyti interpreton artin e varur në mur. Zoti Shyti bën dallime të holla.

Një ditë prej ditësh e gjetëm kafenenë të rinovuar nga brenda. Fatja, pronari i lokalit, kish instaluar ca orë të mëdha të identifikuara hijshëm me etiketat LONDON, ABU DHABI, TOKYO, SYDNEY, LAS VEGAS dhe NEW JORK.  Sa bukur, tha zoti Shyti, që pa u ulur mirë në tryezë. Tani do të dimë orën e saktë në metropolet e globit., çka do të na bëjë të ndihemi më shumë pjesë e planetit tonë. Dhe ashtu do të jemi në gjendje t’i themi botës: ora 10 e drekës, në Londër, dhe në jemi në kafe; mesditë në Nju Jork dhe ne jemi në kafe. Mëngjes herët në Tokio dhe ne jemi në kafe; mesnatë në Las Vegas dhe ne jemi në kafe. Ec e mos e beso, që qendra e botës është këtu me ne!

Mesnjeriu është një qenie shumë e vogël që jeton brenda një kafeneje thashethemesh. Është mediokër. Por bota i do mediokrit. Bota urren ata që janë shumë të mirë dhe ata që janë shumë të keq. Kështu sikur thotë zoti Shyti. Andaj zoti Shyti na pëlqen kur flet. I tregon të çuditshëm mesnjerëzit e vendit tonë. I përqesh kur këta frikësohen, e di t’iu tregojë rrugën kur marrin hov e trimëri, si bashkohen në grup. Çdo gjë në mes për ta. E mira dhe e keqja. E djeshmja dhe e nesërmja. Veç neve si lexues, na mbetet të shkojmë në fund. Të lexojmë zotin Shyti, pa bërë gabimin ta lëmë në mes shfletimin e rrëfenjave të shkurtra të tij! Tek e fundit, në jetë nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë. Duhet bërë përpjekje me çdo kusht për të dalë nga topitja e plogësht, ku gjithçka është zakon dhe dorëzim pa kushte. Dhe një letërsi e mirë, si kjo e shkrimtarit Ardian Vehbiu, është mjeti më i përshtatshëm për ta bërë si duhet këtë.

 


(*) Kjo ese u lexua gjatë takimit për prezantimin e librit “Kusuret e zotit Shyti” në Korçë. Titulli është i PTF.

Për autorin: Eris Rusi ka lindur në qytetin e Korçës, në vitin 1983. Ka kryer studimet për Letërsi Bashkëkohore në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ka mbrojtur doktoraturën në “Studime letrare” pranë Universitetit të Tiranës, pranë Departamentit të Letërsisë. Ka fituar çmime të ndryshme kombëtare në prozë, ku vlen të përmendet çmimi i parë kombëtar me vëllimin me tregime “Udhëtari i natës”. Në gjuhën shqipe ka publikuar pesë përmbledhje me tregime dhe dy romane, ndërsa në Itali ka botuar vëllimin me tregime “La casa misteriosa” (Shtëpia misterioze), nga shtëpia botuese Il Filo. Aktualisht është pedagog pranë Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, në departamentin e Gjuhë-Letërsisë, si dhe kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Bota e re” Korçë.

 

1 Koment

  1. Pershkrimi i mesiperm i librit dhe personazhit Shyti na nxit te interesohemi e ta blejme kur te veme ne Shq! Si gjithmone nen kushtin e cmimit te lire, per me teper qe qenka edhe ne dy libra deri tani; sepse patjeter qe te dy librat duhet te kene lidhje!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin