Dhëndëri i Presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, gjatë një mbledhje me investitorë kinezë citohet të ketë thënë se, anëtarë të familjes së Kushnerit të ardhur emigrantë në SHBA kishin punuar shumë dhe e kishin kapur veten mirë, e nëse të ftuarit do të investonin në pronat e patundshme të Kushnerëve do ja mbërrinin edhe ata asaj dite.
Mesazhi i organizatorëve kishte lidhje me mundësinë e përfitimit për vizë emigrimi në SHBA nëpërmjet investimit (viza EB-5). Programi EB-5 (employment-based fifth preference) nxit investitorët e huaj të hapin vende pune në mënyrë që ata të përfitojnë kartën jeshile (Green Card) për vete e familjarët e tyre. Çdo vit përfaqësitë e SHBA-ve lëshojnë mesatarisht rreth 20 000 viza të tilla.
Veprimi i Kushner u interpretua si konflikt interesi për shkak të afërsisë së tij familjare me Presidentin dhe pozicionin e tij politik si këshilltar, e kritikët u morën më së shumti për mundësinë e përdorimit të administratës së Donald Trump për interes të këtij pronari të madh pronash të patundshme. Por ky diskutim për Shqipërinë ka lidhje me disa dukuri më interesante që shkojnë tej këtij këndvështrimi dhe ndërveprimit të kapitalit ndërkombëtar me politikat kombëtare. Këtu tërhiqet vëmendja në arratisjen e kapitalit dhe pasigurinë që ekziston në punëdhënësit shqiptarë, çfarë ndoshta i shtyn ata të largohen nga ky vend së bashku me paratë e tyre.
Në Shqipëri, që prej hapjes së programit në viteve 90 deri në vitin 2016 janë përfituar rreth 1000 nga ky program (së bashku me familjarët, shih tabelën më poshtë). Nga viti 2005 deri në 2016 janë lëshuar rreth 264 viza të tilla, mesatarisht 22 në vit. Pra investitorë shqiptarë duhet të kenë hapur rreth 3000 vende pune në SHBA prej 2005.
Numri i madh i investitorëve shqiptarë që përfitojnë prej këtyre vizave bie në sy edhe në krahasim me vendet e rajonit. Në raport me rajonin e Evropës Shqipëria ka një numër të konsiderueshëm të këtyre vizave (duke përfshirë edhe familjarët). Në vitin 2016 zinte rreth 11% të totalit (962 nga 8596), prej 6% në vitin 2013 (376 nga 6792). Vetëm Rumania, me popullsi thuajse 10-fishin e Shqipërisë, ka të dhëna të ngjashme, e ndoshta pikërisht për problematikat me korrupsionin dhe pasigurinë ligjore (tabela e mëposhtme tregon vetëm vizat për kategorinë kryesore).
Nga vëzhgimet numri më i madh i këtyre vizave lëshohen një vit pas ose para zgjedhjeve, kur pasiguria ndihet më së shumti dhe ndoshta persona të inkriminuar në afera korruptive largohen për të mos u bërë viktima të reprezaljeve politike.
Besohet se përfaqësitë e SHBA-ve i shqyrtojnë kërkesat që programi të mos bjerë pre e kriminelëve që pastrojnë paratë e pista, duke gjurmuar p.sh. origjinën e parave. Por disa raste të keqpërdorimit kanë shkaktuar diskutime në dhomat e përfaqësimit amerikan. Siç ishte rasti i një “investitoreje” kineze, e cila u hetua dhe gjykua për pastrim parash. Nuk dihet nëse ka raste të tilla në Shqipëri, por ka disa persona me pasaporta amerikane e shqiptare që janë gjykuar në Shqipëri ndër të tjera edhe për pastrime parash.