KTHEHUNI NË SHTËPITË TUAJA

Parlamenti i Italisë miratoi pak ditë më parë amendamentet e Projektligjit të Stabilitetit që përcaktojnë shtrëngime të kushteve për zhvendosjen e kompanive Call Center, jashtë territorit komunitar.

Sipas normave të reja që pritet të marrin miratimin përfundimtar me votimin e Senatit më 6 dhjetor, nëse një operator ekonomik vendos që ta delokalizojë aktivitetin qoftë edhe duke ia dhënë në përdorim shërbimin një operatori të tretë që nuk është shtet anëtar i BE-së, duhet të njoftojë 30 ditë më parë autoritetet e Ministrisë së Punës, Inspektoratin e Punës dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Gjithashtu, kompanitë që janë zhvendosur nga territori italian përpara hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve nuk do të mund të përfitojnë lehtësi fiskale dhe në rast moskomunikimi të zhvendosjes jashtë BE-së të aktivitetit dënohen me gjobë deri në 150 mijë euro.

Paçka se është e vështirë të parashikohen efektet ne krizën e papërmbajtshme të punësimit në Itali, dyshime të shumta shoqërojnë zbatimin e amendamenteve sepse në radhë të parë, në aktin e delokalizimit Call Center-at krijojnë shoqëri të reja që formalisht nuk i lidh asgjë me kompanitë të cilave u ofrojnë shërbimin në Itali. Gjithashtu asgjë nuk i pengon shoqëritë në përgjithësi dhe Call Center-at në veçanti, ta zhvendosin aktivitetin në vende si Rumania, ku kostoja e punës është më e favorshme se në vende te tjera të Bashkimit Europian.

Gjithsesi, duke penguar delokalizimin, qeveria italiane synon t’i japë frymëmarrje tregut të punësimit në Itali, të përmirësojë kushtet dhe sigurinë e punës ndërsa në krahun tjetër Shqipëria rrezikon të humbasë 847 kompani ku janë punësuar rreth 25 mijë vetë.

"BUONGIORNO, VI PARLA L'ALBANIA"

“BUONGIORNO, VI PARLA L’ALBANIA”, Çeta 2016

Kompanitë e para të Call Center-ave zbarkuan në Shqipëri në mesin e viteve 2000 për t’u ofruar të rinjve shqiptarë, të rritur me ëndrrën e rrejshme të mirëqenies italiane, një punë me pagë dhe vështirësi mesatare, por me orar elastik dhe shumë mundësi “për t’u futur në lojë”, siç thotë edhe formula më e njohur e rekrutimeve në botën televizive berlusconiane.

Ishin të rinjtë e bregut përballë, të rritur në kushte më të vështira se bashkëmoshatarët italianë, por në një djep të përkundur nga valët e Rai/Mediaset-it e njëlloj të mëkuar nga Maria De Filippi që, me armën e njohjes së mirë të italishtes në njërën dorë dhe receptorin në tjetrën, nuk ia kursyen veten tregut kaotik të punës në vend.

Varfëria, kostot e ulëta të punës dhe infrastrukturave e shndërruan këtë në sektor kyç për ekonominë dhe tregun lokal të punësimit. Në gjithë këto vite, fenomeni i Call Center-ave e ka mbajtur përparimin e vendit një hap përpara sikurse edhe ka frenuar ritmin e papunësisë (për sa është bërë e mundur), aq sa askush nuk do ta uronte tkurrjen e tij.

Megjithatë përmasat e kësaj tendence sot po shqetësojnë mbi të gjitha Italinë ndërsa për Shqipërinë amendamentet e propozuara nuk vijnë të papritura. Gjatë vizitës në Tiranë në muajin tetor, kryetarja e Parlamentit italian Laura Boldrini theksoi në takime të ndryshme institucionale, pikërisht çështjen e punësimit, duke përsëritur apelin për të mos e kufizuar praninë e Italisë në Shqipëri vetëm tek shoqëritë që kërkojnë një treg pune i cili njihet për rrogat e ulëta dhe të drejtat e pakta. “Ndërkombëtarizim, jo delokalizim”, ishin kryefjalët e Boldrini-t në Shqipëri.

Ne të njëjtën frymë, disa javë më parë, një broshurë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, “Invest in Italy”, u bënte thirrje shoqërive të huaja të investonin në Itali duke numëruar ndër avantazhet edhe forcën e punës me kosto konkurruese, më të ulëta në krahasim me mesataren e BE-së. “Një inxhinier në Itali paguhet mesatarisht 38.500 Euro, ndërsa në Vendet europiane i njëjti profil paguhet mesatarisht 48.800 Euro”, shkruhet në broshurë.

Me sa duket, kriza dhe konkurrenca ekonomike kanë hapur mes vendeve perëndimore të këtillë hendekë sa të mund të jehojnë brenda tyre dallime që deri tani kanë karakterizuar vetëm përballjen e tyre me vendet më pak të zhvilluara. Sot Italia e sheh veten në garë edhe me vende si India, Bangladeshi ose Shqipëria dhe konkurrenca tashmë nuk prek më vetëm punëtorët e krahut, por edhe të specializuarit, të diplomuarit, inxhinierët, etj.

Këtë gjë na e shpalos broshura e qeverisë italiane e menduar për të tërhequr investime të huaja jo duke vënë në dukje aftësitë por duke nxjerrë në shitje profesionalizmin dhe dinjitetin e punëtorëve të specializuar – teknikë që Edi Rama po e përdor prej vitesh për të mbledhur kapitale italiane e gjermane – apeli surreal i Laura Boldrini-t nga kryeqyteti i Call Center-ave; nisma ligjore italiane për të risjellë në shtëpi shoqëritë e emigruara.

Në këtë garë ku Perëndimi dhe Lindja duket sikur janë vënë në ndjekje të sho-shoqit, kufiri mes vendeve të zhvilluara, në zhvillim dhe të nënzhvilluara po bëhet gjithnjë e më i vagullt, shumë dallime po bien, bashkë me betejat për ngritjen e pagave, për njohjen e të drejtave dhe dinjitetit në punë dhe në jetë – bashkë me idenë tonë të Perëndimit që sot duket sikur abdikon nga vetvetja.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin