Abdurrahim Buza
Kur kalonte vera, merrte penelin dhe mushkonjat e vrara mureve të vilës, me njolla gjaku dhe këmbë të ngjeshura, i shndërronte në flutura.
Alfred Kanini
Shkroi titullin më të bukur të një vepre të Realizmit Socialist: “Vozabërësi dhe vajza e vrarë”.
Anastas Kondo
Emrin e tij kombi e nderon jo për librat që ka shkruar, por si shqiptari i parë (deri më tash edhe i fundit) që ka shkuar në Pol.
Artur Bilbili
Teksa ai tymoste, pamë nga dera e hapur foshnjen e abortuar, lënë gjysmë të dalë nga vagina.
Fytyrën e gruas nuk e shihnim dot; diç fliste pa kuptim nëpër dhëmbë.
Kofshët e fishkuara i kish të përlyera me gjak.
Foshnja e kish fytyrën të nxirë dhe qe plot me flokë.
Një lëng i verdhemë i pikonte nga hunda në koshin e plehrave.
Atë Anton Harapi O.F.M.
Më 19 shkurt 1946 gjyqi special komunist e dënoi me pushkatim.
Vendimi u zbatua të nesërmen.
Trupi nuk iu gjet kurrë, por gjer në ditët tona mbërriti vepra e tij shpirtërore.
Në fakt na mbërriti edhe një protezë dhëmbësh, por nuk e mori dot statusin e “relikes antikomuniste”, se saje kësaj proteze harruar brenda një gote uji në parvazin e një dritareje të një kulle dukagjinase bandat komuniste e zbuluan dhe arrestuan në dhjetor 1945.
Bajram Peza
Si neurolog i porsaspecializuar në Francë, e hodhi poshtë efektin pozitiv të gjumit të drekës.
Veteranë të Luftës së Dytë, që kishin nga viti 1944 që flinin çdo drekë, i dërguan të tilla letra anonime spitalit dhe, gjithashtu, vunë të tilla fletë-rrufe, sa menjëherë gjumi i drekës e rifitoi statusin prej veterani.
Beqir Brici
Kur ndodhi dyndja e bretkosave, isha drejtor i Shkollës së Mesme në Z.
Pata intuitën ta ndërpres mësimin dhe të shpall muajin e punës prodhuese.
Kisha dëgjuar që francezëve u pëlqejnë bretkosat dhe që eksporti ynë i kërkonte.
Nxënësit mblodhën një sasi rekord.
Sekretari i Partisë së shkollës dhe mësuesit e fizkulturës merreshin me këputjen në mes të bretkosave (vetëm gjymtyrët e poshtme haheshin).
Mbaj mend që u nderuam me medaljen e punës.
Ama, na ra bretku.
Dëfrim Gjata
Kur filloi të gërrmonte me një kërrabë të gjatë kazanin e plehrave të lagjes, shpresuam të mos e gjente gjerdanin.
Enrico Berlinguer
Vizitoi Shqipërinë në vitin 1946, me një delegacion të rinisë komuniste.
Kur i prezantuan, gjithë mburrje, Myslym Ketën, atentatorin e njohur, që kish vrarë kaq e aq fashistë, buzëqeshi, melankolik:
“E gli scalpi, dove sono?”.
Esma Hamzaraj
Një javë para dasme i vodhën pajën.
E ëma shkulte faqet.
I ati pagoi dy “kapucarë”, por pajën s’e gjeti.
Gjeti, ama, një grumbull të madh hiri në zabelin pas shtëpisë dhe pupla të shpërndara e gjysmë të shkrumbuara që më mirë se një trume rosash u shkonin jorganëve.
Hakmarrje e cilit të vluar të hershëm?
Fosco Dinucci
Akoma nuk dihet mirë nëse ishte pikërisht ai që e përfaqësoi partinë e vet në Kongresin e 7 të PPSh-së, apo, me një shkëmbim personi, vëllai binjak Dino.
Ditën e fundit të Kongresit veteranët mbetën të mbërthyer përpara ekranit të televizorit për të parë përshëndetjen e tij dhe të 87 përfaqësuesve të tjerë nga poaq parti marksiste-leniniste nga e gjithë bota.
Ç’shall kishin në qafë, sa shqip dinin, si nderonin me grusht, ç’këpucë mbanin veshur…?
Giordano Bruno
Nuk shihte dot papë me sy, ndaj kur Gjon Pali II vizitoi Nola-n – qytetin e lindjes – ia mbuluan me pëlhurë përmendoren.
Halil Llagapi
Ngaqë i harxhuan krejt pseudonimet, filluan të ripërdorin ato të Luftës dhe ia mballosën edhe të tijin s’di kujt informatori të fshehtë.
Në dosje, bile, del, faqja 27, një informacion mjedisor rreth tij me informator dikë që mbante po pseudonimin e tij të dikurshëm.
Pra paskësh spiunuar veten?
I ngatërronte punët Ministria: për shembull informatorëve u jepte 4-5 pseudonime njëherësh dhe 4-5 informatorë kishin po të njëjtat pseudonime.
Hamdi Dervishi
I ikën nga sytë këmbët revoltës popullore.
Përpara se të kapërcente detin me gjemi gjeti, gjithsesi, kohë t’ia dorëzonte çelësat e shtëpisë hajdutit më të madh të Vlorës.
Jaho Goliku
Subjekti kish rrëkëllyer sasi të konsiderueshme alkooli.
Supozimi im është që ishte i dehur.
Ç’ka barku e nxjerr bardhaku, thotë populli.
Thërriste sa i hante fyti dhe e quante Partinë e Punës: shkërdhatë, kurvë.
Mirëpo dëshmitarët këmbëngulnin që nuk thosh “Parti e Punës”, por “Baltë e Bunës”.
Unë për shkodranishten s’e vë dorën në zjarr: jam ardhacak këtu.
Si përfundim, më arrestuan.
Jeronim De Rada
Rrinte me orë të tëra duke vëzhguar trajtat e ndryshme që merrnin retë e qiellit të lëvizshëm vjeshtor.
Asnjëra nuk i ngjante mallit të tij.
João Amazonas de Souza Pedroso
Të gjithë tifozët brazilianë në Shqipëri që nuk gjenin dot një fotografi çfarëdo të Peles, mbanin poster të tij në murin mbi krevat.
Kliton Zusi
Kur na vinte radha për të qëlluar (me kopac) kollej.
– Mos fol në dorë!
E kollura vlente sa e folura.
Kreshnik Spahiu
Kalova mespërmes Sheshit Skënderbej, por Heroin nuk ma zunë sytë.
Muhamet Shehap
Në këmbanën e madhe ku hidheshin rrobat e përdorura për Caritas-in, djaloshi afrikan u fut të marrë ca të tilla pa mundur dot të dalë.
Megjithëse i veshi të gjitha, e sharroi ngrica e mëngjesit hidhërak.
Neshat Thikaj
Mbesat i tregonin shkathtësinë e tyre manuale me celularin; ai qëronte për mbesat mollët me një lëkurë të hollë, të gjatë, të pandërprerë e të pakëputur kurrë: shkathtësi manuale me thikën.
Pal Mëlyshi
Duhej ta plagosnin, që të mos e kujtonin për të Sigurimit.
Nga njëra anë të mos ishte plagë sipërfaqësore, nga ana tjetër të mos vdiste.
Mjeku mendoi gjithçka.
Mbushi armën, tërhoqi me një pincë të madhe muskulaturën e barkut, afroi tytën.
Nuk duhej në asnjë mënyrë që plumbi t’i hynte në bark, por t’i shponte vetëm muskulaturën.
I dridheshin duart.
– Qëllo, doktor, qëllo!
Qëlloi.
Reiz Malile
Në dhomat e hoteleve kurrë, e theksoj: kurrë, nuk kam parë programe televizive me pagesë.
Riza Sapunxhiu
Më pas nuk qe në gjendje as vetë të thosh si votoi: ishte një “po” që u kuptua për “jo”, apo një “jo” që u kuptua për “po”.
Por për të nuk kish rëndësi: i lau duart, për sa kohë që bëhej fjalë për sllavë që kacafyteshin me sllavët.
Thoi Fundo
Mbajtja nga ana e tij e thonjve të dy gishtave të vegjël të paprerë dhe tejet të gjatë ishte tema e mbledhjes së Partisë.
Sa filluan të mbarështronin kritikën, thonjtë i hëngri (i kapërdiu, për siguri).