I vetmi argument që mund të sillet, përtej programeve apo doktrinave politike, në favor të derregullimit të veprimtarive ekonomike, është pamundësia e shtetit shqiptar dhe mungesa e kapaciteteve të tij për të mbikëqyrur dhe garantuar zbatimin e kuadrit rregullator. Ky argument vlen dhe është dëshmuar edhe në sektorin e arsimit të lartë.
Ligji i arsimit të lartë në 2015, i cili do të reformonte këtë sistem, ka ngecur në zbatimin e tij për shkak të mungesës së kapaciteteve politikëbërëse dhe atyre zbatuese. Ky ishte edhe shqetësimi që shprehën një grup rektorësh të disa institucioneve të arsimit të lartë privat. Sipas tyre “zbatimi i kësaj reforme … po vonohet dhe po pengohet nga mungesa e kuadrit të plotë ligjor, si dhe nga mungesa e një stafi më të kualifikuar, më reagues e më të përgjegjshëm në Drejtorinë e Arsimit të Lartë dhe Shkencës.”
Ky ka qenë shqetësimi edhe gjatë qeverisjes së koalicionit të Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kur strukturat e administratës, nën trysninë politike, dështuan keqazi në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit. Ndërkohë Partia Demokratike nuk e ka dërguar ende ligjin në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse e premtoi dhe për më tepër ka aftësitë teknike dhe kapitalin politik për ta sfiduar me sukses atë.
Ka kaluar më shumë se një vit nga miratimi i ligjit dhe qeveria nuk ka mundur të hartojë aktet nënligjore për zbatimin e ligjit. Edhe pse ligji rregullonte me zell të madh regjistrimin e studentëve në arsimin të lartë, kualifikimin, rekrutimin dhe promovimin e pedagogëve, apo financimin e arsimit të lartë, qeveria nuk ka mundur të lëshojë asnjë akt ligjor që detajon rregullimin e këtyre veprimtarive.
Pas largimit të një pjesë të madhe të nëpunësve pas zgjedhjeve të vitit 2013, Drejtoria e Arsimit të Lartë dhe Shkencës vazhdon të funksionojë në gjendje eksperimentale, me nëpunës të përkohshëm dhe numër të pamjaftueshëm personash të angazhuar, të cilëve gjithsesi nuk u mungon përkushtimi dhe gatishmëria për të punuar më orar të zgjatur. Kërkesës së autorit për t’u njohur me numrin e personave që kanë përfituar titujt akademikë në periudhën e pesë viteve të fundit, Ministria iu përgjigj gojarisht se i mungonte personeli për t’i kthyer përgjigje brenda afateve ligjore.
Zotimi për të ngritur strukturat ndihmëse për realizimin e politikave të reformës së arsimit të lartë nuk është përmbushur. Mungojnë ende Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë. Madje sistemi i pranimit të studentëve për këtë vit është realizuar në një mishmash ligjor të pashembullt. Udhëzimi i pranimeve u ndryshua pesë herë (nga njëherë në gusht dhe shtator e tre herë në tetor). Veprimtaria e parashikuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore u zëvendësua faktikisht nga një platformë interneti, Rrjeti Akademik Shqiptar, që vepronte nën siglën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por që në ligj nuk figuron gjëkundi. Institucionet përkatëse duhet të vërejnë ligjshmërinë e kësaj veprimtarie. Studentët ndërkohë u çoroditën dhe sistemi i pranimeve duhet gjykuar nëse ka qenë i drejtë sa kohë ka pasur një efekt mbi zgjedhjen e programeve të studimit. Organizata Politike, një lëvizje studentore brenda Universitetit të Tiranës, e akuzon Ministrinë e Arsimit për politika klienteliste në favor të institucioneve private, pasi sistemi i pranimeve ka cenuar parimet e përcaktimit të programit sipas meritës dhe preferencës.
Përfshirja e proceseve të panevojshme për njohjen e diplomave të shkollave të mesme dhe sistemi i ndërlikuar i pranimeve të studentëve të huaj, ka reduktuar ndjeshëm prurjet e këtyre, me pasoja për zhvillimin e sektorit të arsimit të lartë shqiptar që synon tregjet rajonale apo kontinentale të arsimit të lartë. Kjo situatë e padëshiruar është edhe kundër çdo nisme evropiane për të rritur mobilitetin dhe shkëmbimet akademike ndërmjet institucioneve.
Më tej, zelli i tepruar i qeverisë për të rregulluar sistemin e arsimit të lartë nuk justifikohet me buxhetin e vendosur për arsimin. Sipas Myqerem Tafaj, ish-ministër i arsimit gjatë periudhës 2009-2013, qeveria e ka ulur buxhetin e arsimit të lartë në 2.3% në krahasim me vitin 2016, në vetëm 48 milion Euro, përfshirë rreth 25 milionë Euro të ardhura nga tarifat studentore. Rritja e pagave të pedagogëve lë shkas të interpretohet si një përpjekje për t’i kooptuar ata në vazhdën e dështimeve të qeverisjes, pasi këtë duhet ta kryenin institucionet publike nëse duan të rrisin konkurrencën ndërmjet tyre. E vështirë gjithashtu të imagjinohet rritja e pagave me këtë buxhet, sidomos për sa kohë nuk ka një formulë të shpallur për transfertat nga “fondi i mësimdhënies” dhe “granti i punës kërkimore-shkencore”, si dy mekanizmat ligjore për shpërndarjen e buxhetit të arsimit të lartë.
Atëherë, nëse qeveria nuk ka paratë dhe kapacitetet për të mundësuar zbatimin e reformës e të kuadrit rregullator, duhet ta rrisë më tej autonominë institucionale dhe lirinë akademike; pikësëpari duke shfaqur besim ndaj komunitetit akademik për aftësitë e tyre vetë-rregulluese. P.sh. ministria të mos përfshihet në vendosjen e kritereve për promovimin e pedagogëve, sidomos kur dihet që kriteret nuk janë respektuar në mënyrë konsistente. Kjo do të lejonte profilizimin dhe dallimin e institucioneve të arsimit të lartë në institucione kryesisht mësimdhënëse apo kërkimore-shkencore, pasi trupa pedagogjike e interesuar në mësimdhënie nuk do të vendosej në trysni për të realizuar kërkime shkencore. Promovimi i pedagogëve gjithashtu të kryhet sipas kritereve të vendosura nga institucionet. Ndërsa ministria të sigurojë që institucioni ka një plan buxhetor afatgjatë për rekrutimin e pedagogëve me tituj akademik dhe e bazon procesin e rekrutimit mbi strategjinë e zhvillimit të departamenteve përkatëse.
Gjithashtu, qeveria të heqë dorë nga qëndrimi për të mikro-rregulluar çdo proces administrativ të rëndomtë me synimin se po garanton zbatimin e ligjshmërisë. P.sh. praktikat e përcaktimit në detaj të kualifikimit profesional të administratorëve apo drejtuesve të departamenteve, me qasjen feudale se ligjet po shkruhen për filanen apo filanin, duhet të rreshtin. Ndërsa kufizimet për pranimet si dëshmia e gjuhës së huaj për programet e masterit apo mesatarja, që janë kritere për përgatitjen akademike të studentëve, nuk kanë vend në ligj e as në politikat e ekzekutivit, pasi aktualisht me ndërhyrje të tilla cenohet liria akademike e institucioneve.
Në përfundim, nëse qeveria nuk është në gjendje te rregullojë veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë nëpërmjet kuletës, por as nëpërmjet kërbaçit rregullues për mungesë kapacitetesh, atëherë është e mirë-këshilluar të heqë duart nga ky sistem, sesa ta ngulfatë atë.