Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji / Udhëtime

SHËNIME NGA BURGU I GRAVE

Të vizitosh burgun është gjithnjë përvojë e veçantë, por të shkosh në burgun e grave është përnjëmend mbresëlënëse dhe prekëse nga pikëpamja njerëzore. Informacionet e shumta që merr në lidhje me burgun, nga numri i të burgosurave tek kapaciteti i dhomave, nga veprat penale tek trajnimi i personelit, shkojnë e thërrmohen pikërisht kur i njeh personalisht gratë dhe problemet e tyre “pas hekurave”.

Së pari, duhet kujtuar se Shqipëria ka vetëm një burg për femra. Ndër 23 burgjet, që funksionojnë në rang Republike, i vetmi që u është rezervuar femrave është ai i Tiranës, diku në periferi, andej nga lagjja Ali Demi. Atje gjenden dy regjimet, ai i paraburgimit, ku jetojnë gratë në pritje të gjykimit dhe ai i burgimit, ku janë sistemuar gratë që kanë marrë dënim të formës së prerë.

Në korrik të këtij viti, në burgun e grave të Tiranës grupin e të huajve[1] e priti Drejtoresha e Burgut, Zoje Jakaj (Xhoi), e cila u tregua shumë e përzemërt dhe e gatshme për t’i dhënë gjithë informacionin e kërkuar. Gjithashtu personeli, që na shoqëroi gjatë vizitës brenda në burgun e grave, u tregua profesionist e i hapur në komunikim me vizitorët. Një pjesë të madhe të informacionit e morëm prej tyre, por një pjesë tjetër falë bisedave të drejtpërdrejta e tejet interesante me gratë e burgosura që pranuan të flisnin.

Në momentin e vizitës kishte 102 gra gjithsej (te paraburgosura e të dënuara). 60 prej tyre ishin të paraburgosura e 42 të dënuara përfundimisht nga gjyqi. Sipas Drejtoreshës numri i qelive mjaftonte, sepse kapaciteti i përgjithshëm ishte prej 130 të burgosura gjithsej. Qelitë ishin të ndryshme, disa të mëdha e të tjera të vogla. Sipas përmasave të qelive, sistemoheshin nga 3, 7 deri 9 vetë në qeli.  Kishte gra të dënuara për vrasje, prostitucion (shfrytëzim e ushtrim), vjedhje, shpërdorim detyre, etj.[2].

Juridikisht ekzistonin tre sektorë për sa u përket sigurisë dhe kontrollit. Siguria e lartë, e ulët dhe e zakonshme, që vareshin nga vepra penale e kryer. Nga shkalla e sigurisë varej gjithashtu leja e shpërblimit dhe ulja e dënimit. Në sistemimin në burg nuk dallohej ndonjë ndarje e veçantë sipas sigurisë. Në fakt, burgu nuk ishte i sigurisë së lartë. Megjithatë, autoritetet na bënë të ditur se po negociohej me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Gjykatat, në mënyrë që të hiqej siguria e lartë për gratë, meqë nuk përbënin rrezikshmëri të lartë. Gjithashtu po punohej për dënimet alternative, sidomos për gratë me ose pa fëmijë.

Dukej e pabesueshme, por disa gra të burgosura ishin analfabete, ose kishin probleme me arsimimin. Këtë e konfirmuam edhe gjatë vizitës brenda burgut, ku u njohëm me disa vajza që mësonin të shkruanin. Madje njëra prej grave në burg, që në liri kishte ushtruar profesionin e mësueses, u jepte mësim atyre që kishin nevojë. Klasa e realizuar për këtë qëllim kishte një sërë librash në raftet përreth. Mbi një tryezë gjendeshin abetare, tekste aritmetike dhe fletore pune. Kishte diçka shumë pozitive në përpjekjet e dy vajzave që ndanin rrokjet e lexonin tekstin në shqip; një gjest që dëshmonte se shikonin përtej kohës që do të qëndronin brenda hekurave.

Probleme më delikate kishin gratë me fëmijë. Drejtoresha e burgut na tregoi se ligji shqiptar lejonte fëmijë nga 0-3 vjeç. Në burg kishte një mjedis të veçantë e ndërtuar si çerdhe. Mjedis i përgatitur mirë ai tek regjimi i të dënuarave, sidomos në krahasim me ambientet e tjera. Gratë në burg kishin të drejtë t’i takonin fëmijët e tyre. Shpeshherë ata vinin edhe gjatë ditës. Mirëpo, jo gjithnjë bashkëshortët e tyre i linin fëmijët të shkonin në burg. Problem shumë serioz ky, po të kihet parasysh dhimbja e nënës, të cilës i mohohej pikërisht nga burri i saj takimi me fëmijën.

Për nënat me fëmijë në gji kishte edhe më shumë fleksibilitet, madje përtej atij që lejohej nga vetë ligji. Si p.sh. rasti i një nëne, sipas tregimit të Drejtoreshës së burgut, të cilës iu lejua t’i jepte qumësht fëmijës nëntë muajsh edhe të shtunën e të dielën, pavarësisht se kjo nuk parashikohej me ligj.

Gjithashtu, kishte familje që nuk donin t’i dërgonin fëmijët atje, që të mos dihej se nëna gjendej në burg. Por kishte edhe vetë nëna që parapëlqenin të mos i merrnin fëmijët në burg, në mënyrë që të mos mësoheshin me atë mjedis, me policet, etj.

Dramatike kur dëgjoje me veshët e tu raste të dhimbshme, sikurse ajo e një vajze adoleshente të shfrytëzuar nga i dashuri i saj. Ky i fundit e kishte detyruar të transportonte drogë, pa e vrarë mendjen për pasojat. Kishte raste vajzash që largoheshin nga familja në moshë të re dhe më pas binin në rrethe të diskutueshme shoqërish. Që këtej edhe rëndësia e familjes, e prindërimit dhe e kujdesit të institucioneve.

Historitë në burg ishin sa të veçanta, aq edhe të dhimbshme. Një vajzë mjaft e re shpresonte ende se mos gjykatësi e nxirrte nga regjimi i paraburgimit, ngaqë ishte dënuar mbi dhjetë vjet për mashtrim nga ish i fejuari, edhe pse ajo betohej se nuk i kishte marrë të holla siç pretendonte ai. Një tjetër e kishte mendjen tek vajza, një tjetër tek mbesa, një tjetër ishte e huaj… Të gjitha historitë rridhnin pikëllim e vetmi.

Në fakt, një nga problemet kryesore të grave në burg ishte pikërisht vetmia dhe braktisja. Mësuam se shumë prej tyre “harroheshin” krejt nga familjet e veta. Braktisja kishte pasoja ekonomike dhe psikologjike njëkohësisht. Varfëria e thellë prekej me dorë në çdo hap brenda burgut. Për këtë temë diskutuam gjithashtu me drejtoreshën dhe punonjëset, të cilat nënvizuan ndryshimin e gjendjes ekonomike midis burrave dhe grave në burg. Të parët ndihmoheshin nga familja, kurse të dytat përgjithësisht braktiseshin prej saj, përfshirë bashkëshortët. Si rrjedhim, u mungonin ushqime e të tjera të mira materiale, shpeshherë elementare. Kjo shpjegohej me mendësinë shqiptare, sipas së cilës “burgu është për burrin”, kurse gruaja në burg ishte arsye turpi; gjithnjë në bazë të mendësisë së përgjithshme, gruaja që kishte burrin në burg duhet të sakrifikonte në maksimum, çka nuk ndodhte në rastin e kundërt.

Përpjekjet e administratës së burgut ishin për t’u vlerësuar. Në zbatimin e ligjit, sipas vetë Drejtoreshës Zoje Jakaj, mundoheshin të ishin pak më fleksibël, duke marrë parasysh problemet personale. Po kështu, ndikonin pozitivisht aktivitetet kulturore, që zhvilloheshin edhe në bashkëpunim me organizata humanitare. Këto aktivitete e ndryshonin disi gjendjen e rëndë shpirtërore të grave të burgosura. Nuk arritëm të flisnim për të gjitha temat me gratë në burg, por vlerësimet nuk mungonin, si p.sh. për tre mjedise të tjera interesante siç ishin biblioteka, fusha e lojërave dhe dhoma e kulteve. Tek kjo e fundit vinin rreth 6-7 organizata fetare, që sillnin edhe materialet përkatëse, ndërsa në fushë zhvilloheshin lojëra të përbashkëta, ose veprimtari kulturore.

Çka binte në sy menjëherë ishin kushtet jashtëzakonisht të këqija të strukturës. Ndërtesat ku shtrihej burgu kishin qenë godinat fillestare përdhese ku rrinin punëtorët që kishin ndërtuar bllokun e pallateve aty afër, dikur andej nga vitet 1970. Pra ishin konceptuar për qëndrim të përkohshëm dhe për një destinacion krejt tjetër. Vetë autoritetet e burgut e pranuan situatën e rëndë e “të amortizuar” të strukturës dhe nevojën për ndërhyrje të shpejtë[3].

Jo vetëm ndërtesat ku ishin qelitë, por edhe çdo gjë përreth ishte e konsumuar dhe e vjetër. Dukej fare qartë nga trotuaret, kanalet, rrugicat, tubacionet e ujit, rubinetet e vjetra, dushet kolektive, çatitë e dëmtuara, muret e suvatuara keq, kovat përjashta, antenat anakronike, telat e korrentit … [4]

Dalja nga burgu ishte një përzierje e pashpjegueshme ndjenjash dhe emocionesh. Shpeshherë edhe të kundërta mes tyre: si dëshira e parrëfyeshme për t’ia mbathur nga klaustrofobia asfiksuese dhe ndjenjës së papërshkrueshme të fajit për braktisjen e personave që jetonin atje brenda; si ndjenja e largësisë dhe afërsisë, ndryshmërisë dhe ngjashmërisë, me persona që nuk i ke parë kurrë, por njëkohësisht i ke njohur prej kohësh në jetën tënde; si dëshira për t’i dëgjuar pafund të dënuarat dhe pamundësisë konkrete; si ndjenja e drejtësisë për shlyerjen e dënimit të merituar, gjithsesi të drejtë; si ndjenja e ndëshkimit dhe probabiliteti i gabimit njerëzor. Pa llogaritur pendesën për sa pak vlerë i japim lirisë sonë, dhe sa e konsiderojmë si të dhënë një herë e përgjithmonë; ose sensacionin se shumë gjëra të shpëtuan dhe nuk pate mundësi t’i njohësh. E në fund, ndjenja se po dilje nga një metaforë e madhe polisemantike.

Që i tërë sistemi i burgjeve varet nga nevoja për ta mbrojtur shoqërinë nga elemente kërcënuese është e qartë; por nuk duhet të harrojmë se qëllimi i dënimit me burg është riedukimi, që duhet të kalojë medoemos nga respektimi i të drejtave të njeriut. Problemi është se të burgosurit, aq më shumë kur janë femra, nuk duhet të vuajnë dënim të dyfishtë, ose të trefishtë; çka ndodh kur heqjes së lirisë për veprën penale të kryer, i shtohen kushtet e këqija, stigmatizimi social, vetmia, depresioni, etj. Dënimi dhe dinjiteti në shqip fillojnë të dyja me të njëjtën bashkëtingëllore, por në të shumtën e rasteve nuk janë bashkudhëtare. Megjithatë, këto dy fjalë duhet të mbajnë gjithnjë e medoemos cilësorin njerëzor.

“Shkalla e civilizimit të një shoqërie matet nga burgjet e saj”. Thënie e mençur, që i atribuohet shkrimtarit rus Fedor Dostoevskij. Por mund të shtonim modestisht, se një shoqëri matet edhe nga qëndrimi ndaj grave, aq më shumë ndaj atyre që janë në burg.

 


[1] Në delegacion merrnin pjesë gazetarë italianë të revistës “Confronti”.

[2] Vizita e plotë u zhvillua në regjimin e paraburgimit. Por në të gjithë burgun kishte, sipas drejtueses, 105 punonjëse (32 nga administrata civile dhe 73 nga sektori i policisë).

[3] Sipas informacioneve që morëm, me përjashtim të 3-4 burgjeve që janë ndërtuar 10 vitet e fundit, jetesa brenda të tjerave është skëterrë. Përveç burgut të grave, që ishte brenda kapacitetit të parashikuar, të tjerat ishin mbi kapacitetet e veta. Meqë ra fjala, nuk mund të bëhen absolutisht krahasime me kushtet e burgjeve të totalitarizmit, e gjithsesi nuk është ky qëllimi ynë i këtushëm.

[4] Për këtë (e jo vetëm) flasin më mirë fotografitë e bëra prej meje.

 

 

3 Komente

  1. Pa fotografite shkrimi do te dukej paksa i thate, por me fotot ai eshte mjaft informativ.

  2. Cfare do te thote qe te shtune dhe te diele nuk mund t’i jepet gji femijes?
    Rando: cfare thote ligji per prostitucionin ne Shqiperi? Nderkaq po e kerkoj.

    1. Sipas rregullores së përgjithshme të burgjeve, nuk lejohen vizita nga jashtë të shtunën e të dielën. Në rastin konkret, me sa mbaj mend, gruaja e dënuar (nuk e di për çfarë arsye) nuk i kishte ende dokumentet e plota për ta marrë fëmijën në çerdhen e burgut; pra për gjithë javën. Si rrjedhim krijohej një boshllëk. Një interpretim më elastik i rregullores nga ana e administratës së burgut – gjest që unë e vlerësoj – bëri që fëmija të ushqehej me gjirin e nënës. Tani, përtej rastit tonë, desha të them se rregulloret dhe ligjet janë me përkufizim të ngurta dhe nuk mund t’i parashikojnë të gjitha nevojat personale. Pra kërkohet fleksibilitet. Rëndësi ka që organet kompetente të mos harrojnë kurrë se kanë të bëjnë me persona të cilëve, edhe pse pas hekurave, duhet t’u ruhet dinjiteti njerëzor deri në fund.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin