Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

BALLKANI – EDHE SHPREHI LETRARE

Mbase përkthimi në Ballkan ka një trashëgimi historike më të madhe nga ç’e njohim. Në fund të fundit, Hieronimi, shenjti mbrojtës i përkthyesve vinte nga Iliria.

Joseph Cock për Today Translation

British Library pak ditë më parë organizoi Takimin e Dytë Letrar Ballkanik, nën titullin “Ballkan Day”. Një mundësi kjo jo vetëm për bibliotekën që promovonte koleksionin e saj të titujve mbi Ballkanin, por gjithashtu një tryezë diskutimi për shkëmbimin e ideve midis studiuesve të letërsisë ballkanike, përkthyesve të saj, autorëve vetë e lexuesve. Seanca e këtij qershori u përqendrua kryesisht në krijimtarinë e Maqedonisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë. Robert Elsie, i cili përherë mbetet dashamirës, lëshoi një thumbim ironik në hapje të fjalës së tij duke thënë se në Shqipëri flitet të ketë më shumë shkrimtarë se lexues. Megjithatë si për ironi të fatit vura re se në sallë kishte lexues të letërsisë shqipe por asnjë autor shqiptar. Ata që përfaqësuan Shqipërinë në këtë diskutim ishin albanologu Elsie dhe Hodgson, përkthyesi i veprës së Kadaresë në gjuhën angleze. Nuk është fort e pagjasë që arsyeja e mungesës së një autori shqiptar në atë panel të jetë pasqyrimi i mungesës së letërsisë shqipe në tregun anglez. Pas kësaj mungese fshihen arsye të ndryshme; është fakt se në disa universitete të Europës dhe Shteteve të Bashkuara studiohet gjuhësia dhe letërsia sllave, çka shton në mënyrë të konsiderueshme tregun për këtë letërsi. Edhe letërsia e re greke përfshihet shpesh në kuadër te studimeve të filologjisë klasike. Fatkeqësisht përveç Kadaresë është e vështirë të gjesh në treg edhe ata autorë të cilët janë përkthyer por që për ndonjë arsye veprat e tyre nuk janë më të gjetshme për lexuesin.

Shkaku pse kaq pak vepra shqip shohin dritën e botimit në Angli apo SH.B.A nuk është veç faj i institucioneve tona të kulturës, sikundër vijimisht po edhe me një farë arsyeje  përmendet. Shifrat e letërsisë së përkthyer në tregun anglishtfolës përbëjnë vetëm 3,5% të fiction-it në tërësinë e vet. Në këtë përqindje kaq të ulët bën pjesë e gjithë krijimtaria e vendeve joanglofone të cilat shpesh kanë një traditë letrare më të mëkëmbur e të njohur nga ç’ka kjo jona. Në një ekonomi tregu është vështirë të hash inat me mungesën e interesit nga ana e lexuesit për vende të vogla dhe periferike në paradigmën kulturore globale. Edhe në u financofshin librat prej institucioneve shqiptare dhe të publikohen në UK apo në Shtetet e Bashkuara, duhet mandej edhe të ekzistojë një publik që t’i blejë, pasi psikologjia e ‘le të jenë në raft’ rezulton veç humbje dhe shpërdorim.

Në këtë Balkan Day qe veçanërisht interesante gjallëria që solli autorja rumune Ioana Pârvulescu kur folëm mbi lidhjen e ngushtë historike mes Rumanisë dhe Shqipërisë sa i takon botës së letrave. Ajo mbante mend me entuziazëm të madh posaçërisht përshkrimet e Bukureshtit të fillimshekullit XX prej autorëve tanë që kish lexuar fare e re e mandej shkonte gjer tek emra të sotëm si Ardian Kyçyku.

Letërsisë së ngjizur në frymën e Ballkanit ka plot tipare që i japin unitet dhe njëherazi e dallojnë prej letërsisë së Europës Perëndimore, duke nisur nga shkrirja në të e zhanreve aq ngurtësisht të ndara fjala vjen në letërsinë angleze e cila e ka edukuar mbase keq publikun me kategori letrare shumë të strukturuara, kategori të cilat reflektohen qartazi  dhe në ballinat e librave. Besoj se për pjesën më të madhe është mjaft e lehtë të dallojë cili nga librat i përket zhanrit crime/thriller apo romance kur hedhin sytë në një raft me oferta prej shtëpive botuese anglofone. Shumë përkthyes në sallë pikasën pikërisht këtë mpleksje dhe kapërcim mes zhanreve si një prej veçorive themelore me të cilat përballet lexuesi anglofon, mpleksje  karakteristike kjo për shoqëritë në tranzicion. Ky vëzhgim udhëhoqi diskutimin drejt dyshimeve nëse autorët e Ballkanit pasi internacionalizohen duhet apo jo të shkruajnë duke pasur parasysh një audiencë internacionale dhe sa duhet të jetë roli i përkthyesit për të zbutur mospërputhjet në konceptimin e lexuesit. Këto parametra gjykimi mund të duken shpesh një darë e cila priret ta fusë në rresht krijimtarinë e autorit duke e bërë kështu t’i bindet vetëm rregullave të një tregu, të cilin për më shumë botuesit kanë treguar në shumë raste se s’mund ta parashikojnë. E megjithatë në shqyrtimin dhe pranimin e një manuskripti të gjitha do të merren parasysh.

Letërsia e Ballkanit e ka të zorshme të dalë jashtë të qenit politike edhe kur trajton tematika si dashuria apo miqësia pasi në mënyrë të heshtur, si muzikë sfondi, kumbojnë çështjet politike të kontekstit në të cilin merr jetë ndodhia, kontekst ende sot kaq I ndezur. Mjafton të lexojmë Eliaden rumun, Jovanovskin maqedonas, Pamukun turk, Kadarenë shqiptar dhe do vëmë re rolin qendror që merr qyteti në narrativë apo temat shpesh të ngjashme si multikulturalizmi dhe pasojat e luftës, e gjithashtu veçantinë gjerësisht të pranuar të strukturës narrative kornizë  të 1001 netëve, tregimi brenda tregimit si në Unë jam e Kuqja, Ura me tre harqe apo Ditari i një adoleshenti dritëshkurtër. Gjithashtu mitet mbi të cilat ngrihet shpesh narracioni, përsëri tipizuese për këtë letërsi, mitet pra si ai i murosjes, janë kaq të ngjashme sigurisht për shkak të afrisë gjeografike dhe bashkëjetesës së popujve të këtij rajoni.

Kësisoj, më vjen natyrshëm të hedh idenë se kjo mënyrë të shkruari dhe për rrjedhojë dhe të lexuari ka një shtrat përbashkues në rajonin tonë, çka mbase nuk nxit por me siguri lehtëson përkapjen e tekstit. Më vjen po ashtu natyrshëm të mendoj edhe se, në vende si Rumania apo Bullgaria do të kishte më shumë interes për narrativë nga Shqipëria, shumë më tepër sesa mund të ketë në vende si Anglia a Franca. Ben Andoni për shembull ka ngritur disa herë një shqetësim të ngjashëm lidhur me bashkëveprimin midis letërsisë sllave dhe asaj shqipe. Duke qenë se është e rrallë të gjesh letërsi shqipe të përkthyer në këto gjuhë, mbase më shumë vëmendje i duhet kushtuar nga ana e institucioneve bashkëpunimit në këto tregje nëpërmjet sponsorizimit të festivaleve letrare si ato që zhvillohen në Rumani e Bullgari gjatë verës, dhe investimit në panaire e tryeza diskutimi. Botuesit duhet të nxisin autorët të marrin pjesë dhe këta të fundit nuk bën ta shohin me nënvleftësim a përçmim tregun ballkanik të librit. Sigurisht që njohja më mirë e një kulture mund të ndihmojë dhe në zbutjen e gjakndezjeve që vazhdojnë të jenë edhe sot mes vendeve “inatçore” të Ballkanit, gjakndezje që shpesh ushqehen nga  paragjykime inferioriteti ndaj kulturës së vendit përkarshi. Letërsia arrin të komunikojë më lehtë ide për të cilat është e vështirë të flitet, dhe e bën duke ofruar përvojën njerëzore në formë rrëfimi. Përkthyesit janë ndërtues urash, ata interpretojnë, qëndrojnë në mes dy brigjeve dhe vënë në kontakt entitete të cilat ndryshe mezi komunikojnë. E po i njëjti mision mund të shkojë dhe përtej tekstit, parë në materialitetin e vet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin