Marrëzia në muzikën e grupit Blla Blla Blla… nuk mbaron këtu. Një shembull tjetër e marrëzisë që shohim tek këngët e tyre është marrëzia politike, që merr një trajtë të qartë në këngën “Komandant Skita.” Një pjesë e madhe e këngës, në rrafshin gjuhësor, është përsëritje e këtyre tre fjalëve: “Ali, Sali, Bruce Lee.” Fjalët lihen të fshehta sikur nuk po merret vesh se për kë po flitet,- ndërkohë që për një njeri që e njeh realitetin shqiptar e kupton shumë mirë se për kë po flitet. Dhe kjo është bërë me qëllim sepse më vonë kënga vazhdon “Unë e di kush je ti,” pra megjithëse emrat e plotë nuk po shfaqen, gjithkush e kupton se cilat janë referencat. Udhëheqësit fshihen mbrapa mediave, e kujtojnë se njerëzit nuk e kuptojnë se kush janë ata me njëmend. Por e kundërta qëndron: është pikërisht udhëheqësi që nuk e di se kush janë njerëzit e thjeshtë. Prandaj dhe kënga vazhdon: “Unë e di kush je ti… ti s’e din se kush jam unë.”
Po kush janë Aliu, Saliu dhe Bruce Liu? Dhe kjo përgjigje nuk është aq e thjesht sa ç’duket. Në kuptimin parësor, një shqiptar do të mendonte se ata janë Ali Ahmeti, Sali Berisha dhe aktori marcial i mirënjohur botërisht Bruce Lee. Nuk ka edhe aq shumë rëndësi se kush janë Aliu dhe Saliu, në këtë këngë sepse ata bëhen simbole të udhëheqjes me dhunë. Fjala Ali këtu i drejtohet edhe mijëra Alijve që nuk quhen Ali. Fjala Sali i drejtohet edhe mijëra Salive të tjerë që nuk quhen Sali. Megjithëse, në fillim ngjan si një lidhje qesharake e tre emrave që qëndrojnë vetëm sepse rimojnë (Ali, Sali, Bruce Lee), dua t’ju bind se e kundërta është e njëmendtë: Aliu, Saliu dhe Bruce Liu kanë një lidhje të ngushtë metafizike. Për ta treguar këtë, dua të shtroj më parë pyetjen: çfarë lidhje kanë dy udhëheqës politikë shqiptarë, njëri në Maqedoni e tjetri në Shqipëri, me një aktor që zbavit njerëzit duke luftuar dhe vrarë të tjerët? Përgjigja është: që të tre janë mishërim i një etje të rrokakrejtshme për fuqi. Qëllimi i udhëheqjes, për rastin në fjalë, është zotërimi me dhunë. Udhëheqja, e çfarëdolloj që të jetë ajo, politike, fetare, apo kulturore, nuk është asgjë më shumë përveçse një shprehje e dëshirës për pushtet mbi të tjerët. Që të tre, Aliu, Saliu dhe Bruce Liu kënaqin vetveten dhe zbavitin ndjekësit e tyre vetëm kur mundin të tjerët dhe sundojnë me dhunë mbi ta. Siç fiton Bruce Lee sfidat duke i rrahur të tjerët me grushta dhe shqelma, ashtu e fitojnë edhe disa udhëheqës politikë apo fetarë pushtetin e tyre: duke i zhdëpur njerëzit në heshtje, në mos në vdekje. Dhe Blla Blla Blla… në tekstin e tyre nënvizojnë që njerëzit e thjeshtë e dinë se kush janë udhëheqësit; njerëzit e thjeshtë e njohin fytyrën e tyre të njëmendtë. Në një pjesë të këngës, këngëtari fillon të fjalëzojë parimin që drejton këta udhëheqës: “A e ke parë sa i fortë që jam? Shife pak sa i fortë që jam!” Aliu, Saliu dhe Bruce Liu, e si rrjedhojë edhe gjithë udhëheqësit e tjerë politik e fetar, nuk janë më as vetvetja: ata janë robër të etjes për pushtet. Aliu, Saliu dhe Bruce Liu nuk janë asgjë më shumë se sa dëshira për pushtet.
Tek muzika e Blla Blla Blla… gjejmë edhe marrëzinë e luftës së përjetshme midis të kundërtave: diku takojmë luftën midis zërit të egër të vokalistit dhe tingujve të ëmbël të violinës, diku tjetër takojmë zërin e zbutur të vokalistit dhe therjet e forta të violinës, dëgjojmë absurditetet e një zëri çuditërisht të gëzuar diku ku duhet të ishte serioz, luftën midis qenit dhe ujkut apo në një vend tjetër midis bletës dhe arushës. Lufta midis të kundërtave sjell mospërputhje skajesh, prishje tërësore, e kur shkatërrimi arrin kulmin, aty lind diçka e re: kjo është marrëzia e kësaj lufte. Kjo luftë e vazhdueshme midis të kundërtave është diçka që e dallon menjëherë në muzikën e grupit Blla Blla Blla… . Askund nuk shprehet më qartë kjo se tek kënga e tyre e hershme “Bleta,” që mendoj se është kënga më përfaqësuese e tyre. Bleta përshkruhet si qenie e mirë që është e qetë, e butë, që ndihmon qeniet e tjera dhe më shumë se gjithçka sjell rregull. Ndërsa arusha është prishja e këtij rregulli, ajo është e dhunshme dhe shkatërruese, ajo don t’i vjedhë me forcë qeniet e tjera, e në këtë rast mjaltin e bletës. Pra, bleta dhe arusha kthehen në dy parime të kundërta që do jenë përherë në luftë me njëra-tjetrën: rregullit dhe rrëmujës, qetësisë dhe egërsisë, lindjes dhe vdekjes. Kënga “Bleta,” pavarësisht se ngjan si një përrallë, është në të vërtetë një këngë mbi procesin e sendërgjimit: se këtë luftë midis të kundërtave e hasim gati në çdo këngë të Blla Blla Blla… e në sendërgjimin e gjithçkaje tjetër në gjithësi. Filozofi i madh para-sokratik, Herakliti kishte të drejtë kur mendonte se lufta midis të kundërtave është nëna e gjithçkaje.
Gjërat që janë më pranë nesh janë edhe gjërat më të vështira për t’u kuptuar: ne mësohemi të jemi pranë tyre, i marrim si të mirëqena, e dalëngadalë na e zbehin kërshërinë. Prandaj, tani do them diçka që mbase duhet ta kisha thënë që në fillim: lidhja midis marrëzisë dhe muzikës në muzikën e këtij grupi mund të dallohet edhe tek vetë emri i tyre: Blla Blla Blla… Një emër më i marrë nuk mund të gjendej, është një emër që thotë asgjë. Blla Blla Blla… është një tufë shkronjash që nuk ngjizen dot as në fjalë. Blla Blla Blla është një emër pa kuptim: si ato fjalët e jargavitura, të stërzgjatura e pakuptimta të një të çmenduri.
Siç e vëmë re tek vetë emri por që bëhet edhe më e qartë kur shikon tekstet e këngëve, marrëzia në muzikën e grupit Blla Blla Blla… shfaqet pikësëpari në rrafshin gjuhësor. Marrëzia në përvojën e drejtpërdrejtë që kanë njerëzit, ose e parë nga ana fenomenologjike, shfaqet pikërisht tek shpërbërja e gjuhës, copëtimi i fjalive në fjalë, dhe përfundimisht tek shkrirja e fjalëve me kuptim në tinguj të pakuptimtë. Në pamje të parë veprimet trupore asnjëherë nuk mund të jenë të marra, por vetëm të çuditshme: sado të pazakonshme të jenë lëvizjet e një njeriu ato nuk e bëjnë atë menjëherë të marrë. Edhe nëse dikush fillon të kërcej balet papritur në mes të rrugës, kjo do ishte e çuditshme, por jo marrëzi: gjasa është shumë e lartë që të ishte pjesë e ndonjë teatri avant-garde. Por nëse dikush ulërin tinguj të padëgjuar, flet fjalë të pakuptimta, dhe i lidh fjalët gabimisht sipas sintaksës së gjuhës së caktuar, atëherë pamja trajtësohet menjëherë: ky njeri duhet të jetë se s’bën i marrë! E them këtë për të treguar se nga ana fenomenologjike ne e dallojmë marrëzinë parësisht nëpërmjet shpërbërjes së rregullave të ngurta të gjuhës. Shumë nga tekstet e këngëve të Blla Blla Blla ngjajnë si pasthirrmat e pakuptimta të një njeriu që vuan, por që askush nuk e kupton se pse vuan, se ç’kërkon, e si mund ta ndihmojnë të tjerët; pra me pak fjalë, janë si pasthirrmat e pakuptueshme të një të çmenduri.
Ka shumë këngë që mund të merren si shembuj të kësaj marrëzie që shfaqet nëpërmjet gjuhës; një nga këto është një nga këngët më të njohura të Blla Blla Blla…, që quhet Babayaro dhe është pjesë e albumit Blla Blla Blla. Kënga fillon me një hyrje të mrekullueshme ku përzihen njëtrajtshmërisht tingujt therës të violinës përfaqësuese së këtij grupi me basin dhe baterinë e fuqishme; gjuha hyn vetëm pas minutës së parë dhe është një thirrje që përsëritet vazhdimisht: ore “babajaro ku ji e o” që pasohet nga një shprehje tjetër edhe më e pakuptimtë. Ndjesia e parë që të jep kjo këngë është se nuk merret vesh se në çfarë gjuhe është, po edhe kur më vonë mendon se e kuptove ndonjë fjalë, ngelesh pa shpresë nëse do ta kuptosh tekstin si tërësi. Shembuj të tjerë janë: përsëritja e “huma humamaj” në këngën “wolf and dogs” ose kënga “Sha lla lla” nga albumi Lamtumirë, ku një pjesë e madhe e këngës është vetëm përsëritje e së njëjtës shprehje të pakuptimshme “sha lla lla.”
Pyetjet që lindin natyrshëm janë: çfarë janë këto thirrje të pakuptimshme? A janë pjesë e gjuhës? Dhe nëse janë pjesë e gjuhës, çfarë gjuhe janë ato? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve duhet të bëjmë një dallim thelbësor: poezia është zhvillimi i gjuhës, muzika është shkatërrimi i gjuhës. Poezia e pasuron dhe e përjetëson gjuhën: gjuha që ne flasim është dhuratë e poetëve. Të shkruash poezi është në radhë të parë të jesh i dashuruar marrëzisht me gjuhën, – e kur kjo dashuri zgjat, lind edhe fëmijë. Muzika është e kundërta e poezisë: muzika e rrënon gjuhën, e bënë fjalën skllave të melodisë dhe kuptimin shërbëtor të tingujve që në vetvete janë të pakuptueshme.
Bashkëbisedimi më i rëndësishëm mbi muzikën është bërë në shekullin e 18-të, 19-të dhe 20-të në Europë, ku çështja kryesore ishte pikërisht hyrja e gjuhës në muzikë. Problemet që shqetësonin shumë mendimtarët dhe artistët e mëdhenj të kësaj kohe ishin këto: A përfaqëson muzika diçka që mund të shikohet? A rrëfen muzika diçka të ngurtësuar? A mundet që tingujt të kenë kuptim si fjalët? A ka mundësi që muzika të vizatojë me tinguj një rrëfim? Emrat më në zë të Europës u munduan të kapen e rroken me këto pyetje e të mundohen të japin një përgjigje: mes të cilëve edhe Ernest Hoffmann, Herder, Goethe, Hegel, Schopenhauer, Friedrich Nietzsche, Franz Liszt, Eduard Hanslick, Wagner, Richard Strauss, Mahler, Ludwig Wittgenstein e shumë të tjerë. Mund të themi që ky bashkëbisedim i zgjatur u nda në dy grupe: mbrojtësit e asaj që njihet si muzika absolute ose muzika e pastër dhe mbrojtësit e muzikës pragmatike ose muzikës rrëfyese. Mbrojtësit e muzikës së pastër mendonin se muzika arrin madhështinë e saj më të madhe pikërisht kur muzika është skllave e askujt dhe arrin pavarësinë e të qenit veç muzikë. Futja e gjuhës në muzikë, për mbrojtësit e muzikës së pastër, përfaqësonte skllavërimin e muzikës nga poezia. Muzika duhej të çlirohej nga gjuha në mënyrë që të shprehte lirisht vetveten: të shprehte ritmin e vetë frymës hyjnore. Ndërsa mbrojtësit e muzikës rrëfyese, mes të cilëve spikaste Wagneri, mendonin se gjuha nuk e skllavëron muzikën, por e madhëron atë. Muzika, për mbrojtësit e muzikës programatike, duhet të rrëfejë diçka, e për t’u bërë e aftë që të rrëfejë, muzika duhet të marrë trajtën e një gjuhe që arrin të vizatojë ngjarje dhe ndjenja. Përgjithësisht, megjithëse ka përjashtime, mbrojtësit e muzikës së pastër mendonin se muzika kishte një rol më shumë vetjak e shpirtëror, ndërsa për mbrojtësit e muzikës rrëfyese muzika kishte një rol me shumë shoqëror dhe mësues.
Në qendër të shumë prej këtyre mosmarrëveshjeve, midis mbrojtësve të muzikës së pastër dhe muzikës rrëfyese, u vu muzika e muzikantit më të madh të gjitha kohërave, birit të Orfeut, i njohur me emrin Ludwig Van Beethoven. Mbrojtësit e muzikës së pastër e shikonin simfoninë e 5-të të Beethovenit si shprehjen më të lartë të muzikës, një sendërgjim që nuk rrëfen asgjë trupore apo shikimore, por përcjell një etje të pashtershme vetëm nëpërmjet tingujve. Ndërsa mbrojtësit e muzikës rrëfyese e shikonin simfoninë e 9-të të Beethovenit si arritjen më të madhe muzikore, ku në lëvizjen e 4-të muzika bëhet një me gjuhën dhe arrin të shprehë një ideal të caktuar shoqëror: vëllazërimin e njerëzimit. Simfonia e 9-të e Beethovenit është hera e parë në historinë e muzikës ku zëri njerëzor hyn në simfoni,- dhe hyn, siç e dinë të gjithë, me poezinë e Schillerit “Ode e Gëzimit.”
Nëse parimet e demokracisë do të ishin edhe parimet e artit, që është edhe problemi më i madh i artit sot, atëherë muzika rrëfyese e fiton këtë betejë. Gati çdo këngë sot, dhe shumica e muzikës sot është muzikë rrëfyese. A ka dështuar ideali i muzikës së pastër? Përkundrazi. Mendoj se muzika e pastër e fitoi luftën që para se të hynte në luftë. Dua t’i kthehem pikërisht asaj që thashë më lart: poezia është lulja e gjuhës, ndërsa muzika është vemja që e ha gjuhën. Nuk e kundërshtoj që ka vepra të jashtëzakonshme ku gjuha përzihet me muzikën; kundërshtimi im është se edhe kur gjuha hyn në muzikë, gjuha duhet t’i përkulet patjetër parimeve tingullore që në thelb janë të pakuptimta, e nëse gjuha e bën këtë nënshtrim atëherë kuptimi gjuhësor bëhet i parëndësishëm dhe dytësor, – e, si pasojë, i panevojshëm. Por nëse dikush sendërgjon një muzikë ku tingulli i nënshtrohet fjalës dhe gjuhës, atëherë ti ke sendërgjuar një poezi e jo vepër muzikore. Tingulli dhe Fjala janë në një përleshje të përhershme: ato nuk mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Por shumica e muzikantëve nuk e kanë kuptuar këtë gjë: ata bashkojnë një poezi të mirë me një muzikë të mirë dhe si përfundim prodhojnë një vepër të shëmtuar që nuk është as poezi e as muzikë. Muzika më e mirë është muzika që është vetëm muzikë e asgjë tjetër, – e kjo gjë e dallon muzikën nga poezia. Nuk është e kotë që shumë mendimtarë të mëdhenj e kanë vlerësuar poezinë si hyjneshën e arteve: ajo është e vetmja që arrin ta bashkojë në mënyrë të njëtrajtshme gjuhën, muzikën dhe pikturën. Por, muzika asnjëherë nuk do mund ta zërë dot vendin e poezisë sepse muzika është dhe do ngelet gjithmonë vetëm tingull,- e në raste të veçanta, kur tingulli arrin të shprehë frymën, tingull i hyjnishëm.
Për t’u kthyer tashmë tek grupi Blla Blla Blla…, muzika e tyre është e mrekullueshme pikërisht sepse e shpreh shumë qartësisht këtë luftë midis Tingullit dhe Fjalës. Në muzikën e Blla Blla Blla…, fjala e humb fuqinë, vrulli i mpaket, fjalët copëtohen në mes të fjalisë, e në disa raste fjala shpërbëhet fare në tinguj që thjesht ndjekin ritmin e muzikës. Muzika e mirëfilltë është e marrë sepse e shkatërron gjuhën, kuptimin dhe të zakonshmen dhe mundohet të shprehë marrëzinë e pakuptimshme,- që çuditërisht është e shijshme! Dhe arritja e jashtëzakonshme e muzikës së Blla Blla Blla… është se duket se e kanë kuptuar këtë gjë, – edhe nëse nuk e kanë kuptuar, e kanë mishëruar atë në mënyrë të pandërgjegjshme.
Përveç shprehjeve të pakuptimta, gjejmë edhe trajta të tjera të marrëzisë tek muzika e Blla Blla Blla… dhe kjo është përsëritja e skajshme. Muzika e Blla Blla Blla… të kujton krejt ata të marrë që përsërisin deri në amshim të njëjtat fjalë dhe të njëjtat lëvizje nëse nuk do vepronte diçka kundër që t’i ndalonte. Përsëritja është ose e marrë ose e hyjnishme, – dhe në rastin e muzikës së Blla Blla Blla, ajo i mbart të dyja. Muzika e këtij grupi është jashtëzakonisht minimaliste: minimaliste në tinguj sepse këngët përgjithësisht ruajnë një zhvillim të njëtrajtshëm dhe shohim përsëritje të vazhdueshme në veçanti tek pjesa e violinës, por dhe minimaliste në tekst sepse fjalë dhe shprehje të njëjta përsëriten vazhdimisht. Shembuj të kësaj përsëritjeje minimaliste janë të shumtë, por ja dy shembuj: përsëritja e shprehjes “Ngrihem të zgjoj nga gjumi, e ti nuk do t’m’i thuash fjalët që dua t’i dëgjoj” tek kryevepra “Mish” e albumit të vitit 2005 apo përsëritja e shprehjes “Kam ndërmend të shkoj në Hënë bashkë, kam ndërmend të shkoj pa ty” tek kënga e mrekullueshme “O mirë sa mirë” e albumit të vitit 2000.
Mund ta ndalojmë hulumtimin mbi përsëritjen në muzikë aty ku parapëlqejnë shumica e filozofëve analitikë të artit: thjesht që përsëritja dhe dallimi i një trajte të caktuar në tinguj zakonisht është e pëlqyeshme për veshin e njeriut. Por kjo është sikur të mos thuash asgjë; dhe pikërisht ky është problemi i përgjithshëm i filozofisë analitike: ajo thotë vetëm gjëra të parëndësishme që i pranon gjithkush ose thotë gjepura qesharake që nuk i pranon askush. Gjithsesi, pa u futur thellë në cektësinë e filozofisë analitike, dua të them se nuk mund të ketë art të mirëfilltë pa përsëritje. Përsëritja në art, në veçanti në muzikë dhe në vallëzim, ka një rëndësi qenësore; përsëritja është qendra e artit. Kur një veprim përsëritet mjaftueshëm, ai kthehet në një ritual fillestar; e kur një veprim kthehet në ritual, ai veprim ndryshon përjetimin tonë të kohës dhe na mbart jashtë së zakonshmes. E kur diçka na ndryshon përjetimin tonë të kohës dhe na mbart jashtë së zakonshmes, ajo vepër kthehet në art. Prandaj çdo vepër e madhe e artit është e marrë: ajo të çon përtej së zakonshmes. Muzika minimaliste, si në rastin e disa këngëve popullore të vendeve të ndryshme në Europë, psalmeve gjeorgjike, isopolifonisë shqiptare, muzikës së fiseve vendase në Ontario, Kanada, para ardhjes së europianëve, muzikës së Arvo Part, Steve Reich, Philip Glass, apo muzikës së Blla Blla Blla… mishërojnë artin fillestar, atë përsëritjen e hyjnishme. Muzikë minimaliste ka pasur në periudha të ndryshme, por kohëve të fundit muzika minimaliste ka pasur një ringjallje. Arti bashkëkohor, duket i mërzitur nga mbi-ndërlikimi, dhe gjithmonë e më shumë po i kthehet minimalizmit fillestar.
Nëse ka një drejtim të caktuar ku po ecën arti i njëmendtë, ky është minimalizmi. Kur të shkruhet historia e artit e këtij shekulli, ajo do thotë patjetër se ky shekull ishte shekulli i artit minimalist. Dhe nuk mund të jetë ndryshe; fati i artit të mirëfilltë u përcaktua që nga fundi i shekullit të kaluar: zhvillimi i përshkrimit minimalist në poezinë e modernizmit, minimalizmi shprehës i dramave të Beckett-it, minimalizmi tek filozofia qartësuese e Wittgenstein apo deri tek zhvillimi i muzikës minimaliste nga Arvo Part. Dhe të them të drejtën, grupin Blla Blla Blla, për sa i përket rrjedhës së përgjithshme të artit, e shikoj pikërisht si pjesë e kësaj tradite minimaliste artistike. Blla Blla Blla… janë kontributi i veçantë i Ballkanit drejt muzikës minimaliste.
[fund]
Një shembull i përkryer i minimalizmit janë edhe këta: https://www.youtube.com/watch?v=fxRjBO15sng
Do të shprehesha për këtë grup pak a shumë siç je shprehur ti për Blla Blla Blla. Madje pas kërkimeve të mia të gjata për një origjinalitet të ngjashëm me atë të Morphine, ku origjinaliteti është njëkohësisht thjeshtësi dhe vjen si diçka shumë e njohur, të vetmit të krahasueshëm mbeten përfundimisht Blla Blla Blla.
I gjej recenzionet e bendeve muzikore kryesisht irrituese per 2 arsye:
1. Zakonisht jene analize nje dimensionale qe nuk ofrojne diqka me shume pervecse nje analize te limituar individuale te kengeve
2. Jane te mbushura me periudha abstrakte,boshe e pretencioze.
Ne leximin e kesaj kritike asnjehere nuk ndjeva irritim, perkundrazi, kenaqesi per nje analize te mberthyer mire ene menyre te sinqerte. Cka me beri pershtypje mua ishte paragrafi ku kishe permbledhur debatin dhe pikepamjet e mendimtareve te medhenj mbi “muziken rrefyese dhe muziken paster”. Ky paragraf i dha recenzionit nje dimenzion hulumtues qe e beri shume me te plote per mua.
Nje detaj qe poashtu me la pershtypje ishte edhe fakti se analiza nuk arrin te behet pretencioze. Shume kritike presupozojne se mund ta zberthejne ate se cfare ka dashur te shprehe artisti, kur ne realitet eshte e pamundur qe te dishe arsyet e sakta dhe te futesh plotesisht nen-lekuren e artistit. Ndersa kritika jote arrin ne menyre elegante dhe te perulur te beje analize pa rrezikuar te duket pretencioze (p.sh. pjesa ku justifikohet se Blla Blla Blla-se mund tu jete misheruar ne menyre te pandergjegjshme shkaterrimi i gjuhe)
Faleminderit per pergjigjen dhe vleresimin Jakupi.