Në vazhdën e debateve të këtyre ditëve rreth parkut të liqenit dhe protestave të shoqërisë civile, doli një lajm se Eljan Tanini, një prej aktivistëve kryesorë kundra ndërtimit në park, paska fituar një projekt për ndërtimin e një skulpture të ashtuquajtur “Raketa” në zonën e ish Fushës së Aviacionit.
Interesante është se, në këtë mes, duket se lajmin e përbënte Eljani, dhe jo skulptura vetë. Në të kundërt, dyshoj fortë se do të merrnim vesh gjë për “Raketën”, përveçse kur ta shihnim duke u inaguruar prej kryetarit.
Problemi është që mua, si një banor i zonës, “Raketa” më intereson në vetvete si e tillë, dhe jo vetëm si subjekt i një show mediatik mes bashkisë dhe shoqërisë civile.
Në vitin 2011, kur kryetari i atëhershëm i bashkisë Edi Rama e inaguroi këtë hapësirë, e cilësoi me të drejtë si një model të ri të zhvillimit urban, ku komunitetit nuk i ofrohej vetëm një batërdi betoni e hekuri, por një park, një pedonale, lodra për fëmijë, etj.
Fakti është që prej asaj dite, parku ka degraduar në gjendje të mjerueshme, si pasojë e një angazhimi mediokër nga ana e bashkisë në mirëmbajtjen e tij të vazhdueshme.
Ka nje disproporcion përherë e më të madh mes hapësirës së betonizuar dhe asaj të gjelbër ; ajo e para vazhdon të rritet si pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme për bare dhe biznese gjithfarësh, teksa e dyta reduktohet nga dëmtimet dhe mosmirëmbajtja.
Të gjithë fushat e basketbollit dhe futbollit të ndërtuara për të luajtur fëmijët e të rinjtë, janë shkatërruar dhe lënë në mjerim të plotë.
Shatërvanët, të cilët punuan vetëm pak ditë pas inagurimit, tashmë përngjajnë me makrofagë prej betoni, të gatshëm për të gllabëruar gjithë ç’kanë pranë vetes.
Pamje të viteve 90-të, me pirgje të tërë rrobash (më saktë ekskrementesh) të ardhura prej kushedi se ku dhe që shtrihen dingazi mbi asfalt për t’u kontrolluar prej qindra e mijëra duarsh, mund të shihen ende të gjalla në pedonale.
Lloj lloj motorrësh picerish (ose kamikazët, sic i quajmë rëndom në qytet), që rrezikojnë përditë këmbësorët dhe sidomos fëmijët.
Kam arritur një ditë të numëroj mbi 80 qen rrugësh vetëm në pedonale (seriozisht), mbartës të kushedi se çfarë sëmundjesh pre-hitorike që shkenca sot i njeh vetëm nëpër librat.
Sikurse ka dhe nga ata qen të shëndetshëm e të fryrë, me bishtin shpesh të prerë, natyrisht me pronarë, emrin ua thonë pit-bull, e që bëhen subjekt ndeshjesh emocionuese gjatë orëve të mbrëmjes.
Akoma dhe më problematik është rasti i disa gropave të frikshme të hapura dikur për një pallat i cili nuk u ndërtua kurrë. Gropat prej kohësh janë kthyer në moçalishte, ku një kor pothuajse profesionist bretkosash jep shfaqje cdo natë, perpos gjithë qelbësirash e mushkonjash që kanë gjetur oazin e vetë.
Në këtë kontekst, unë dhe banorët, marrim vesh se këtu do na u ndërtoka një skulpturë, 12.5 metra.
Ja diçka për të qeshur : në mes të gjithë kësaj problematike, ku ne ndjejmë nevojën urgjente për ndërhyrje të qënësishme nga ana e bashkisë, kjo e fundit pa u konsultuar me askënd, na marrka një vendim që të na mbushi lagjen me simbolikë dhe art të hollë. Si të thuash, parkun nuk ua garantojmë dot, por po u japim simbolikë!
Dhe këtu vjen prapë Eljani, i cili me të drejtë protestoi bashkë me qytetarë të tjerë kundra ndërhyrjes në parkun e liqenit, mbi të cilin bashkia veproi jo vetëm pa asnjë farë transparence dhe konsultimi me qytetarët, por ndoshta edhe jashtë cdo konteksti ligjor (po për këtë nuk e vë dot dorën në zjarr ; në fund të fundit këtu edhe ligjin e kopsit kur ta do puna).
Lodra dhe parqe për fëmijët duhen ndërtuar patjetër, por ky lloj modeli duhet filluar prej ambjenteve të aksesueshme nëpër lagjet, dhe jo duke sakrifikuar një park si ai i liqenit, që përndryshe e kryente mjaft mirë funksionin e vetë edhe ashtu sic ishte.
Ish Fusha e Aviacionit pra, dhe jo vetëm ajo por edhe lagje e lagje të tëra, të ngërthyera mes gurësh dhe asfalti dhe makinash dhe lokalesh : ky do të ishte një model për t’u ndjekur. T’ja çosh fëmijës parkun dhe lodrat në lagje, për të rifilluar një marrëdhënie që dikur ka ekzistuar mes komunitetit dhe hapësirës ku jeton, marrëdhënie e cila fatkeqësisht tashmë kufizohet vetëm me ashensorin dhe parkimin e makinës.
Ironike vërtetë, sesi Eljanit nuk i shkoi kjo ndër mend kur protestonte për parkun, por ndërtimi i një skulpture. Dhe sa e gatshme ishte bashkia për më tepër.
Distanca e te jetuarit prej vitesh jashte Shqiperise e ben edhe me surreale dhe absurde vuajtjen tuaj atje per kushtet dhe ceshtjet minimale te jeteses, si dhe talljen e mafie-politikes me jeten tuaj. Prej muajsh qe i hedh nje sy mediave shqiptare per kete ceshtje, fatet e njerzve dhe femijeve te tyre ne kryeqytet ne lidhje me parkun e fundit te mbetur varen tek protagonizmi i pak te rinjve si rrezistence ndaj baskhkise betonmakutese, e tani miletit ju keputen krahet duke pare qe zoti Tanini mund te jete kompromentuar nga pushteti qe protestonte deri dje!
E them kete duke e patur ndjekur situaten ne distance dhe pa pasur ndonje njohuri per zotin Tanini pertej permendjes se emrit ne artikuj…eshte njesoj absurde dhe qesharake situata sikur Tanini te ishte me maskarai apo me heroi i kryeqytetasve. Kemi te bejme me nje republike te mirfillte bananesh ku qytetari s’ka asnje rekurs ligjor, ku institucionet shteterore jane ne me te miren e rasteve komplet indiferente dhe impotente (ne mos qofshin instrumenta te sterperdorura mafiozerisht, katandisur si breket e grisura te atij “rilindasit”). Ama edhe ku qytetari zgjidhjen e pret gjithnje nga te tjeret, pa begenisur te beje shume vete.
Mbase duke qene larg jam ‘infektuar’ nga antitoda e te qenit i dorezuar (“learned helplessness” ne anglisht) por s’e perfytyroj dot se si dhjetera mijera qytetare, nena e baballare, i (me fal per shprehjen) binin me dore dhe benin llogje kafenesh kur ata te rinjte protestonin tek parku perballe fashizmit shteteror te ish biznesmenit te fiqve, e tani rrine me gisht ne goje duke u ndier perseri te zhgenjyer nga fakti qe Skenderbeu i radhes (Veliaj e Tanini sot, Rama e Meta dje, Berisha e Nano pardje, etj) nuk ja zgjidhi hallet atyre.
Nje gje eshte te jetosh ne nje vend rrumpalle e te qeverishesh nga nje shtet palomafioz, e nje tjeter gje eshte te varesh fatet e vetes dhe familjes tende tek protagonizmi i Veliaj e Taninit e te besh spektatorin duke shpresuar qe gjerat do ‘shkojne per mbare’ apo ‘do behen me mire’, e vete thjesht te besh tifo nga Facebook-u apo kafeneja, ose te tallesh me te rinjte qe protestonin.
E kam ne pergjithesi per shumicen e qytetareve aty. Nuk e njoh autorin e ketij artikulli, me sentimentin e te cilit jam 100% dakord sa i perket talljes se palo-shtetareve me shije artistike. Xhanem ca do presesh nga Veliaj kur idhtari dhe kumbari i tij Rama krehnohet qe ne orar te punes ben skica e piktura dhe i shet ato jashte shtetit po ne orar te punes, ne vizita zyrtare, kuptohet duke mbuluar kostot e transportit me shpenzimet e qytetareve shumica e te cileve ose jane arratisur ne “demokraci” a enderrojne te ikin nga ai vend, ose i kane varur shpresat tek Veliaj dhe Tanini i radhes.
Besoj se, edhe i artistit vetë nuk do i pëlqente, që ta shikonte punën e tij të vendosur në mes të plehërave dhe të pisllëkut dhe, për më tepër, të kundërshtuar apo injoruar nga banorët e zonës.
Një zgjidhje kompromisi mund të ishte, që artisti të kërkonte / lejonte vendosjen e veprës aty, vetëm pasi bashkia të bënte rivitalizimin e hapësirave të ish Fushës së Aviacionit: pastrimin, sistemimin, kthimin e moçalit në (mini)park apo lulishte, rigjenerimin e ambienteve sportive, etj.
Në këtë mënyrë artisti mbështet dhe kërkesat e drejta të qytetarëve të zonës, madje ka kuptim që ata të bëhen bashkë, për të kërkuar rivitalizimin e zonës nga bashkia e Tiranës.
Bashkia, nga ana e saj, mund të dalë dhe ajo e fituar nga kjo histori, nëse e merr çështjen dhe punën për rigjenerimin e hapësirave seriozisht: u bën një shërbim qytetarëve (çka, në fakt, duhet të jetë e vetkuptueshme, dhe jo një “nder”!) pajtohet me artistin dhe, deri diku, kompenson dhe për fiaskon e Parkut të Liqenit.
Thjesht një mendim.