Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

TRI NËNA

T’i qahesh fustanit

“Fëmijës sa është i mitur jepi rrënjë, kur të piqet jepi flatra”, thotë një fjalë e urtë.

Për nëna me instinkt mbrojtës si ai i Znj. Flaubert, thënia më mirë të soste te rrënjët. Kur Gustav Flaubert i kërkoi së ëmës, dhe së fundmi vendosi, të ndërmerrte një udhëtim në Egjipt, Znj. Flaubert, e bindur se klima e ngrohtë mesdhetare i bënte mirë të birit shëndetlig, iu nënshtrua domosdoshmërisë, me një ulërimë:

“Më në fund, u largova,” – shkruan i biri 28 vjeçar – “Ime ëmë qe ulur në kolltuk përbri zjarrit, dhe unë, mes përkëdheljeve e fjalëve, befas e putha në ballë, dola me vrull nga dhoma, rroka kapelën dhe u sula jashtë shtëpisë. Si ulëriti ajo kur mbylla derën e dhomës së ndenjes! Më solli ndërmend ulërimën që lëshoi pas vdekjes së tim ati, kur e mori dorën e tij në të sajën. I kisha sytë e thatë. Ndjeva një si shtrëngim rreth zemrës, por pak emocion, përveç nervozizmit, e madje diç si zemërim”.

Flaubert-i nuk u martua kurrë, dashuroi, kuroi një rrjet miqësish të vyera, ruajti shijen për vizita ndër prostituta, dhe jetoi, përveç pak viteve sa për nisur e lënë në mes studimet në metropol, gati një gjysmë shekulli me të ëmën. Në rregullin e shtëpisë së qeverisur prej saj, në qetësinë e përditshmërisë të patrazuar nga andrallat e jetës profesionale, shkroi veprat e njohura, hodhi në korrespondencat aktive ngadhënjimet dhe ngërthimet e famës; pati fatin e palypur të ndërgjegjësohej se e kishin pagëzuar, kundër dashjes së tij, si atin e realizmit; se pas botimit të Madame Bovarisë, karrocat e mbyllura në Hamburg – aq të përshtatshme për ekskursione epshore – qenë pagëzuar “Bovari”; dhe se karshi etjes së kësaj zonje për jetë me dashuri, pasiviteti epik i kryeveprës së tij, L’éducation sentimentale, nuk pati gjasë t’u ngrohte gjakun lexuesve.

Ç’duhet të ketë menduar Znj. Flaubert rreth dëshirës të së birit për t’i rënë anembanë kontinentit, për të shtënë në dorë e djegur çdo kopje të Bovarisë. Me siguri: “Loin de là! Prapë do të udhëtojë ky!” Të ishe biri i kësaj nëne, objekti i një dashurie aq përthithëse, mund të ketë qenë shkollim në virtytin e durimit. Që biri e ka ndjerë se nuk i përkiste vetes, hamendet kur shkruan: “Dua të jetoj në një vend ku s’më do e as më njeh njeri, ku emri im nuk prek telat e asnjë zemre, ku mungesa ime, vdekja ime s’do t’i kushtojë askujt asnjë lot”.

Por lotët do t’i vinin me rrebesh vetë Flaubert-it të përballur me vdekjen e nënës, me zgavrën e hapur që la mungesa e saj e që i kanosej si një operacion pa anestezi: “Sikur më kanë shkulur një pjesë të rropullive”, e përshkruan ai honin e dhimbjes. Pas lotëve, vijoi ankthi se as koha, e cila thuhet se nuk pranon boshllëk, nuk do të qe ilaç. Nënës, mbi të gjitha, nuk i shkon mungesa fizike, sepse për asnjë vend tjetër, sipas Freud-it, përveç trupit të nënës, nuk mund të pohojmë me aq siguri se kemi qenë dikur atje. E kështu, thuhet se kur malli e merrte fort, Flaubert-i i kërkonte amvisës që mataronte shtëpinë pas vdekjes së Znj. Flaubert, të vishte fustanin e vjetër të nënës së ndjerë e t’i shfaqej befas aty ku ai s’e priste. Thuhet edhe se ky teatër intim e ngazëllente gjer në ngashërim.

T’i rrëfehesh dhomës

Klimt

Gustav Klimt, The Three Ages of Woman

Kur mësova se Jorge Luis Borges e adhuronte të ëmën, se e kaloi shumicën e jetës me të, e i besoi asaj edhe zgjedhjen (e gabuar) të bashkëshortes së parë, e madje e zgjidhte si shoqëruese kur ofrohej mundësia t’i qëndronte larg, për shembull, gjatë impenjimeve jashtë Argjentinës – nuk jam habitur. Kjo edhe para se të lexoja se Leonor Borges, përkthyese, e ndihmëse e të atit të Borges-it e së fundmi e të birit, lexuese me autoritet dhe autoritare, kish një kapacitet të sajin, më vete nga virtuoziteti i meshkujve që e rrethonin. Ndoshta, sepse që prej tregimit të parë, Borges-in e kam perceptuar si një vizionar të matur, me rrënjë e flatra, me një sy para e tjetrin pas, novator e konservator, realist fantastik. Më ka intriguar Borges anti-borghese, derdhja e një materiali të pazakontë, fantasmagorik, disi jashtëtokësor (Cy-Borges titullohet një vëllim me ese i Bucknell University), në një gjuhë të esëllt, pa ojna baroke, metafora trullosëse, për nga struktura simetrike, rigoroze etimologjikisht. Mund të ketë një lidhje këtu mes prozës së Borges-it dhe admirimit të tij për Samuel Johnson-in, biografinë e të cilit, me gjithë përmasën sprapse  – 1000 faqe nga James Boswell – Borges e lexoi disa herë. Lidhje jo vetëm të natyrës stilistike, por edhe të forcës afektive nënë-bir, po të kujtojmë veç katër fjalitë që Johnson hedh në letrën e fundit drejtuar së ëmës: “Nuk i shkon as gjendjes as tipit tënd të shprehem shumë. Ti ke qenë nëna më e mirë dhe kam bindjen gruaja më e mirë në botë”.

Nuk e di nëse Leonor Borges e ndante admirimin e të birit për Johnson-in. E sigurt është se maninë e tij për histori me kriminelë, vrasës e kësisoj qeniesh bodrumesh, e toleronte si një të keqe që i biri herët a vonë do ta mposhte. Por jo ngaqë nuhatja e saj nuk e depërtonte psikologjinë brutale të rufjanëve e banditëve borgesianë. Në një intervistë, Borges rrëfen se e ëma është autorja e fjalëve kyçe në tregimin “La Intrusa” (“Furacakja”), historia e dy vëllezërve të përçarë nga dashuria për të njëjtën femër. Kur, për të eliminuar mollën e sherrit, njëri vëlla e vret femrën dhe përgatitet t’ia kallëzojë vëllait tjetër, Borges-i ndjen se ka mbërritur në pikën nevralgjike të tregimit. Por i mungojnë fjalët që kapin gjithë esencën e këtij trekëndëshi shkatërrues erotik. Ia hap shqetësimin së ëmës dhe kjo i premton se do ta shqyrtojë më vete. Të nesërmen, ajo deklaron se i njeh fjalët e vëllait vrastar. “Shkruaji atëherë,” i thotë Borges. Dhe ajo shkruan: “Hajt t’ia nisim punës, vëlla. Atë e vrava sot në mëngjes”. Disa herë, mjeshtri i zhanrit të tregimit e ka veçuar “La Intrusa” si një nga më të arrirët që nxori nga dora. Më i miri, sepse edhe më i thjeshti, shton në një bisedë.

Në mungesë, as Borges nuk përpiqet t’i shpëtojë prezencës apokrife të nënës. Ballafaqimi që Flaubert-it improvizonte duke urdhëruar shërbyesen të ringjallte fustanin e Znj. Flaubert, tek Borges shpaloset si prezencë muzeore, në mos sakrale: ai nuk lëviz asnjë send në dhomën e nënës; edhe pas vdekjes së saj, hyn në atë dhomë dhe kuvendon me orenditë sikur, mes tyre, e zonja të mos ketë vdekur kurrë.

Të lindësh nënën

Ligji im i brendshëm, e quan Roland Barthes nënën e tij në La Chambre Claire (Dhoma e ndriçuar), një libër me ese i shkruar ndërsa ai vajton vdekjen e saj. Gjashtë dekada bashkëjetese, kujtime që prej fillores – kur gripi i radhës e ngujonte në shtëpi e ai kënaqej duke e kaluar ditën me të – ëmbëlsojnë dhimbjen, shndërrojnë kur e kur mungesën në prani, ndërpresin me ëndje mërzinë dërrmuese që ka sjellë vdekja.

La Chambre Claire nuk është libër për nënën, në fakt nëntitulli lexon “Shënim rreth fotografisë”. Por nëna që mungon është katalizatori, ajri që mban gjallë mendimin, ndërsa fotografitë e nënës shëmbëllejnë me reliktet e të shenjtëve. Ndaj libri i përqaset një lloj pelegrinazhi analitik në kërkim të qenies së nënës të kapur në rrafshin pa jetë e të shtangtë të letrës. Një ironi ndriçon përsiatjet e Barthes-it dhe kamerën e errët të fotografisë: ndërgjegjësimi se biri pret ta përjetojë sërish të vdekurën përmes vdekjes së kthyer në medium: fotografisë. “Tekembramja, ajo çka kërkoj në një fotografi timen është vdekja,” shkruan ai,  “vdekja është eidos (forma, esenca) e fotografisë”.

Dhe pas këtij zbulimi, pelegrinazhi i ngjan vaksinimit: syri thith vdekje për të luftuar vdekjen. Fotografi pas fotografie, biri përplaset me nënën e sheshtë, korrekte në tipare, e identifikueshme prej kujtesës së ftohtë, por pa relievin e emocioneve, pa shenjën e karakterit, elasticitetin e gjesteve; pozë pas poze, nëna shfaqet si një gjethe e konservuar mes fletëve të librit, më pak se një hije a sugjerim i aromës së hershme. Gjithçka i konfirmon syrit atë që vetëdija ka dert të asimilojë: nëna ka vdekur. Barthes i kalon në duar këto fotografi, me indiferencën që Sartre-i kundronte imazhet gazetareske: si fotografi që nuk e shtyjnë vëzhguesin të marrë një pozë ekzistenciale.

Derisa mes tufës, një shkrepje mbërrin në të tashmen e vëzhguesit, një aventurë në kuptimin ad-venire, të ndodhisë, asaj që na ndodh. Barthes gjen nënën në një imazh të fëmijërisë, dhe këtu fle paradoksi: të fëmijërisë së saj, jo të tijën. Nëna-fëmijë, ashtu siç Barthes e asnjë bir e bijë nuk e ka përjetuar kurrë, është e vetmja shëmbëlltyrë ku nëna jeton. E përshkruan prekshëm çastin e takimit si një moment që rindërton botën prej rrënojave: “Ja ku isha vetëm në banesën ku ajo kish vdekur, tek shihja këto fotografi të nënës sime, një nga një nën abazhurë, duke u kthyer gradualisht në kohë me të, duke kërkuar të vërtetën e fytyrës që doja. Dhe e gjeta.” Dy fëmijë në verandën e mbyllur me xham, nëna dhe i vëllai. Ajo pesë, vëllai shtatë vjeç.

Në fytyrën e vogëlushes pesëvjeçare, i biri gjashtëdhjetë e ca vjeç, gjen stemën e nënës: mirësinë. Dhe thotë: “Pashë mirësinë që kish brumosur qenien e saj menjëherë e përgjithmonë, që nuk e kish trashëguar nga askush; si pat rrjedhur kjo mirësi prej prindërve të saj të mangët që i kishin dhënë aq pak dashuri – shkurt prej një familjeje?” Por shkon që Barthes ta gjejë nënën e humbur në pozën e shpenguar të nënës-fëmijë, sepse gjatë lëngimit të gjatë që përfundoi veç me vdekjen e saj, Barthes u kujdes për të si mëma a babai për fëmijën në qenien e së cilës ka ankoruar kuptimin e ekzistencës. Gjatë sëmundjes, shkruan Barthes, unë linda nënën timen, dhe me vdekjen e saj humba çdo arsye për ta harmonizuar qenien time me forcën e jetës.

Tek meditoj mbi nënën-fëmijë, një film hit i viteve 80, Back to the Future, më afron me të kundërtën: gjetja e nënës në dhomën e ndriçuar, për pak çaste në pak centimetra të sheshta letre të zverdhur e zbehur nga fryma e kohës, një aventurë përpara në të shkuarën (forward to the past).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin