BUXHET – 1. Skenar filmi fantashkencor; 2. Shih BUXHAK.
DEKRIMINALIZIM – Teknika e ndarjes së krimit nga krimineli; shih edhe INTEGRIM.
DOGANË – Vendi ku kapitalistët vihen të prodhojnë mbivlerë.
FACEBOOK – Gazeta zyrtare, për politikanë hipster.
FASHIZËM – Rrymë e arkitekturës moderniste, që ka lënë gjurmë edhe në Shqipëri.
FESTIVAL – 1. Ritual për të ndjellur kulturën; 2. Kafe surrogato.
GALERI – Minierë floriri për artistë profesionistë; ose vendi ku ndahet ar-i nga tist-i.
HARMONI FETARE – Indiferencë e paketuar për eksport. Shih edhe TURIZËM.
INDINJATË – Burimi energjitik ekologjik i populizmit.
INTEGRIM – Rehabilitimi i personave pa integritet. Shih edhe PROSTITUCION.
KOALICION – Mjeshtëria për t’i shndërruar aleatët politikë në koala.
KONTRABANDË – 1. Hyrje në ekonominë e tregut. 2. Dalje nga ekonomia e tregut.
KUSHTETUTË – Listë me kushte që duhet të plotësojnë qytetarët e një shteti për t’iu nënshtruar këtij sipas ligjit.
MASS MEDIA – Instagrami për elitat.
MASTERPLAN – Plan i qytetarëve me master, për t’u shndërruar në masterë të qytetarëve.
MONUMENT – Nënshkrimi trepërmasor i një të madhi. Shih edhe: VEPËR PUBLIKE
PARK URBAN – Shih PARKIM.
PARLAMENT – Teatër i operës komike, por ku këndohet vetëm me recitativ.
PARTNERITET – Aftësia për t’i rrjepur lëkurën tjetrit me mjete paqësore.
PROSTITUCION – La condition humaine, për shekullin XXI.
QENDËR – Vegël për të kontrolluar gjithçka nuk arrin të bëjë vetë.
QYTETËRIM – Arti i pushtimit të qytetit nga politika; shfrytëzimi minerar i një qyteti.
SHOQËRI CIVILE – Larvë e pushtetit politik.
TRAFIKANT – 1. Polic i trafikut ekonomik; 2. Shih NEGOCIATOR.
TRASHËGIMI – Pasuri publike që ty të lejohet ta trajtosh sikur e ke trashëguar nga babai.
TRAU I DOGANËS – Vegël gjimnastikore për atletët e korrupsionit.
TURIZËM – Shih: ALIBI.