Në prag të pranverës 2016, një lajm për disa grabitës italianë që shtireshin sikur ishin shqiptarë, na kthen detyrimisht mbrapa në kujtesën tonë të përbashkët. Fakti është se deri më sot kanë qenë shqiptarët që shtireshin si italianë. Si shpjegohet kjo dukuri?
Mimetizmi social i shqiptarëve, të ardhur pas rënies së totalitarizmit, ishte aq i dukshëm sa u tërhoqi vëmendjen edhe studiuesve. Sociologu italian Vincenzo Romania ka shkruar gjatë për rastin emblematik të mimetizmit social të emigrantëve shqiptarë, të cilët janë shtirur si anëtarë të shoqërisë pritëse, duke treguar një identitet të rremë [1].
Autori i studimit e shpjegonte mimetizimin e shqiptarëve në Itali me kontekstin, përshkueshmërinë kulturore, shpërndarjen në territor, familjen e zgjeruar dhe me lidhjen e dobët midis identitetit kombëtar e identitetit fetar. Ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë mbi procesin e mimetizmit. Së pari, duhet të përmendet diskreditimi i identitetit të grupit të emigrantëve. Nuk duhet të harrojmë se deri pak kohë më parë trysnia mediatike ndaj emigrantëve shqiptarë ka qenë jashtëzakonisht e fortë, aq sa ishte krijuar një imazh tejet negativ për ta, që shkonte përtej mediave [2].
Natyrisht, kanë rëndësi jetike edhe tiparet fizike, sepse një afrikan ose një kinez nuk mund të mimetizohen në trupin shoqëror italian (të paktën në atë kohë), sikurse kanë rëndësi afërsia kulturore, aftësitë e mimetizimit, perceptimi i stigmatizimit negativ të grupit, prirja subjektive për të fshehur identitetin kombëtar.
Vetë mimetizmi – që shprehet në vende të ndryshme, nga zyrat tek vendi i punës – mund të kategorizohet në disa faza ose praktika. Sipas studiuesit Romania, ka tre lloje praktikash mimetizmi: a) maskimi, që nuk kërkon ndonjë ndërveprim me vendasit; b) kamuflimi, që kërkon një farë ndërveprimi me italianët; c) mimetizmi i sprovuar, që kërkon aftësi të zhvilluara për t’u hequr njëlloj si vendasit.
Të gjitha praktikat e mimetizmit shkaktohen nga veprimi i imazhit negativ. Problemi është se ky imazh u perceptua dhe u përthith jo vetëm nga italianët, por edhe nga viktimat vetë, pra shqiptarët. Këta e kuptuan në mënyrë instinktive se në kohë shtetrrethimi është mirë të mos dalësh nga shtëpia, ose në kohë gjuetish shtrigash nuk duhen bërë veprime që ngjasojnë me magjinë.
Nga ana tjetër vetë zbarkimet me gomonet famëkeqe e kërkonin një farë mimetizmi, që kur zbrisnin në breg të detit, sikurse e kërkonte kalimi në kufi me viza false e dokumente të rreme. Është e qartë se fazat e maskimit dhe të kamuflimit, kanë qenë për shqiptarët më të lehta se ajo e mimetizmit, që kërkon gjithsesi një farë përgatitjeje.
Megjithëse në pamje të parë duket si lojë prej kameleoni, rreziqet janë të shumta. “Pamundësia për të shprehur vetveten, maskimi i identitetit të grupit, përbrendësimi i paragjykimeve për kombësinë e vet, komplekset e inferioritetit të vjetra e të reja, shtirja e vazhdueshme, gremisja e vlerësimit për veten, shpien herët a vonë në siklete reale, në përthithjen e vlerave negative, në parapëlqimin e rrugëve të dyshimta të integrimit, në rivalitete e shpagime frustrimesh” [3]. Pavarësisht nga këto aspekte problematike, duhet thënë se mimetizmi është efekt dhe pasojë i një veprimi të caktuar, që ka të bëjë në thelb me krijimin e paragjykimeve.
Për t’iu kthyer lajmit fillestar, që për fat të keq nuk pati përhapje të gjerë, duhet të saktësojmë se bëhet fjalë për dy tipa të arrestuar me akuzën e grabitjes me dhunë janarin e kaluar. Dy kriminelët italianë [4], me fytyrën e fshehur me kapuç, kishin sekuestruar të zotin e shtëpisë, një sipërmarrës në pension, dhe e kishin rrahur për ta detyruar të tregonte se ku ishte kasaforta, që në të vërtetë nuk ekzistonte fare. Gjatë grabitjes së dhunshme ishin shtirur si shqiptarë dhe kishin imituar theksin e vendeve të lindjes. (Il Giorno, 15 mars 2016) [5].
Nuk duhet të jesh hetues i mbaruar, ose ekspert i kriminologjisë, për të kuptuar se grabitësit janë deklaruar qëllimisht shqiptarë dhe kanë imituar theks të huaj (si është vallë ky theksi i lindjes që përmendet nga mediat?) për të humbur gjurmët. Përse vallë nuk kanë thënë gjatë grabitjes se janë nga Australia, ose nga Holanda? Përse nuk kanë përdorur theks tjetër? E thjeshtë, sepse nuk do të ishin dukur të besueshëm, në sytë e viktimës, por edhe të forcave të rendit, që do të vinin fill pas dhënies së alarmit.
Në mënyrë indirekte, kemi kështu konfirmimin se imazhi negativ për shqiptarët mbijeton ende, për sa kohë që kriminelët konsiderohen më bindës kur deklarohen me atë origjinë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka kriminelë shqiptarë që vjedhin e grabisin banesa; por ndërsa kriminelë të ndryshëm gënjejnë duke përdorur identitet shqiptar, nga një anë dëshmojnë se ia njohin fuqinë paragjykimeve, nga ana tjetër ua fuqizojnë viralitetin, sepse duke i përdorur ndihmojnë në përhapjen e mëtejshme të tyre.
Karakteri paradoksal i përdorimit të paragjykimeve – shqiptarët që hiqen si italianë të mirë dhe italianë që shtiren si shqiptarë të këqij – qëndron vetëm në pamje të parë. Të dyja palët janë nën efektin e imazhit negativ kolektiv; të parët duan t’i shpëtojnë, të dytët duan t’i përdorin fuqinë djallëzore, por të gjithë janë produkt i një kulture që jeton me paragjykime e klishe.
Mekanizmi i përdorimit të paragjykimeve funksionon në mënyrë perfekte, derisa një grimcë prej të vërtete shkon dhe ia bllokon ingranazhet djallëzore. Në këtë kuadër, media profesioniste duhet të luajë rolin e çmontimit të paragjykimeve, duke hequr dorë nga amplifikimi i tyre dhe duke ua demaskuar efektet perverse.
[1] Vincenzo Romania, Farsi passare per italiani, Carocci, Roma 2004.
[2] Për periudhën e parë të krijimit të imazhit shih Ardian Vehbiu, Rando Devole, La Scoperta dell’ Albania, Edizioni Paoline, Milano 1996.
[3] Rando Devole, Ura mbi det. Emigracioni shqiptar në Itali, Ora, Tirana 2008, f. 191-196.
[4] Përcaktimi etnik i kriminelëve, sikurse bëjnë shumë media, nuk është aspak i drejtë, por në këtë rast jemi të detyruar ta kryejmë për efekt analize.
[5] Fenegrò, si fingevano albanesi per la rapina: arrestati, Il Giorno, 15 mars 2016.