Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

TINGUJ QË PUSHTUAN FRONTET

Në episodin përmbyllës të filmit Paths of Glory (1957), Stanley Kubrick sjell një skenë shumë emocionuese. Gjendemi në një tavernë të tejmbushur me ushtarë francezë. I zoti i lokalit, i vendosur në një skenë modeste, përgatitet t’iu servirë klientëve prenë më të fundit nga lufta.[1] “Vjen nga Gjermania”, thotë ai. Turma fillon të fishkëllejë ndërsa ai nxjerr në  skenë një vajzë të re. Ajo avitet e hutuar përpara turmës së eksituar të poilu-ve[2]. I zoti i lokalit fillon të vërë në lojë hiret e kësaj “perle të vogël që”, thotë ai, “e ka zërin si bilbil”. Vajza ia merr këngës por të thirrurat dhe fishkëllimat e ushtarëve nuk e lënë të dëgjohet.

Ndërsa gjasat janë që ngjarjet të precipitojnë në një ndëshkim të dhunshëm, situata shndërrohet krejt befasisht. Zhurmërima pllatitet. Brenda pak çastesh salla bie në heshtje dhe zëri kumbon qartë me këngën Der treue Hussar[3]. Publiku, tashmë i qetësuar, i bashkohet në unison. Ndërkohë, kamera fikson fytyra të ndryshme të ushtarëve. Shprehja e tyre tregon se kënga e ndrojtur e vajzës i ka futur në një situatë përhumbjeje, përlotjeje, ngashërimi.

 

Është një moment që Kubrick e rrëfen mjeshtërisht. Asnjë përshkrim me fjalë nuk do të arrinte ta jepte plotësisht përmasën emocionale që përshkon skenën, aq më tepër kur ti si spektator e di se këta ushtarë do të nisen pas pak drejt frontit, mbase duke pëshpëritur në buzë melodinë e kësaj kënge “armike”.

***

Muzika dhe lufta kanë pasur një marrëdhënie komplekse mes tyre. Një lidhje e tillë zë fill nga nevoja për të komunikuar. Instrumentet – kryesisht frymore, bandat ushtarake, ritme marshuese, këngët bëjnë pjesë në “arsenalin” muzikor të luftës. Mirëpo, fakti që u deshën brirët e dashit dhe ulërima e popullit për të rrëzuar muret e  Jerikos,[4] të shtyn të mendosh se qysh herët, marrëdhënia nuk kishte të bënte vetëm qëllimet utilitare. Ka këtu edhe një faktor tjetër, shumë potencial. Skena e filmit të Kubrick-ut thotë shumë për këtë faktor, por shumë më shumë tregojnë ngjarjet reale. Gjatë luftës së dytë botërore, një këngë e thjeshtë fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm. Fillimisht kjo ndodhi mes ushtarëve, në të dyja anët e llogoreve dhe pas kësaj ajo u bë e njohur rreth e qark botës. Nuk bënte pjesë në atë grup këngësh që normalisht do t’i identifikonim si këngë lufte, siç mund ta kemi bërë bie fjala me O bella ciao, Le chant partisan, me disa këngë të Dhora Lekës, apo të Sofia Vembos. Rasti ngjan me skenën e filmit. Edhe kësaj here, kënga ishte gjermane dhe fliste sërish për një ushtar. Bëhet fjalë për Lied Eines Jungen Wachpostens – Këngë e një djaloshi ushtar në vend-roje. Impakti i saj, ama ishte i përmasave shumë herë më të mëdha sesa te ai i filmit. Çështja bëhet edhe më e koklavitur kur kupton që e gjitha kjo histori ndodhi në një kohë kur të pëlqeje diçka “gjermane”, me lidhje të drejtpërdrejta me kulturën naziste dukej krejt e pangjashme.

Lied Eines Jungen Wachpostens ishte një schlager[5] sentimental. Melodia e saj përvetësohej shumë lehtë. Edhe sot kur e dëgjon, të mbetet menjëherë në mend. Kurse përmbajtja e vargjeve vërtitet në një lirikë sentimentale, pak të sheqerosur dhe të përshkuar nga një tis nostalgjik. Kemi dashurinë ushtarit të ri, ndarjen nga vajza, largimin, mallin dhe në fund vdekjen që shoqërohet me vegimin e rikthimit te vendi ku çifti u nda:

Vor der Kaserne                                                                  Para kazermes
Vor dem großen Tor                                                           Te porta e madhe
Stand eine Laterne                                                             Ishte një fener
Und steht sie noch davor                                                  Aty ndodhet dhe sot
So woll’n wir uns da wieder seh’n                                   Do takohemi sërish atje
Bei der Laterne woll’n wir steh’n                                    Te feneri do qëndrojmë
Wie einst Lili Marleen.                                                      Si dikur, Lili Marleen

Unsere beiden Schatten                                                    Dy hijet tona
Sah’n wie einer aus                                                             Ngjanin me një të vetme
Daß wir so lieb uns hatten                                                Sa fort duheshim ne
Das sah man gleich daraus                                               Gjithkush e kuptonte
Und alle Leute soll’n es seh’n                                           Dhe të gjithë le ta shohin
Wenn wir bei der Laterne steh’n                                     Kur qëndrojmë te ky fener
Wie einst Lili Marleen.                                                      Si dikur, Lili Marleen

Schon rief der Posten,                                                        Tashmë ndërrohet roja,
Sie blasen Zapfenstreich                                                    Dëgjohet patrulla
Das kann drei Tage kosten                                                Tre ditë burg më kushton
Kam’rad, ich komm ja gleich                                            Shok, po vij menjëherë
Da sagten wir auf Wiedersehen                                        Atje thamë mirupafshim
Wie gerne wollt ich mit dir geh’n                                     Sa do doja me ty të shkoja
Mit dir Lili Marleen.                                                           Me ty Lili Marleen

Deine Schritte kennt sie,                                                    Hapat e tua, ta dish
Deinen schönen Gang                                                         E ecura plot lezet
Alle Abend brennt sie,                                                        Çdo natë përpëlitem
Doch mich vergaß sie lang                                                 Se ajo më ka harruar
Und sollte mir ein Leids gescheh’n                                  Dhe nëse më ndodh diçka e keqe
Wer wird bei der Laterne stehen                                      Kush do qëndrojë te ai fener
Mit dir Lili Marleen?                                                           Me ty Lili Marleen?

Aus dem stillen Raume,                                                     Nga kjo hapësirë e heshtur
Aus der Erde Grund                                                            Nga thellësia e tokës
Hebt mich wie im Traume                                                 Më ngre si nëpër ëndrra
Dein verliebter Mund                                                         Fytyra jote e dashur
Wenn sich die späten Nebel drehn                                  Kur mjegulla e natës të fashitet
Werd’ ich bei der Laterne steh’n                                      Te feneri do të qëndroj
Wie einst Lili Marleen.                                                       Si dikur Lili Marleen

 

Të paktë janë ata që e njohin këtë këngë me titullin origjinal. Varianti që e bëri të pashlyeshme në kujtesën kolektive gjendet në mbyllje të çdo strofë dhe ndonëse kënga nuk e ka ndarjen strofë-refren, përsëritja e vargut të fundit, ngjan shumë me një refren të fshehur. Për më tepër, fjala që përsëritet është emri i plotë i një personi që ashtu si edhe melodia, të ngelet menjëherë në vesh: Lili Marleen[6].

Ka shumë pak këngë me emra të plotë – më vijnë në mend Elanoir Rigby nga Beatles-at, Billie Jean e Michael Jackson-it. Është një formë shumë e personalizuar, megjithatë Lili Marleen nuk flet për një personi konkret. Të shumtë kanë dashur ta zbulojnë se kush ishte por të gjitha kërkimet kanë mbetur në të njëjtën pikë: Lili Marleen paraqet një figurë të idealizuar që personifikoi gjerësisht femrën e luftës. Te ajo gjejmë një univers femëror të lëvizshëm, i cili shkon nga vajza besnike që pret të dashurin ushtar, te prostituta që i dhuron atij pak orë të paqta; nga bashkëshortja e devotshme, te infermierja e përkushtuar. Identiteti i saj mbetet pezull midis dëshirës dhe epshit; midis shpirtërores dhe fizikes, pa mundur t’i përkasë krejtësisht as njërës dhe as tjetrës.

Ndërkohë, dimë të themi ama kush e bëri Lili Marleen-en të ishte kjo që njohim sot. Merita kryesore në fakt, nuk iu shkon autorëve të këngës, por punonjësve të një radioje ballkanike. Në prill të vitit 1941, Radio Beogradi kaloi nën komandën e forcave të Wehrmacht-it. Radio stacioni do të shërbente për të  “argëtuar” ushtarët në frontet e luftës, mbi të gjitha nëpërmjet muzikës. Materialet muzikore në atë moment ishin shumë të pakta, ndaj disa punonjës shkuan në Vjenë për furnizim. Pllaka me regjistrimin e Lili Marleen-s ishte ndër materialet që sollën prej andej.

Deri atëherë, ishte një këngë thuajse e panjohur. Fjalët ishin shkruar gjatë luftës së parë botërore nga poeti Hans Leip, që në atë kohë shërbente ushtar në Berlin. Vetë Leip ka dhënë shumë hollësi për këtë si bie fjala, detajin që poezia u shkrua diku midis 3-4 prillit 1915; që prapa emrit Lili Marleen, fshihen dy vajza të ndryshme me të cilat autori kishte pasur lidhje sentimentale; që poezia u kompletua me dy strofat e fundit në vitin 1937, përpara se t’i servirej lexuesit në një vëllimth poetik. Po kaq e detajuar vjen edhe historia me muzikën. Kështu, vargjet njohën dy melodi paraprake – njëra e krijuar nga vetë Hans Leip dhe tjetra nga kompozitori Rudolf Zink. Por, ajo që iu qëndroi më mirë ishte melodia e Norbert Schueltze-s. Schueltze shkroi muzikën në vitin 1938. Në atë kohë ishte kompozitor i njohur dhe shumë i angazhuar në krijimtarinë muzikore të Gjermanisë naziste. Këngën e përfunduar pranoi ta interpretonte Lale Anderson, një chanteuese e njohur në qarqet muzikore berlineze të asaj kohe. Në 2 gusht të vitin 1939, kënga u regjistrua për etiketën Electrola (EG 6993).[7] Në atë çast, asnjërit prej autorëve të këngës nuk besoj se do ia merrte mendja kësmetin që do kishte krijimi i tyre. Ndërkohë, një muaj më vonë, Gjermania pushtoi Poloninë, duke shënuar kështu fillimin e luftës.

Tani të kthehemi sërish te Radio Beogradi. Nuk mund ta dimë sa e qëllimshme ishte përzgjedhja për të luajtur Lili Marleen-en. Deri në atë moment, kënga ishte shitur në jo më shumë se 700 kopje, tregues ky i një dështimi komercial. Natyra sentimentale dhe e trishtuar mbase nuk shkonte shumë me linjën e “argëtimit” të trupave dhe mbajtjen lart të moralit të tyre. Gjithsesi, kënga filloi të transmetohej shumë dhe shpesh, derisa diku nga korriku drejtuesit e radios vendosën të mos e jepnin më. Ky moment përmbysi krejt situatën. Një mori letrash vërshoi në adresë të Radios. Vinin nga vende të ndryshme dhe kishin të njëjtën kërkesë: të luhet Lili Marleen. Të gjendur përballë një situate të tillë, drejtuesit e radios ndërmorën një sërë veprimesh që tregojnë se ku mund të arrijë suksesi i një kënge të vetme. Nga një material që luhej shpesh, Lili Marleen u bë sigla e transmetimeve të radio Beogradit, shenja identifikuese e saj. Krahas siglës, një emision me përshëndetje muzikore (Wir grüssen unsere Hörer) transmetohej çdo mbrëmje. Një ushtar i ri, roje nga Beogradi – për analogji me titullin e këngës –lexonte letrat që ushtarët e frontit dërgonin për të dashurit e tyre dhe anasjelltas.

Popullariteti i Lili Marleen-es erdhi duke u rritur nga momenti kur u transmetua në valët e Radio Beogradit. Nuk ka asnjë dyshim që bashkimi i një sërë rrethanash çoi në një rezultat të tillë, por që një këngë të dëgjohej në një gjeografi kaq të shtrirë, ishte diçka që nuk kishte ndodhur më parë. Rolin thelbësor për këtë e pati radioja. Radioja ka pasur një funksion specifik, si medium i komunikimit masiv. Ajo  krijonte një urë virtuale mes njerëzve, në funksion të idesë së komunitetit. Popullariteti i Lili Marleen-it nuk mund të kuptohet pa këtë medium kurse forca hipnotizuese e saj e nxitet fillimisht nga një zë femëror i shkëputur nga trupi i tij dhe që kalon mes valëve.  Ky është një detaj shumë i rëndësishëm për situatën. I tillë ishte zëri i Lale Andersonit, zë virtual, i çtrupëzuar, i një femre që ishte në gjëndje të të emociononte ushtarët e pozicionuar në Ballkan, në Mesdhe, e deri në Bashkimin Sovjetik, pavarësisht se çfarë thoshin fjalët.

Pas këtij momenti të parë, kënga më e dëgjuar e luftës së dytë botërore nuk ngelej e pa identifikuar me këngëtaren si person fizik. Në fakt, nuk ishte vetëm një dhe ajo që vlen të theksohet është se pjesa më e madhe ishin femra. Kjo ngjan pak kontradiktore në vetvete, sepse në këtë mënyrë krijohet një mospërputhje mes figurës mashkullore të ushtarit, të malluar për femrën dhe figurës që muzikalisht është trupëzuar te një zë femëror. Megjithatë ky shkëmbim gjinor me sa duket e përforcoi akoma më shumë emocionalitetin e këngës duke u lidhur fort me dy protagoniste të përveçme, të cilat arritën t’i imponoheshin publikut në mënyrë më të veçantë se gjithë të tjerat. Ato ishin të dyja gjermane, ndonëse krejt të kundërta: Lale Andersen dhe Marlene Dietrich. Rosa Sala Rose e shtjellon në mënyrë shumë të gjetur qasjen e secilës ndaj këngës dhe lidhjen që patën me të. Për Lale Anderson ishte një lloj Schicksalslied, një simbiozë që shenjoi fatin e saj përgjithnjë. Lale Anderson  i dha trupin dhe zërin kësaj “krijese të mbinatyrshme”. E kundërta ndodhi me Marlene Dietrich, e cila arriti ta përvetësonte në mënyrë të tillë këngën sa edhe sot e kësaj dite, pjesa më e madhe e njerëzve e identifikon si interpretuesen e vetme.

Variantet largojnë ndjeshëm nga njëri tjetri, aq sa duket se kemi të bëjmë me dy këngë të ndryshme. Dietrich e ndryshon tekstin, duke sfumuar idenë e vdekjes në fund, por ato që bëjnë ndryshimin janë muzika dhe qasja performative. Marlene Dietrich e këndoi këngën e vetëdijshme për kuptimin e saj, ndërsa Lale Anderson u gjend e rrethuar nga popullariteti i saj dhe reagoi si rrjedhojë e tij. Ndërkohë, karakteristikat vokale të secilës prej tyre ndryshojnë ndjeshëm. Vokaliteti i Lale Anderson-it është i hapur; është “tregues” i tekstit. Zëri i saj ndjek me shumë përpikmëri ritmin marshues të orkestrës.

Vokaliteti i Marlene Dietrich është i mbyllur, i errët dhe tepër sensual. Ajo i jep këngës një përmasë teatraliteti të pakrahasueshme; zëri i saj nuk i tregon ngjarjet, por i evokon. Kontrastin e rrit akoma më shumë fizarmonika, e cila zëvendëson tingullin borive ushtarake. Tingëllimi melankolik i fizarmonikës e çon në ekstrem emocionalitetin e kënges. Të gjitha këto vijnë e vendosen në një hapësirë që ngjan gati si skena e një filmi: kazerma, feneri, dy personazhet, thirrja e patrullës, marshimi e kështu me radhë.

Po t’i shohim ama këto këngëtare nga një perspektivë më e gjerë, do të vërejmë se ndonëse ishin diametralisht të kundërta, si Lale Anderson, ashtu edhe Marlene Dietrich mbeten të lidhura embrionalisht me kulturën gjermane të asaj periudhe: njëra duke iu nënshtruar totalitarizmit nazist, ndërsa tjetra duke e kundërshtuar dhe e sfiduar nga “atdheu” i dytë, Amerika.

Branko Miliskovic, në komentin që i bën Lili Marleen-es, e krahason, me të drejtë, me efektin “flutur” [8]. Ashtu si një lëvizje e thjeshtë flatrash e insektit, mund të arrijë deri aty sa të shkaktojë një uragan, ashtu edhe Lili Marleen uzurpoi hapësirën muzikore të luftës. Kjo mund të gjurmohet në variantet e përkthimeve në më shumë se dyzet gjuhë; te transformimet që njerëzit i bënë tekstit, duke e përshtatur melodinë në forma të ndryshme; te kartolinat me tekstin e shkruar që dërgoheshin nga një cep i globit te tjetri; skalitjen e emrit në avionë, për të mbërritur te përdorimi i këngës si “armë” lufte. Këtu vijmë te aspekti më i errët ndoshta i Lili Marleen-es. Duke parë efektin që ajo kishte mbi publikun, shtabet politike të të dyja palëve ndërluftese u përpoqën të ndikonin mbi gjendjen emocionale të ushtarëve dhe po aq të popullatave civile, që ndonëse jo drejtpërdrejt, ishin gjithashtu pjesë e atij realiteti. Kështu, ndërsa për shumë luftëtarë të frontit, emocionaliteti i Lili Marleen-en u shpreh me gjendje ngashërimi, melankolie, malli, për të tjerë, ajo u bë kolona zanore e torturave të radhës dhe e rrugëtimit drejt dhomave të gazit. Dhe po në kampe përqendrimi si Birkenau e Mathausen, ndodhi që melodia e këngës u përcoll nga të burgosurit në shenjë proteste dhe vullneti për të mos u dorëzuar.

Në këtë pikë, do të ishte naïve të flisnim për një sukses të thjeshtë muzikor. Lili Marleen ishte një fenomen social-kulturor në të cilin “muzika arriti të rrëzonte kufijtë ndarës mes viktimës dhe xhelatit, mes mikut dhe armikut”.[9] Kjo ndodhi në sajë të aftësisë për të përthithur në mënyrë të vetvetishme trishtimin e thellë të një konflikti si ai i luftës së dytë. Në një peizazh të mbarsur me ndasi atavike, krime çnjerëzore dhe tmerre, Lili Marleen evokoi nevojën e pashmangshme të njeriut për të qenë bashkë me njerëz të tjerë, për të ndjerë dhembsuri, mall e dashuri. Kjo përbënte një sfidë të rrezikshme për figurat qendrore të luftës: qeveritë, ideologjitë, politikat dhe udhëheqësit, që nuk vonuan ta përvetësonin në funksion të luftës. Sa ia arritën qëllimit dhe kush prej tyre doli më i fituar nga kjo, nuk ka shumë rëndësi. Lili Marleen të imponon të mos e konsiderosh muzikën e luftës as nga këndi i fituesit dhe as nga ai i humbësit. Ajo ka anë të ndritshme dhe anë të errëta, ka të vërteta dhe mitet, por ishin pikërisht këto kundërshti që e bënë atë një protagoniste emblematike të luftës së dytë botërore.

 

P.S.

Për një dëgjues të sotëm, Lili Marleen nuk e ka më atë ngarkesë emocionale të dikurshme, megjithatë kontradiktat që mveshin historinë e saj vazhdojnë ende ta kushtëzojnë dëgjimin dhe qasjen. Sido që të jetë, historia e këngës më vjen shumë kuptimplotë në gjithë ambiguitetin dhe kontradiktën e vet. Nuk do të doja në asnjë rast të përligjja apo të rehabilitoja anët problematike të Lili Marleen-es, për të vlerësuar pafajësinë e kësaj kënge në një realitet si ai i luftës dhe i nazizmit. Nuk do bëja ama as të kundërtën. Kjo sepse pikërisht ambiguiteti i saj mund të rimerret sot e të thotë shumë për ngarkesën sugjestive që një fenomen i caktuar mund të ushtrojë në ndërgjegjjen e individit dhe të grupit dhe çfarë ndodh kur kjo ushqehet nga ideologji dhe mentalitete totalitare mbytëse e gjakatare. Ajo thotë shumë gjithashtu për faktin se cilatdo të jenë rrethanat, njeriu ka gjithmonë momente vetëdijësimi dhe rikthimi te humaniteti i tij. Problemi është se ky vetëdijësim është shumë i brishtë në vorbullën kaotike që karakterizon ekzistencën tonë, aq më tepër atë të njëzet viteve të fundit.

Në një dëgjim të fundit që i bëra këngës, pak më përpara se të mbyllja këto rreshta, ajo më la të kuptoj se forca që ka tani kjo kënge qëndron në përpjekjen e vazhdueshme për të mos nguruar, për t’i peshuar, sqaruar dhe vlerësuar me mendje të hapur dhe ndërgjegje kritike të shkuarën dhe gjërat që na bëjnë ne të jemi këta që jemi.

Si dikur,

Dhe tani, Lili Marleen.


 

[1] Bëhet fjalë për luftën e parë botërore.

[2] Kështu identifikoheshin në të folurën informale ushtarët e këmbësorisë franeze.

[3] Husari besnik është këngë folklorike gjermane.

[4] Jozueu, Libri i Gjashtë

[5] Gjini urbane shumë popullore në zonat gjermanishtfolëse të Europës qendrore, duke filluar nga dekadat e para të 1900-s.

[6] Ka variante të ndryshme të shkrimit të emrit. Në vendet anglishtfolëse është përdorur gjerësisht Lili Marlene. Këtu po i përmbahemi variantit gjerman: Lili Marleen.

[7] Për detajet e krijimit të këngës i jam referuar: Liel Leibovitz, Matthew Miller. Lili Marlene: The soldiers’ song of World War II. New York: Norton & Co. 2009; Rosa Sala Rose. Lili Marleen. The biography of a song. Libër elektronik botuar nga Leer-e/ibuku. 2013

[8] Efekti ‘flutur’ lidhet me teorinë e kaosit dhe në nivelin më teknik ndodh atëherë kur një ndryshim i vogël brenda një sistemi jolinear është në gjendje të shkaktojë ndryshime shumë herë më të mëdha në një fazë të mëvonshme.

[9] Rosa Sala Rose, Lili Marleen. The biography of a song. Libër elektronik.Vendndodhja 2505.

Shënim: Kjo ese u botua fillimisht në Revistën Poeteka, 37, 2015 me titullin “Tinguj që pushtuan frontet: Historia emblematike e një kënge lufte”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin