Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

SHKRUESIA DHE LEXIMI SI PËRBETIM

nga Arb Elo

Një nga leximet që më kanë lënë më shumë mbresa në jetë ka qenë padyshim përballja e parë me „Procesi“-n e Kafkës, përvojë kjo për të cilën i detyrohem një të njohurit tim sipërfaqësor atëbotë, ndoshta ndonjë dashamirës i grupit tonë shoqëror, por mbase edhe hafije e Sigurimit, me motivin për të na bërë bashkëfajtor leximesh „të ndaluara“.

Ai përmendi si shkarazi në ndarjen tonë prej disa vetësh, ndarjen e përmbrëmshme diku andej nga Rruga e Fortuzit, se kishte atë darkë, porse i duhej doemos ta kthente prapë në mëngjes, romanin e famshëm në shtëpi, të cilin ne të tjerët e kishim me të dëgjuar, natyrisht duke e ditur fort mirë se kjo përmendje kish efekt të përkundërt; atë të përgjërimit për të na e huazuar atë. Ne të tjerët ishim tre e kështu i binte që librin ta mbante gjithsekush për tri orë. Mua më qëlloi turni 12,00-3,00 i natës.

Më në fund ora shkoi dhe poshtë dritares sime në kat të parë u shfaq në errësirë, mu si Herr K., për të cilin do të lexoja ca minuta më vonë, silueta e të parit shok, që ma dorëzoi nga poshtë vëllimin me fjalët: „I fortë shumë!“, por që me siguri ose nuk e kishte lexuar fare, ose nuk kish marrë shumë vesh për ç’bëhej fjalë aty. Këtë e them se më vonë, kur binte fjala për librin, mjaftohej veçse me vërejtjen „E kam lexuar!“ e nuk merrte pjesë kurrë në bisedat që bënim ne të tjerët për të.

Në ora 12.00 fiks pra u ula në ndenjësen e parapëlqyer, pasi i kisha përgatitur vetes një kafe turke, nga ato që të hedhin në erë, për të mos fjetur mbi fashikujt, dhe mobilizova gjithë qelizat e mundshme për të mos lënë asgjë të më shpëtonte nga proza e çekut, por u zhgënjeva rëndë qysh në fjalitë e para. Kjo sepse përkthimi ishte bërë në kosovarishte bruto,- „tullë“, do të shtonte ndoshta këtu ai shoku im i lartpërmendur,- dhe, ndonëse librin, bëra si bëra, e çova me shumë vullnet deri në fund, nuk mund të them se mora vesh gjë; më e saktë do të ishte të thuhej: „e mora me mend“ se për çfarë bëhej fjalë.

Mund të krahasohej kjo përvojë e çuditshme me teleshikimin e sa e sa filmave, edhe ata të ndaluar, gjysmë erotikë më së shumti, që veç kujtoje se i shikoje pas perdes së „mizave“ të ekranit dhe etheve për ta lëvizur „kanaçen“ a „grupin“ nëpër dhomë a „varakun“ nëpër kabëll e për të gjetur kështu një pikë në të cilën „e merrte“ më mirë. Më shumë se shikoje filmin, tani që e mendoj edhe një herë, ka shumë të ngjarë që ne të shihnim pikërisht pritshmëritë tona për çka na kishin privuar në ekran e të plotësonim kështu pjesën e paparë të pamjes me atë që „dëshironim“ të shihnim aty. Filma që në atë kohë bënin bujë e na ngjanin radikalë, si për shembull „Tango e fundit në Paris“, kur i kam parë në një kohë të dytë, me pamje të pastër e me ekrane me ngjyra e me funksionin „revers“, më kanë ngjarë thuajse puritanë për nga erotika, të cilën e mendoja deri më atëherë si tepër të guximshme.

E megjithatë, një pjesë të madhe të respektit dhe admirimit që kam për Kafkën ia detyroj atij leximi, që tek e fundit nuk ishte as i tillë, lexim pra.

Ndërsa m’u ndërmend këto ditë me vete e gjitha kjo, shpejt arrita në përfundimin se leximi si i tillë është gjysmak pa gëzimin e paraleximit, pa parantezën e tij, e ky mendim më degëzoi në asosiacionin e shkruesisë si procesi i parë në këtë vargan hallkash që lidhen jo me patjetër në rendin e duhur me tjetrën: paranteza e shkruesit: pritshmëria e tij- shkruesi- shkruesia- pritshmëri shkruesi- pritshmëri lexuesi- lexim.

nypl.digitalcollections.510d47d9-83a5-a3d9-e040-e00a18064a99.001.w

Një nga pyetjet që i mundon më së shumti shkruesit për të qenë, përkrah të famshmes „Pse shkruaj?“, është ajo „Për kë shkruaj?“. Shkruesit që të përgjigjen: „Për të tërë lexuesit“, me pak përjashtime, mund t’i klasifikosh menjëherë tek ata që nuk shkruajnë mirë, thjesht sepse është e pamundur „të shkruhet“ për të gjithë.

Ka intervista pa fund shkrimtarësh të shquar e të mëdhenj për këtë çështje e përgjigje po aq të panumërta, plot mendjehollësi e esprit, përvojë jete e shkrimi. Mirëpo kjo nuk ia zbeh aspak pyetjes mprehtësinë dhe virgjërinë, nuk ia topit asaj asnjëherë aktualitetin.

Sidomos në kohët tona, kur paradigmat e marrëdhënieve, tradicionale deri para pak vitesh, janë kthyer thuajse kokëposhtë nga mundësitë relativisht të reja teknologjike.

Ndonëse edhe libraria e dikurshme nuk ishte vend i mbrojtur deri në fund,- qarkullimi i librit ish asokohe dhe vazhdon të jetë i pakontrollueshëm prej autorit,- vetë forma fizike e librit në letër si e tillë e kufizonte mjaftueshëm prostituimin e tij të pafré, e ruante atë nga duart e ashpra të harbutëve, i ruante vetiu perlat nga derrat, si të thuash. Ndërsa sot, më shumë se kurrë, – dhe gjasat janë se do të bëhet edhe më keq,- ka fort të ngjarë që vargjet a rreshtat e tua, ku ke hedhur, sipas teje gjithnjë, gjëra intime e të dëlira, ndoshta të çmuara pa çka se këtë nuk e vendos ti, të t’i kopjojë pa turp ndonjë xhambaz forumesh, të cilat nuk e di as se ekzistojnë, e t’ia hedhë për mbllaçitje turmës së të ngeshëmve të salloneve të llotarive, që në pushimet mes dy basteve të vëna futbolli, të shajnë nga nëna me gramatikë natyrisht të përçudnuar.

Mund të krahasohej kjo me publikimin në faqe të parë të të përditshmeve, pa dëshirën e protagonisteve kuptohet, të fotove të tyre intime, ku kanë hequr reçipetat për të dashurin, për veten e tyre apo thjesht se janë gjendur në ndonjë plazh ku kjo lloj lakuriqësie nuk përbën problem.

Mund të ngresh krahët në pafuqi përkundër zhvillimeve të tilla; mund të nisësh beteja të pamundura ligjore me ata që abuzojnë me privatësinë tënde e me radhë, porse ndoshta ka ndonjë mënyrë për t’iua hedhur atyre më me lezet.

E këtu m’u ndërmend sërish fytyra mospërfillëse e të njohurit tonë të dikurshëm, të përmendi si shkarazi e në ndarje e sipër se kishte për një „one night stand“ „Procesi“-n në shtëpi.

Duhet shikuar për strategji të reja, mendova. Promovimet, lexuesi,- më së shumti i përfytyruar, por që është kimerë e autorëve dhe botuesve,- kritika kinse, dashamirësit, shokët, miqtë, admirueset: gjepura egosh të pashuara.

M’u kujtuan ca materiale për „desantin ajror“ dhe pushkën „model 52“, materiale „për përdorim të brendshëm“. Pikërisht, më shpëtoi një si eureka!, kjo është zgjidhja: krijimi i ca rretheve të mbyllura, diçka si ato klubet angleze të xhentëlmenëve, ku nuk mund të hysh pa rekomandimin e të paktën tre vetave.

Dhe në mendje m’u formëzuan menjëherë delirime qarqesh konspirative me letërsi të mirë, rrethe kontrabandiste poezie të zgjedhur, dealer-a që të japin „mall“ të freskët prej autorit anonim K.P.

Dhe lexues të trullosur nga kureshtja për të marrë vesh se kush na i paska në dorë fatet e shqipes: judenjtë e Vëllazërisë së Sionit, kryqtarët e trëndafilit apo dhe vetëm e thjesht ai tipi i gërmuqur që e pi kafenë me pak ngjitur me Kullën e Sahatit. Flitet për një mjeshtër të gradës së tridhjetëetretë nga Komuna e Parisit; se kush është tamam-tamam e dinë vetëm shtatë persona në këtë botë, as më pak e as më shumë, tre emigrantë klandestinë në Greqi dhe katër virgjëresha sepse murgesha të letërsisë; ka dalë kohët e fundit një „stof“ i mirë fort dhe i fortë; thuhet se e ka gatitur një usta nga Veriu në gegnisht: ku muj me e gjet’? Ah, nuk gjendet, as mos e ço nëpër mend, më lehtë gjendet kupa e shenjtë.

Si mund të bëhem anëtar i këtij sekti nëntokësor? Duhet të të rekomandojnë të paktën tre vetë. Që të ndodhë kjo duhet të biesh në sy së pari si aktivist, pastaj si militant, pastaj të gradohesh si njeri me shije dhe i letrave e të shpresosh se dikur, në një kohë të pacaktuar, ndoshta kurrë, do të të qaset në ndonjë qoshe të mugët dikush me kapuç të ulur fort mbi vetulla e do të të lerë në dorë ftesën për aktivin e radhës… le që pse i bie kaq gjatë dhe unë? E ke parë filmin „Eyes wide shut“? E kam parë posi. Ja, mu si në film do të të ndodhë edhe ty. Me femra lakuriq, me shampanjë, me maska dhe me orgji thua? E ke vërtet? Në mes të Tiranës? Pak a shumë, po, por nuk është e thënë të jetë as në Tiranë e as me seks dhe drogë e muzikë. Por me çfarë atëherë? Kjo pra është pyetja. Se po ta dija vetë, do të isha anëtar, po ja që s’jam akoma. Hë, hë, se je ti, por bën sikur nuk je… Nuk jam vërtet, të betohem! Po ç’do të thoje ti po të ishe, që jam? Edhe kjo qëndron. Atëherë je? Të thashë që s’jam. Je, ti je… e kështu me radhë pafundësisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin