nga Fiona Kopali
Para pak ditësh, Kim Kardashian u bë sërish kryefjala e çdo faqeje mediatike: ajo postoi një selfie krejtësisht e zhveshur. Në pak sekonda, lajmi mori dhenë dhe në çdo portal e media online u shkruajt se ky ishte trupi i saj pak javë pas lindjes së fëmijës së saj të dytë, Saint West.
Njerëzit mbetën gojëhapur, nënat numëruan vijat e celulitit dhe burrat psherëtinë “lum ai Kanye West!”
Gjer këtu, kemi të bëjmë me lajm që vjen nga rrjetet sociale. Media ha bukë përditë me fotot që gjen në Instagramin e Kim Kardashian, por këto foto mund t’i shohë kushdo që ka një llogari në rrjete sociale, prandaj shumë prej gazetarëve që punojnë aty e dinë se duhet të përpiqen pak më tepër për të rritur numrin e klikimeve tek ai lajm. Pasi u ul vala e euforisë për trupin e zhveshur, disa media nisën të ngrinin dyshime nëse ai ishte vërtet trupi post partum i Kimit, sepse një javë më parë ajo u kthye sërish brune, kështuqë i hynë me themel Instagramit të saj, dhe gjetën një foto të ngjashme, me flokë bjondë, në po të njëjtin tualet, dhe thuajse u vërtetua se fotoja “e re”, ishte nja 11 muaj “e re”, gjë që e konfirmoi më pas edhe vetë Kimi.
Media shqiptare, që në mënyrë sistematikisht të turpshme akoma merret me zhveshjet e Bleona Qerretit, jo vetëm nuk lëviz as gishtin të vërtetojë lajmet që boton, por është e gatshme të bëjë gjithçka për dy klikime më tepër: shkruajnë si Afërdita Dreshaj është lidhur me Leonardo DiCaprion, dhe marrin për të mirëqenë fjalën e Albana Osmanit se u zbulua rastësisht nga producentët e Hollivudit.
Respekti i dikurshëm për disa gazeta serioze ka humbur, dhe kjo për fajin e tyre. Kur klikon faqet zyrtare, gjen tituj skandalozë, të cilët nuk kanë të bëjnë aspak me brendësinë e artikullit. Televizionet dhe gazetat janë kthyer në faqe online që shërbejnë, më së shumti, për të ndezur meshkujt po aq sa faqet profesioniste pornografike me tituj, si “pesë mënyra si ta kënaqni partneren” apo “si të kuptoni në keni varësi ndaj seksit”. Në versionin e shtypit, botojnë rigorozisht të njëjtat deklarata të politikanëve tanë, ndërsa po të kërkosh online këto gazeta, gjysmën e titujve i ke për seksin. Justifikimi i tyre është se duhet të rritin klikimet, se kështu u kërkon pronari biznesmen dhe se populli ynë është ende i etur për të marrë vesh për zogun e Tunës.
Edhe në Amerikë klikohet lajmi për Kim Kardashian, por atje e marrin mundimin të hetojnë, kalojnë orë të tëra në Instagramin e saj për të vërtetuar atë që do të shkruajnë, sepse, në të kundërt, Kimi i padit dhe u merr miliona dollarë për një titull të rremë apo foto të qarkulluara pa autorizim. Facebooku dhe Instagrami janë media sociale, jo burim lajmi, por gazetarët shqiptarë marrin pa të keq që andej fotot e të miturave të vrara dhe i vendosin në faqe të parë, apo dhe kur një grua boton një artikull serioz, gazetarët tanë rrëmojnë në Facebook-un e saj për të gjetur foton më sensuale për ilustrim. Laura Vorpsi përpiqej përditë për një profil zyrtar në politikë, por pasi ajo jepte deklaratën për shtyp, e gjenim në Internet këtë lajm, të bashkëngjitur me foton e saj të vjetër me pistoletë në dorë, krejtësisht pa lidhje me temën.
Kur do ta kuptojë media shqiptare se po luan me zjarrin? Kur do të dëgjojmë se u pushua nga puna ndonjë nga përgjegjësit për këtë marrie publike? Kur do të ketë procedime penale për fyerje, shpifje, denigrim, çnderim të figurës së gruas? Kur do të kërkojë Enca Haxhia shpërblim dëmi për fotot e gjoksit të saj, të përhapura pa leje? Kur do të reshtë ajo tufë ujqish së bëri “lajme” me postimet dhe fotot e Joleza Kokës? Kur do t’i kërkohet falje publikut, i cili, prej vitesh, po vihet në lojë dhe nuk po i serviret asgjë veç shalëve?
(c) Autorja.