Erjon Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka ilustruar në një intervistë krizën e identitetit që po përjeton shoqëria civile në Shqipëri.
Duke përkujtuar veprimtarinë e tij të dikurshme në shoqërinë civile, Z. Veliaj i tërhoqi vëmendjen publikut se, një polic bashkiak i cilësuar nga ai si ish-anëtar i shoqërisë civile, me emrin Tani, me gjasa ka rënë viktimë e dhunës së protestuesve kundër ndërtimeve pa leje në parkun e Tiranës (sipas Panoramës ky polic është D. Hardhia).
Veliaj ndër të tjera është shprehur:
“Sot pamë sesi degjeneroi në dhunë një protestë, që mund të ishte realisht një protestë e shoqërisë civile, dhe s’kishte pse të kthehej në një protestë të një shoqërie të dhunshme.
Nuk besoj se ndihen mirë për këtë që kanë bërë. Unë vij nga shoqëria civile. “Tani” që kanë lënduar sot, vjen nga shoqëria civile. Asnjë prej nesh nuk ka përdorur dhunë për të avancuar kauzën e vetë. Gjithmonë kemi arsyetuar, kemi përdorur mjete ligjore. Por asnjëherë mjete të dhunshme. …
Nëse dikush tjetër është gati të dhunojë një aktivist tjetër të shoqërisë civile që vesh uniformën e bashkisë, vetëm për të dalë në televizor ditën e djelë, kur të gjithë njerëzit duan të shikojnë rehatinë e tyre, duan të pushojnë – dhe Tani e 300 të tjerë punonjës të bashkisë duhet ta kishin sot ditë pushimi – përdorimi i dhunës e diskretitoi totalisht këtë kauzë … kjo është një kauzë e përdorur nga një grup dështakësh, nga një tufë delirantësh që nuk kanë bërë asgjë në jetën e tyre përveç se të kacavirren për të dalë në televizor pas një partie politike, ose mbi një kauzë, e cila nuk qëndron …”
Sipas Z. Veliaj polici i bashkisë, i “dhunuari”, qenka anëtar i shoqërisë civile, çfarë dëshmon se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të shoqërisë civile, ku tanimë është shteti që përcakton se çfarë është shoqëri civile dhe çfarë jo. Është shteti që zgjedh betejat e shoqërisë civile, aktivistët e saj. Edhe kur i punëson dhe u vesh me rroba dhe autoritet dhunues si ai policisë.
- Veliaj e përligj këtë pretendim me të shkuarën e tij si anëtar i shoqërisë civile. Edhe pse ishte ndër të parët që kapërceu nga rruga në një parti të establishmentit, pa asnjë përvojë profesionale apo karrierë politike.
Sot ky ish-aktivist i shoqërisë civile, që e ktheu organizatën “Mjaft” në një parti politike (G99), “diskretiton” protestuesit si “delirantë që nuk kanë bërë asgjë në jetën e tyre”. Vetë z. Veliaj në CV nuk kishte asnjë ditë punë si administrator përpara se të emërohej ministër. E megjithatë z. Veliaj e ndien veten të përligjur të japë leksione mbi arritjet dhe “delirantët” që popullojnë sot protestat.
Por situata është më e nderë sesa metamorfoza e kahut të kundërt që pësoi z. Veliaj, nga kandër në burokrat. Qeveria nëpërmjet Këshillit Kombëtar për Zhvillimin e Shoqërisë Civile synon jo vetëm të përcaktojë se cilët do të jenë anëtarë të shoqërisë civile si partnerë të saj, por dëshiron të zgjedhë edhe kundërshtarët e qeverisë.
Gjatë tetë viteve në opozitë, PS-ja kishte si aleat të natyrshëm shoqërinë civile. Berisha u mundua t’i kontrollojë kundërshtarët nga shoqëria civile, p.sh. nëpërmjet ligjit të ri për deklarimin e tatimeve dhe detyrimi për punësimin e kryetarit të bordit; ose u përpoq t’i kooptojë ata nëpërmjet fondeve për projekte të administruara nga qeveria. Por pakënaqësia me qeverisjen rrëzonte natën çdo arritje të qeverisë ditën.
Ndërsa sot qeveria socialiste i ka punësuar elementët më aktivë të shoqërisë civile të dikurshme në poste ministrore (p.sh. E. Gjermeni), sekretarë e nëpunës (p.sh. Leart Kola), apo edhe deri policë bashkiakë si ky “Tani” që paska rënë viktimë e kolegëve të tij të dikurshëm.
D.m.th. sot qeveria, siç shprehet edhe z. Veliaj, është shoqëri civile e veshur me monopolin e dhunë së shtetit. D.m.th. shoqëria civile ka vdekur që kur zgjedhjet u fituan nga PS-ja. Ose ajo u ringjall në qeveri ditën që vdiq. E kësaj Nirvane nuk duhet t’i ketë shpëtuar askush, sipas z. Veliaj.
A ka e tradhtuar z. Veliaj shoqërinë civile, që sot po predikon një tjetër ungjill të shoqërisë civile? Që nuk e sheh shoqërinë civile në përballje e konflikt me qëllimet dhe instrumentet e qeverisë, por si një krah të bindur të saj, edhe të veshur me dhunë policore?
Apo po predikon ky vrasjen e shoqërisë civile, pse ka flirtuar rëndshëm dikur me PS-në e sot me PD-në? Ndërkohë, dikur një mbrojtës i saj, sot rreket të hedhë gurin e parë. Një ish-mëkatar. Sikur edhe këta që sot protestojnë për të ruajtur pemët e fundit, të frymëzuar ndoshta pikërisht nga ai.