Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KAPITALI I PAKËNDUEM I KARL MARKSIT

nga Eleana Zhako

Karl Marksi mori çantën e shpinës dhe u nis me këmbë drejt Avenue Luise. Ndonëse kërkëllinte i tëri nga të ftohtit, aq sa as duart nuk mund të mbante jashtë, fundja gjithçka bëhej për një punë madhore, shkrimin e tezës së tij të phd-së mbi “Kapitalin”.

“Kapitali” ishte tema që kishte zgjedhur, kur gjatë ecejakëve të tij në Avenue Luise orëve të shkujdesura të natës, femra që ngjanin me gurë shahu vendosur mbi katrorë trotuaresh, ia bënin me sy. Lakuriqësia e këmbëve të tyre kishte diçka te brishtë dhe të trishtë, të kujtonin dritëhijen e pikturave të Rembrandt-it, ku sfondi dhe personazhet kridheshin në errësirë, ndërkohë që një dritë e bardhë dhe gati hyjnore endej mes tyre. Gati njësoj, edhe këmbët e tyre të zhveshura reflektonin dritën anemike të fanarëve të rrugës dhe bardhësinë mesjetare të hënës së nëmur. Shalët e tyre funksiononin në rolin e policit rrugor të mesnatës; i prisnin hovin e shpejtësisë së pijanikëve të përçartur, nepsqarëve, jargavitësve, edepsëzve dhe gjithfarësoj kontrabandistëve.

Disa prej tyre, të dekurajuara nga orët e gjata të pritjes, përpiqeshin të shtynin mërzinë me lojra të fëmijërisë së kaluar dhe për disa çaste harronin misionin e tyre “hierapostolik” dhe i përvisheshin me zell kukafshehthit. Shikoje se si njëra mbështetej në shtyllën e fanarit dhe fillonte të thërriste “Hapa dollapa, kush është fshehur mbrapa se unë hapa”… Pastaj hapte sytë dhe përpiqte të shquante në pusin e natës. “Grurë, grurë eja me veturë, misër, misër futu në kanistër” dëgjoheshin disa zëra Marx photokuturisës. Më tej një frenim veshçjerrës veture dhe për pak minuta çupëlina e lojës u fut në kanistrën e tij. Një komb iu mblodh në fyt. Filloi të bluante në mendjen e tij fjalën “prostitucion”. E urrente si fjalë, bënte pjesë në atë familje fjalësh që i cingërrisnin nervat sa herë që ndeshej me to: konstitucion, legjislacion, institucion, pozicion, koalicion, agjitacion, konvencion, halucinacion, frustracion, relacion, konotacion, destinacion, ekslamacion, etj. Vetiu kishte ardhur afër thelbit të fjalës. Prostitucioni, mendoi, është prodhim dhe riprodhim i gjithë atyre fjalëve të sipërpërmendura. Të gjitha ato fjalë kanë si bazë Kapitalin, vërtiten rreth tij, ngërthehen pas trupit të tij dhe e lëpijnë lart e poshtë, engledisen me atë gjënë e tij të madhe, shkundullohen në orgazma dhe orgjira masive me të, një Bakh që i spërkat dhe i vadit me verën e tij afrodisiake dhe i gostit me varganë rrushi, një Cerber shumëkokësh që ruan portat e Kapitalit, një Polifem që duhej ta vriste!

Strategjia nënkupton ekzistencën dhe shenjimin e një kundërshtari të përcaktuar qartë, të qarkuar brenda një rrethi dhe të shënuar me kryq. Ti fle e zgjohesh me një ide në kokë: asgjësimin e tij. Relacioni yt me të, është destinacioni i shënjuesit me të shënjuarin. Shënjimi i Kapitalit do ishte një akt çlirues për të gjitha ambulantet e seksit të Avenue Luise. Karli e dinte se “shitëset e tij të vogla të shkrepseve” sikurse dhe i pëlqente t’i quante, ëndërronin një natë dimri të ecnin rrugëve të shkujdesura, të vështronin kupolën e qiellit në vend të kupolës së betontë të njëmijë e një dhomave, të kundronin yjet e zbehta dhe të krijonin konstelacione imagjinare në vend të dritave verbuese të makinave dhe ndriçuesve të mekur të rrugës, të mbështilleshin ngrohtë si arushe, të sodisnin nga xhamat vitrinën e një dyqani me lodra fëmijësh, të lexonin “Kujtimi i kurvave të trishta” të Gabriel Garsia Markes-it dhe të qanin bashkë me to, të mbështesnin kokën në një jastëk erështëpie, të harronin telefonin diku në një skutë të çantës dhe mos të çanin kryet nga tringëllimi i ziles së ferrit të të gjallëve.

Në këtë natë dimri, Marksi ëndërronte ardhjen e Αpokalipsit të Kuq hipur mbi kalë si Shën Gjergji. Koha e tij e preferuar e leximit të Biblës ishin orët kur gjithë qyteti futej në zhguallin e tij të betontë dhe mund të shijonte paqësisht opiumin e tij. Ndonëse nuk shquhej për zellin e tij fetar, simbolet dhe përshkrimet kozmogonike të Biblës i shkaktonin një lloj euforie orgazmike, ekstazë intelektuale, ereksion të brendshëm dhe të jashtëm. Bibla ishte padiskutim vepra më e mirë e të gjitha kohërave, por “Kapitali” i tij, mendonte, do përjetësohej si vepra më e lartë e panteonit të mendimit politik, social, ekonomik dhe filozofik të njerëzimit. Kapitali i tij do lartësohej si piedestal kanosës drejt qiellit, më i lartë dhe se Kulla e Babelit, për t’i pëshpëritur Zotit se misioni i tij në tokë dështoi dhe të merrej me punët e qiellit.

Kapitali i tij do ishte një vepër e shkruar me mish e gjak, një vepër e ngjizur nga psherëtimat, rënkimet, lebetitjet, kuisjet, tmerret, dhimbjet, këngët e sirenave të tij të vogla të Avenue Luise dhe gjithë sirenave të Avenue-ve të tjera, që si kish ndeshur ndonjëherë, por që ishte sikur të ishin të gjitha lule të një buqetëpërqafimi të madh. Kapitali i tij do ishte i kuq, si perdja e kuqe e urryer e dhomave të tyre, si drita e kuqe që varej jashtë si simbol shenjimi, de-personifikimi, perversiteti,  përbuzjeje, përqeshjeje, ngërdheshjeje, gajasjeje, hamshimi, bastardimi. Kapitali i tij do ishin robinat e luftrave të përgjakshme, vajzat dhe gratë e përdhunuara nga monstrat e terrorit zakonor, ideologjik dhe fetar, nga tregtarë dhe paranojakë të panginjur mishi njerëzor, nga një shoqëri vampire që i përdhos çdo ditë me shumëfytyrësinë dhe meskinitetin e saj. Kapitali i tij do ishte një kuti e madhe dhe e kuqe shkrepsesh të fikura dhe të djegura, simbol i konsumimit, përtharjes, shuarjes, robotizimit të pasioneve, erotizmit dhe seksualizmit njerëzor. Kapitali i tij do ishte një gërnetë që kuis në një cep të Ballkanit për një dashuri të cunguar; një kukull e zhveshur, e gallavitur, e përdhosur, e hedhur, e braktisur, ku bateria është duke dhënë grahmat e fundit dhe dëgjohet një zë i ngjirur…

“Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori”.

(Kangët e Pakëndueme, Migjeni)

5 Komente

  1. Eleana, nuk di sa e ke vënë re, që Marksin dhe Markesin një zanore i ndan – të paktën në shqiptim.

  2. Shkrim i kendshem, lexohet me qejf, me pelqen spontaneiteti i frazes dhe subjekti behet me i ndjeshem duke e copezuar ne kohe e hapesire idene qe merr persiper te shtjelloje.

    Kjo qe do te them me poshte nuk ka te beje fare me shkrimin qe qendron per bukuri ashtu si eshte.
    E verteta eshte se Marksi kurre nuk eshte interesuar dhe kurre nuk i ka terhequr vemendjen prostitucioni ne vetvete, vajzat a grate ne rruge (dhe nuk kishte sesi sepse ai mendonte per nje zgjidhje globale e radikale te problememve te njerzimit dhe jo te kategorive te veçanta te popullsise), por , ka qene fort I tunduar nga simbolika e tij.

    Keshtu, te nje liber I perkthyer edhe ne Tirane, Familja e shenjte ai i sheh puntoret si nje klase qe ne vetvete eshte e detyruar te prostituoje duke shitur krahun e punes. Por thote ai, pak a shume te i njejti liber, meqe per nje pune te tille duhen dy vete, atehere ky i dyti, qe per te eshte kapitalizmi, eshte me i neveritshem se i pari.
    Ne origjinal fraza fillon keshtu: Prostitucioni nuk eshte veçse nje shprehje e veçante e prostitucionit te pergjithshem te puntorit…
    Nuk po shkoj me tej sepse siç thashe sepse shkrimi as merr persiper e as eshte i detyruar te shpjegoje prostitucionin nga kendveshtrimi marksist.
    Ai qendron ashtu siç eshte, por te gjitha keto m’u kujtuan sepse pak kohe me pare, kur u kerkua nje ligj qe te denonte edhe klientet e prostitutave, pati nga ata qe cituan edhe K. Marksin

    Per ta mbyllur, shtoj se Marksi vete nuk ka qene fort marksist ne pune seksi, por nuk kishte nevoje te dilte ne rruge sepse ne shtepi, veç Xhenit kishte edhe nje sherbyese, Helen Demuth, te cilen nuk mungoi ta lere shtatzene… I biri jashte martese, Frederiku, vdiq me 1926.

    1. ”…E verteta eshte se Marksi kurre nuk eshte interesuar dhe kurre nuk i ka terhequr vemendjen prostitucioni ne vetvete, vajzat a grate ne rruge…” Jua kishte thënë Marksi vetë këtë? Nuk ishin të nevojshme të gjitha këto informacione, siç e thatë edhe vetë, shkrimi qëndron për bukuri ashtu si është. Një aligori e bukur pa ndihmën e shpjegimeve të mëtejshme.

    2. Faleminderit Lyss per sfondin historik. Ne fakt s’ia kam haberin fare jetes dhe shijeve personale te Marksit. Duke qene se i perkas nje brezi qe nuk “e kapi” lenda e marksizmit ne shkolle, kontakti i mevonshem me Marksin ka ardhur permes leximit te boshtit kryesor te ideve te tij dhe interpretimeve mbi te. Vendosja e Marksit dhe e Kapitalit te tij ne nje krijim fiction ishte thjesht nje metafore per te percjelle miniproblematiken time mbi dukurine e prostitucionit ne Perendim, muhabet me i nderlikuar dhe se vete bota 🙂

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin