U desh kapja e avionit të dytë, që sipas thashethemeve dhe mediave transportonte drogë, për t’ia bërë të qartë situatën opinionit publik shqiptar dhe për të zbuluar potenciale të reja. Pavarësisht nga itinerari i supozuar e i debatuar i avionit, e pavarësisht nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e shqiptarëve, ky paskësh qenë biznes i vërtetë.
Sipërmarrësi i njohur Fitim Malli, e shfrytëzoi lajmin për të përftuar një ide origjinale, praktikisht për të hedhur në treg shërbimin e taksisë ajrore nga Shqipëria në Itali. Kjo linjë ajrore do të transportojë njerëz e mallra. Sipas kërkesave. Me sasi të vogla, por të çmuar. Jo si linjat e mëdha ajrore, që merren me transportin me shumicë. Nuk bëhet fjalë për trafik droge të paligjshme, në kuptimin e ngushtë të fjalës, ngaqë trafiku tradicional zhvillohet fshehtas, jo nëpërmjet një linje ajrore shumë të rregullt e të përpiktë.
Sipas pronarit të saj, Fitim Malli, çdo gjë është e regjistruar sipas ligjit, dhe rezulton çdo gjë në rregull për tatimet e taksat. “Linja jonë ajrore është themeluar pak kohë më parë. Edhe pse nuk kemi dalë në televizor, reklama më e mirë e kompanisë sonë “High Alb-Airlines” – thotë z. Malli – është saktësia. Ne do të nisemi çdo të hënë, të mërkurë, e të premte, me përpikëri të pazakontë. Madje do t’i shtojmë fluturimet kur të ketë kërkesa të mëdha. Orarin dhe aeroportin na i vendosin shefat, në vartësi të problemeve, përfshirë ato meteorologjike”.
Pronari shpjegon se kompania fluturuese i ka bërë të gjitha regjistrimet në rregull, ka kodin përkatës Nipt, paguan rregullisht taksat, sikurse ua paguan sigurimet shoqërore të punësuarve çdo muaj. “Ne jemi prej qelqi, krejt transparent”, thotë Malli, “pavarësisht se na akuzojnë për trafik, që mund të quhet fare mirë transport ajror”.
Për planet e ardhshme, z. Malli shpjegon programin e ndërmarrjes së tij dhe investimet që ka ndër mend të realizojë. Ideja që e bren prej vitesh është transporti me nëndetëse. Kjo ide është e vlefshme, sepse ky lloj transporti nuk përdoret më në brigjet e Adriatikut, kurse fluturimet me avionë të lehtë dhe lundrimet me gomone janë konsumuar tashmë dhe kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe të paragjykimeve. Në fakt, bëhet fjalë për avionë ultra të lehtë që përdoren vetëm për turizëm, ose gomonet që përdoren kryesisht për peshkim e për gara sportive në det.
“Duam të forcohemi në tregun e transportit turistik – thotë imprenditori i njohur. Sa vetë duan të shkojnë në Itali o gjetiu jo nëpërmjet avionit, as tragetit, por me nëndetëse?”. Ka plot shqiptarë e të huaj që duan ta provojnë euforinë e udhëtimit me nëndetëse, e cila ka kapacitet të madh transportues njerëzish e mallrash. Le të mos harrojmë as evokimin historik e letrar të përplasjes me sovjetikët në bazën e Pashalimanit. Ju kujtohet filmi “Ballë për ballë”? “Ne kemi traditë në lundrimin me nëndetëse”, thekson Fitim Malli.
Së fundi planet konkrete: “Kemi porositur dy nëndetëse që nuk identifikohen nga sonarët, në mënyrë që turistët të mos shqetësohen nga zhurmat. As itinerari nuk do të merret vesh kurrë, do të jetë surprizë. Natyrisht, të gjitha po i bëjmë në bazë të ligjit. Do t’i kalojmë në doganë, por nuk do të paguajmë asgjë, sepse nëndetësja nuk ekziston si mall në tabelat e doganës shqiptare. Nuk është faji ynë. Gjithsesi, ne i japim dhe i kërkojmë gjithnjë kuponët tatimorë”, përfundon pronari dhe njëkohësisht menaxhuesi i “High Alb-Airlines”.
“Çfarë po bëhet me nëndetësen 105 në Pashaliman?“, pyet gazeta “Tema” në një shkrim të datës 15 shtator 2015.