Në ka shkrimtarë që kujtohen shpesh ndonëse shkruajtën pak, Michel de Montaigne është një ndër ta. Me veprën e titulluar Ese (Les Essais, 1580), Montaigne i la kulturës një fragment pionier në zhanrin e eseistikës, fragment stimulues për një varg të gjatë pasardhësish e imituesish.
Titulli lakonik Ese nuk lë të hamendësh se risia retorike, që propozon zhanri i ri, është një përqafim i hapur i subjektivitetit. “Ç’di unë?” pyet Montaigne, dhe esetë e tij vijojnë, si një galeri tabllosh në shkronja, në përgjigje të kësaj pyetjeje. Pyetja pararendëse e mendimtarit frëng premton ekspozim të Unit që shkruan. Montaigne përpiqet t’i qëndrojë besnik premtimit tematikisht, duke shpalosur një palimpsest idesh, por edhe retorikisht, duke zgjedhur t’i drejtohet lexuesit me “unë” dhe jo “ne”, shumësin e pagëzuar “shumësi i madhërishëm”, pluralis majestatis, royal “we” (me përbuzje edhe royal wee), ose shumësin nga lart, siç po e quaj unë.
Montaigne preferon njëjësin për të mveshur zërin, dijen dhe eksperiencën e tij subjektive: “veçse kam thënë atë që di të them”, shkruan ai në esenë “Rreth forcës së imagjinatës”. Ky lloj ekspozimi i Unit në një format si Esetë është i pazakontë për epokën, dhe aq më insistues në një gjuhë ku përemrat vetorë janë të pandashëm nga folja e zgjedhuar: ndryshe nga shqipja, ku “kam thënë” qëndron e përçon kuptim pa praninë e përemrit “unë”, frëngjishtja kërkon “je”.
Esetë e Montaigne-it shtjellohen njëra pas tjetrës si një dialog i Unit që shkruan dhe syve e mendjeve që e ndjekin në faqen e librit. Shpeshherë raporti është barazitar, një sy-më-sy imagjinare mes “je” dhe “tu”, komunikim nga “unë” te “ty”. Ndodh edhe që Montaigne t’i konceptojë lexuesit si bashkësi, si njerëz të interesuar në atë që i intereson edhe atij vetë, të cilëve u drejtohet me “ju”: nga “unë” te “ju”. Kështu përdorimi i shpeshtë i njëjësit e lë autorin e eseve të zhveshur, herë përpara një “ti”-je, e herë përpara “ju”-ve. Po ç’i jep ky gjest retorik esesë së përpiluar nga një autor i vetëm?
Nga “unë” tek “ty” apo “ju” ndryshon raportin mes autorit dhe lexuesit: autori i identifikueshëm si një dhe jo shumë qenie njerëzore, jo vetëm merr përgjegjësi direkte për idetë që shpërndan nëpërmjet të shkruarës, pa u maskuar me shumësin fiktiv, por edhe vetëvendoset gjuhësisht në të njëjtin plan me lexuesin. Në atë subjektiv. Duke ndryshuar raportin mes autorit dhe lexuesit, eseja që rrjedh si komunikim mes “meje” dhe “teje”, psikologjikisht krijon një relatë më të afërt dhe më pak padronizuese se ajo që mund të krijojë një “ne” e papërcaktueshme me “ty” apo “ju”.
Për të evituar grackën e përgjithësimeve, duhet thënë se edhe Montaigne e përdor herë-herë shumësin. Rrallë madje, edhe atë pedantin, megaloman, shumësin nga lart, që e adreson lexuesin nga katedra. Do ishte përgjithësim i gabuar të mendohet se çdo shumës i artikuluar nga një autor është shumës fals e pedant. Shumësi vjen i shumëllojshëm: formulime si “e pamë më lart”, “tani do t’i drejtohemi aspektit xy”, “nuk duhet të trembemi”, “ky vendim është në interesin tonë” nuk janë distancuese. Përkundrazi, formulime të këtij tipi tentojnë ta bindin lexuesin, duke e përfshirë e trajtuar si shoqërues e dëshmitar të një procesi argumentativ. E kundërta rezonon në fraza si “e përmendëm më lart”, e cila mund të ngjaj e përafërt me “e pamë më lart”. Por ka një ndryshim në përgjegjësi: subjekti që shkruan është ai që përmend dhe sheh, ndërsa subjekti që lexon vetëm sheh ato që përmend ai që shkruan. Në fraza si, “vargje që na prekin”, “shembuj që na bindin”, “ndjehemi të detyruar të përgjigjemi”, “ju këshillojmë të vazhdoni”, “nuk ua rekomandojmë këtë roman”, shumësi fals përforcon pozicionin e autorit në një arenë ku egoja që shkruan mëton të shumëzohet; ku “ne” që po të shkruajmë, jemi më shumë se ti që na lexon – meqë leximi sot është aktivitet pothuajse vetmitar – dhe, meqë jemi më shumë se ty dhe jemi në një mendje sa të përfaqësohemi si “ne”, kemi edhe gjasat në favor për të qenë zëri i të vërtetës.
Paçka se e radhita faktorin psikologjik, pra distancën që ndjell përfaqja e lexuesit fillikat me autorin e shumëzuar, preferenca ime për njëjësin (dhe mendoj edhe e Montaigne-it, por kaq s’mjafton për të shkruar “preferenca jonë”) lidhet ngushtë me rolin e subjektivitetit në zhanrin e esesë, zhanër i inauguruar nga vetë Montaigne. “Ja, Lexues,” shkruan ai, “vetë unë jam subjekti i librit tim”, duke më ftuar, të mos e humbas kuptimin e dyfishtë të fjalës subjekt: 1. uni = subjekti që shkruan, 2. brendia e shkrimit.
Vendi i subjektivitetit në zhanrin e esesë nuk përkufizohet thjesht, aq më tepër gjithçka që mund të thuhet në kuadrin e një eseje e ka cungimin të programuar. Përpos, krijime artificiale si përkufizimet, që sendërgjohen për të dalluar një kategori nga tjetra, janë si skelat që mundësojnë ndërtimin, por dalin jashtë pune, kur do ta banosh ndërtesën. Nëse zgjedhim eliminimin si metodë përkufizimi, subjektiviteti që kultivon eseja nuk është ai i memoir-eve apo i rrëfimit autobiografik. Në Esetë e Montaigne-it mund të gjehet vetëm një biografi ideore, një hartë e aspekteve që kanë lënë gjurmë në vetëdijen e autorit, pavarësisht nëse këto aspekte lidhen drejtpërdrejtë apo jo me evente të jetës së tij. Tingëllon sikur po sugjeroj se eseja është impersonale. Deri diku po, sa kohë që personale e shohim si ekuivalente të plotë të autobiografikes.
Përkundrazi, emblema që Montaigne lë mbi formën e esesë janë doza të paneglizhueshme subjektiviteti, të cilat nisin që me shfaqjen e njëjësit “unë” për të shkuar edhe më thellë. Subjektiviteti gjallon në vetë etimologjinë e fjalës ese, e ardhur nga frëngjishtja “essai”, që do të thotë përpjekje, eksperiment, provë. Përkufizimin më besnik ndaj kësaj gjeneze kuptimore e kam hasur në formulimin e Michael L. Hall, i cili e quan esenë shkrim që e lejon autorin të mendojë lirshëm, përtej kufizimeve të formave retorike tradicionale dhe autoritare (fq. 78). Prandaj, në ese spikat karakteri i së përkohshmes, i diçkaje në ndërtim e sipër, të mundësuar nga tentativa që s’e kalojnë stadin e karabinasë, ku nismat mbeten shpesh pa mbërritje. Mbikëqyrës dhe punëtor në këtë kantier mendimi është subjekti që shkruan.
Edhe pse eseja përpunon dhe përçon njohuri e dituri (knowledge), metodika e saj nuk është rregulli. Eseja, sipas Theodor Adorno ka për metodë jo-metodën (das metodisch unmethodische): Adorno e quan esenë një produkt i përzier famëkeq, por edhe autonom, sepse nuk lejon t’i diktohet territori. Dhe kjo metodë e jo-metodës, në shërbim të mendimit provizor, gjithnjë në formim, të gatshëm për përshtatje dhe riformim, lyp angazhimin e lexuesit si dëshmitar të barasvlefshëm, figurativisht sy-më-sy me unin që shkruan. Një qëndrim i tillë mund të artikulohet dhe të përjetohet më besueshëm nga subjekti që i prezantohet lexuesit si “unë”. E parë kështu, eseja përçon e përpunon njohuri nëpërmjet një procesi dialogjik (term i Mikhail Bakthin), nga unë tek ty, duke pranuar statusin e saj të brishtë, subjektiv dhe eksperimental.
Fjala “dialogjik” më kujton një bisedë me një profesorin tim, i cili e shpjegonte shumësin nga lart, përkundrazi si sheshim të hierarkisë, si një përpjekje për të minimizuar fluturimet vanitoze (vanitas) të Unit egotist. Ky nuk është shumësi i madhërishëm, thoshte ai, por i modestisë: pluralis modestiae. Shumësi i modestisë i ngjan një vaksine që retorikisht e bën autorin imun ndaj mburrjes dhe narcisizmit të cogitos, egos që mendon e që kushedi magjepset me idetë e tij aq sa ta mendoj veten shumë më lart se lexuesi. Prandaj Uni që shkruan pranon me përulje (humilitas) t’a rreshtojë zërin vetjak në identitetin abstrakt të “ne”, në mënyrë që “ne” të rrafshojmë çdo tendencë të egos për t’u profiluar. Kjo është kërkesa e modestisë: humilitas kuron vanitas.
Sot, do lija J. L. Borges t’i debatonte labirintet e vanitas me profesorin tim. Borges mund t’i tregonte atij historinë e “El Soborno” (“Rryshfeti”), histori profesorësh. Me pak fjalë jo aq ekonomikisht të goditura sa të Borges-it, El Soborno është historia e dy protagonistëve, amerikanit Winthrop dhe islandezit Einarsson: Einarsson dëshiron me patjetër të zgjidhet drejtuesi i një konference të rëndësishme akademike. Këtë vendim e ka në dorë Winthrop-i. I aftë si pakkush të psikologjisë të tjerët, Einarsson nuhat se çdo veprim i Winthrop-it i nënshtrohet etikës puritane të paanësisë. Atëherë, për të siguruar aprovimin e Winthropit, Einarsson mendon një dredhi që mund të korruptojë puritanin e pakorruptueshëm. Ai boton një recension negativ të një libri të Winthrop-it, i sigurtë se ky i fundit, për t’i vërtetuar vetes dhe botës se është i paanshëm, do detyrohet ta aprovojë kandidaturën e kritikut të tij të ashpër. Plani ka sukses: Winthrop-i rekomandon kandidaturën e Einarsson-it. Mirëpo një sukses nuk i mjafton islandezit. Pa e fshehur ngadhënjimin, Einarsson-i i kallëzon Winthrop-it një më një kurthin e ngritur. Winthrop-i dëgjon deri në fund dhe i habitur përgjigjet: “I kam lejuar vetes vanitetin e të mos qenit hakmarrës. Siç e shihni, stratagjema juaj ia arriti qëllimit.”
Ndoshta një mendësi puritane fle pas shpjegimit të profesorit tim, mendësi e largët për shqiptarët. Mendësia që ne ende kemi ferrë nëpër këmbë është ajo e ligjërimit gati gjysmë-shekullor të shqipes totalitare (term i Ardian Vehbiut), një ligjërim që u përpoq ta fshinte subjektin duke zëvendësuar “unë” me “ne”, “Partia”, “populli”, proletariati”, etj., etj., (Shqipja Totalitare, fq. 65-69). Stephen Lovell, studiues i Bashkimit Sovjetik, thekson aftësinë përfshirëse të retorikës totalitare, instrument i së cilës është edhe uzurpimi linguistik: aty ku duhet të heshtë Uni, flasim ne.
Subjekti shkrues që prezantohet si “ne” abstrakte mbështet retorikisht anonimitetin, dhe njëkohësisht mentalitetin e grupit, duke i terratisur gjurmët e autorësisë, sikur për t’ia bërë lexuesit të pamundur hulumtimin e ideve deri në burim. Dhe me atë që s’mund të hulumtohet, nuk mund as të diskutohet. Ndërsa, Uni kërcënon autoritetin e masës së paidentifikueshme, sepse lexuesi i stërvitur që identifikohet si “unë” kërkon të dijë kush është “ne”. Për të përcjell autoritetin e një komuniteti të dëshiruar, zëri i unit duhet kapluar, sepse vetëm komunitetet prodhojnë ideologji, qoftë ky komunitet komunistësh, proletarësh, puritanësh, gazetarësh, apo farisenjsh.
Në fakt, farisenjtë nuk ia falën përemrin e vetës së parë Jezusit. Kushedi, po të kishte thënë “Ne jemi udha, e vërteta dhe jeta” do ta kishin marrë thjesht për një endacak të lajthitur.
Shënim: Ky shkrim merr shkas nga një varg esesh e recensionesh shqip, së fundmi nga reagimi i një lexueseje të artikullit të A. Gjekmarkaj, e cila e pyet gazetarin “Cilët janë këta njerëz ‘NE’?”. Lexuesja do të dijë në emër të cilëve Gjekmarkaj proteston tek Panorama kundra thirrjes së A. Vehbiut për një gazetari anti-trash në artikullin “Si të protestosh”.
Shënim: Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit ose administratorit të blogut.
histori tufezimi e kopesh, me “ne” thirret ne ndihme e gjithe lukunia qe qendron pas kesaj zgjebane
Por po flas nga pervoja ime, se sa e veshtire eshte te perbrendesohet kjo norme e sproves ne shkrim, dhe Gjekmarkaj si pedagog nuk kontribuon ne kete aspekt te rendesishem te iluminizmit.
ne gjermanisht ka nje ndajfolje – man – qe ndihmon autorin te pergjithesoje pervojen e tij, Ne anglisht eshte ‘one’. Mbaj mend qe une e perdorja shume ne esete e shkolles ne gjermanisht, dhe doja ta beja kete edhe ne anglisht. Kur mu desh ti nenshtrohesha normes se APA (American Psychological Association) ne ese e kisha shume shume te veshtire te pershtatesha e te perdorja ‘une’. Kisha ardhur nga nje pervoje shqiptare, ku autori heq cdo pergjegjesi per mendimet e vete dhe mundohet ti bashkalidhet nje aleance a grupi te caktuar mendimtaresh apo qendrimi, sikur te jete perfaqesuesi unik e i denje i tyre.
Mendoj se ka te beje me edukimin tone mendor gjate shkollimit, te nenshtrimit ndaj nje autoriteti dhe mungeses se pavaresise se mendimit, apo frikes per te dale cullak e vulnerabel me budallekun tone.
Të bën kurioz përdorimi i “ne” në shqip, sepse shfaqet në të dy polet e ligjërimit, atë akademik/intelektual dhe në regjistrin bisedor/familjar: p.sh. “mos na ça dërrasa”.
Me siguri lidhet me mentalitetin e bashkësisë; shqiptarët rrallë e mendojnë veten si “unë”, si kur krenohen, ankohen, vetëshahen p.sh. “jemi të besës, jemi gënjeshtarë, jemi të mallkuar”. Nuk e di nëse ekziston ndonjë studim diakronik i përdorimit të përemrit “unë” dhe “ne” në shqip dhe formava foljore që i shoqërojnë. Nuk e di si e në ç’raport janë përdorur p.sh. në fillim të shek. të kaluar…
p.s.: Tani po mësoj që Gjekmarkaj qenka pedagog. Po për këtë si të protestosh?
interesante ngase bota ankohet se njerezit jane bere shume narcist, sikur shprehet ne kete artikull mbi frekuencat e perdorimit te “une” ne boten angleze, matur nga google ngram (http://www.geekpsychologist.com/i-me-mine-is-society-becoming-increasingly-narcissistic/) … kurse ne Shqiperi ne ende nuk duam te marrim pronesi apo pergjegjesi mbi cfare themi, sikur edhe ne porcione te shendetshme.
P.S. CV e Gjekmarkaj http://fhf.edu.al/CV/Letersia/Agron_Gjekmarkaj.pdf
Xhevahir në kurorën e kësaj CV është kursi “Histori e qytetërimeve”; aq tragjike për studentët e Filologjikut sa edhe ironia vret.
Të kthehemi tek shumësi në ese: ti e ke sjellë muhabetin në shteg shumë të frytshëm. Nëse pranojmë se miti i Narcisit është miti i shumëzimit të egos, që e sheh botën plot pasqyra, të cilat i kthejnë egos imazhin e vet, atëherë autori që paraqitet si ne, është mishërim i këtij mitit. Tek Uni që shkruan si “ne” kemi narcisizëm par excellence.