Pas ndërrimit të buxhetit, shifrave alarmante të rënies së mbledhjes së taksave dhe rezultatet zhgënjyese në dogana, qeveria ka ndërmarrë një nismë politike kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.
Para, por edhe pas, takimit që Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi me drejtues të sistemit doganor dhe tatimor, u shtuan pa masë deklaratat, apelet, analizat, shifrat, parashikimet, etj. nga anëtarë të qeverisë dhe funksionarë të lartë të shtetit, lidhur me luftën që do të zhvillohet në shtator kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.
Në takimin e lartpërmendur, Kryeministri ftoi edhe qytetarët blerës që të mos paguajnë për mallin pa marrë kuponin tatimor.
Dallohet pa vështirësi, në këtë manovër të qeverisë, një farë “paniku” për shifrat e reja të ekonomisë. Ndoshta ndikojnë edhe disa polemika të nëndheshme politike, përderisa aleati tjetër i qeverisë sugjeron masa të ndryshme për rimëkëmbjen ekonomike.
Në media e në publik, nisma e re politike e qeverisë nuk po perceptohet drejt, ndoshta për faj të rrëmujës dhe karakterit emergjent me të cilën po shoqërohet ajo. Thirrjet për të marrë kuponët tatimorë dhe ato për regjistrimet të aktiviteteve pranë QKR rrezikojnë të ngatërrohen, sidomos kur ngatërrohen me evazionin dhe tatimet, edhe pse të interesuarit direkt mund ta kenë pak idenë se përse po flitet.
Pikë së pari, informaliteti dhe evazioni fiskal janë dy fenomene që janë të lidhura bashkë, por i dyti mund të ekzistojë pavarësisht nga i pari, çka nuk mund të thuhet për të kundërtën. Një ndërmarrje e rregullt, pra e regjistruar sipas ligjit, mund të bëjë evazion fiskal, ndërsa ajo informale e bën me përkufizim, sepse nuk ka Nipt, ndaj edhe nuk i paguan asgjë shtetit. Pastaj, ka evazion fiskal, por ka edhe bishtnim të detyrimeve fiskale.
Nuk duhet të jesh ekonomist për të kuptuar se në ekonomi ka ngjyrë të zezë, të bardhë, por edhe gri. P.sh. një ndërmarrje mund të jetë e regjistruar, mund t’i paguajë taksat e tatimet, por mund të mos jetë e rregullt me pagesën e sigurimeve shoqërore të punonjësve. Në mënyrë të tërthortë, ajo dëmton edhe shtetin, për sa kohë një pjesë e madhe e buxhetit të ISSH (i cili paguan pensionet) financohet nga buxheti i shtetit. Mirëpo, nuk kam dëgjuar asnjë fjalë për këtë pikë.
Për sa i përket fjalëve që përdoren në media e në publik, vazhdon të mbijetojë heroikisht fjala “aksion”, por jo për meritë të saj, por falë psikologjisë së aksionit, që nuk është diçka e re në politikën shqiptare. Para disa ditësh kështu titullonte Gazeta Shqip: “Rama: Në shtator nis aksioni për uljen e informalitetit, bizneset të regjistrohen”. Por për hir të së vërtetës, është përdorur edhe fjala operacion, që të paktën duket më i gjerë se sa aksioni, pavarësisht se jemi larg veprimeve me karakter strategjik. Sepse nuk mund ta mohojmë se synimi i qeverisë është pozitiv, por informaliteti dhe evazioni fiskal janë plagë kronike dhe të rënda të ekonomisë shqiptare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e shtetit, praktikat e bizneseve dhe psikologjinë e popullatës, ndaj edhe nuk mund të shërohen me ndonjë aksion, pra vetëm me jod dhe pambuk.
Pastaj aksioni ka diçka të përbashkët me shiun e verës, vjen me hov, por ashtu edhe ikën. Ndërkohë që dukuritë e mësipërme kërkojnë një veprim konstant e afatgjatë, pa llogaritur ndërveprimin me aspekte të tjera parësore si korrupsioni dhe drejtësia, që mund ta neutralizojnë aksionin qeveritar.
E meqë jemi tek strategjia, nuk mund të harrojmë se tema madhore si ajo e ekonomisë informale – sot Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka deklaruar se deri më tani në Shqipëri janë mbi 100 mijë biznese aktive dhe rreth 33% e tyre ende nuk është fiskalizuar – kërkon detyrimisht edhe një farë dialogu me opozitën, në mënyrë që masat e sotme e të nesërme të hyjnë në strategjinë e vendit e të mbështeten nga të gjitha forcat politike. Por nga deklaratat e deritanishme duket hapur që mazhoranca dhe opozita “flasin” vetëm me deklarata dhe facebook. Por jo njëra tjetrës.
“…tema madhore si ajo e ekonomisë informale (…) kërkon detyrimisht edhe një farë dialogu me opozitën, në mënyrë që masat e sotme e të nesërme të hyjnë në strategjinë e vendit e të mbështeten nga të gjitha forcat politike.”
Jo vetëm kaq. Suksesi apo jo i kësaj nisme dhe besueshmëria e qeverisë para publikut dhe opozitës gjatë këtij operacioni, do të varen në rradhë të parë nga paanshmëria e Ministrisë së Financave në luftimin e evazionit fiskal dhe në trajtimin e barabartë para ligjit të sipërmarrjeve të prekura.
Nëse ky trajtim bëhet selektiv, duke shënjestruar dhe dënuar vetëm (apo kryesisht) bizneset e opozitarëve dhe sipërmarrësve pranë opozitës, operacioni jo vetëm që do nuk do të jetë efikas në luftimin e evazionit, por do të rrezikoj që, kur opozita të kthehet prapë në pushtet, t’u përvishet ajo bizneseve dhe biznesmenëve pranë qeveritarëve të sotëm.
Me këtë rast, bonusin më të madh të besimit te publikut dhe opozita qeveria mund ta arrijë, duke i filluar kontrollet tek bizneset e deputetëve të saj dhe të afërmve të tyre. Ose duke kontrolluar llogaritë dhe bilancet e telvizioneve të mëdha private, atyre që janë pranë pushtetit, le të themi, për 5 apo 10 vitet e fundit. Dhe rezultatet e kontrolleve t’i bëj pastaj publike…
Përpara se të ndërmerren ‘aksione’ do ishte mirë të kishte një diagnozë të saktë për rënien (reçesionit) në ekonomi. Reçesionet nuk vijnë nga mosmbledhja e taksave apo edhe dështimi i politikave fiskale. Ato vijnë nga rënia e investimeve.
Është e njohur tashmë se në nje reçesion tipik gjysma e rënies totale vjen nga shkurtimet në investime (ndonëse këto nuk përbejnë më shumë se 1/7 e GDP-së). Kjo është mëse e vërtet edhe për recesionin e tanishëm që ka filluar qysh prej 2010-ës.
Nëse ka ndonjë lidhje midis rënies së investimeve nga njëra anë dhe informalitetit nga ana tjetër, kjo mund të gjendet tek niveli i besimit të investitorëve dhe konfidencës së konsumatorëve.
Megjithatë llogjika ta do që besimin e ndikojnë korrupsioni i perceptuar në drejtësi, dogana dhe organet tatimore. Kurse kërcëllimi i dhëmbëve ndaj biznesit të vogël me siguri që është kundërproduktiv, sidomos në mungesë të një studimi serioz që tregon se ky lloj biznesi është vërtet fitimprurës, aq sa për të rritur të ardhurat në arkën e shtetit pa i falimentuar ata (biznesin e vogël).
Përndryshe, nëse nuk janë inkompetencë, lëvizjet e fundit të kësaj qeveri janë dritëshkurtra, të inskenuara për të fituar sado pak kohë në politikë, derisa të laj hesapet me kundërshtarët e vet, paçka se e bën në kurriz të ekonomisë, dhe pjesës më të dobët të saj.
Nis aksioni i ri kunder te varferve, kunder atyre qe shesin fiq si Veliaj dikur (Sala asokohe ka qene bujar). Si te gjitha aksionet do vihen gjoba do mbushet perkohesisht buxheti, sa te riboshatiset pastaj do kemi aksionin e radhes te gjobevenies.
Kryeministri gjithnje e me teper i ngjan nje bosi mafioz qe ve pizzo, po shyqyr qe i ka ad hoc e una tantum, te pakten deri tani.
Aksion ne ere, nga nje qeverisje me ere, kryesuar nga nje kryeminister pa ere, pa ngjyre, pa shije.
Problemet e ekonomisë nuk zgjidhen me aksione, por me reforma, strategji dhe planifikime afatgjatë. Një rrugëdalje e menduar mirë nga kjo situatë do kërkonte njëherësh zgjidhje politike dhe ekonomike. Shembulli më i mirë është Greqia, dhe dorëheqja e fundit e Syrizës.
Ajo që i mungon qeverisë së tanishme është një platform ekonomike afatgjatë për reformat. Por partitë politike dhe politikanët në Shqipëri dinë të prezantojnë premtime, jo platforma.
Problemi që ka poitika Shqiptare është i dyfishtë: as nuk ka platforma; dhe as nuk ka kurajon t’i implementoj apo kërkoj konsensusin per implementimiin e tyre. Harrohet se janë Shqiptarët që do t’i vuajnë pasojat e mungesës së reformave. Por edhe nëse do presupozojmë se ato do implementohen ndonjëherëas nuk nuk mund të implementohen pa bashkëpunimin e votuesve.