Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë sot në mëngjes në emisionin televiziv italian të RAI3 me titull “Agorà”.
Për ata që nuk e dinë, bëhet fjalë për një program televiziv të llojit talk show, që zhvillohet në studio ku ftohen politikanë, gazetarë dhe analistë të ndryshëm për të debatuar rreth aktualitetit politik. Agorà, që transmetohet në mëngjes nga ora 8.00 e tutje, jep gjithashtu një sërë reportazhesh e videosh, aktuale ose jo, për ta pasuruar e për ta nxitur diskutimin në studio.
Qëllimi im në këtë rast nuk është të diskutoj për çka tha Kryeministri shqiptar, edhe pse do të ishte gjithashtu temë interesante, por e mëvetësishme. As kam ndër mend të flas për mënyrën se si i shprehu mendimet në studio, efikasitetin e tij, ose stilin e veshjes, edhe pse kam përshtypjen që Kryeministri është komunikues i zoti dhe i efektshëm.
Pavarësisht nga performanca e tij televizive, nga mikpritja, nga numri i telespektatorëve dhe pavarësisht nga cilësia e emisionit, pyetja që i bëra vetes ishte nëse Kryeministri shqiptar duhet të kishte shkuar apo jo në atë studio televizive? E pra, mendoj se Edi Rama nuk duhet të kishte shkuar në emisionin Agorà.
Sipas praktikës botërore, Presidentët e Republikës dhe Kryetarët e Këshillit të Ministrave nuk marrin pjesë në talk show ku debatohen tema të ndryshme politike të ditës. Le të kuptohemi: kjo nuk do të thotë se Presidentët e Kryetarët e mësipërm nuk dalin në ekran, ose nuk marrin pjesë në emisione radiotelevizive, por thjesht që nuk marrin pjesë në disa lloje emisionesh. Në fakt, titullarët e institucioneve më të larta të vendit, zakonisht tre-katër të parat, shkojnë si të ftuar nëpër emisione dhe u përgjigjen pyetjeve të gazetarit/gazetarëve, por nuk hidhen kurrë në arenën politike “për t’u ndeshur” me të tjerët, për hir të institucionit që përfaqësojnë.
Është i njëjti respekt që i “detyron” Presidentët dhe Kryeministrat të japin intervista brenda selive të institucioneve të tyre. Sa herë kemi qenë dëshmitarë se janë gazetarët dhe kameramanët që shkojnë në Presidenca e në Kryeministri dhe jo e kundërta? Ndodh që majat e një vendi të japin intervista në studiot televizive të vendeve të huaja, por kjo verifikohet zakonisht në raste vizitash zyrtare me institucionet e vendit pritës. E me atë rast, mediat e ftojnë personalitetin për një intervistë, për të folur gjithashtu për vizitën e programuar zyrtare (që nuk na rezulton). Edhe në kësi rastesh përjashtohen debatet në media dhe talk show.
Po t’i hidhni një sy panelit të emisionit Agorà – spektator i rregullt i të cilit jam edhe unë – do të vini re se ka analistë, gazetarë, deputetë, politikanë, etj. Vetë titulli “Italia, Crocetta e delizia” dhe temat e trajtuara (ulja e taksave, ekonomia, evazioni fiskal, migracioni, situata siciliane, etj.), tregojnë se i referohen realitetit italian. Për më tepër, tema “Shqipëri” duket si në funksion të aktualitetit italian, megjithëse ka edhe reportazhe nga vendi.
Kryeministri shqiptar in extremis arrin të mos përfshihet në debatin për migracionin, çka do ta bënte më problematike pjesëmarrjen e tij në panel. Shmangia e një përplasjeje të tillë është pozitive, sikurse heshtja e anashkalimi në disa raste tregojnë aftësinë e tij, por rreziku qëndron në zgjedhjen fillestare të pjesëmarrjes, jo në kurthet e vogla që lindin fiziologjikisht në një talk show. Për hir të saktësisë, le të shënojmë se pas një ore e gjysmë emision, Edi Rama e lë studion, për motive oraresh, sepse i duhet të kthehet në Shqipëri.
Që emisioni televiziv ka interes të ketë në panel Kryeministrin e një vendi nuk ka pikë dyshimi. Kushdo që të ishte në drejtim të emisionit, do të bënte ç’është e mundur të kishte mysafir një kryeministër (drejtuesja e emisionit e quan me të drejtë “ospite d’eccezione“). As mund të vihet në dyshim dashamirësia e emisionit Agorà. Madje në një moment të caktuar (min. 11,34) është vetë gazetarja Serena Bortone që e pyet nëse është hera e parë që merr pjesë në një talk show. Rama i përgjigjet që jo, nuk është hera e parë, por gazetarja insiston: “E kam fjalën me të ftuar të tjerë, si Kryeministër”. Rama përmend një rast para shumë vitesh, duke i dhënë mundësinë gazetares që të dalë në përfundimin se është hera e parë që merr pjesë në një emision të tillë, pra në cilësinë e Kryeministrit. Pikët i shkojnë të tëra emisionit, pa diskutim. Megjithatë, nderi i rolit të Kryeministrit kërkon që të mos ulet në vende që nuk përputhen me pozicionin e tij institucional. Edhe kur janë prestigjoze mediatikisht.
A mund të gjendej një zgjidhje? Patjetër. Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë mund të jepte një intervistë të gjatë në fillim (të regjistruar ose jo), ku t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve të gazetares. Pyetje që mund t’i preknin gjerë e gjatë temat e emisionit, pra ato që thamë më sipër. Pastaj ta linte studion duke falënderuar, ende pa filluar diskutimi e debati (çka mund ta bënte edhe këtë rast, praktikisht para se të fillonte sigla e emisionit).
Vetë emisioni e jep një farë sugjerimi, kur lidhet me Pierferdinando Casini-n, Kryetar i Komisionit të Jashtëm, direkt nga Dhoma e Deputetëve, pra nga institucioni. Tek e fundit, mund të bëhej një lidhje satelitore nga selia e Kryeministrisë shqiptare. Mjetet e teknologjia nuk mungojnë, mendoj as vullneti. Nuk besoj që Kryeministri shqiptar nuk i di këto gjëra që shkojnë përtej protokollit e formalitetit; natyrisht nuk i mungojnë njerëzit përreth që t’ia thonë. Prandaj edhe pyes veten se cilat kanë qenë arsyet që e shtynë t’i hipte avionit e të kapërcente detin për të marrë pjesë në një emision televiziv.
Shënim: marr guximin t’ju kujtoj të gjithë atyre që marrin shkrime pa leje nga Peizazhe të fjalës si në mall të babait, se ky i mësipërmi ka për autor Pishak Zhgabën [2Xh].
ndersa mua me habiti shpejtesia me te cilin iku ne kete emision. Pa njoftuar gjekundi u gjend ne televizion italian. Mendja me shpuri tek perurimi i nje linje trageti ne Durres nje dite me pare, i cili konkurron ata dy shpifaraket e tjere. Pra nje lloj quid pro quo-je, trafik vemendjeje.
Kjo ceshtje, qe kryeministrat marrin pjese ne lloj-lloj perurimesh per te reklamuar sherbime apo firma te ndryshme, veprimtaria ekonomike e te cileve nuk ka ndonje ndikim te madh ne ekonomine e vendit, eshte nje klientelizem i paster. Vemendja televizive iu drejtohet ketyre firmave pa paguar asnje kosto per reklamen, pse kane nen sqetull ekipet e kryeministrave. E bente Berisha ngeshem kete gje, e ben edhe ky tani. Dhe ose u kerrejne para ketyre firmave, te paguajne me pas horrlliqet, ose u marrin favore te tjera.
Jo per gje, per kryeministrat mund te shkojne privatisht, pa vemendjen e medias ne kesi takimesh, nese kane kuriozitet. Imagjinoni Obamen te shkonte ne cdo perurim te nje filiali McDonalds.
E drejtë çka shkruan Pishak. E pashë emissionin, nëpërmjet linkut të vendosur në artikull, me habi dhe me një pikëpyetje të madhe gjatë gjithë kohës: “çfarë po kërkon ky në atë vend?”. Jo vetëm që lloji i emisionit dukej i papërshtatshëm për një kryeministër (kryeministrin e vendit tonë për më tepër, sigurisht) por ishte edhe i papërshtatshëm për dikë që nuk që nuk është shumë i përditësuar me problemet e brendshme të Italisë, dhe me gjuhën italiane.
Në anën tjetër duhet thënë se aty iu bë vazhdimisht një reklamë shumë e mirë Shqipërisë, si një vend atraktiv për ndërrmarjet e huaja ku investitorët italinanë ia kanë dalë mirë dhe ku janë të mirëpritur. Kjo prej vetë z. Rama, dhe prej reportazheve të shkurtra në të cilat merrnin fjalën dëshmimtarë italianë e shqiptarë të suksesit që kanë patur ndërrmarjet italiane në Shqiperi. Përderisa emisioni ka njëfarë audience investues të tjerë të mundshëm e të ardhshëm duhet ta kenë parë gjithashtu. Nëse vetëm njëri prej tyre bindet dhe hedh hapin në këtë drejtim, atëherë sigurisht nuk mund veç ta përgëzojmë nismën e z. Rama, me gjithë problemet evidente të pjesmarrjes së tij. Natyrisht do të ishte shumë më mire nëse punohet më tepër për të rrëzuar barrierat që kanë investitorët e huaj apo vendas (problemet ligjore, monopolet, korrupsionin, pasiguritë etj) apo nëse japet më tepër informacion për fushat ku mund të investohet dhe të ketë rentabilitet, pra për produktet për të cilat ka nevojë tregu vendas dhe rajonal dhe që mund të krijohen në vend me sukses, etj. Për ta përfunduar parë në këtë prizëm, dalja e vetë kryeministrit përpara audiences italiane me qëllimin për të tërhequr investitorë mund të shihet edhe si diçka positive.