Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

UNË S’JAM KUQ E ZI!

Gresa Hasa

“Jemi ne, jemi ne,
Vijmë nga trojet tona.
Nuk na ndan dot askush,
Fluturon shqiponja.
Po thërret toka jonë, lisat edhe malet;
Se ne jemi një komb, Shqipëri e Madhe.”

Kështu nis kënga “Kuq e zi” kompozuar nga Flor Mumajesi, performuar nga Elvana Gjata dhe financuar nga Digitalb, këngë që sipas faqes zyrtare Digitalb dhe Top Channel në rrjetin social Facebook, do të shoqërojë Kombëtaren Shqiptare të Futbollit në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë vendit.

Kënga përmban një refren që nuk ka se si të mos e tërheqë vëmendjen dhe shtylla kryesore e saj ngrihet mbi idenë e Shqipërisë së Madhe.

“Unë jam kuq e zi, kuq e zi,
Jam unë dhe ti, kuq e zi,
Me gjithë zemër të kemi sot
O flamuri më i bukur n’botë!”

“Jemi një forcë, jemi një gjak,
Asnjëherë nuk ike,
Jemi ne, jemi ne,
Shqipëri etnike,
Po thërret toka jonë, lisat edhe malet,
Se ne jemi një komb, Shqipëri e Madhe!”

Marrë shkas nga mentaliteti i shoqërisë sonë, nëse një këngë e ngjashme do të ishte shfaqur në Serbi apo Greqi, financuar dhe promovuar nga mediat kryesore dhe me shikueshmërinë më të lartë të këtyre vendeve (siç është Top Media në Shqipëri) dhe e mbështetur nga organet përgjegjëse shtetërore duke nxitur shovinizmin dhe gjuhën e urrejtjes nëpërmjet idesh si Serbia e Madhe (Велика Србија/Velika Srbija) apo Greqia e Madhe (Μεγάλη Ιδέα/Megáli Idéa) është e sigurt se në Shqipëri dhe Kosovë do të kishin shpërthyer reagime kundërshtuese dramatike që do t’i kritikonin, në mos do t’i kanoseshin këtyre ideve. Ato do refuzoheshin nga shoqëria shqiptare dhe ajo kosovare për arsye se nacionalizmi konsiderohet absurd për shoqëritë tona vetëm kur ai shpallet apo manifestohet së jashtmi, asnjëherë së brendshmi. Ideja e Serbisë së Madhe apo e Greqisë së Madhe është e papranueshme vetëm ngaqë ajo nuk është ideja e Shqipërisë së Madhe. Kjo e fundit pranohet, nxitet, lëvdohet, mbrohet e madje edhe argumentohet nga të gjitha strukturat kyçe të shoqërisë në Shqipëri dhe Kosovë duke nisur nga media, politika, arti e kështu me radhë.

Duhet kuptuar që kjo nuk është vetëm një këngë. “Kuq e zi” pushoi së qenuri veçse një këngë që prej çastit kur tingujt e saj u shndërruan në propagandë shoviniste që provokon agresivitet dhe nxit urrejtje mes grupeve shoqërore me përkatësi etnike të ndryshme nga ajo shqiptare apo kosovare, nëpërmjet logjikës përjashtuese dhe poshtëruese të nacionalizmit. Ky i fundit refuzon ta njohë dhe pranojë individin si të tillë, zhveshur nga rolet armiqësore që i mvesh imagjinarja përjashtuese e interpretimeve nacionaliste.

Imazhet e dronit që shpalos flamurin e Shqipërisë së Madhe me mbishkrimin “Autokton” e që u ngrit në stadiumin e Beogradit në tetor të vitit të shkuar gjatë ndeshjes – së menduar miqësore – midis Serbisë dhe Shqipërisë, shërbejnë për të hapur këngën e cila është menduar të shndërrohet në himn të skuadrës kombëtare të futbollit për ndeshjet që do të luhen brenda dhe jashtë vendit. Është e pamundur të përfytyrohet një ndeshje paqësore midis Serbisë dhe Shqipërisë, në Shqipëri, Serbi apo kudo tjetër qoftë, me një këngë të tillë që niset e bitiset me dronin e injorancës që provokoi gjithë atë zallamahi midis shteteve tona fqinje dhe Federatës Ndërkombëtare të Futbollit në vjeshtë, e ndër të tjera, u bë edhe shkak për humbjen e lojës për skuadrën tonë.

Këtu nuk kemi të bëjmë më me ndeshje futbolli apo sport në përgjithësi por me deklarata të fuqishme politike. Sporti nuk është më sport kur lojtarët pushojnë së qenuri të tillë dhe fusha e lojës shndërrohet në arenën e betejave të një mendësie arkaike dhe të dhunshme siç është nacionalizmi.

Megjithatë, më problematike se kënga në vetvete është promovimi mediatik që i bëhet këngës dhe transmetimi i saj në të gjitha kanalet e platformës Digitalb dhe Top Media, në çdo pushim reklame gjatë gjithë ditës së plotë, ndër tjera, edhe në kanale që shfaqin filma vizatimorë për fëmijë. Nuk është hera e parë që një media si Digitalb apo Top Channel  përcjellin një gjuhë të urrejtjes; përjashtuese, denigruese dhe thellësisht ofenduese. Këtë herë gjithsesi është tejkaluar çdo limit i tolerueshëm. Ky klip dhe kjo këngë nacionalicte, nëpërmjet dhunës mbjellin dhunë.

Nëpërmjet këtij shkrimi, i kërkohet Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në Shqipëri, nëpërmjet ligjit nr. 8410 dt. 30.09.1998, “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, bazuar në kompetencën e këtij institucioni në raste abuzimi mediatik apo shkelje ligjore, të marrë masat paraprake ndaj Digitalb dhe Top Channel për nxitje dhe promovim të ndjenjave të urrejtjes ndëretnike dhe shovinizmit. Nëse ky institucion nuk reagon sa më parë do t’i bëhet thirrje të gjitha instancave të tjera përgjegjëse për të marrë masat e nevojshme ndëshkuese ndaj provokimit të dhunës dhe urrejtjes në vend.

Nëse “Kuq e zi” përkthehet në vetë-përkëdhelje patologjike për urrejtjen dhe përjashtimin e tjetrit, unë REFUZOJ të jem kuq e zi. Bota është me ngjyra plot! Idetë që nxisin paqen, miqësinë dhe respektin e ndërsjelltë, po ashtu. Të kufizuara janë dhuna, urrejtja, dashakeqësia dhe qëndresa ndaj të mësuarit. Ato janë gjithmonë në zi. E shoqëria shqiptare ka qenë në zi për shumë kohë. Por asaj nuk i mungon aftësia që të shpalosë të gjitha ngjyrat e saj. Mua më pëlqen të besoj se kjo shoqëri ka mundësinë të jetë edhe e bardhë, blu, e verdhë, jeshile, rozë, portokalli…një ylber ngjyrash njëherësh sepse të ndryshmit janë të huaj vetëm nëse ne zgjedhim që ata të jenë të tillë.

Të jesh shqiptar, serb, grek, gjerman, amerikan apo tjetërçka, do të thotë së pari të jesh njeri. Ta duash vendin tënd do të thotë të respektosh gjithkënd që jeton brenda dhe jashtë kufijve të tij. Mbi të gjitha, dashuria për tokën ku jeton shfaqet duke respektuar njeriun, mjedisin, ligjin dhe normat që e bëjnë bashkëjetesën të qetë dhe ftuese, jo duke djegur, grisur apo valëvitur flamuj; as duke izoluar apo vjellë vrer ndaj tjetrit, kushdoqoftë dhe sidoqoftë ky tjetër. Dashuria nuk është ulërimë, as luftë. Ajo është prehje dhe pranim, jo përjashtim; ajo është paqe dhe mirëkuptim, jo kaos.

33 Komente

  1. Nuk e di pse keni kaq frike nga kombtarizmat. Kenga eshte shume e bukur dhe nuk ka asgje te keqe ne te. Nuk shan asnje njeri apo grup te caktuar. Mjafton Shqiperia dhe Kosova bashke per te thene frazen “shqiperi e madhe” pa asnje konotacion negativ. Nuk mund te na krahasosh me Serbet dhe Greket sepse ne nuk kemi bere kurre asgje kunder tyre, perkundrazi.
    Prandaj nese njerezit kane ndjenja kombetare, le t’i kene, pse duhet te shqetesoheni per kete gje. Apo deshironi te na rrajne ne cdo stadiuim qe te shkojme, dhe ne cdo ndeshje qe te bejme. Sigurisht qe ajo nuk ishte vetem nje ndeshje futbolli, po te shihej vetem si e tille do duhet te hiqeshim si te verbuar.
    Nuk tregoni ndonje modernizim me shkrimin tuaj, sipas meje gjithmone.

    1. “Prandaj nese njerezit kane ndjenja kombetare, le t’i kene, pse duhet te shqetesoheni per kete gje. Apo deshironi te na rrajne ne cdo stadiuim qe te shkojme, dhe ne cdo ndeshje qe te bejme. Sigurisht qe ajo nuk ishte vetem nje ndeshje futbolli, po te shihej vetem si e tille do duhet te hiqeshim si te verbuar”

      Llogjika e kësaj pyetje, është e nivelit fëminor; e papjekur. Ajo presupozon jo vetëm se një këngë na bën trima, por edhe ata të cilët përpiqen të inkurajojnë një lloj ruajtje gjakftohtësie, nuk e bëjnë këtë se janë të llogjikshëm, por se janë frikacak dhe snobë.

      Por gjithë knjo nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë e madhe, kombëtarizmin, apo me vlera të tjera politike dhe sociale që pretendon. Këto nuk kanë ngelur të vendosen për t’u zgjidhur në fushën e futbollit, dhe askush nuk do t’i dëgjojë aty. Përkundrazi, tek fusha e futbollit mund të groposen njëherë e përgjithmonë.

      Një psikolog kishte një shkrim pak ditë më parë në NYT, ku thoshte se ata që vuajnë nga mungesa e besimit në vetvete, bëjnë edhe të pamundurën që të dështojnë.

      Kështu edhe me tifozët kuq e zi. Ndonëse skuadra jonë vërtet se po fiton, këta duan të përforcojnë mosbesimin e grupit, apo edhe personal, dhe po bëjnë të pamundurën për t’ia vulosur përfundimisht damkën e të dështuarit futbollit shqiptar.

      Por këta nuk kanë sy të shohin kush janë dështakët.

      Futbolli është shëndosh e mirë dhe nuk ka nevojë për ta!

    2. Zhvoshkje, per te kuptuar se ku fillon “kombetarizmi”, ose me saktesisht patriotizmi, te lutem kaloi me nje sy te shpejte hymnet kombetare te vendeve te perparuara si SHBA apo Gjermania, apo qofte komshiu yne Italia apo Greqia.

      Gjermania

      Germany, Germany over all
      Over everything in the world!
      When it comes to protecting and defending,
      Our unity unites us.

      Gjermani, Gjermania mbi gjithshka
      Mbi cdo gje ne bote!
      Kur duhet per ta ruajtur e mbrojtur
      Te qenurit nje, na bashkon

      SHBA

      Blest with victory and peace, may the heav’n rescued land
      Praise the Power that hath made and preserved us a nation.
      Then conquer we must, when our cause it is just,
      And this be our motto: “In God is our trust.”
      And the star-spangled banner in triumph shall wave
      O’er the land of the free and the home of the brave!

      Bekuar qofte fitorja dhe paqja. begatoi(e ktheu ne parajse) token e shpetuar
      Lavdi Fuqise qe krijoi dhe ruajti kombin tone,
      Duhet vecse fituar(perfshire territore), perderisa qellimi jone eshte i drejte,
      dhe flamuri me yje dhe vija… dhe….etj…

      Italia

      Noi fummo da secoli
      calpesti, derisi,
      perche’ non siam popoli,
      perche’ siam divisi.
      Raccolgaci un’unica
      bandiera, una speme:
      di fonderci insieme
      gia’ l’ora suono’

      Hymni kombetar italian i ben jehone realitetit te nje populli te ndare, te shtypur ne shekuj, qe duhet bashkuar nen nje flamur te vetem. Po keshtu edhe ai i grekut pershkruhet nga e njejta ide. Duket se edhe ata i bejne jehone nje realiteti arkaik.

      A nuk jane shqiptaret nje komb i ndare, i shtypur, i masakruar, i sapo dale nga izolimi dhe harresa historike dhe tashme me dy flamuj? Perse te mos i behet jehone dickaje te tille?

      Tani nese flamuri shqiptar eshte kuqezi, per disa i shemtuar dhe qe ndoshta reflekton nje fare makabriteti, ky eshte nje konvencion i pranuar “si dicka e dhene”. Fatalitet ngjyrash dhe simbolesh! Sigurisht qe kemi mundesi me nje referendum te ndryshojme fatalitetin: ngjyrat dhe simbolet qe na kane pllakosur prej shekujsh, por ama na duhet vecse nje flamur rreth te cilit te perbashkuar, te mblidhemi me nje deshire dhe me nje qellim. 🙂

      Sic duhet te duhet akoma koha te pertypesh si c’duhet ate se cfare i ka bere kombet e suksesshem: te qenurit nje, te bashkuar dhe te rritur ne trup, territore dhe popullsi. Shumica i ka zgjeruar territoret me dhune, kombinuar me supremaci si ndjesi kulurore dhe historike. Ne thjeshte duket sikur kerkojme te marrim ate c’ka eshte e Cezarit, ne realiteti aktual.

      Nje fjale e vjeter thote: me mire mut se sa i vogel. Nuk ka banalitet me duket, pershkruhet nje realitet.

      Por e kuptoj, ashtu si edhe teksti, vargjet e sjella qe jane shperthime emocionesh, edhe shkrimi eshte nje tufe fishekzaresh emocionale, per njerez qe duhet te hulumtojne me shume e me thelle, per rendesine e gjeopolitikes dhe zhvillimeve kombetare, qe i duhet nje kombi per te qene i sukseshem.

      1. Teksti i himnit kombëtar të Italisë është shkruar në 1847, në një kohë kur Italia ende nuk ishte bashkuar si shtet.

        Teksti i himnit kombëtar të Gjermanisë është shkruar në 1841.

        Teksti i himnit kombëtar të ShBA është shkruar në 1814.

        Nga ana tjetër kënga për të cilën flet shkrimi më lart nuk është himn kombëtar, por i përket muzikës pop.

        Nëse himnet janë pjesë e traditës dhe simbolikës kombëtare dhe është e vështirë të preken, megjithëse tekstet e tyre mund t’i përkasin për nga fryma një periudhe tjetër, kjo nuk përligj që sot të shkruhet ende në këtë frymë.

        Çfarë dje mund të ketë qenë utopike dhe naive, sot është më shumë manipulative dhe demagogjike.

        Që prej shekullit XIX deri më sot shumë ujë ka rrjedhur dhe bota i ka përjetuar më shumë e më shpesh se ç’duhet tmerret e pasioneve nacionaliste të turmave.

        1. Duke iu referuar konteksit historik, shqiptaret jane shembulli i vetem ne Ballkan ku “nacionalizmi” ka lindur si reaksion vetmbrojtje, per te mos u zhdukur si etni. Shovinizmi eshte nje damar qe nuk ka pulsuar e pikuar gjak asnjehere tek shqipot. Shqiptaret jane zgjuar nje shekull me vone se ballkanasit e tjere, nderkohe kur te tjeret ja kishin rruar a kruar taven territoriale.

          Mund te them pa hezitim, qe tullumbacet nacionaliste mes tymit te kuq te shashkave, jane vecse perlotje emocionale kalimtare pas degjimit te nje kenge apo recitimi rilindasi. Ne nuk jemi aq sa duhet as nacionaliste dhe as patriote. Duke harruar meritat ose jo te kenges dhe tekstit, pas atyre 3-4 minutave, dritat dhe sipari patriotik fubollistik kombetarist do te ulen dhe secili do te harrohet pas halleve familiare dhe pragmatizmit te momentit.

          Shkrime te tille camaroke jane vecse flluska sapuni aromatike per te sjelle paksa sharmin e levanderit europian, qe nen cipen e bashkimit zien prej nacionalizmit te maskuar. Shpesh vihet re se sa e holle eshte cipa e vellazerimt paneuropian.

          Flitet per Shqiperine etnike, Shqiperine e madhe(por jo te Madhe) futbollistike, tifozllik mbarekombetar, stadiume dhe flamuj kuq e zi. 🙂

        2. Xhaxhai, çfarë nëse nacionalizmi shqiptar (meqë diskutimi është zgjeruar aty) të jetë pikërisht një prodhim i tmerreve të llojit të atyre të shekullit te XIX-të, të cilat prodhuan himnet ? Pastaj, përse na qenkëshin himnet disi më legjitim vetëm pse janë pjesë e “traditës dhe simbolikës kombëtare” dhe sepse qenkan vështirë të prekshëm (apo, qysh në rend të parë, përse qenkan vështirë të prekshëm?). Fundja sikur himnet, çdo nacionalizëm ka ‘traditë” dhe i referohet një tradite e një kujtese.

          1. As mos t’ju shkojë mendja se mund të vini këtu, me një pseudonim çfarëdo, përndryshe krejtësisht i panjohur dhe pa shkruar ndonjëherë tjetër në blog, të lëshoni një breshëri pyetjesh dhe unë t’ju përgjigjem e t’ju jap llogari, a thua se jemi në sallë të gjyqit dhe unë i uluri në bangon e të pandehurit ndërsa ju në podiumin e prokurorit. Nëse dëshironi të angazhoheni drejtpërdrejt me mua, gjëja e parë që duhet të bëni është të prezantoheni – e kërkojnë normat elementare të komunikimit publik; dhe këtë ta bëni vetëm pasi unë të kem njoftuar, publikisht, se jam gati t’ju përgjigjem pyetjeve nga salla.

      2. I dashur,

        nuk i ke bërë mirë detyrat. Himni gjerman nuk këndohet i gjithi. Ajo strofa: “Germany, Germany over all…” është e ndaluar dhe këndimi i saj përbën vepër penale. Gjermanët, që u dogjën nga qulli i fryjnë edhe kosit. Dhe bëjnë mirë kështu.

        Këtë e di edhe bufi në fakt.

        Por ti ja që e shkrep përsëri, si shpesh, si pushka e jevgut.

        1. Pifto si i thone kendej nga ne “you’re a piece of art and the crown jewel of German-Albanian jurisprudence”. 🙂

          Pifto: Ajo strofa: “Germany, Germany over all…” është e ndaluar dhe këndimi i saj përbën vepër penale. Ku e gjete?

          Po citoj:

          On 7 March 1990, months before reunification, the Constitutional Court declared only the third stanza of Hoffmann’s poem to be legally protected as a national anthem under German law;

          Section 90a of the Criminal Code (Strafgesetzbuch) makes defamation of the national anthem a crime — but does not specify what the national anthem is.(wikipedia)

          Po citoj Criminal Law, Section 90a, part 2: disparages the colors, flag, coat of arms or the anthem of the Federal Republic of Germany or one of its Lands, shall be punished with imprisonment for not more than three years or a fine.

          Po citoj: Whether this meant only this verse had become the national anthem or indeed the whole Deutschlandlied was a source of unresolved wrangling between legal scholars for 38 years. Only in March 1990 did the Federal Constitutional Court resolve that only the third verse was granted protection under criminal law.

          Yet there is still no formal law on the national anthem of the Federal Republic of Germany.

          Source: http://www.bundesregierung.de

          Dhe se fundi nje gjerman sqaron stancen e pare dhe (mos)perdorimin e saj ne vidion me poshte:

          Why You Shouldn’t Say DEUTSCHLAND ÜBER ALLES

          https://www.youtube.com/watch?v=4FhEmEUshso

          Une nuk e solla shembullin per tu futur ne kanalet legale pa dalje te mosnjohjes dhe interpretimit te ligjit. Mesa di une nuk te futin ne burg per DEUTSCHLAND ÜBER ALLES or tej si pushka e jevgut. 🙂

  2. Une kangen nuk e kam degju, spo dyshoj qe artistikisht mund te jete e pa vlere. Po me ben pershtypje teksti i kenges te cilin e lexova me vemendje, edhe absolutisht me asnje fjale apo fjali nuk shpreh shovinizem apo qfardo ofendimi apo cenimi ndaj te tjerve qe ti e ke denoncu ne shkrimin tend, gjeje vetem nje fakt te tille? Nacionalizmi nuk eshte i ndaluar, ti e shume njerz ” te moderuar” e keni perzi nacionalimin me shovinizem. Si me qene ndonje greke apo serbe paranoike e paske shkru. Krahasimi qe i ke ba me Serbi se si ne do te reagonim eshte jashtezakonisht i pa vend, shume i pa arguementuar. Nuk e di a ke mungesa te informatave historike edhe aktuale a ku eshte problemi. Nese nuk e ke dite na Shqiptaret jemi ne viktime e shovinizmit te ktyre dy fqinjeve qe i ke permend, edhe ky shovinizem ne greqi e serbi eshte edhe i institucionalizuar. Krejt ne fund, tifozeria e kombetareve ne krejt boten i thur vargje nacionaliste ekipit te vet, kjo eshte krejt normale, nuk kendohen kenge dashurie ne ato raste.

  3. Ky eshte nje reagim i duhur. Edhe pse ka mundur te jete me shume argumentues megjithate keni nxjerr nga brenda ate vrullin e pare qe mblidhet kur menjehere sheh se diqka nuk eshte ne rregull.
    Eshte e dukshme, ka disa vite, qe mediat ne Shqiperi per lloj-lloj qellimesh e kane futur ne qendrimin e tyre edhe idene e bashkimit te trojeve me shumice (apo numer te madh) te banoreve shqiptare. Ato, ne bashkepunim me kengetaret qe nuk kane identitet artistik (qe kendojne ckado dhe kudo e kurdo) kane kapur mjetin me te forte me te cilin shqipetari e ka perquar idene nacionaliste pergjate gjeneratave. Nese Amerika e ka filmin, shqiptari e ka muziken per te percjelle kete mesazh.
    Ne nuk duhet te knaqemi dhe te arsyetojme se ‘edhe fqinjet serbe apo maqedonas apo grek, po bejne dhe e kane bere te njejten kunder neve. Prandaj pse te mos e bejme ne.’. Perkundrazi, ne duhet te shohim me kujdes se sa shume vuajtje, ngecje, tmerr ka sjell ideja dhe qajsa praktike permes nacionalizmit pergjate gjithe historise se njerezimit. Kjo eshte e fresket ne rethin tone dhe nje mendje e qete, dyshuese dhe vertete paqedashese e sheh se qofte edhe veprimi me i vogel qe thrret per ndarje te popujve permes idese ‘ne’ vs ‘ju’ nuk ka gje tjeter ne natyre te saj veqse urrejtje ndaj tjetrit, qofte serb, maqedonas, gjerman, rus.

  4. E gjej te sakte e me gezon ky shkrim . Ndoshta sepse prej kohesh ndjej me shume se bezdi nga himnet kombetare (perjashtoj ate gjerman, qe me pelqen si tekst!). Sepse edhe mendoj qe himnet si droge per te trullosur popujt i perdorin me ngulm o diktaturat o qeverite e paafta per te rritur mireqenien e popullit te vete. Kuq e zi, kuq jane qeveritaret e kosoves e shqiperise e zi jane popujt e te dy aneve. Kete kenge per ta kuptuar me mire do e shoqeroja me imazhet e ikjes se kosovareve. Makina e mashtrimit vazhdon te krijoj, te helmoj me ” helmi ne vesh , oh helmi ne vesh”. Ne vend te kendojne per flamurin kuqezi e shqiperi te madhe le te provojne e ti kendojne jetes se shqiptarit , te vene ne qender te vemendjes jeten e popullit, sepse fundja ky eshte patriotizem i vertet. Nje amerikan o gjerman i kendon himnet per ate nivel jetese qe keto vende i japin, nje shqiptare duhet ti kendoje me gezim e krenari po per te njejten arsye, per jeten e mire qe i jep ky vend. Nuk mund te duash me shume se te duan, te dua shqiperia ime per aq sa ti me do mua!

  5. Ju përgëzoj për shkrimin!

    Mendoj se argumentet tuaja janë të drejta dhe ajo që do dëshiroja më shumë se çdo gjë tjetër, është që ne si lexues të mendonim 10 herë përpara se të komentojmë. Do fitonim shumë sikur të mësonim nga çdo ide ndryshe nga e jona (edhe sikur të mos binim dakord).

  6. Kenge e shemtuar, ne vazhden e gjithe shemtise estetike dhe boshesise permbajtesore qe disa ne Shqiperi e shesin per elemet autentik shqiptar.

    Shqiperia e Madhe dhe Shqiperia Etnike jane dy gjera qe nuk kane lidhje me njera-tjetren ne kete bote. Eshte si dallimi mes pices dhe byrekut.

    Gjeja e fundit per te cilen shqiptaret kudo qe jetojne, kane realisht nevoje, eshte kjo kenge.

    Gjeja e pare per te cilen shqiptaret kudo qe jetojne, kane realisht nevoje eshte paqja mendore dhe vullneti per te pare nga e ardhmja.

    Ne mungese te vullnetit per prodhime cilesore qe permbushin shije estetike te rafinuara (jo pasthirrma barbare nga thellesite e instiktit prehistorik), ne mungese te vullnetit qe t’i shtrojme bythen punes e sfidave e te sjellim kontribute reale ne zhvillimin rajonit, ne mungese te nje vizioni te mencur, dhe ne prani te nje politike thellesisht te atrofizuar nga hajdutet dhe vrasesit qe jane bere deri edhe kryeministra dhe kryetare kuvendesh, dhe ne prani te nje medie te qelbur nga paraja e piste dhe kulisat, cfare na ka ngelur kenaqesi per tu permbushur? Sigurisht kjo kenge….qe nuk thote asgje, e nuk percjell asgje. Kjo kenge qe kenaq deshirat tona te coroditura, ne kete periudhe super te coroditur!

    Gresa, te pergezoj!

  7. Do te doja shume qe ky artikull te ishte fokusuar kryesisht ne komercializimin e patriotizmit shqiptar, ide e cila preket perciptazi. Ne vend te saj, autorja duket se ka nje mllef qe nuk arrij ta kuptoj ndaj ‘nacionalizmit’, mllef ky qe e kam vene re dendur ne pjesen e brezit tim, qe mbahet si me e ‘europianizuar’ apo ‘intelektuale’. Keta te rinj duken se kane adoptuar nga perendimi, nder te tjera, edhe mentalitetin e nacionalizmit si dicka e kote, e demshme apo e turpshme. Eshte gati komike menyra si ky artikull akuzon nje kenge qe, sipas tekstit qe ai citon, nuk ben asgje vecse i kendon Shqiperise, pa permendur asnje komb apo kombesi tjeter, si dicka qe nxit urrejtje dhe shovinizem. Eshte po aq qesharake te lexosh idene e Shqiperise se Madhe te krahasohet me idete e Serbise se Madhe apo Greqise se Madhe. Pra, vete ekzistenca e Shqiptareve si nje popull i bashkuar eshte shovinizem? Kush e dinte se ishim kaq te rrezikshem? Kush ka vrare, masakruar, aneksuar toka ne emer te Shqiperise se Madhe? Te krahasosh programet imperialiste te fqinjeve tane me idene e Shqiperise se Madhe, eshte me shume se qesharake, ama. Eshte ofenduese ndaj atyre shqiptareve qe kane vuajtur e jane vrare si pasoje e ketyre programeve, qe nuk kane pasur privilegjin te kene harruar se nacionalizmi shqiptar nuk eshte analog i nacionalizmit grek apo serb, por reagimi ndaj tyre, nuk eshte “arkaik dhe i dhunshem”, por eshte nder arsyet kryesore qe shqiptaret, gjuha jone, dhe kultura jone ende ekziston sot.

    1. Po i dashur. Edhe Gjermanët kur këndonin “Deeeeeutschland, Deeeeeutschland üüüüüber aaaaalles, ü-ber- all-es – in – deeeer Weeeeelt!!! nuk përmëndën gjë tjetër, por i vunë flakën gjithë kontinentit ama!

      Pastaj kush të tha ty që shqiptarët nuk kanë vrarë e prerë? Kanë vrarë e prerë njësoj si fqinjët; e kam fjalën për predispozicionin për të bërë këtë punë.

      Po si të dobët që kanë qenë gjithnjë, ju është dashur më shumë që të zbythen, se të vrasin e të presin.

      Ballkanasit të gjithë njësoj janë. Kur kanë mundësi të vrasin e të presin, dhe duan ta bëjnë këtë punë, nuk kanë shumë kokëçarje për pjesën morale të veprimeve të tyre.

      Kur italianët bashkuan Shqipërinë më Kosovën gjatë L2B, shqiptarët atje, që ju erdhi radha, i lidhnin serbët dorë për dore rreth një mulliri kashte dhe ja vinin flakën këtij pastaj. Ma ka treguar vetë Baca nga Juniku këtë, shqiptar “doc”, që të merrte gjak në vetull për shqiptarizëm. Po ky Baca, burrë i mirë shumë, por që një herë, kur rastisi të ishim ne të dy dhe një serb në një ashensor, sa nuk më rrahu mua që nuk pranova ta rrihnim këtë serbin, ngaqë ne (shqiptarët) ishim vetë i dytë dhe e rrihnim dot. Ky i gjori, që unë e njihja ishte në kulmin e depresionit (ishte viti 1992) se po e ndjente Luftën në Bosnjë të afrohej dhe u shkëlye që t’i shkruante me mua një letër Milosheviçit për nevojën e mirëkuptimit ballkanik. E kam fjalën, që ai ishte dukshëm në rrugën e Perëndisë.

      Pastaj pse të shkojmë aq larg, a nuk kishte gjë më të turpshme se dhuna që u ushtrua kundër magjypëve në Kosovë pas luftës së fundit atje?

      1. Pikerisht, ‘i dashur’, te krahasosh Shqiperine dhe Gjermanine eshte te jesh i verber ndaj cfaredolloj konteksti historik apo tjeter. Incidente individuale ka pa numerim, sado te trishta qe jane. Individe ‘te mire’ apo ‘te keqij’ ka kudo, ne secilen ‘pale’. Fakti eshte qe, packa Baces tend dhe serbit nga ashensori, nacionalizmi serb kishte qellim e pasoje genocidin, ndersa ai shqiptar mbijetesen. Te thuash “Ballkanasit njesoj jane” eshte te shperfillesh qe urrejtja dhe hostiliteti ndaj shqiptareve ne vendet fqinje nuk eshte thjesht kulturor po eshte platforme politike. Sa parti neo naziste ka/ka pasur Shqiperia, si Agimi i Arte? Sa Miloshevice? Nuk ka rendesi nese shqiptaret kane qene shume ‘te dobet’ per te kryer masakra ndaj vendeve te tjera, edhe nese kjo eshte e vertete, kjo ‘dobesi’ ekziston ende. Nje kenge nuk do te shtyje shqiptaret te aneksojne Polonine. Ky nacionalizem ndaj te cilit keni kaq frike eshte asgje tjeter vec rezistence ndaj imperializmit te dhjetera shteteve, mbreterive, dhe perandorive qe na kane pushtuar e kane tentuar te na asimilojne gjate gjithe historise sone.

        1. Te thuash “Ballkanasit njesoj jane” eshte te shperfillesh qe urrejtja dhe hostiliteti ndaj shqiptareve ne vendet fqinje nuk eshte thjesht kulturor po eshte platforme politike.

          Por nëse është e vërtet se Shqiptarët nuk janë njëlloj me Ballkanas të tjerë, vetë kjo këngë, trumbetimi i saj, dashur pa dashur na bën njëlloj. Sepse na sjell tek emëruesi më i vogël i përbashkët: të qënit patetik dhe trushplarë. Kjo nuk është as platfomë kulturore as politike!

          Po kanë ndonjë gjë më të mirë se kaq, bujrum! Por këto janë budallallëqe dhe marrina.

          1. Edhe unë kështu e mendoj – të jesh i vogël nuk është virtyt. Historia nuk njeh përjashtime: i vënë në pozita force, nacionalizmi nuk vonon që ta tregojë fytyrën e vet imorale. Por të thuash se “ne nuk jemi si të tjerët, ne nuk jemi të ligj si të tjerët”, edhe kjo është pjesë e propagandës nacionaliste, sa kohë që ia njeh arbitrarisht një valencë etike dallimit mes “nesh” dhe “të tjerëve”. Ose, përndryshe, do të na duhet të pranojmë se nacionalizmi shqiptar është i mirë dhe i meritueshëm sa kohë që nuk ka asnjë shans të kthehet në platformë politike serioze; por mbetet në nivelin e simbolikës kitsch, stadiumeve dhe qëndismave. Se, kështu në përgjithësi, është e neveritshme që një popull të fillojë dhe të admirojë vetveten; pa u zgjatur pastaj më tej, ose kur kjo bëhet në kontekstin e tifozerisë sportive, ose të një populizmi që është produkt i manipulimit politik; dhe aq më keq kur është fjala për një komb që ka mbetur në bisht të kontinentit, si ne. Ah, na kanë lënë të tjerët mbrapa, të huajt… por ky është nga ato argumente që duhen vënë në skenë qoftë edhe me psikanalistin, jo përlavduar!

          2. “Unë jam kuq e zi, kuq e zi,
            Jam unë dhe ti, kuq e zi,
            Me gjithë zemër të kemi sot
            O flamuri më i bukur n’botë!”

            “Jemi një forcë, jemi një gjak,
            Asnjëherë nuk ike,
            Jemi ne, jemi ne,
            Shqipëri etnike,
            Po thërret toka jonë, lisat edhe malet,
            Se ne jemi një komb, Shqipëri e Madhe!”

            Kjo supozohet te ishte pjesa e kenges qe nxiste urrejtje. Pra nje kenge, pjesa me kercenuese e te ciles eshte kjo, na ben njelloj me fqinjet tane dhe eshte e barazvlefshme me spastrim etnik? Nuk me intereson se sa ‘patetik’, ‘trushpelare’ dhe ‘budallallek’ mund t’i duket hipsterave dhe pseudo-intelektualeve patriotizmi, por ta vesh nacionalizmin shqiptar ne nje nivel me ate serb apo grek, eshte injorance e vullnetshme ndaj cfaredo konteksti.

    2. them se jam i ri dhe me këtë frymën europiane që citoni ju por jo me frikën për të qenë nacionalist. Nuk e shoh aspak si të turpshme. Shumë vende europiane në mos të tëra brenda vetes së tyre kanë këto ndjenja. As këngën nuk do doja ta akuzoja por as t’i jepja më shumë rëndësi seç duhet. Në këtë diskutim kënga është vetëm sebepi. Puna është se këto ndjenja janë shumë sipërfaqësore dhe jo të bazuara vërtet në dashurinë për kombin por si ajo euforia e pijanecit që gafurret për çdo gjë që e bën të bjerë në sy. Ne duhet të tregojmë në jetën tonë të përditshme që e meritojmë apo jo fjalën atdhetar apo nacionalist. Atdhetar nuk është ai që pshurr e menderos përditë vendin e vet me vetëdije, indiferentizëm apo injorancë dhe pastaj vrapon i pari të rrëmbejë pushkë e flamur pa pasur bukë me vete.

  8. E pashe dhe degjova kete klip perpara disa ditesh dhe nuk me pelqeu fare. Klipi ishte konceptuar si nje marshim luftarak me nje mllef apo urrejtje te pashpjegueshme, aq me teper qe pretendohet per te qene himni i futbollit te skuadres sone kombetare apo sic i thone ndryshe “kuq e zi”. Po a ka budallallaek me te madhe sesa te ngaterosh apo miksesh lojen e futbollit me te drejtat apo deshirat per bashkim teritoresh? Nejse, kushdo qofshin ideatoret e kesaj gjetjeje, por edhe financuesit sigurisht, nuk mund te rri dot pa ju thene mendimin tim: qe jeni qesharake dhe te amortizuar teresisht ne funksionimin e sistemit mendor.

    1. Snob ose jo, kjo histori është marrëzi sido që ta kapësh.

      Askush nuk po e vë shënjën e barazimit midis gjenocidit Serb, dhe kësaj këngë. Kjo sillet këtu prej jush sepse ka mungesë argumenti.

      S’ka dyshim që në nivel simbolik kjo sjellje nacionaliste vetvetiu vendos një shënjë barazimi me nacionalizma të tjerë. Sepse nacionalizmi nuk identifikohet si “më i mirë” apo “më i keq”.

      Kjo është shumë problematike sepse, siç thoni ju, njëra palë ka kryer genocid ndërsa pala tjetër është viktimë. Dhe është ky lloj qëndrimi; kjo lloj sjllje; që i vë shënjën e pamerituar të brazimit nacionalizmit Shqiptar dhe nacionalizmit Serb – jo e kundërta.

      Ka lloj lloj mënyrash për të qënë patriot dhe nacionalist. Dhe nuk nguroj dot ta them: kjo është mënyra më idiote.

      Por më e rëndësishmja, kjo lloj fryrje nuk i bëm nder viktimave të vërteta të genocidit që ju përmëndni, që është e gjithë Kosova.

      E vërteta e hidhur është që ndërsa Shqipëria ishte dashur të ofrnte mbështetje reale për Kososvën (jo thjeshtë me këngë) historikisht ka dështuar.

      Kurse mbështetja që u jep elita jonë këtyre platformave, me Digitalb, i bën ata dyfish viktima: një herë të zhovinizmit fqinj; dhe më pas të manipulimit të paskrupullt të sponsorizuar nga brenda.

      Por edhe dicka tjetër e rëndësishme që anashkalohet:

      Kënga është inerci e ndeshjes në Beograd. Ndonëse ajo ndeshje nuk ishite nën kontrollin tonë,
      humbja në tavolinë që na u dhurua duhej të ishte një mësim. Sepse nuk kuptuam dot pozicionin qesharak dhe të panevojshëm ku e vumë veten pas ndeshjes.

      Nëse ajo nuk ishte mësim, ndoshta ndeshja e radhës do bëhet. Sigurisht askush nuk ua uron djemve Kuq e Zi një përsëritje të asaj që ndodhi.

      Por ata, bashkë me futbollin Shqiptar, janë të vetmit që kanë ç’të humbin në këtë mes, sepse investojnë më shumë se karrierën e tyre sportive.

      Kurse ata që i këndojnë nacionalizmit, nuk është se prodhojnë ndonjw gjë. Janë thjesht produkt.

      1. “Por nëse është e vërtet se Shqiptarët nuk janë njëlloj me Ballkanas të tjerë, vetë kjo këngë, trumbetimi i saj, dashur pa dashur na bën njëlloj” Si tjeter supozohet te interpretohet kjo fjali? Mungese argumentash? Si psh kur dikush thote se “kjo sjellje nacionaliste vetvetiu vendos një shënjë barazimi me nacionalizma të tjerë”, pa marre mundimin te shtjelloje?
        Nacionalizmi pa dyshim qe kategorizohet si “me i mire” apo “me i keq”, kur ke nacionalizma qe kane shkaktuar vdekjen e 30 milione europianeve, dhe nacionalizma qe ekzistojne vetem si pasoje e mesymjeve. T’i llogarisesh te gjithe nacionalizmat si ‘te keqij’, do te thote t’i shohesh ata te gjithe si te barabarte. E per ta bere kete duhet te besosh se te gjithe kombet jane te barabarte, gje qe eshte qesharake. Nacionalizmi shqiptar s’eshte, s’ka qene, dhe s’ka per te qene ndonjehere i rrezikshem per faktin e thjeshte, dhe te dokumentuar mire ne histori, qe Shqiperia nuk ka as ambicie dhe as fuqi per te perndjekur ate ambicie.
        Sigurisht qe ka sa e sa menyra per te ushtruar patriotizmin, nese do te kishe lexuar komentin tim te pare, do te kishe vene re qe e hap duke thene se do te kisha dashur te lexoja me shume per komercializmin e tij. Ky artikull, ama, nuk duket se shqetesohet kryesisht me kengen dhe se si ajo perpiqet te kapitalizoje mbi ndjenjen e patriotizmit qe eshte ngjallur keto kohet e fundit te shumica e shqiptareve. Ai sulmon vete patriotizmin si dicka arkaike, te padobishme apo te dhunshme.
        Padyshim qe nje kenge nuk ia ze vendin ndihmes se vertete qe Kosova duhet te kishte marre nga Shqiperia, ama kjo nuk eshte arsyeja pse ju apo ky artikull apo shume komente te tjere e sulmojne ate.
        Humbja e ndeshjes ne tavoline, duhej te ishte vertet nje mesim, duhet te na kujtonte cka shume e kane harruar, megjithese shume te tjere jane perpjekur t’ua kujtojne duke filluar nga Fishta (Ah! Evrope, ti kurva e motit) e deri te Jericho (Fuck off Europe!) : Europa nuk do ta vere kurre Shqiperine perpara Serbise, Greqise, apo, ne fakt, cilindo prej fqinjeve tane.

        1. Si tjeter supozohet te interpretohet kjo fjali? Mungese argumentash? Si psh kur dikush thote se “kjo sjellje nacionaliste vetvetiu vendos një shënjë barazimi me nacionalizma të tjerë”, pa marre mundimin te shtjelloje?

          patpotato,

          Nëse do i referohesh gjithë fjalisë ndoshta e kupton. Sepse unë them : S’ka dyshim që në nivel simbolik kjo sjellje nacionaliste vetvetiu vendos një shënjë barazimi me nacionalizma të tjerë. Sepse nacionalizmi nuk identifikohet si “më i mirë” apo “më i keq”.

          Arsyeja përse them që nacionalizmi nuk identifikohet si “më i mirë” apo “më i keq”, është sepse sot për shkak të historisë së vet, ai është një term pexhorativ.

          Kjo do të thotë që ai identifikohet me pikën më të ulët të vet, jo me pikën më të lartë.

          Përpjekja për ta kthyer nacionalizmin në virtyt të Shqiptarëve, nuk është se i lartëson ata. Përkundrazi i identifikon ata, dashur pa dashur, me një të keqe tjetër me të cilën nuk kanë arsye përse të identifikohen.

          Në Ballkanin modern pika më e ulët e nacionalizmit ka qënë gjenocidi Serb, në Bosnje dhe në Kosovë. Sa më shumë nacionalistë bëhemi ne, dhe sa më shumë identifikohemi me të, aq më shumë e relativizojmë këtë pikë të ulët.

          Ne mund të rrimë dhe të fajsojmë Europën ditë e natë për këtë, dhe për të tjera gjëra me të cilat identifikohemi pa u menduar shumë. Duam, s’duam, sot politika dhe media funksionojnë me simbolet e imazhit dhe ‘soundbites’, dhe jo me memorie historike, aq më keq në fusha stadiumi.

          Por nuk është çudi që me kontributin tonë në pasurimin e Nacionalizmit Ballkanik, të jemi në fakt gjithashtu kontribuesit kryesor të fshirjes nga memorja e ‘ndërgjegjes historike europiane’ të pikave më të ulta të këtij nacionalizmi.

  9. Ju përgëzoj për shkrimin Gresa,
    dhe për të gjithë atdhetarët që komentojnë me flamur ngrehur doja të thoja se Gjermania, Italia apo kushdo vend tjetër i ka bërë ndoshta vend vetes. Në një moment tjetër edhe ne mund të prodhojmë një këngë të ngjashme por në kohët që jetojmë më duket thjesht shumë patetike dhe cinike.
    Çfarë do të thotë të jesh atdhetar apo nacionalist? Nuk e shikoj këtë dashuri nëpër rrugët e lagjeve apo bridhe lumenjsh dhe plazhesh të mbushura plot me plehra, as në trotuarët ku nuk ecën dot me fëmijën tënd me karrocë, apo në çdo aspekt tjetër të jetës përveçse në stadium. Shqiptarë të dashur, të mësojmë njëherë të respektojmë njëri-tjetrin (nuk po them të duam se mund të jetë e tepërt). Në jetë të përditshme jemi vite dritë larg vendeve me himne që përmendim.

    Puç puç

  10. Si me porosi ky shkrim!

    Edhe Platini-ja ishte shprehur shumë pak a shumë në të njëjtën frymë, siç njofton portali panarmenian.net këtu:

    http://www.panarmenian.net/eng/news/189752/

    por edhe BBC-ja këtu:

    http://www.bbc.com/sport/0/football/32030298.

    Në fakt futbolli shqiptar e ka humbur krejtësisht funksionin primar, atë të argëtimit publik nëpërmjet ndjekjes së një aktiviteti sportiv, fenomen që e ka fillimin e vet diku tjetër, por si të gjithë gjërat e tjera të mbrapshta, i përqafojmë shumë shpejt, i kopjojmë shumë mirë, për t’i tejkaluar shumë shpejt.

    Mbase, për sa kohë që reforma kushtetuese që do të duhej të legjitimonte Ministrinë e Kumarit ende na lë të presim, ku do të duhej të përfshihej kjo çështje publike, mirë do të ishte që futbollin ta mbulonte Ministria e Mbrojtjes. Kjo e fundit bën që bën një vrimë në ujë, të paktën t’i japë një domethënie të dukshme kësaj kështu.

  11. Së pari uroj të jeni mire. Tani hyra në internet dhe pash se diskutimi qenka zgjeruar. Do kthej një përgjigje shkurtë për ata që i janë referuar komentit tim. Mund t’ju duket mendim fëminor ajo që kam shprehur më sipër në lidhje me shkrimin e Gresës por mua më duket i drejtë. Kënga në fjalë është një këngë për të mbështetur kombtaren tonë në futboll dhe flet për flamur, për komb apo ku di unë. Pse duhet të përdorni fjalën “nacionalizëm” aty ku ka vetëm kombtarizëm (dashuri për kombin, (për ata që nuk e kuptojnë)). Nuk ka asnjë arsye të kemi frikë kur përmendet kombi apo flamuri sikur kemi bërë ndonjë faj të rendë për aq kohë sa nuk shajmë apo ofendojmë njeri, për aq kohë sa të këndosh për kombin nuk është krim në asnjë vend të botës (as në ato vendet perëndimore që aq shumë ju pëlqen t’u referoheni , a thua bota është vetëm aq). Nejse, nëse ju e doni kombin në një mënyrë më të “moderuar” dhe jo si ne “arkaikët” i bëni ndonjë të mire vendit. Mos ikni të jetoni dhe investoni jashtë vendit me gjithë këtë dashuri dhe paqe që predikoni.
    Mos kini frikë kur thuhet se flamuri kuqezi është flamuri më i bukur në botë sepse për shqiptarët nuk duhet të ketë flamur më të bukur se ai, ashtu si prindi për fëmijën është prindi më i mirë në botë. Mos kini frikë t’i doni rrënjët tuaja sepse sado të dobëta dhe të këqija që mund të jenë, pa to nuk mund të jetoni gjatë. Prandaj, për aq kohë sa nuk urreni njeri, duajeni botën por fillimisht duajeni kombin, se aty është zanafilla e historisë tuaj.
    🙂 E parashikoj reagimin tuaj pas ketij komenti të dytë por unë nuk kam më asgjë për të thenë pas kësaj që sapo shkrova.
    Mbrëmje të qetë bashkombas të dashur!

  12. Shqiperia e madhe, apo ajo etnike eshte nje fakt, por ideja e Serbise dhe e Greqise se madhe kane qene disa plane te disa shteteve te cilet i kishin kufinjte e tyre, por donin t’i zgjeronin ata ne kurriz te Shqiperise. Ne te gjithe e dime se harta e Shqiperise etnike nuk eshte dicka qe ka lindur kot, por eshte nje e vertete historike qe askush nuk mund ta mohoje, sepse jo me kot i gjithe brezi i ri, ne arsimin e ulet dhe jo vetem, i studion keto treva si “treva shqiptare”, por qe gjenden jashte kufinjve tane, per shkak te 1913-es qe e njohim te gjithe, dhe une nuk mendoj se duhet quajtur e gabuar ideja e Shqiperise etnike per shqiptaret, kur ne thjesht e duam Shqiperine te bashkuar me trojet qe i jane marre…Megjithate, shkrimi yt ishte i arritur dhe une te pergezoj. Komenti i mesiperm ishte vetem mendimi im personal 🙂

  13. nacionalizmi nuk ka si te jete negativ. shovinizmi e ngerthen kette nocion. argumenti se himnet e kombeve te tjera evropiane jane shkrue para gati dy shekujsh, ashte gjithashtu i pabaze nese kemi parasysh dinamiken tone kombetare. ajo qe filloi me rilindjen kombetare u nderpre ne mes nga diktatura komuniste, kur shume do te pritshin me tuba lulesh kedo qe do t’i pushtonte (lexo: clironte nga komunizmi). shume gja e mire qe nacionalizmi po ringjallet bashke me dinjitetin si shqiptar e gjana te tjera qe vijne me te! ende shume shqiptare ndihen shume inferiore ndaj cdo te hueji qe vjen e na shet p…. une kam nji opinion per vete, por do te dojshe me dite se c’mendojne te tjeret sa i perket nacionalizmit mbrenda caqeve te nacionalizmit te mire, sa nacionaliste jane shqiptaret ne krahasim me te tjeret rreth vetes? une them qe jemi ma pak, shume ma pak, dhe gjej nji lidhje ndermjet kesaj ndjenje dhe zhvillimit te kombit ne te gjitha aspaktet. per prove matematike te ketij problemi, hidhni nji sy kombeve ma nacionaliste te botes dhe zjvillimit te tyne ekonomike-shoqnor.

  14. kujtdo qe kujton se te jesh kozmopolit, je modern, i kujtoj se kozmopolitizmi ashte i vjeter sa vete raca njerezore, ashtu si edhe nacionalizmi

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin