Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

DROGOKRACI

Termi në titull ‘drogokraci’ është i huazuar prej Fatos Lubonjës, nga një shkrim i tij i mëparshëm për të njëjtën temë. I përdorur këtu i referohet natyrës ‘narkotike’ të shkëmbimeve ekonomike që sot pretendohet se dominojnë ekonominë shqiptare; një varësie kundrejt një tipi transaksioni që prodhon një sistem politik dhe social të caktuar, jo thjesht në kuptimin e ngushtë të mardhënieve dhe shkëmbimeve kriminale të lidhura drejtëpërdrejtë me trafikimin e drogës.

Ndërsa të ardhurat qe vijnë nga aktiviteti i drogës, dhe çdo aktiviteti që e ka ligjshmërinë të dyshimtë, mund të konsiderohen si ‘origjina’ jashtë-ekonomike e cdo aktiviteti që e vijon, injektimi më pas në ekonomi në formën e aktiviteteve të ligjshme siç janë ndërtimet, bizneset, baret, kafenetë, restorantet etj., e bëjnë atë pjesë e të përditshmes.

Kuptohet pasoja: se ndërsa ka një rritje ekonomike fillestare, pritshmëria dhe varësia e ekonomisë rritet gjithashtu. Dhe sa më gjatë vazhdon ky lloj aktiviteti ‘origjina’ jashtë-ekonomike kthehet në thelb të saj, në kuptimin që është ajo (jashtë-ekonomikja) që i siguron asaj stabilitetin, bashkë me paradoksin që një ekonomi shumatore aktivitetesh të ‘ligjshme’, thelbin e ka tek e ‘paligjshmëria’.

Është pikërisht ky paradoks që aq sa dëshmon për varësinë tonë ndaj krimit, po aq edhe bën çdo përpjekje për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme pothuajse të pamundur.

E megjithatë thelbi i problemit vlen të shihet në natyrën e mardhënieve ekonomike dhe më gjerë shkëmbimit jashtë-ekonomik që krijohen si pasojë e ‘jashtëligjshmërisë’, dhe në atë masë që ato imponohen si ‘dora e fshehtë’ e ekonomisë (siç është përdorur ky tem nga Adam Smith-i, metaforë për rregullatorin e një tregu të caktuar).

Ndërkohë në një ekonomi ku shkëmbimi ka për origjinë dhe thelb ‘të paligjshmen’ dhe ‘informalen’, që i kundërvihen ‘formales’ dhe ‘të ligjshmes’, ‘dora e fshehtë’ e cila normalisht do duhej të favorizonte interesin e ekonomisë kombëtare, paraqitet e dyzuar, apo konkurrente, në kuptimin që ‘informaliteti’-‘e paligjshmja’ vetëm se e dëmton ‘formalitetin’ dhe ‘të ligjshmen’.

Ndërsa në aspektin individual ‘dora e fshehtë’ , nëse do i referohesha Hanah Arendt-i (185), mbart me vete supozimin se shkëmbimi tregtar është më shumë sesa një aktivitetet i thjeshtë ekonomik, dhe që “njeriu ekonomik” (“economic man” A.H.) kur shfaqet në treg është një qenie aktive, jo thjesht prodhues apo tregtues. Të qenit aktiv në kuptimin që i jep këtij Arendt-i, e përcakton atë (tregtarin dhe prodhuesin) edhe si një qenie politike, dhe i bashkangjit atij ‘fjalën’ dhe ‘veprimin’.

Ndaj thelbi i problemit është ballafaqim i aktorëvë (si qenie politike dhe shoqërore) me interesa të kundërta në një treg të caktuar. Nga një anë ata që mbështetin ligjin; dhe nga ana tjetër ata që për shkak të interesave sado të tërthorta e meskine, janë të interesuar në ‘informalitet’ dhe ‘paligjshmëri‘. Në këtë kuptim ky konflikt mund të përkufizohet si luftë për të influencuar ‘dorën e fshehtë’.

Por ky lloj ballafaqimi nuk është ai tipik i dy palëve brenda përbrenda një sistemi demokratik, në kuptimin e fjalës dhe të votës së lirë, dhe as përfaqsohet në formën pozitë – opozitë. Kjo sepse ndërsa problemet e ‘formalitetit’ dhe ‘ligjit’ mund të shtrohen vetëm brenda për brenda institucioneve, ‘paligjshmëria‘ vepron jashtë tyre dhe nuk ka nevojë për to.

Ndërkohë në një demokraci, si të thuash, të varur (addicted) nga ‘paligjshmëria’, dorëzimi përballë saj është më shumë një realitet i pakundërshtueshëm, sesa hipotezë. Në këto kushte është po ashtu shumë e lehtë ta perceptosh shtetin si të ‘kapur’ pa qënë nevoja të provohen lidhje të drejtëpërdrejta me krimin.

Është pikërisht ky moment në demokracitë e brishta, kur votuesit, përballë një realiteti të pakundërshtueshëm jo-ligjor (të kapjes së shtetit nga krimi), i bëhet thirrje të rreshtohet pas një vullnetit të pakundërshtueshëm për të luftuar krimin. Zakonisht duke qënë se ky vullnet është shumë i vështirë të prezantohet nga institucionet e perceptuara si të kapura, është vullneti i një lideri të fortë që paraqitet si ofertë. Dhe duhet thënë se oferta e një lideri të fortë në këto kushte, sado jodemokratike, duket dhe paraqitet logjike për shkak të rrethanave.

Në fakt ‘lideri i fortë’ demokracisë shqiptare i është prezantuar apo imponuar qysh në fillimet e veta kryesisht në dy mënyra: fillimisht me identifikimin e liderit me çështjen, dhe pas me prezantimin e votuesit me një sërë dilemash p.sh.: midis hapjes, reformave dhe diktaturës; midis mbështetjes së ish-persekutuarve dhe ish-persekutorëve; midis hapjes së dosjeve dhe ruajtjes së rendit social etj. Këto dilema, reale apo të stisura, sot kanë evoluar, por edhe janë reduktuar së bashku me demokracinë shqiptare, për të përfunduar si një dilemë në zgjedhjen e së keqes më të vogël, që në të vërtetë nuk është veçse thellimi apo konsolidimi i çfarëdo lloj të keqeje që perceptohet.

Por çka është e rëndësishme për t’u kuptuar nga kjo histori rrokadash liderash të këtyre njëzetë e pesë vjetëvë, nuk janë interesat e avancuara të botës së krimit, apo politikës, por është ajo që ne shumica anonime kemi humbur si pasojë. Është ajo që thotë Arendt (188) se: ‘Në rastin e sundimtarit të suksesshëm, ai mund ta paraqesë si të vetën atë që është në të vërtetë arritje e shumë të tjerëve… Nëpërmjet këtij pretendimi, sunduesi monopolizon, si të thuash, forcën e atyre pa ndihmën e të cilëve ai kurrë nuk do kishte mundur të arrinte ndonjë gjë.’

Pra është pikërisht monopolizimi i vlerave nga sundimtari i radhës, që e zhvesh publikun nga çdo sens arritjeje dhe kontributi në demokracinë liberale (duke filluar që nga lëvizja e Dhjetorit e duke përfunduar në votimet gjithnjë e më pak dinjitoze), por edhe fakti që ia barazon vlerat me arritjet anonime të botës së krimit, arritje të cilat duket se janë e vetmja gjë që “shhkëlqejnë”.

Ndaj ajo që i prezantohet sot si dilemë shqiptarëve, pra zgjedhja midis: dhunës së bandave, tritolit dhe linçimit publik në formën e terrorit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër: të atyre që betohen në emër të ligjit dhe prezantohen në formën e një shteti të fortë, që e lufton informalitetin, paligjshmërinë dhe kundravajtjen (me fjalë), kërcënohet me fadroma e prerje energjie, me gjoba, e deri edhe me ministra rendi të shoqëruar nga maskat në konferenca shtypi, (por njësoj të dhunshëm), nuk janë të tilla (dilema). Janë veçse lojra teatrale.

E megjithatë, atyre që thonë se kapja e bandës së drogës në Elbasan ishte një aksion ndaj peshqve të vegjël dhe fukarenjve, (në një moment që dëshmoi të ketë qenë një mungesë totale kontrolli dhe vëmendjeje e politikës ndaj prokurorisë dhe rendit) në fakt tregon se nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë, nevojën që kanë politikanët (njerëzit e fjalës), për kriminelët (njerëzit e veprës).

Për aq sa kapja e asaj bande është një akt shprese, duket se po ashtu e vetmja shpresë kundër krimit tani për tani është pavarësia e prokurorisë, drejtësisë dhe rendit, dhe jo politikanët e dështuar.

Bibliografi

Lubonja, Fatos. Dilemat e Operacionit Antidrogë http://perpjekja.blogspot.com/
Smith, Adam. The Wealth of Nations http://www.bibliomania.com/2/1/65/112/frameset.html
Arendt, Hannah. The Human Condition. Chicago: University of Chicago Press, 1998. Print

 

Pa Komente

  1. termin drogokracia, e gjen ne formen narkocracy ne Kolumbi, tani vone ne Salvador, Ekuador etj.

    Shteti po nuk premtoi monopolin e dhunes, qofte edhe ne forme selektive apo ne ne aleance me krimin e organizuar (duke zhdukur konkurrencen sikur ne Meksike), nuk mund te perligj ekzistencen e vete, jashte e brenda shtetit. P.sh. besoj se ka me dhjetra hetime te tilla nderkombetare, thirrje per ekstradim etj., por jo te gjitha gjejne bashkepunimin e prokurorise apo te organeve te policise shqiptare. Rasti i fundit i suksesit ndaj nje bande te re perligj ekzistencen e shtetit, por edhe sigurine ndaj aleancave te vjetra.

    Te mos harrojme se ky operacion u krye fill pas akuzave te PD-se se personi i vendosur ne krye te sherbimeve sekrete policore ishte nje ish-diplomat i perzene nga italia per trafik droge (me vellain ne burg). Sahatet tregojne te njejten ore (mund te ish nje titull libri) nga gjykata, prokuroria, qeveria e deri tek policia.

    Por ne Wikileaks del se ambasada amerikane ishte njoftuar nga drejtori i policise, se duhej derguar zv/drejtori i pergjithshem, vartesi i tij, jashte shteti per tu ndermarre nje aksion policor, pse operacione te tjera ishin dekonspiruar. Dmth. krimi organizuar e ka penetruar shtetin dhe dejet e tij.

    Mu kujtua nje liber i Hernandez dhe R. Savianos, NarcoLand mbi Meksiken. Ketu nuk kemi si dikur perdorimin e trafikanteve dhe shkembim favores nga politika, por kemi politikane-trafikante qe perdorin trafikantet e vegjel si pjese kembimi – keta jane te zevendesueshem – por familjet e medha te krimit jane ato qe qeverisin keto vende prej dekadash.

    Shpresojme te mos kemi ardhur ne kete deregje.

  2. Jam dakort me rolin e politikanin-trafikant, por ka një aspekt të rëndësishëm që duhet kuptuar nëse e kemi seriozisht vullnetin për ta çmontuar këtë lloj politikani. Nuk është aq e lehtë për këta politikan të vazhdojnë ta fusin drogën në valixhe diplomatike, në kuptimin që ata nuk mund të kryejnë njëherësh edhe rolin e mburojës politike edhe atë të trafikantit.
    Pra ka një ndarje të rolit të politikanit-trafikant, që politika siguron mburojën ndaj ligjit, kurse trafikanti (wheeler and dealer) kryen transaksionin. Ky dyzim i politikanit-trafikant nuk është se mund të bëhet me ndihmën e kujtdo që gjendet në rrugë, porse duhet bërë me njërëz të besuar , të sprovuar, dhe të afërm me politikanin. Pra nuk janë edhe aq lehtë të zëvendësueshëm këta “wheelers and dealers”. Kjo e bën kapjen e këtyre trafikantëve të rëndësishme.
    Ndërsa ideja që ne do arrijmë ndonjëherë të bëjmë lidhjen e drejtëpërdrejtë (si të thuash ‘kapjen me prresh në dorë”) të ndonjë politikani me një trafikant nuk ka bazë reale. Lidhja është gjithmonë indirekte, dhe mund të vlerësohet vetëm nga pasuria dhe pushteti ndaj grupit që këta politikanë zotërojnë. Ndaj edhe pasuria e pajustifikuar është një tjetër krim që nuk duhet toleruar nga shoqëria jonë, sepse është e vetmja lidhje direkte që kemi me krimin.
    Ka pasur një shpresë se rritja e mirqënies ekonomike do i ndryshojë gjërat. Duket se kjo hipotezë po bie poshtë me shpejtësi të madhe. Mënyra se si e krijojmë mirëqënien po bëhet më e rëndësishme. Ndaj vetëm një masë kritike që jeton mirë në ekonomi formale, mund ta sjellë ndryshimin, në kuptimin që sado më të varfër të bëhen fshatarët, duke mbjellë vetëm domate dhe qepë në vënd të hashashit, do jetë shumë më mirë për ekonominë në përgjithësi.
    Mund ta kem edhe gabim, por mendoj se realisht çështja më e rëndësishme është funksionimi i drejtësisë (prokurori, gjykatë) dhe i ekonomisë formale. Aspekti policor është dytësor, në kuptimin që dhuna është aq e drejtë sa ç’është i drejtë sistemi. Kur nuk ka drejtësi dhuna rigjeneron vetveten. Shembulli më i mirë që sollët ju është Meksika.
    Prezantimi i një shtetit policor është një bllof i politikës, porse i rrezikshëm sepse gjithcka është në tavoline për t’u humbur. Ndaj ka rëndësi që jo thjeshtë ta supozosh por edhe t’i shkosh, deri në hapjen e kartave.

    P.S. Megjithëse e gjej interesante rolin e të huajve në këtë mesele më thotë shumë pak, në kuptimin që interesat e tyre janë të paqarta, ose nuk dihet sa të qënësishme, për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe sistemin.

    1. roli i te huajve eshte ne legjitimimin e dhunes se shtetit tone ndaj qytetareve te vet, e ekzistences se klases politike perballe alternatives se 1997, kaosit dhe anarkise. Dmth. marredheniet me interpolin (pervec troikave te ndryshme qe trokasin here pas here ne Tirane) formojne auren e legjitimitetit per autoritetet e rendit. Perndryshe, per qytetarin e thjeshte eshte e veshtire te perceptoje nje rol e funksion te qarte administrativ apo policor per kusheririn e vete maj motorit (por ne sy te botes eshte e lehte te shndrise kjo uniforme).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin